Benjamin Ferati do të kujtohet si hero. Babai: Ishte dita e tij e parë në Shqipëri!

Benjamin Ferati është 24-vjeçari nga Tetova e Maqedonisë i cili shkoi menjëherë në ndihmë motrave që po mbyteshin në plazhin e Zvërnecit pranë Portonovës në Vlorë, rreth një orë më parë.

Benjamini kishte shkuar në plazh për të pushuar së bashku me të dashurën e tij kur njëra prej motrave të dy vajzave që po luftonin me dallgët e forta të detit ka shkuar të lajmëronte 24-vjeçarin për ndihmë.

Ai dhe vajza janë futur në ujë për të shpëtuar vajzat por fatkeqësisht të rinjtë nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë dallgëve të forta dhe janë nxjerrë të pajetë në breg. E vetmja që ka mundur të shpëtojë është vajza e cila i kërkoi ndihmë të riut nga Tetova.

Ajo dhe e dashura e Benjaminit ndodhen në gjendje shoku nga ngjarja e rëndë dhe kanë mundur ta marrin veten vetëm disa minuta më parë në spital.

Të rinjtë që kanë humbur jetën identifikohen si:

Manuela Maraj, 27 vjeçe, banuese në Babicë të Madhe, Vlorë.
Xhoana Cani, 25 vjeçe, banuese në Tiranë.
Benjamin Ferati, 24 vjeç, banues në Tetovë, Maqedoni
Kjo është ngjarja e dytë e rëndë e shënuar në qytetin e Vlorës mesditën e sotme, pasi një 14-vjeçar humbi jetën në mëngjesin e sotëm, duke e çuar në 4 numrin e të mbyturve ditën e sotme në qytetin jugor.

Mes të gjallëve do të kujtohet si hero që dha jetën duke tentuar të shpëtojë dy vajza, edhe pse nuk mundi ta bëjë dot, dallgët ishin më të forta se ai.

Babai i Benjamin Feratit: Ishte dita e tij e parë në Shqipëri!

Ishte hera e parë që Benjamin Ferati kishte ardhur në Shqipëri. Djali nga Tetova vendosi të qëndronte disa ditë në Vlorë. 24 vjeçari kishte udhëtuar bashkë me të fejuarën dhe kishte vendosur t’i kalonte pushimet në Shqipëri, shkruan Shekulli, që sjell një intervistë të babait të tij.

Fadil Ferati është i ati i Benjaminit. Familja e tij, na thotë Fadili, e ka mësuar ngjarjen nga e fejuara e tij, e cila edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga ajo ngjarje e tmerrshme për nuk është në gjendje të shpjegojë se çfarë ka ndodhur përveç se atij momenti që nuk ka mundur të shquajë më mbi ujë Benjaminin e saj.

Ajo ka mundur të tregojë se pasi është kthyer në breg që ka sjell njërën grua është futur të kapë tjetrën. E ka parë diku për rreth 10 minuta, për të mos e parë më…

Fadil Ferati flet dhe i dridhet zëri. E ka të vështirë edhe pse e di që duhet të ndjehet krenar për aktin e të birit që nuk rron më.

“Benjamini ishte ashtu siç edhe iku. I madh dhe i pastër në shpirt. I gatshëm të bëjë gjithçka për tjetrin. Gjithmonë ka qenë kështu…”­ e zëri nis ta “tradhtojë” nga pas telefonit, por që do të flasë, do të thotë disa gjëra për birin e tij, që e ka përcjellë për në banesën e fundit.

Burri nga Tetova e Maqedonisë duket se ndjen të njëjtën dhimbje për familjet e viktimave që nuk arriti dot të shpëtonte biri i tij. “Fatkeqësi e madhe për ata dhe për mua! Ndjej dhembje të thellë për ta dhe ju shpreh ngushëllime të sinqerta! Qenka hall i madh!”.

Në fakt, ai nuk di të ndalojë për asnjë moment të analizojë përsenë e aktit të djalit të tij, i cili, pasi ka nxjerrë njërën grua të mbytur në breg, e cila fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte, hyri në thellësi të kapte tjetrën, në një thellësi të papërcaktuar, pasi valët kishin qenë të çmendura në atë zonë ku ishte vendosur për herë të parë në Shqipëri Benjamini bashkë me dashurinë e jetës së tij!

E nëse ndalon ta pyesësh se kush ishte djali i tij, Fadili tregon se ai ishte në Fakultet dhe kishte mbaruar vitin e parë. E kishte nisur me pak vonesë, pasi Benjanimin punonte në Bosnje. Madje edhe kur ka ardhur në Shqipëri ai kishte ardhur direkt nga puna dhe kishte vendosur të rrinte pak ditë në bregdet.

“Ishte hera e parë që ai vinte në Shqipëri. Ishte vetëm me të fejuarën. Erdhi në Vlorë një ditë më parë dhe ka qenë dita e parë në det, dita e tragjedisë! Ai ka punuar shumë dhe tashmë ishte edhe në shkollë e ndaj nuk kishte qenë po unë kam miq dhe dashamirës pafund në Shqipëri. Ne e kemi patur dhe e kemi gjithnjë ëndërr Shqipërinë tonë!”

I ati i Benjaminit tregon se lajmi i keq përhapet shpejt, ashtu siç edhe u mor vesh fundi tragjik i djalit të tij. “E fejuara na telefonoi. E morëm vesh nga ajo por ajo ende nuk e ka marrë veten.

Është e traumatizuar edhe ende nuk e kemi kuptuar krejtësisht se si ndodhi, por tashmë çfarë rëndësia ka. Benjamini nuk është më po la një vepër të mirë. Për vepra të tilla u mësua gjithnjë në jetë dhe ashtu bëri!”

Fadili e ka të vështirë ta vazhdojë bisedën por sërish në mbyllje nuk harron të sjellë në mendje fatkeqësinë e përbashkët me familjet e dy viktimave që nuk mundi tua shpëtonte jetën djali i tij!

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Familja Mbretërore për Princeshën Charlotte

Princess Charlotte mund të jetë vetëm 2-vjeç, por ajo është bërë tashmë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *