BERZH-i përzgjedh Tiranën, financim për Bovillën dhe linjën e furnizimit te Unaza e Re

 


Veliaj: “Lajm i mirë për qytetarët, zgjidhim problemin e furnizimit me ujë të Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit”

Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkruan sot në Londër marrëveshjen e financimit për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Tirana është autoriteti i parë lokal që përzgjidhet nga BERZH-i, duke nënshkruar një marrëdhënie direkte bashkëpunimi.

Marrëveshja mundëson dyfishimin e sasisë së filtrimit të ujit, që furnizon qytetarët e Tiranës dhe njëkohësisht, shtrirjen e një rrjeti të ri edhe në zona të cilat, vitet e fundit kanë njohur një zhvillim tepër të madh, pa menduar më parë për urbanizimin. “Mezi pres që në këtë paketë të parë të bëjmë dy investime kryesore: Së pari, zgjerimin e kapacitetit të Bovillës, që është sistemi ynë filtrues. Do dyfishojmë sasinë e ujit që filtrohet për qytetin e Tiranës. Së dyti, ky financim na mundëson një linjë të re magjistrale, nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Një zonë e cila, kur njerëzit u transferuan aty, furnizohej me ujë pusesh e shumë prej banorëve, të nxitur nga çmimet e lira, morën vendime të shpejta, pa menduar që kjo zonë, tashmë me 80 mijë banorë, nuk mund të përballohet me ujë pusi, siç na tregoi vera e kaluar”, deklaroi Veliaj.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryebashkiaku Veliaj tha se ajo u dedikohet qytetarëve të Tiranës, të cilët janë treguar korrekt me detyrimet ndaj bashkisë. “Kemi bërë shumë sakrifica për të ardhur në këtë ditë. Sot jemi qyteti numër një në Shqipëri për korrektesën ndaj pagesave të shtetit, sepse e kemi kuptuar që nëse nuk ndihmojmë në mëkëmbjen e shtetit tonë, të ujit, energjisë, hapësirës sonë publike, jemi ne vetë që e vuajmë të parët”, tha Veliaj.

Ai falenderoi qytetarët e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për zbatimin e reformave në këtë sektor. “Falenderoj jo vetëm aksionerët e BERZH-it dhe qeverinë austriake që do të na ndihmojë me një pjesë të grantit, por mbi të gjitha qytetarët e Tiranës, sepse besoj se të shkosh në Evropë, do të thotë të sillesh si evropian. Jam krenar që drejtoj një qytet me 1 milionë evropianë, ku njerëzit kanë kuptuar që pa paguar taksat, pa paguar detyrimet, nuk mund të kemi qytetin e ëndrrave tona”, shtoi Veliaj.

Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli, vlerësoi faktin që kjo është hera e parë që banka financon një projekt bashkie, pa mbështetjen e buxhetit të shtetit, ndërsa theksoi se investimi do të rrisë kapacitetet dhe standardin e shërbimit të UKT-së. “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Po financojmë investime të rëndësishme për të përmirësuar furnizimin me ujë të Tiranës. Për herë të parë në Shqipëri, po financojmë një projekt bashkie pa mbështetjen e buxhetit të shtetit. Kjo gjë është e rëndësishme, por me siguri po shikojmë të bashkëpunojmë më shumë me UKT dhe qytetin, për të realizuar më shumë investime dhe për të zbatuar agjendën e qytetit, për ta bërë Tiranën një hapësirë të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Ky projekt i rëndësishëm u bë i mundur nga donacionet financiare të Fondit Special të BERZH-it, gjithashtu edhe  nga qeveria austriake”, tha Colangeli.

Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se pas formalizimit të financimit, Bashkia e Tiranës do të fillojë menjëherë punën për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e rrjetit të ri. “Mezi pres të fillojmë menjëherë nga puna, si për të dyfishuar Bovillën në kapacitet filtrimi, si për të bërë magjistralen, e cila sjell ujë drejtpërdrejt nga Bovilla në një prej zonave më problematike të Tiranës, për t’u siguruar që brenda 5 viteve të mundësojmë ambicjen tonë dhe vendimet e rëndësishme që morëm në Këshillin Bashkiak, për t’i dhënë qytetit ujë 24 orë të pijshëm”, përfundoi Veliaj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Skandalet e universitetit publik: Largohet pedagogu, detyronte studentët…

  Abuzimet në universitetet publike janë të panumërta. Po sot më të...
Read More