Berisha foli dhe këshilloi Partinë Demokratike nga pozitat e senatorit

Nga Ervis Iljazaj

Ka shkaktuar një furtunë mediatike intervista e Sali Berishës dhe qëndrimet e tij 360 gradë për të gjitha çështjet që janë në diskutim brenda Partisë Demokratike.  Fakti që PD në ditët e fundit është përfshirë një sërë diskutimesh të brendshme, nga rrjedhja e dy votave të grupit parlamentarë për zgjedhjen e Ruçit, e deri te pozitat e lidershipit të Bashës, kanë rritur pritshmërinë e opinionit publik në lidhje me mendimin e tij.

Sa herë që Berisha mban një qëndrim për çështjet politike të brendshme të partisë, i gjithë opinion publik fokusohet dhe interpreton ato si mesazhe politike. Kjo ndodh natyrshëm, pasi një politikan i staturës së tij, elektrizon ende militantët e Partisë Demokratike dhe, mendimet e tij janë gjithmonë të rëndësishme për ta.

Për një ish-president Republike, ish-kryeministër, dhe ish-kryetar partie për më shumë se 20 vite, nuk mund të ekzistojë posti i “deputetit të thjeshtë” dhe, e gjithë vëmendja mediatike  është mëse normale.

Në këtë kuptim, zëra publik komentuan intervistën dhe qëndrimet e tij për Partinë Demokratike. Të gjithë, vrapuan të analizuan atë si një rivalizimi me qëndrimet e  lidershipit aktual, Lulzim Basha. Disa mendonin se qëndrimet e Berishës ishin për të ndihmuar Bashën në këtë situatë vështirë, ndërsa, disa atë të tjerë e panë ato si një sulm kundër tij.

Nuk munguan as kritikët publik të Bashës të shihnin qëndrimet e tij, si aleate të qëndrimeve të tyre.

Në një farë mënyre e konsideruan intervistën e tij si një rikthim aktiv të Sali Berishës brenda Partisë Demokratike, pra jo në rolin e një deputeti të thjeshtë, por më shumë se kaq.

Ndërkohë që, rëndësia e qëndrimeve të Berishës ishte e rëndësia e një personi që ka bërë historinë e asaj partie dhe që ka përzemër zhvillimet e saj.  Sali Berisha me këto qëndrime ishte në formatin e një këshilltari, e një senatori që më eksperiencën që ka u mundua të jepte këndvështrimin  e tij dhe asgjë më tepër, një fakt që u përpoq ta theksonte dhe vet ai.

Kështu që, qëndrimet e tij kishin një kënd historik dhe jo në kuptimin e politikës aktive siç u munduan ta paraqesin shumë prej komentuesit e mediave , duke lidhur qëndrimet e tij me të ardhmen e Partisë Demokratike.

Sigurisht, që mendimet e Berishës janë dhe do vazhdojnë të jenë të rëndësishme për atë parti, por vetëm në kuptimin e këshillimit dhe afeksionit që ka ai për të. Kush kërkon të kapet te këto deklarata për të bërë betejën e tij kundër Bashës sepse i sheh ato si sulm kundër tij ngatërron protagonizmin mediatik të Berishës me protagonizmin aktiv politik, që siç e theksoi dhe ai vet nuk e ka as qëllim dhe as në plan për të zhvilluar ndonjë betejë politike tjetër përveçse asaj të përfaqësimit në Parlament.

Andaj, Partia Demokratike e ka tashmë liderin e saj. Lulzim Basha s’ka rrugë tjetër përveçse të konsolidojë pozitat e tij duke zhvilluar një opozitë konstruktive, në të mirë të PD-së dhe Shqipërisë.  Ajo që Basha ka detyrë është të ndërtojë një të djathtë reale, duke mos rënë pre e deklaratave mediatike, por duke insistuar tek vlerat që përfaqëson ajo. Alternativa politike ndërtohet vetëm me qartësi politike dhe ideologjikë, në të kundërt mazhoranca aktuale e ka shumë të lehtë të qëndrojë në pushtet edhe përtej këtij mandati.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pragmatizmi Europian dhe një mundësi që nuk duhet humbur

Nga Viktor Mërkuri Europa duket se ka një vendim për të marrë....
Read More