Berisha shfaqet i zymtë në sallë, por bën thirrje për bashkim…

Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u largua pa mbaruar votimi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Në sallë nuk ishte Berisha i zakonshëm, pasi dukej i lodhur dhe i zymtë.

Jashtë sallës, ai theksoi se nuk ishte marrë me statutin, ndërsa kur u pyet për emra si Bode, Bregu e Topalli, Berisha tha se duhet të ketë një bashkim kontributesh në PD për të larguar qeverinë, që Berisha e quajti “kalbësirë”.

Nuk jam marrë me statutin. Jam marrë pak a shumë me parimet, por jo me statutin. Me statutin janë marrë grupet e punës. Diskutimet ishin të lira. Fishkëllima nuk duhet të ketë. Duhet të kemi sensin që çdo njeri duhet të thotë fjalën e tij, na pëlqen apo s’na pëlqen. Unë mendoj se pati diskutime me kritika, me propozime. Një kontrast shumë i madh midis këtij forumi dhe njeriut skizoid që shkelmon çdo ditë të drejtat e atij kontigjenti të ndershëm të socialistëve”.

“Unë i kam shprehur gjerësisht mendimet e mia për të gjitha problemet. Unë bëj thirrje që të bashkohen të gjitha kontributet e Partisë Demokratike në mënyrë që kalbësira që sundon vendin nga 200 metra më tutje të fshihet, të qërohet sa më parë nga faqja e pushtetit në Shqipëri. Unë kam besim se ai i ka kohërat e numëruara ndaj ky është preokuptimi im”.