Berisha zgjedh ta lërë Bashën të vetëm përballë Ramës, mungon në debatin e paradites

Prej orës 10:00 të paradites së të enjtes, deputetët e Kuvendit i janë bashkuar sallës së seancave plenare për të diskutuar mbi projekt-buxhetin e qeverisë “Rama2” për vitin 2018.

Ndonëse çështja kryesore e rendit të ditës ka një rëndësi të madhe për qytetarët shqiptarë, pasi ndikon drejtpërsëdrejti në xhepat e tyre, debati politik doli tërësisht jashtë këtij objektivi.

Përgjatë 4 orëve të para të seancës plenare, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ia kanë “pasuar” foltoren e Kuvendit njëri-tjetrit, duke vijuar me replika, akuza e kundërpërgjigje.

E në fakt debatet kanë kaluar deri në sulme personale, duke përmendur, vëllain e kryeministrit Rama, kunatin e kryedemokratit Basha, apo të afërm të tyre, dhe emra të tjerë të njohur në vend.

Ajo çka ra në sy, dhe madje u përmend jo pak herë nga kryeministri Rama, ishte mungesa e liderit historik të PD-së Sali Berisha, në sallën e Kuvendit. Emri i ish-kryetarit të PD-së është regjistruar në listën e folësve për buxhetin, dhe pritet që më vonë t’i bashkohet seancës plenare, ku me sa duket debatet do të vijojnë.

Me sa duket kjo mungesë disaorëshe e tij në Kuvend, ka një “qëllim të paramenduar”, në mënyrë që vëmendja dhe “skena politike” t’i lihej kryedemokratit Lulzim Basha.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, kreu i Qeverisë i ka përmendur disa herë Bashës faktin se po përpiqet të imitojë Berishën, duke mos u shfaqur vetvetja. Nga ana tjetër, kryedemokrati i ka kërkuar që të largohet nga qeveria dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes.

Këtë debat, Berisha me sa duket ka zgjedhur ta ndjekë nga zyra e tij, duke lënë Bashën të përballet me kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Në disa momente, kreu i PD-së është fiksuar nga kamerat, teksa komunikonte në telefon nga karrigia e tij në sallën e Kuvendit. Nuk dimë të themi me saktësi, por mbase gjatë këtyre telefonatave ka shkëmbyer ide dhe biseda me ish-kryetarin e PD-së Sali Berisha.

Seanca e sotme plenare është parashikuar të vijojë deri pas mesnate, dhe debatet pritet që të vijojnë, edhe mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Bode: ‘Projekti 1 miliard’, marifet i qeverisë për përfitime politike

“Kjo është një lojë që nuk shkon, e denoncuar nga FMN dhe...
Read More