Besnik Allushi:    Legjenda e Inkuizitorit të Madh

 
 Pasi kishte  kaluar nëpër  rrathët e  ferrit diku në një  cep të universit,  zotat e krijimit arritën të kthenin drejt dritës  së  jetës yllin e fatit të tij që rrokullisej  në  rënie të lirë drejt zezonës së vdekjes. Njerëzit e kohës së tij, ushtarë,  gjykatës, vetë  madhëria e tij Cari… e kishin yshtur fatin e Dostojevskit  të  zvarritej e më pas të  rrokullisej drejt humnerës  së akullt për t’u zhdukur pa nam e nishan,  por,   perënditë  e krijimit kishin shkruar tjetër rrugë për të.

Nga Besnik Allushi – Vepra e fundit e Dostojevskit ishte Vëllezërit Karamazovë.  Para se të krijonte këtë mrekulli të fantazisë, jeta reale  e Dostojevskit ishte si një kryevepër e shkruar nga një mendje e trazuar,  nga një  mendje në kufi të çmendurisë. Arrestohet për vepra subversive të cilat nuk i kishte bërë,  burgoset, dënohet me vdekje, përjeton  kohën në pritje të ekzekutimit, duke menduar se pas gjysmë minuti shpirti do t’i shkëputej nga trupi, puth kryqin për herë të fundit, shikon ushtarët të mbushin armët, mbyll sytë  në pritje të goditjes,  pastaj …si në  një  gjendje gjysëm mankthi e gjysëm ëndrre  sheh ushtarët  të ulin armët.  I kishin falur jetën.  Dënimi  me vdekje ishte kthyer në burgim të përjetshëm   me punë të detyrueshme në  akujt e  Siberisë. Ishte vetëm njezetetetë vjeç.

Pasi kishte  kaluar nëpër  rrathët e  ferrit diku në një  cep të universit,  zotat e krijimit arritën të kthenin drejt dritës  së  jetës yllin e fatit të tij që rrokullisej  në  rënie të lirë drejt zezonës së vdekjes. Njerëzit e kohës së tij,  ushtarë,  gjykatës, vetë  madhëria e tij Cari… e kishin yshtur fatin e Dostojevskit  të  zvarritej e më pas të  rrokullisej drejt humnerës  së akullt për t’u zhdukur pa nam e nishan,  por,   perënditë  e krijimit kishin shkruar tjetër rrugë për të.  Si për  t’iu bindur ligjit universal  të ekuilibrit,  aq  poshtë sa kërkuan njerëzit  të çonin ekzistencën e tij,  aq lart e ngritën zotat  drejt  rrathëve të dritës duke i derdhur çdo natë  në  trurin e trazuar epileptik  pluhurin yjor nga e cila është e përbërë lënda e krijimit. Në  një  përleshje të dhunshme mes  fatit,  njerëzve,   zotave,  gjysëm zotave,  vegimeve,  krizash epileptike…lindën: Lojtari,  Krim e Ndëshkim,  Idioti,  Demonet,  Adoleshenti  dhe para se të bëhej  pjesë e asaj hapësire-kohe që quhet univers i ideve, përjetoi çmendurinë e fundit  duke shkruar  Vëllezërit  Karamazov. Në  këtë  univers  të  ideve  populluar nga yje  të  tillë  si  Dante,  Servantes, Balzak,  Hygo, Shekspir,  Tolstoi,  Cehov,  Guy de Maupassant,  Thomas Hardy,  Dickens…Cvajgu thotë  se Dostojevski qendron në majë  dhe pak poshtë  tij është  Shekspiri.  Edhe mund të jetë,  edhe pse është e vështirë  të  besohet  se ky lloj universi, universi i ideve, i bindet ligjeve të universit tonë me individë  të  organizuar në shtresa shoqërore në forme piramide.

Ndërsa Cvajg e vendos Dostojevskin pak sipër Shekspirit, Freud lëshohet  në një  analizë  mbi temën e atvrasjes nga këndvështrimi i psikoanalizës  duke thënë  se Vëllezerit  Karamazov,  Edipi Mbret i  Sofokliut dhe Hamleti i Shekspirit,  si vepra që  trajtojnë  atvrasjen,  janë majat e letrave botërore.  Por ashtu si Cvajg,  nga nguti për të vlerësuar  edhe Freud  habit.  Edipi në vetvete nuk mund të quhet një  atvrasës,  derisa njeriu që ai vret,  në çastin  e vrasjes ishte një i panjohur për të,  pra,  ai nuk e dinte se po vriste të  atin  dhe si e tillë,  nuk mund ta quajmë  atvrasje. Dhe  Hamleti,  princi i zi i Danimarkës,  vret të  ungjin dhe jo të atin,  ndërsa Vëllezërit  Karamazov janë  atvrasës  të  vërtetë  dhe në faj  për këtë.  Ndërsa  Cvajg e  Freud  kërkuan në të gjitha format të bënin  të  njohur madhështinë  e Dostojevskit në hapësirën evropiane,  bashkëkohësi i tij,  rus edhe ai,  Tolstoj,  shprehej  se sa herë e hap Vëllezërit  Karamazov nuk arrij dot ta çoj deri në fund. E thënë nga  Cari i letrave  ruse,  për Dostojevskin ishte si  të përjetonte  përsëri  një  dënim  të  dytë.  I pari i ishte dhënë nga Cari i pushtetit,  ndërsa  i dyti  do i vinte  andej nga nuk e priste,  nga Cari i letrave. Por, ndërsa  një herë dënimi i ishte kthyer,  edhe këtë  herë  fati e donte që edhe dënimi i dytë të  thyhej. Në muzgun e jetës së tij, kur  gjërat tokësore e humbasin kuptimin,Tolstoj kërkon tre libra. Njëri prej tyre ishte Vëllezërit  Karamazov.

Vëllezërit  Karamazov  është  në tërësinë  e vet një  sherr i egër,  sherr rus,  mes katër djemve dhe të  atit,  zotit Karamazov  që  përfundon me aktin e atvrasjes.  Fjedor  Karamazovi është pronar  i pasur tokash,  qejfli i jetës  dhe  pusht.  Të  katër djemtë,  Vëllezërit Karamazov, janë vëllezër  nga  barqe të ndryshme:  Dimitri është djali nga gruaja e parë,  Ivani dhe Aleksej nga gruaja e dytë  dhe Smerdjakov është  kujtesa e një  takimi të shpejtë  me një femër  të panjohur. Të  katër djemtë  janë të ndryshëm  nga njëri- tjetri:  Dimitri  është  i vrullshëm dhe pasionant,  Ivan intelektuali  i pushtuar nga demoni i dyshimit,  Aleksej i paster si rrezja e diellit  dhe Smerdjakov i murrmë  si muzgu i  stepave.  Por të katërt, veç Aleksejt që gjithsesi nuk arrin ta dojë,  kanë  një gjë  të  përbashkët,  urrejtjen ndaj të atit.  Urrejtje që  mbetet  në  kufijtë e fjalëve derisa  një  ditë,  Smerdjakov i nxitur edhe nga arsyetimet e Ivan e ftoh të atin.  Për këtë krim akuzohet  Dimitri dhe procesi i bëhet atij. Smerdjakov i tregon Ivanit që vrasësi është ai.Vetëm atëhere Ivani kupton se edhe padashur,  me muhabetet e veta kishte ndikuar në fatin e të atit dhe e përbuz  të  vëllain.  Për Smerdjakov,  përbuzja që tregon Ivani është  krejt e papritur dhe i zhgënjyer vret veten.

Për të kuptuar më mirë  këtë vepër,  një kod leximi do ishte ai i interpretimit  të  vëllezërve  si periudha të  ndryshme nëpër të cilat kalon individi gjatë formimit të vet.  Aleksej është fëmijëria, pra një  gjëndje dlirësie,  pafajësie dhe përkushtimi ndaj lodrës  së  parapëlqyer,  ku lodra e Aleksej quhet besimi ndaj zotit dhe ai nuk sheh ekzistencë  tjetër  për vehten veç atë të murgut; Dimitri është  periudha e adoleshences ku individi eksploron pasionin e dashurisë  me gjithë trazirat e veta; Ivani është  periudha e pjekurisë  ku individi pyet dhe kërkon përgjigje (përse Zoti që është i gjithpushtetshëm  lejon aktin e vrasjes së fëmijëve?)  por,  sa më tepër pyet aq më konfuz  bëhet  pse dyshimi dhe besimi,  të cilat nuk  mund të rrinë  bashkë,  e trasformojnë mendimin e tij në  një fushë  beteje;  Smerdjakov  është  instinkti vrasës  në  periudhën e vonët të jetës së individit ku padrejtësitë e jetës e kanë  futur ekzistencën e tij në kurth,  por, mund të interpretohet edhe si instinkti i errët që shoqëron gjithë  jetën e njeriut në  pritje për të përmbysur në  një  çast të vetëm atë  që është  krijuar me vite të  tëra nga arsyeja.

Të  katër bashkë  krijojnë një  individ  kompleks të cilin mund ta quajmë – biri.  Brenda tij gjejmë në një  përleshje të përhershme  të mirën  dhe të keqen,  dashuri,  tradhti,  dlirësi  e  guxim,  frikë e gënjeshter,  gjejmë mendimin  si besim dhe dyshim në të njëjtën  kohë.  Karakteri i trazuar i birit  në një  moment të  jetës e shikon të atin,  pra tjetrin,  si shkaku i problemeve të veta,  si pengesë, si e shkuara  dhe kryen aktin e atvrasjes.  E ardhmja nuk mund të  bashkëjetojë  me të shkuarën.  E reja,  si fuqia e vullnetit  për t’u afirmuar,  heq qafe  të vjetrën. Legjenda e Inkuizitorit të Madh është  një kryevepër femër. Akoma më tepër,  një  kryevepër femër shtatzënë.  Brënda saj fshihet ashtu si në muajt e  parë të shtatzanisë një kryevepër tjetër:  Legjenda e Inkuizitorit të  Madh.  si  femrat shtatzëna të cilat  rrethohen  nga një drite hyjnore  duke  marrë një pamje  mirësie dhe dashurie ndaj çdo gjëje dhe çdokujt,  ashtu  edhe  Vëllezërit  Karamazov merr një  dritë  hyjnore.

Por çfarë thotë kjo kryeveper  e fshehur brenda  veprës së madhe? Legjenda e Inkuizitorit të Madh thotë pak a shumë  kështu: Krishti,  pas një mungese të gjatë prej pesëmbedhjetë  shekujsh,  kthehet në tokë në Seviljen e shek. XVI, dhe bën atë që di të bëjë  më mirë,  mrekullitë.  Shikon  trupin e një vajze shtatë vjeçe   vendosur në një  arkivol të bardhë  gati  për ritin e varrimit.  E ringjall.  Turma e mrekulluar e shikon  si shpëtimtari,  por akoma nuk arrin të njohë tek ai Krishtin.  Dhe para se kjo të ndodhë,  Krishti arrestohet nga ushtarët e inkuizicionit. Në qeli ku rri mbyllur,  shefi  i inkuizicionit të qytetit,  pra, Inkuizitori i Madh, i bën një vizitë.  Dhe  menjëhere e njeh kush është.

Fillon një monolog i gjatë  ku plaku inkuizitor qorton Krishtin  pse është kthyer në tokë duke prishur  kështu  projektin e tij të një  bashkëjetese  paqësore mes njerëzve.  Nuk ka gjë  më magjepsëse  për njeriun  se sa liria,  i thotë plaku inkuizitor  Krishtit,  por nga ana tjetër,  në të  njëjtën kohë,  një  liri e tillë  është  edhe vuajtja më e madhe për të.  Ai, njeriu,  nuk di çfarë  të  bëjë  me lirinë e vet,  ndjehet i humbur dhe nuk arrin t’i  japë kuptim ekzistencës  së vet.  Prandaj,  për t’i shpëtuar njerëzit nga kjo vuajtje dhe nga ky hutim,  projekti im i premton atyre lumturinë  tokësore  në  këmbim të  kësaj lirie të ndërgjegjes  në se pranojnë autoritetin e kishës.  Dhe kështu të gjithë  njerëzit do jenë të lumtur.  Ky është  projekti i inkuizicionit:  të sjellë  në tokë  lumturinë  për të gjithë,  meqë  ajo qiellore është vetëm për disa,  vetëm për të  papërlyerit.  Padyshim duke ndjekur inkuizicionin njeriu nuk do arrijë  parajsën,  ku nuk do të shkonte gjithsesi për shkak të dobësive të veta natyrore,  por të paktën  është i lumtur në tokë.

Pas gjithë  këtij monologu,  ku ai që  flet është  vetëm Inkuizitori i Madh,  ai  hap derën dhe i thotë   Krishtit  të  ikë  nga toka e mos të  kthehet më,  ndryshe  me të zbardhur dita,  do t’i duhet ta  çojë  në  turrën e druve. Krishti  ngrihet  në këmbë,  shkon drejt  Inkuizitorit,  e puth dhe  ikën… në heshtje. Kjo është  legjenda e rishfaqjes së  Krishtit,  mbretit  të  një  mbretërie  që fillon aty  ku dielli lind dhe nuk përfundon aty ku dielli perëndon.  Pasi e krijoi  këtë mbretëri, Ai, vizionari, mbreti i tërë  njerëzve të cilët u prekën nga idetë e tij,  u rishfaq,  por ata që flisnin,  që jetonin,  që merrnin frymë  në  emër të tij me shpejtësi e zbuan.  Mbretëria  që ai krijoi me njerëz  të  lirë  ishte kthyer në një institucion,  institucioni i kishës me labirinte të pafund interesash.  Këto labirinte të ngatërruara  po mbysnin vetë  atë  për të cilin kjo mbretëri u krijua- individin e lirë.  Dhe për të ruajtur këtë institucion,  i biri,  Inkuizitori i Madh,  kryen aktin e atvrasjes,  vret-dëbon  atin e tij shpirtëror,  Krishtin. Vëllezërit Karamazov  ka në vetvete   jo një  akt atvrasje  po dy.  Njëra është tokësore, vëllezërit-bijtë  vrasin të atin  dhe tjetra shpirtërore,  Inkuizitori i Madh  dëbon-vret  dhe një  herë te atin e vet,  Krishtin.

Kur  Stiv Jobs,  një nga  vizionaret  më të mëdhenj të  shekullit  të kaluar themeloi kompaninë e vet  Apple,  vuri në themel të saj vizionin e   krijimit të  produkteve të cilat do ishin multifunksionale  dhe në të njëjtën kohë vepra arti,  pra,  një lloj unifikimi mes tre botëve  të ndryshme  teknologji-bisnes-art.  Jobs besonte se ishte  e drejta e çdo  njeriu  për të pasur më të mirën e mundshme nga bota. Dhe atë bëri. I dha mundësinë  çdo individi në planet të kishte  nëpër  duar produkte të  teknologjisë  më të  lartë  të  cilat vetëm një  shekull më parë do shikoheshin si magji apo herezi, sipas rastit.Në momentin  që kompania u shndërrua në istitucion,  u krijua  bordi i aksionerëve,  inkuizitori  i madh,  i cili i tregon  Jobsit derën. Krijesa dëboi krijuesin nga mbretëria e vet.  Vizioni i Jobs kishte në qendër njeriun,  bordi i aksionereve fitimin.  Në vizionin e krijuesve të BE-së,  kësaj organizate  “sui generis”,  e para në llojin e vet,  ishte ekspansioni ekonomik i cili do luftonte demonët e shekullit tonë: papunësinë  dhe inflacionin.Pasi u institucionalizua dhe u mori shteteve anëtare pjesë  të sovranitetit, u krijua pakti i stabilitetit  dhe   ekspansioni ekonomik u shndërrua në disiplinë  ekonomike.  Në nivel planetar,  FMN-ja  u krijua sipas vizionit për të  ndihmuar kombet në  periudhën e krizës në ciklin ekonomik. Pas institucionalizimit, lind bordi ekzekutiv, inkuizitori i madh, sipas parimit  një  dollar një votë. E përkthyer, do të thotë  që anëtarë  të këtij bordi  janë vetëm disa shtete të pasura,  të cilat mund edhe  mos i japin para nga ky fond  shteteve  ekonomikisht  në  nevojë.

Ka edhe diçka tjetër në  nivel qelizor: individi  institucionalizon vehten,  nderon frikën si inkuizior të  madh dhe dëbon  ëndrrën  nga jeta e vet.  Kjo ndodh pas periudhës së  pafajësisë,  kur prindërit,  shkolla,  kisha,  aplikacionet,  multinacionalet,  interneti…  herë  nga qëllime të  mira,  herë  nga qëllime fitimi,  i tregojnë  individit versionin e tyre  të botës. Kështu  ky bord ekzekutiv apo inkuizitori i madh,  si thuprat e një  kafazi të  padukshëm  thuret  përreth  individit  duke i diktuar  hapësirën ku ai duhet të lëvizë,  çfarë  duhet të luajë,  çfarë  duhet të pëlqejë,  si duhet të mendojë…  Këto limite zbehin  ditë  pas dite  aftësinë  natyrale, freskinë dhe imagjinatën  që  ka çdo qënie njerëzore  për të realizuar ëndrrën e vet.  Duke humbur aftësinë për të ëndërruar,  individi  bën  të  vetin versionin e  botës treguar nga  të  tjerët.  Ky version i thotë se bota është  e vështirë  dhe e padrejtë,  dhe ashtu është,  se më  i madhi e ha të voglin,  se  gjërat kështu  kanë  qënë  dhe kështu do vazhdojnë  të  jenë…   dhe nga aty fillon ngritja  në  kult e frikës.  Individi i kohëve moderne ka  frikë nga mësuesi,  frikë  të  humbë punen, frikë  të  thotë apo bëjë  gjëra  që  pjesa tjetër  e shoqërisë  mund të mos i aprovojë,  frikë nga e papritura,  nga sëmundjet,  frikë  nga pagesa e kredise,  frikë  për të ardhmen  e fëmijëve,  frikë nga liria e vet. 

Nën peshën e kësaj frike,  kërkon fajin dhe shpresën në  botën e jashtme,  në  sytë  e të  tjerëve.  Çdo gjë  që bën,  nëse shikon  se nuk ka aprovim,  e heq menjëherë  nga vetja:  nuk isha unë,  nuk e bëra unë… thotë  Smerdjakov  pasi kryen aktin e vrasjes  dhe dërgon në burg  të vëllain…nuk isha unë,  nuk e bëra unë… thotë individi i institucionalizuar  dhe  kjo gjë  trasformon gjithë  rrjedhën  e  ngjarjeve  në botën  reale.  Në momentin që individi braktis botën e vet duke i besuar versioneve të të tjerëve për botën,  nëpër labirintet e interesave  të  botës së jashtme krijohet frika si inkuizitor i madh dhe individi dëbohet nga ëndrra e vet.  Kjo do të thotë  se ekzistenca e tij braktiset në universin e rastësive. Institucionalizimi i vetvetes,  pra zgjedhja e frikës si  inkuizitori i madh për t’u parë si zot,  duke dëbuar-vrarë  ëndrrën personale është  kurthi më  i madh që  individi  i ka ngritur  ekzistencës së vet. Parabola e inkuizitorit të madh  përsëritet e përsëritet  në  ecurinë  e njerëzimit,  ashtu siç përsëritet  një  gjë  e cila nuk është  bërë  mirë.  Vetem kur gjërat bëhen mirë, kur kompletohen, atëhere ato pushojnë  së  përsërituri.

Njeri njih vehten – Shekulli i ri ka vënë  para  njerëzimit  çështje të cilat kërkojnë  zgjidhje  dhe për këtë  janë thirrur në apel mendjet më  brilante  të  të gjitha fushave:  si mund të  ngadalësohet  ngrohja globale;  si të shmanget  një  luftë  e tretë  botërore;  unifikimi i ligjeve të  fizikës;  Keynes apo  Hayek-Friedman  si model ekonomik;  zgjidhja e hipotezës  së Riemannit;  si mund të luftohet kanceri apo sëmundjet  degjenerative; korrupsioni në politike;droga;  depresioni…Të  gjitha këto janë  shqetësime të  kohës sonë, të  trashëguara nga shekulli i kaluar. Që  nga koha prehomerike vjen deri në  ditët tona  një  problem akoma i pazgjidhur,  ndoshta  më  i madhi i të  gjitha shqetësimeve:  karakteri konfliktual i individit.

Karakteri i individit  lëviz  në  shkallën vertikale të integritetit nga niveli i poshtëm Smerdjakov,  nëpër  Dimitri  e  Ivan,  për të  kapur  më pas  majën e plotësimit  si  Aleksej.  Ne lëvizim  nëpër zonat e mesit megjithë  dritëhijet e veta,  duke treguar kujdes mos të biem poshtë apo ajo që është poshtë   mos vijë drejt nesh,  por,  në  të  njëjtën kohë  nuk bëjmë  ndonjë  përpjekje  për të shkuar   në  nivelin më  të  lartë  të  plotësimit.  Një  ngritje drejt majës  në  shkallën  vertikale të integritetit,  në  nivel  planetar,  do zgjidhte ndoshta shumë  nga problemet që trazojnë njerëzimin. Për Dostojevskin, Aleksej ishte më tepër se personazh, ishte një rrugëdalje. Menjëherë  pas mbarimit  të  Vëllezërit  Karamazov,  ai shkruan  një  vepër vetëm me këtë  personazh,  vetëm  për Aleksejin.  Por nuk do ia dalë dot.

Gjysëm  shekulli  pas publikimit të  Vëllezërve  Karamazov,  në  hapësirën  ruse  do formëzohej  mbreteria komuniste dhe bashkë me të do luhej përsëri  akti i atvrasjes,  por kësaj here në dimensione  biblike. Miliona  familje  do gjendeshin  papritur si të pushtuara  nga fantazma  e vëllezërve  Karamazov:  biri që  spiunon të atin dhe e çon atë në togën e pushkatimit;  vëllai që i shmanget fajit të vet  dhe fut në burg  të  vëllain,   pastaj nga vrasja e ndërgjegjes  vret veten;  vëllai tjetër që ëmendet se e gjithë kjo i duket pa kuptim;  gruaja  që  mohon burrin si armik i popullit  dhe  populli që nuk e ka as idenë  më të  vogël se çfarë e keqe i ka ardhur nga ai burrë;   faji që  nuk dihet  në çfarë drejtimi ka ikur, por gjyqet dhe vendimet  me vdekje edhe në  mungesë të fajit  jepen çdo ditë… dhe në  instancë  të  fundit,  si  për të  përmbyllur  rrathët e ferrit,  këta individe  të alienizuar, të  tjetërsuar, ngrenë në kult udhëheqësin e vet, inkuizitorin e madh,  si ndriçues i jetëve  të tyre. Në  skaj të  kampit,  në  një  vend  mes lindjes dhe perëndimit,   zezona do  ishte akoma më e madhe:  prishen  të gjitha vendet e kultit duke zhdukur  kështu  kujtesën  e  njeriut.   Inkuizitori i madh,  udhëheqësi i madh,  i sëmuri i madh,  do krijonte ngrehinat e veta të kultit të tij.  E gjithë  jeta e kampit komunist  do ishte  një përjetim i frikshëm  në botën e ngjarjeve të  vëllezërve  Karamazov,  e një vepre shkruar si profeci kohë  më  parë.  Fantazma  e  Smerdjakov,  shërbyesi  kafshëror dhe atvrasës,  i lindur nga një marrëdhënie  jashtëmartesore  me  një të çmendur dhe i braktisur  në oborrin e  Karamazovëve,  do shfaqej   në  botën  komuniste  në  shkallën  më  të  lartë  të  hiearkisë  shoqërore  në  pozitat e udhëheqësit  të  mbretërise komuniste  që do vriste të  atin dhe do dëbonte Krishtin, do tjetërsonte  individin  në  një qënie të mjerueshme  pa të drejtë  prone dhe lirie, do shkatërronte  familjen, do sëmurte tokën..Bota ruse ishte  paralajmëruar  nga  Dostojevski,  por ky paralajmërim ishte shpërfillur.

Kuptimi dhe interpretimi i karakterit të individit dhe ngjarjeve që rrjedhin nga pozicioni i tij në shkallën vertikale të integritetit, nuk mund të vijë  nga fizika, matematika, mjekësia apo ekonomia,  nuk mund të vijë as nga vetë  kisha, pse edhe aty,  karakteri konfliktual i njeriut ka shtrirë  supremacine e vet duke e transformuar në istitucion me  labirinte interesi   të cilat kanë devijuar  vizionin e krijuesit.  Kjo përgjigje mund të vijë  vetëm nga mbretëresha e arteve – “letërsia“. Pse vetëm mbreteresha mund  ta  çojë  individin edhe një  herë  tek zoti i vet,  tek  mbreti i vet. Vetëm  letërsia  ka në vetvete arsyen dhe instinktin,  lëndën tokësore dhe pluhurin yjor,  ritmin e muzikës dhe gravitetin e filozofisë,  faktin dhe imagjinatën,  vetëm  gjuha e letrave ka këtë  fuqi analitike  për të kuptuar më  mirë  individin  dhe   fatin e tij.

Në  universin  e zi të  pakuptimësisë  së  ekzistencës,  një formacion  yjesh  të quajtura  Dante,  Cervantes,  Shekspir,  Nietsczhe, Dostojevski...  na  hap dyert e një  multiversi  ku mund të shikojmë  çfarë  kemi qenë, çfarë  na ka ndodhur,  përse kemi zgjedhur frikën,  këtë  inkuizitor të madh si kult adhurimi dhe ajo që është  më e rëndësishme,  si mund të ngjitemi përgjatë  rrjedhës  së  ekzistencës  sonë  drejt burimit,  drejt  asaj që  kemi humbur dhe që duhet rimarrë.

Njeri njih vehten, është sentenca më e larte e krijuar ndonjëhere nga mendja njerëzore dhe përpjekja  për të njohur vehten, karakterin  konfliktual dhe pasojat që rrjedhin nga kjo,  është  herë e dukshme dhe herë  e fshehur  në  metafora,  në çdo faqe të  Vëllezërit  Karamazov.

Për të  njohur vehten,  mjafton  të  ngremë  kokën  dhe të  shikojmë  këtë  formacion yjesh me kureshtjen e një fëmije duke kërkuar të zbulojmë  çfarë  fshihet pas dritës së tyre unike. Në  çastin që  kuptojmë  kush jemi,  që  njohim dimensionet e karakterit tonë  konfliktual,  në çastin  që  hedhim dritë  mbi  Aleksej,  Ivan,  Dimitri  e  Smerdjakov  që  janë brenda  nesh,  atëhere e kemi filluar ngritjen vertikale drejt integritetit  të  qënies,  kemi bërë hapin e parë drejt detrave të jugut,  drejt  parajsës së humbur për të  rifituar  një të drejtë  tonën, të  drejtën  për të  qënë  në  harmoni me gjithçka  rreth e qark nesh, të drejtën  për të qënë vetë ne krijues të universit tonë. Por për këtë  nuk duhen mbajtur sytë  nga bota e jashtme,  nga turma. Turma është  një  entitet pa vullnet dhe si e tillë  nuk mund të  krijojë. Vetëm  individi,  apo më saktë  fëmija-krijues  që  është  brenda tij,  i cili zgjedh lodrën  e preferuar  dhe nuk resht së luajturi me këtë  lodër edhe kur rritet,  edhe në muzg të jetës,  ka të drejtën e parajsës së  humbur.  Kjo lodër e preferuar  për Aleksej quhet  besimi ndaj Krishtit;  për vetë  Dostojevskin  quhet pasion për të  hedhur dritë  mbi  fragmentizimin e qënies njerëzore nëpërmjet  artit të krijimit;   për  Newtonin  quhet zbulimi i ligjeve të natyrës; për Keynes krijimi i modeleve ekonomike që luftojnë  papunësinë  dhe inflacionit;  per Jim Morrison  quhet krijim i harmonisë  mes universit të  notave muzikore dhe poezisë;  për Nurejev quhet të  pushtojë  hapësirën e skenës  me  anë të  kërcimit…Ky lloj individi,  kjo racë  e re që  bashkon të  gjitha  dimensionet  konfliktuale brenda vehtes me anë të lodrës së vet të  preferuar,  është  në të  njëjtën  kohë  univers dhe njësh.  Ky lloj individi është  kripa e tokës, është  kujtesa  për  njerëzimin  e ekzistencës  së një kohë të largët,   në  lindje të  kohës,  kur zoti dhe njeriu ishin një,  ishin e njëjta  gjë  dhe  ishin  zot të   parajsës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Milioner dhe i suksesshëm, por ja çfarë thotë Noizy për lumturinë…

Noizy është një prej reperave më të njohur dhe më të ndjekur...
Read More