Besimi fetar i 140 deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë dominohet nga myslimanët!

Në parlament do të kemi 100 deputetë të besimit mysliman ose 72% të parlamentit, 23 deputetë të besimit ortodoks ose 16% të parlamentit dhe 17 të besimit katolik ose 11% të parlamentit.

Besimi fetar i deputetëve? Tani që 140 deputetët janë zgjedhur dhe brenda dy javësh do të mblidhet parlamenti i ri, ia vlen të shohim përtej emrave, në detaje të përfaqësimit. Sipas Institutit të Studimeve Politike që ka bërë studimin, një prej temave tabu është përkatësia fetare e politikanëve që marrin vendime në emrin tonë. Ka zgjedhje vendore ku përkatësia fetare është kushti kryesor i kandidimit për një politikan, siç ka bashki ku përkatësia në besimin fetar në minorancë automatikisht sjell humbjen elektorale të tij.

Ne kemi disa parti demokristiane dhe disa parti me bazë besimin mysliman, si dhe dy parti me bazë ortodokse, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë asnjëherë më shumë se votat e nevojshme për një mandat parlamentar, kryesisht përmes ndihmës në koalicion politik me njërën nga dy partitë e mëdha, PS e PD.

Partitë fetare nuk kanë sukses, legjislacioni ynë ka qenë kufizues për to, por ndikimet fetare kanë qenë e janë prezent në vendimmarrjen politike. Le të kujtojmë detaje të tilla simbolike, si zgjedhjet lokale të Shkodrës 1996 apo faktin se në Korçën dyfetare prej më shumë se dy dekadash fitues në bashki janë kandidatë të së njëjtit besim fetar. Në zgjedhjet parlamentare kemi qarqe dhe shpërndarje mikse të popullsisë. Vetëm dy nga 12 qarqet kanë mbi 95% përkatësi e të njëjtit besim fetar.

Megjithatë në zgjedhjet e fundit parlamentare pati disa raste ku debati mbi përkatësinë fetare të kandidatëve prodhoi kritika në media. Për shembull, në Tiranë, ku nga 34 kandidatët fitues vetëm 1 i përket besimit fetar katolik (PS), apo ku nga 50 kandidatët e PD në këtë qark vetëm numri 49 i përket këtij komuniteti, i cili sipas INSTAT, numëron mbi 5.5% të banorëve të këtij qarku. Apo në Lezhë ku sipas INSTAT mbi 14% janë myslimanë, në Korçë, ku sipas INSTAT mbi 58% i përket besimit mysliman apo në Shkodër ku shumicë sipas INSTAT janë katolikët me 3%.

Të dhënat mbi deputetët realizuar nga Instituti i Studimeve Politike përmes projektit www.deputetim.al tregojnë se raporti fetar në parlamentin e ri është dukshëm i devijuar nga të dhënat zyrtare të INSTAT (2011).

Konkretisht në parlament do të kemi 100 deputetë të besimit mysliman ose 72% të parlamentit, 23 deputetë të besimit ortodoks ose 16% të parlamentit dhe 17 të besimit katolik ose 11% të parlamentit. Referuar qarqeve, pothuajse asnjë qark nuk ka ndarje të përputhshme me shifrat e INSTAT, megjithatë bien në dy të dhëna interesante, – si p.sh, në Durrës me një kryebashkiak ortodoks ky komunitet zë vendin e tretë në përfaqësim, me vetëm 7%.

Lezha dhe Dibra kanë 100% deputetë të së njëjtit besim fetar, në Shkodër raportet e INSTAT janë të përmbysura, kurse në disa qarqe të tjera raportet janë të përafërta. Interesante janë edhe të dhënat e grupeve parlamentare dhe të partive politike fituese. PS ka më shumë deputetë myslimanë e ortodoks sesa mesatarja kombëtare, madje ka përqindje më të lartë të ortodoksëve sesa PD. PD (duke llogaritur brenda saj edhe Ndoka i PDK, Dule i PBDNJ, Mediu i PR dhe Shehi i LZHK) ka deficit në përfaqësimin e ortodoksëve dhe ka përqindjen më të lartë të përfaqësimit të katolikëve, kryesisht falë votave që merr në Shkodër e Lezhë.

Partia e tretë politike, LSI, ka përfaqësim të balancuar edhe bazuar në faktin se në llogari janë vetëm 19 deputetët e saj, nga të cilët 12-5-2 i korrespondojnë secilit besim fetar. Në PDIU me tre deputetë nuk ka lajm, – vetëm një komunitet fetar është i përfaqësuar. Çfarë tregojnë të dhënat? Janë bazë për analiza brenda partive dhe jashtë tyre, për lidhje të analizës me grupet mbështetëse partiake dhe sistemin horizontal të përfaqësimit në partitë politike. Janë edhe një shenjë për t’i dhënë përgjigje pyetjes tabu, – a është përkatësia fetare një kriter joligjor por efektiv për karrierë në partitë politike?

Partitë thonë jo, ligji thotë jo, por të dhënat statistikore thonë se po. Shikoni partitë e mëdha parlamentare dhe ish-parlamentare, – tre kryetarët në PS, pesë kryetarët në PD, ashtu edhe kryetarët në partitë e tjera, përfshirë PDIU, PDK, PBDNJ, PAA etj., në fakt i përkasin të njëjtit besim fetar. Rastësi? Në politikë, siç Churchill thotë, nuk ka asnjëherë rastësi.

/Instituti i Studimeve Politike/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Një fushatë e krijuar nga New Moment Tirana merr çmim në festivalin BalCannes në Kroaci

Fushata e krijuar nga New Moment Tirana për USAID në Shqipëri “Gratë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.