Besarta Vladi: Udhëtimi në Harvard që nisi me “bursën e ekselencës” nga UET 10 vjet më parë

Profil ALUMNI/ Historia e suksesit të ish-studentes së Universitetit Europian të Tiranës; stimuli që mora në UET më dha besim dhe më hapi rrugën e karrierës

Nga Blerina Gjoka

“Kisha ndjesinë sikur këmbët nuk po e preknin tokën, më dukej sikur nuk po ecja, por po rrëshqisja mbi rrugë”. Kështu e përshkruan Besarta Vladi herën e parë të saj në Universitetin Europian i Tiranës, i cili i kishte akorduar “Bursë Ekselence” studimi.

Ishte viti 2007 dhe ajo ishte vetëm 20 vjeç, kur dalja nga dyert e universitetit iu kthye gati në një fluturim deri në shtëpi, ku lajmin e bukur do t’ua kumtonte prindërve.

10 vjet më pas, në Maj 2017 ka përfunduar studimet të tjera në shkollën më të mirë në botë, Harvard, por është e bindur se gjithçka nisi nga ai moment 10 vite më parë. Ishte një stimul që i dha besimin te vetja dhe aftësitë e saj se gjithçka është e mundur.

“Unë studioja në Universitetin e Tiranës për Shkenca Politike, isha studente shumë e mirë, por askush nuk më kishte dhënë ndonjë stimul për këtë. Profesori im Ermal Hasimja, një nga themeluesit e UET-it, më fton në UET dhe atje m’u ofrua një bursë ekselence studimi. Ishte një gjë e re në atë kohë, ishte si të të bjerë llotaria. E pranova me kënaqësinë më të madhe dhe nisa studimet për Marrëdhënie me Publikun-Komunikim në UET, duke mos i ndërprerë studimet në shtet”.

Besarta u diplomua njëkohësisht në të dyja universitetet, por në UET hodhi rrënjë. Pas ciklit Bachelor asaj iu ofrua një praktikë pune me pagesë pranë universitetit dhe fill më pas nisi studimet master aty. Vetëm se në këto studime mori një vendim të rëndësishëm, ndryshoi krejtësisht profilin e saj të studimeve nga MPK në Ekonomi-Biznes, duke parë prirjet e veta dhe duke studiuar tregun e punës.

Sfida e studimeve jashtë vendit

Përsëri UET do të bëhej çelësi që i hap një tjetër derë ëndrre: Studimet jashtë Shqipërisë.

“Jam studentja e parë e UET që kam ikur me studime jashtë vendit në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi të universitetit për shkëmbim studentor. Unë aplikova dhe fitova të drejtën për të studiuar 6 muaj në Aston University, një nga universitetet më prestigjioze në Angli, ku nisa dhe temën time të diplomës për ta mbrojtur më pas në UET”.

Frika e arsyeshme e një studenteje, që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria në një universitet të njohur, u shua sapo vuri këmbë në Aston, ku u vlerësua për dijet e marra dhe aftësitë e saj akademike.

E vetmja sfidë atje iu krijua për faktin që pak ose aspak nuk njihej nga pedagogët dhe studentët Shqipëria dhe shqiptarët. Kështu në kuadër të programit mbi integrimin në BE, Besarta vendos që në një nga detyrat e kursit të prezantojë EULEX-in në Kosovë.

Kjo eksperiencë jashtë vendit e rriti jo vetëm nga ana akademike, por ishte dhe një eksperiencë jetësore e re dhe e bukur për të. Ajo erdhi në Tiranë me dëshirën për t’u nisur sërish jashtë për studimet e doktoraturës, por në UET e prisnin projekte të reja sfiduese.

Besarta u bë pjesë e ekipit themelues të Revistës Economicus, një revistë shkencore të cilën UET vijon ta botojë periodikisht, e më pas u bë pjesë e grupit të punës për hapjen e Shkollës së Doktoraturës, të cilën do ta ndiqte dhe vetë si studente.

Gjatë doktorimit Besarta nisi të punojë si pedagoge në UET, një ëndërr e kahershme për të. Me punimin e doktoraturës “Faktorët e brendshëm organizativë që kushtëzojnë zhvillimin e inovacionit në biznes” me udhëheqës shkencor profesor Adrian Civicin, fitoi çmimin “Pashko” për ekonominë në vitin 2015.

Ja si e përshkruan ajo eksperiencën e saj të gjatë si studente e më pas si lektore në UET:

“Jam surprizuar nga raporti tejet bashkëpunues pedagog-student në UET. Ishte surprizues fakti që pedagogët, edhe pse vinin nga universitetet më të mira ndërkombëtare dhe me përvojë të admirueshme në fushat respektive, tregonin një thjeshtësi në komunikimin me studentët në çdo moment. E kam vlerësuar maksimalisht këtë fakt dhe që në momentin kur unë zura vend në auditor si lektore dhe në vijim, jam munduar ta ruaj si vlerë të institucionit këtë lloj raporti tashmë të konsoliduar, dhe jam shumë e lumtur për këtë pasi të qenurit më afër me studentët, më bën ta dua akoma më shumë profesionin që kam zgjedhur”.

Në kërkim të stimujve të tjerë

Besarta punon aktualisht si këshilltare e ministrit të shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, një vend pune që e ka fituar në kuadër të programit LEAD Albania të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe vijon të jetë lektore e jashtme në UET.

“Kisha marrë mjaftueshëm stimuj në UET dhe në një moment doja ta provoja veten jashtë dyerve të tij”, thotë ajo duke e cilësuar si “eksperiencë të jashtëzakonshme” punën në ministri që përkon dhe me formimin e saj akademik.

Gjatë kësaj kohe fitoi dhe të drejtën për ndjekjen e një Programi Ekzekutiv në Universitetin e Harvardit që ajo e veçon si “përvojën më të mirë deri sot”.

“Kjo është një përvojë e papërsëritshme akademike. Kisha fatin të merrja leksione nga profesorët më të mirë në botë, disa prej tyre fitues të çmimit Nobel si prof. Jamil Muhuad etj”.

Në një mënyrë a një tjetër Besarta, ashtu si shumë kolegë të saj studentë të UET, janë të lidhur me universitetin e tyre të parë, UET-in. Si një ALUMNI e UET, pjesë e projektit “histori suksesi 10 ALUMNI” që synon të bëjë bashkë në një libër historitë e 100 studentëve më të suksesshëm të universitetit ndër vite, thotë se e ndjen veten me fat që rrugëtimi akademik dhe jetësor nisi pikërisht në këtë auditor.

“Të qenurit në UET më ka pajisur me shumë instrumente shtesë, përveç diplomës dhe njohurive të ngushta profesionale. Në UET kam kuptuar si funksionon një institucion apo organizatë serioze me mbi 200 punonjës dhe mijëra studentë: më është dhënë mundësia të njoh dhe të komunikoj nga afër me njerëz dhe profesionistë shumë të rëndësishëm, shqiptarë dhe të huaj; në UET studenti thyen çdo tabu, asgjë nuk e shikon të pamundur dhe ky fakt është ndoshta kontributi më i vlefshëm që e bën një të sapodiplomuar të pavarur, vetëbesues, dhe të aftë për t’u përballur suksesshëm me konkurrencën dhe tregun e punës në të ardhmen”, shprehet ajo në “Pyetësorin e Karrierës”, i cili do të plotësohet nga të gjithë ish-studentët e UET.

Besarta beson se në vitet e fundit ky universitet “i ka shumëfishuar mundësitë për studentët e vet, duke krijuar kontakte dhe bashkëpunime me universitet prestigjioze ndërkombëtare, në të cilat studentët kanë patur mundësinë të zhvillojnë një semestër apo një vit të plotë akademik”.

“UET ka krijuar ura lidhëse të përkryera me aktorët më të rëndësishëm të tregut të punës dhe falë këtyre bashkëpunimeve studentët më të mirë kanë arritur të fitojnë një vend të mirë punë pa përfunduar akoma studimet e tyre. Në këtë kontekst, duke parë gjithë këto mundësi që UET ofron tashmë për studentët e vet, ndonjëherë më lind dëshira të rikthehem sërish në auditor si studente, për të përfituar sa më shumë prej tyre”, shprehet ajo, pasi e ka pasur shansin të përfitojë nga këto mundësi këtu e 10 vite më parë.

Duke dhënë një këshillë apo një formulë për studentët e sotëm se si të zhvillojnë karrierën e tyre, Besarta vlerëson rëndësinë e pavarësisë dhe vetëbesimit te secili student.

Sugjerimet e mia për çdo student të UET janë: Së pari, të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që UET ofron për ta, të mos neglizhojnë asnjë email apo njoftim që ju dërgohet nga zyra e karrierës apo zyra e projekteve. Së dyti, studentët duhet të punojnë në mënyrë të pavarur, të mos fokusohen vetëm te powerpointet e lektorëve, studenti i epokës digjitale duhet të tentojë ta sfidojë (pozitivisht) pedagogun dhe të shfaqë ambicie që shkojnë përtej dijeve të ngurta të tekstit mësimor të çdo lënde. Së fundmi, sugjerimi im për studentët e UET është që të shfrytëzojnë mjediset dhe larmishmërinë e aktiviteteve që zhvillohen në UET për t’u socializuar sa më shumë me të tjerët. Në ditët e sotme network-u është kthyer në çelësin e karrierës së suksesshme dhe menaxhimi i këtij network-u duhet të fillojë që në auditorët e universitetit”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vasili: Rama një mal me zero. A do shkrijë kryeministrinë si ALUIZNI-n Berat?!

Ish-kryetari i LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas publikimeve të lajmeve se...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.