“Bëmë mama të të ngjaj”, njihuni edhe me nënën e modeles Adrola Dushi

Adrola Dushi është një ikonë bukurie. Ish-Miss Shqipëria, është një ndër vajzat që do të mbahen mend gjatë sado vitet të kalojnë.

Mirëpo, bukuroshja nga Rrësheni nuk qenka e vetmja vajzë e bukur në familjen e saj. Dje në ditën e nënës në SHBA, Adrola ka publikuar një foto vërtet të bukur së bashku me mamanë, dhe djalin.

Fansat kanë shkruar menjëherë, se Adrola e paska marrë bukurinë nga e ëma, pasi ato kanë vërtet një ngjashmëri të madhe. Edhe Troi pastaj i ka ngjarë mami Adrolës. Sa familje e bukur!

Adrola është zhvendosur prej disa kohësh në SHBA, pasi atje ndodhet edhe familja e saj.

Më poshtë po ju përcjellim një intervistë që Adrola ka dhënë kohë më parë për revistën MADAMA MAPO.

Tashmë, e çon jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, ku ka nënshkruar kontratë me një agjenci mode në Nju Jork dhe në Boston, ndërsa planet e saj për karrierë përfshijnë domosdoshmërisht edhe familjen e saj të vogël… Për të gjitha këto, por edhe për “sekrete” të vogla të një modeleje dhe nëne, Adrola rrëfen në “Madame Mapo

Nga Blerina Goce
Njohja me bashkëshortin, Adisin, dhe sjellja në jetë e djalit të saj, Troi, para disa vitesh, dukej se do të ndryshonin në një kohë fare të shkurtër, jetën e Adrola Dushit.
Bukuroshja e zgjedhur si “Miss Universe Albania 2012” dhe me një karrierë premtuese në fushën e modës, shumë shpejt do ta shihte veten në një tjetër formë. Lindja e të birit nuk ia ndryshoi aspak linjat delikate, kurse i shoqi do të kuptonte shumë shpejt botën ku punonte e zgjedhura e zemrës e do të bëhej mbështetësi kryesor.

Tashmë, e çon jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, ku ka nënshkruar kontratë me një agjenci mode në Nju Jork dhe në Boston, ndërsa planet e saj për karrierë përfshijnë domosdoshmërisht edhe familjen e saj të vogël… E lidhur ngushtë me familjen, por pa ndier “barrën” apo “angaritë” e të qenit e martuar, ajo pohon se sado kohë të kalojë, kurrë nuk do ta ndiejë veten si grua e martuar. Porse, megjithatë ka disa arsye se pse ajo mendon kështu. Të lidhura patjetër me dashurinë që përjeton çdo ditë, lumturinë dhe lirinë e brendshme. Për të gjitha këto, por edhe për “sekrete” të vogla të një modeleje dhe nëne, Adrola rrëfen në “Madame Mapo”…

Para pak kohësh u fol se ishe rrugës për një kontratë me ‘Victoria’s Secret’”. Ndërkohë që keni punuar si modele e një agjencie mode me bazë në Boston. Ku është sot Adrola Dushi në botën e modelingut?
Si fillim, më duhet të sqaroj lidhur me “Victoria’s Secret”. Mua m’u drejtua një pyetje, se cila është ëndrra jote në fushën e modelingut dhe unë dhashë një përgjigje, duke thënë se, në qoftë se arrij të jem pjesë e “Victoria’s Secret” do të ishte realizimi i dëshirës sime më të madhe. U desh kjo përgjigje dhe lajmi u bë bujë, në një kuptim totalisht tjetër. Adrola ka firmosur kontratë në Nju Jork dhe Boston, bazën e ka në Nju Jork. Për momentin ndodhem në Shqipëri, pasi unë jam një grua e martuar dhe për fatin tim të keq, bashkëshortit tim i është refuzuar viza dhe më është dashur të kthehem për një periudhë të shkurtër, derisa bashkëshorti im të pajiset me dokumente.

Sa të lidhur e sheh veten me modelingun. Çfarë përfaqëson kjo botë për ju?Mund të thoni se jeni e realizuar në këtë drejtim?
Për të qenë e sinqertë, kur e nisa këtë rrugë, nuk është se mendova shumë gjatë. Por kur më erdhi fati të takoj Fadil Berishën dhe ai u shpreh shumë i lumtur që më takoi, fillova ta doja më shumë këtë punë. Për fatin tim të mirë, më janë hapur shumë dyer edhe në Amerikë dhe sapo të vijë momenti që të zhvendosem për disa vite atje, ‘modeling’ do të jetë e vetmja gjë që do të bëj. Mendoj që në kompleks, kam gjithçka që duhet të ketë një modele.

Jeton sa në Shqipëri edhe në ShBA, për shkak edhe të kontratave të punës që ke. Çfarë ofron SHBA që Shqipëria nuk mundet? Mund të na rrëfesh më shumë në lidhje me kontratat në fushën e modelingut?
Sa shumë e doja Amerikën, deri kur njoha bandillin (bashkëshorti). (Qesh). Lidhja ime me Amerikën fillon nga familja ime, e cila jeton atje prej disa vitesh. Tani është kthyer edhe në vendin ku unë dua të jetoj, për punën, të cilën e dua aq shumë. Siç po thosha, ky bandilli m’i ka lidhur këmbët aq bukur, sa rrugën Amerikë –Shqipëri po e bëj një herë në tre muaj. Tani e kam shumë të lodhshme, pasi udhëtoj bashkë me Troin dhe më është bërë rrugë makthi, por s’kam ç’bëj. Për herë të fundit, qëndrova në Amerikë tre muaj dhe nuk kisha më plan të kthehesha në Shqipëri. Aty takova shumë fotografë të ndryshëm, shumë agjentë mode dhe isha aty ku doja. Bëra shumë ‘fotoshoot’, bëra dhe ‘casting’, bëra dhe punë shumë të mira. Por tani, për disa muaj kam marrë leje, për arsyen që thashë dhe më lart, për refuzimin e vizës së bashkëshortit. Në fund të Shtatorit do të udhëtoj sërish drejt Amerikës, për tu takuar me agjencitë që jam e lidhur dhe do të kthehem shumë shpejt në Shqipëri. Më pas, në Tetor, kam disa oferta për në Austri dhe do të jem një muaj andej dhe në Mars 2016, shpresoj të marr rrugën drejt Amerikës, së bashku me familjen time të vogël.

Për ndokënd mund të duket e vështirë të jetë bashkëshorti i një bukurosheje që profesionin e vet e ka të lidhur pikërisht me bukurinë dhe linjën fizike. Është e vështirë në këtë kuptim për bashkëshortin?
Bashkëshorti im është në çdo moment me mua. Në fillim, sigurisht që ishte pak e vështirë, sepse nuk e kishte idenë se si funksiononte kjo punë. Por tani është asistenti im më i mirë në të gjitha punët që duhet të bëj.

Si ndikon ai në zgjedhjet që merr? A është ai një person që të përkrah përsa i përket modelingut apo për të “modeling” është një zgjedhje jotja që ai thjesht nuk e kundërshton?
Adisi ndikon absolutisht në gjithçka që unë bëj. Gjithmonë kur më ofrohet një punë e bisedoj dhe e vendos me Adisin. Për fatin tim të mirë, ai është tepër i kuptueshëm dhe me punën time dhe në jetën time është mbështetja më e madhe.
Si ka ndikuar martesa në atë çfarë Adrola është sot dhe në atë që ka arritur?
Hmmm. Nuk di të them sa ka ndikuar martesa, sepse unë gjithmonë them se kush e di sa vite do të kalojnë dhe unë s’do ta ndiej ndonjëherë se jam e martuar. 

Je bërë nënë në një moshë shumë të re. Sa ndikon apo peshon ky fakt në jetën tënde? Si ndryshoi jeta juaj pas këtij momenti?
Po, jam bërë nënë në një moshë shumë të re dhe para se Troi të ishte në duart e mia, e kam vuajtur shumë faktin që po bëhesha nënë. Im bir po rritet dhe dita- ditës unë po e adhuroj shumë e më shumë. Është gjëja më e bukur që më kanë parë sytë. Një fëmijë ta ndryshon jetën, sigurisht që për mirë, por ka pafund dhe pengesat e veta. Kur bëhesh nënë, nuk ke më kohë të mendosh shumë për vete, pasi është fëmija ai që vjen në plan të parë. Nuk ke më kohë të mendosh siç mendoje përpara, as për personin që ti ke zgjedhur të jetë shoku i jetës tënde. Nuk ke më kohë as të dalësh e të argëtohesh me shoqërinë, siç bëje përpara. Ka net të gjata pa gjumë, duke i matur temperaturën, stres nëse hëngri bukë apo jo, etj., por buzëqeshja dhe pafajësia e një fëmije nuk krahasohet me asgjë tjetër në botë. Unë kam ndryshuar shumë, jam rritur shumë dhe jam vërtet shumë krenare për këtë mrekulli, që Zoti më dha në duart e mia.

Në familje duhet shpesh të bësh dhe rolin e amvisës. Në këtë kuptim, je ajo që shijon pjatat apo ajo që “përkëdhel” shijet e të tjerëve në ushqim? Gatuan? Cili e luan këtë rol në familje?
Për gatimin jam një dramë e vërtetë. Tani kam filluar t’ia marr pak dorën gatimit, por për specialitete, bashkëshorti im është i talentuar.

Cila është pjata jote e preferuar?
Frutat e detit janë kthyer në pjatën time të preferuar.

Edhe pse folët për rëndësinë e familjes dhe vëmendjen që i kushtoni, sa kohë të mbetet për të, duke qenë e angazhuar me modelingun?
Gjithçka në shtëpi e bëj vetë. Gatimi, siç e thashë dhe më lart, është një punë e vështirë për mua, por mundohem t’ia dal dhe me këtë pjesë. Është një lodhje dhe ngarkesë shumë e madhe, por nuk kam zgjidhje tjetër.

Ishte e vështirë për ju të riktheheshit në formën e duhur fizike pasi u bëtë nënë? Çfarë bëni për të ruajtur linjat e duhura por edhe energjinë e nevojshme për të përballuar punën dhe detyrimet e të qenit nënë?
Mbase mosha ime e re, mbase nga gjenetika por unë rashë menjëherë në peshën time të duhur. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë tonifikimi i lëkurës, i cili është i domosdoshëm dhe për këtë pjesë më ka ndihmuar shumë Anila Kalleshi. Jam një person që kam shumë energji, të cilat nuk kanë në plan të më shterojnë ndonjëherë.

Sa rëndësi i kushton paraqitjes dhe pamjes fizike në të përditshmen, përtej modelingut?
Në përditshmërinë time jam një vajzë shumë e thjeshtë, që rrallë herë vendos ‘make up’. Veshja është gjithmonë shumë e thjeshtë dhe pa ndërlikime. Rëndësinë më të madhe e ka pastërtia. Kur je pastër, je dhe bukur.

Cilat janë gjërat që ju pëlqejnë (nuk ju pëlqejnë) te vetja, fizikisht dhe në karakter?
Jam e bindur që çdo njeri gjen defekte pafund te vetja. Edhe unë kur dal para pasqyrës them: “Ehh! Po kjo që s’është mirë! Ja dhe kjo tjetra! Por sigurisht, që s’kam ndërmend t’i përmend këtu. Sa për karakterin, armiku im më i madh është çiltërsia dhe besimi që u jap njerëzve.

Duke qenë periudhë pushimesh, si dhe ku i keni kaluar dhe do t’i kaloni këto ditë të nxehta që kanë mbetur? Cili është vendi ideal për pushime, sipas jush?
Kjo verë ka ardhur shumë e nxehtë dhe s’po na lejon të qëndrojmë në Tiranë. Tani sapo jam kthyer nga pushimet që bëmë jashtë Shqipërisë. Ishim në Turqi, së bashku me familjen e bashkëshortit për të kaluar disa pushime të qeta në një resort familjar, por që nuk ishin aq të qeta, sepse atje bëmë gjëra nga më të ndryshmet, duke përfunduar një ditë edhe në spital. Në Turqi, kaluam shumë mirë, por nuk mund të them që është vendi im i preferuar, edhe pse me familje dhe me fëmijë kalohet super bukur. Kurse tani, do të nisemi për të kaluar disa ditë të bukura bashkë me familjen e bashkëshortit, në shtëpinë tonë që kemi në fshat dhe do e mbyllim me Jugun tonë të mrekullueshëm.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Adelina Ismaili, mes emocioneve dhe … statuseve të çuditshme!

  Adelina Ismajli është ndër këngëtaret shqiptare më të pëlqyera. Ajo pëlqehet,...
Read More