Beteja e fundit për KLP-në



Nga Ervis Iljazaj

Sa më shumë afrohet momenti për të formuar organet e reja të Reformës në Drejtësi, aq më tepër politika shqiptare futet në panik dhe kërkon të tensionojë situatën. Ditët e fundit jemi futur në një debat teknik juridiko-kushtetues, me përpjekjen për të bërë rolin në sytë e opinionit publik, se cila nga palët politike e do më shumë Reformën në Drejtësi dhe Kushtetutën.

Në fakt, i gjithë ky debat për respektimin e Kushtetutës, nuk është asgjë tjetër përveçse përpjekja e fundit e elitës politike për t’i rezistuar një drejtësie, e cila me Reformën e mban larg saj. Dhe sa më larg saj të jetë drejtësia, aq më tepër rezistencë politike ka kundër saj.

Një rezistencë të tillë, e kemi parë përgjatë gjithë kohës, që nga momenti i fillesës së Reformës në Drejtësi. Politika shqiptare përdori çdo mjet, protesta, ankimime në Gjykatën Kushtetuese, në Komisionin e Venecias etj. E megjithatë, nën presionin e ndërkombëtarëve, u detyrua të aprovonte Reformën me unanimitet.

E njëjta rezistencë po ndodh edhe sot. Propozimet për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit nga Partia Socialiste, të cilat parashikojnë sjelljen e provave nga ana e prokurorisë kur kërkohet arrestimi i një deputeti, janë provë e qartë e frikës që ka kapur politikën nga hetimet që priten të vijnë nga Prokuroria, tashmë e pavarur.

Po ashtu, propozimet kushtetuese të opozitës, që parashikonin rizgjedhjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm me konsensus politik dhe shkarkimin e Arta Markut, janë një tentativë tjetër për të rikthyer Kryeprokurorin nën vartësinë e saj. Këto propozime u hodhën poshtë nga misionet ndërkombëtare, duke theksuar edhe njëherë mbështetjen për punën dhe misionin e Arta Markut.

Sepse, Arta Marku nuk është në krye të prokurorisë, as për të hapur dosje të reja dhe as për të mbyllur dosjet e vjetra, por misioni i saj i vërtetë është që Prokuroria e Përgjithshme të dërgojë sa më shpejt anëtarët e saj në Komisionin e Lartë të Prokurorisë, nga e cila do të dalë SPAK dhe Byroja e Hetimit Kombëtar, organe të cilat do të merren vetëm me hetimin e zyrtarëve të lartë dhe politikës.

Në këtë kuptim, roli i saj do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim. Për këtë arsye, ndërkombëtarët me insistim kërkuan largimin e Adriatik Llallës dhe mbështetën Arta Markun, pikërisht që formimi i KLP-së të qëndronte larg ndikimit politik.

Prandaj, tentativat e fundit të mazhorancës dhe opozitës, janë tentativa qartësisht për të rimarrë edhe njëherë aksesin e tyre në organin e akuzës, akses të cilin e kanë patur për më shumë se 25 vite. Kështu që, ngjarjet e fundit me propozime kushtetuese dhe ligjore, janë vetëm beteja e fundit që klasa politike shqiptare, pa dallim ngjyre është duke zhvilluar për t’iu kundërvënë insistimit të ndërkombëtarëve për të krijuar një pushtet gjyqësor të pavarur nga ajo. Se cila nga palët do të triumfojë në këtë betejë, ndërkombëtarët apo kombëtarët, kjo mbetet për t’u parë. Mirëpo, kjo vonesë e Reformës në Drejtësi, si dhe tensioni politik që ka krijuar, po sjell kosto të mëdha politike dhe ekonomike për shoqërinë shqiptare.

Ka tashmë më shumë se një vit, që nuk flitet për gjë tjetër përveç Reformës në Drejtësi, duke krijuar në këtë mënyrë, vetëm një çështje të rëndësishme, atë të drejtësisë që do të vijë, e cila po vonon dhe po bllokon çdo mekanizëm shtetëror për të ndihmuar politikat ekonomike. Sepse në një shtet si Shqipëria, nëse politika është bllokuar, çdo gjë tjetër bllokohet, deri te mekanizmat financiarë që nxitin zhvillimin ekonomik. Beteja për KLP-në nuk po bën asgjë tjetër vetëm sa po e vonon akoma dhe më shumë Reformën, duke marrë peng garën politike normale dhe zhvillimin.

 

 

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Marketingu, një pasion i përhershëm

Nga prof. asoc. dr. Kreshnik Bello E thjeshtë, por tepër domethënëse, shprehja...
Read More