Beteja e parrullave…



-Si e menaxhoi Edi Rama krizën përmes komunikimit

Protestën nuk e pa askush teksa vinte dhe askush nuk e di me saktësi se si do të ikë. Kryeministri Edi Rama ka nisur i vetëm betejën në fushën e tij, atë të komunikimit, edhe pse studentët e kanë sfiduar fuqishëm pikërisht aty ku ai ‘mbahej fort’. Përse paqartësia e protestës mbetet problemi më i madh. Flasin Belina Budini dhe Blendi Salaj

Nga Enton Palushi

Kur qindra banorë të Kukësit dolën në një protestë të dhunshme pas vendosjes së një tarife për kalimin në Rrugën e Kombit, kryeministri Edi Rama u vendos në një situatë të vështirë. Përpara mediave ai pranoi se problemi kishte ardhur për shkak se nuk kishim komunikuar siç duhet dhe sa duhet me banorët e qarkut më të varfër në vend. Pas ‘diskutimeve’ të gjata dhe një shtyrje në kohë, trau u vendos sërish në Rrugën e Kombit. Banorët e Kukësit fituan të drejtën për të lëvizur me një shumë të reduktuar. E megjithatë, zemërimi i tyre me qeverinë mbeti dhe kjo u pa disa muaj më vonë, kur kryeministri vizitoi qytetin e tyre dhe u prit me protesta. Pasi i quajti vandalë në fillim dhe u tregoi forcën, kryeministri e zbuti retorikën dhe erdhi deri në pikën ku u kërkoi falje e më vonë u shpreh se është mirënjohës ndaj tyre pasi nuk reaguan me forcë ndaj vendosjes së dytë të traut.

Edhe protesta e banorëve të zonës së Astirit në Unazën e Madhe duket se e vuri në vështirësi qeverinë e Edi Ramës. Por nisja e dimrit kishte rezervuar të tjera surpriza të hidhura.

***

Në qarqet mediatike pranohet prej dekadash tashmë që kryeministri Edi Rama është mjaft i zoti kur bie fjala tek informacioni dhe komunikimi. E ka marrë këtë nam kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe e ka vazhduar si kryeministër. E këtu nuk është vetëm fjala për aftësinë për të qenë i pranishëm vazhdimisht në media, për të marrë prej tyre fjalë të mira e vlerësime, për t’u treguar herë trendy e herë agresiv, herë arrogant e herë i butë dhe babaxhan. Mbi të gjitha është fjala te mundësitë për të përpunuar të dhënat. Tek e fundit, a nuk jetojmë në periudhën e ‘big data’? Sondazhet mbeten të preferuarat e kryeministrit dhe kur fitoi bindshëm në zgjedhjet e vitit të shkuar, u tha se gjithçka e kishte të kopsitur. Por e gjithë ‘kalaja’ e ndërtuar rreth tij u shemb krejt papritur kur një grup studentësh dolën përpara Ministrisë së Arsimit, ashtu pa ndonjë pretendim të madh. Turma u zmadhua një ditë më pas dhe nuk duhej të ishe shumë i zoti për të kuptuar se zemërimi i tyre ishte i sinqertë. Britanikët përdorin termin ‘snowballing’ për të dhënë idenë se si rritet me shpejtësi diçka, ashtu si topi i dëborës mund të kthehet në një ortek të frikshëm. Dhe turma u rrit me shpejtësi duke i habitur të gjithë ata që ‘flinin’ nëpër zyrat e politikës e biznesit. Dështimi i parë i Ramës si zotërues i informacionit? As nuk e pa që po i vinte.

***

Por jo vetëm që nuk e pa që po vinte një uragan, ose një ‘shuplakë’ siç preferon ta quajë ai, por ajo e mori përpara pikërisht në fushën e tij më të mirë, atë të komunikimit. Studentët ishin aktivë, kreativë dhe simpatikë. Valter Glos, drejtues i Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri thotë se nuk ka parë akoma një njeri që të jetë kundër protestës. Studentët kishin fituar masën, kurse Edi Rama do u përgjigjej fillimisht me arrogancë, duke i quajtur ngelësa. Më pas do zbuste tonet e deri në momentet e këtij shkrimi, muret e tij në rrjetet sociale janë të mbushura plot me ftesa për dialog me të rinjtë. Ai është i gatshëm që të plotësojë çdo kërkesë për ta, madje e thotë këtë me një lehtësi që mund të kthehet sërish në bumerang. A nuk do kërkojnë edhe mjekët, infermierët, minatorët, naftëtarët, mësuesit që t’u plotësohen kërkesat e tyre, meqë kjo çështje qenka kaq e lehtë? A rrezikon të ketë një efekt zinxhir kjo gatishmëri për të plotësuar një më një kërkesat? Për momentin kryeministri duket se është i shqetësuar vetëm për diçka: Të shuajë protestën e të rinjve, pasi ka diçka që e shqetëson më shumë.

***

Ajo që shqetëson më shumë kryeministrin është paqartësia. Nëse protesta do të mbetej vetëm te kërkesat për një universitet më të mirë, Rama do ishte vërtet i pari në radhë për të plotësuar këto kërkesa. Edhe atij i intereson që Shqipëria të ketë universitete sa më të mira, edhe pse ka bërë pesë vite e gjysmë që nuk e ka kuptuar se sa shumë po lëngonin. Por paqartësia e studentëve, e bashkuar me një zemërim të përgjithshëm jo vetëm të të rinjve, ndaj një politike që ndiejnë se i ka tradhtuar, mashtruar e vjedhur për tre dekada, është ajo që e tremb më shumë kryeministrin dhe çdo politikan. Po sikur paqartësia të jetë qartësia e protestës? Sikur pas saj të mos fshihet vetëm revolta për një universitet më të mirë, por për një jetë më të mirë, siç e thonë shpesh pankartat e studentëve? Po sikur varfëria dhe problemet ekonomike në vend të jenë thelbi i revoltës së tyre?

***

Të lexosh protestën është bërë shumë e vështirë, jo vetëm për shkak se studentët nuk janë akoma të organizuar në një mënyrë më hierarkike ose më përfaqësuese. “Nuk e dimë nëse protesta do të përshkallëzohet në dhunë”, thotë Glos për median gjermane, i bindur se vendi ka hyrë në një stinë të fortë protestash dhe pakënaqësie ndaj qeverisë, jo vetëm për arsimin, por edhe për çmimet, mungesën e vendeve të punës etj. Edhe vetë Edi Rama e pranon se protesta ka potencialin për të shkaktuar dhunë. Një gjë e tillë ndodhi me lehtësi në Francë, ku të ardhurat janë ku e ku më të larta se në Shqipëri. Por Rama beson se nëse do ketë dhunë, pas saj do fshihen eksponentë politikë të opozitës. E këtu ekuacioni ndryshon disi. Kush po i lëviz fijet e protestës? A ka aty elementë të mazhorancës së majtë, që ndjejnë se kryeministri është në ditët e vështira dhe po nxitojnë që t’i japin një të shtyrë? Rama e di shumë mirë se në çfarë partie ka ‘rënë’, ndaj nxiton për të ndalur rrymat brenda të majtës. Fillimisht sulmon ashpër komunistët dhe punistët, mes tyre më fort pedagogun neokomunist Arlind Qorri. Pas tij thuhet se qëndron Erion Veliaj, por këto janë zëra kaq të dobët në publik. Pastaj e ka inatin edhe me të tjerë, disi më të vjetër në parti. Në një fjalim plot zemërim, Rama u kujton se dy herë në jetën e tij politike ka patur momente të tilla të sikletshme, atëherë kur nuk e donin në PS dhe tani me protestën e studentëve.

***

Këtë betejë Rama ka vendosur ta bëjë i vetëm, i bindur se nëse ka qenë problem informacioni dhe komunikimi, ai mund të zgjidhet me komunikim e informacion. “Plumbi del me plumb”, thotë një fjalë e vjetër. Memet, një mjet i ri i komunikimit të të rinjve, tashmë janë kthyer në preferencën e 54-vjeçarit Rama. Instagrami, një rrjet po ashtu rinor, është mbushur me videot e Ramës si të një dashnori të këputur që kërkon dialog. Ai është gati që të bëjë gjithçka vetëm të kalojë këtë situatë. “Nuk do jem më i pari” ka paralajmëruar të gjithë ata që do e kenë përballë pasi të kalojë lumin e vështirë e të turbullt ku e kanë futur studentët. Si për të qenë më i qartë në strategjinë e komunikimit, përballë ka vendosur si armiq rektorët dhe dekanët e universiteteve publike, duke i fajësuar për situatën e tmerrshme të institucioneve që drejtojnë. A do funksionojë kjo strategji komunikimi në një kohë të tillë krize? Ende nuk mund të thuhet me saktësi se cili do jetë fundi i kësaj përplasje.

***

Kur presidenti francez, Emanuel Makron, doli përpara qytetarëve të vendit të tij, që të komunikonte masat ekonomike për të shuar zemërimin që shkaktoi protesta të dhunshme për katër fundjava, foli vetëm 13 minuta. Ai pranoi fajin dhe kërkoi ndjesë që nuk kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Pas fjalimit, në faqen e ‘Jelekëve të verdhë’ postuan një video nga filmi ‘Vizitorët’, që tregon një kalorës dhe shërbëtorin e tij, që vijnë në kohët moderne, krejt të shkëputur nga ky realitet. Për shumë liderë thuhet se humbasin kontaktin me realitetin. A mund të zgjidhet një krizë kaq e madhe vetëm me komunikim? Le t’ia lëmë kohës. 

 

Belina Budini: “Mungesa e dialogut”, shpikje komunikative e Ramës

Leximi i komunikimeve mes studentëve dhe kryeministrit nga studiuesja Belina Budini, përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET

A mund të quhet protesta e studentëve një krizë komunikimi dhe informacioni? Për shembull askush nuk e parashikoi që do vinte kaq fuqishëm? Po ashtu, ngërçi aktual është tek mungesa e dialogut…

Kjo protestë është përpjekje për të komunikuar, ndaj nuk më duket se mund të përdoret për të ilustruar krizën. Përkundrazi, qëllimet e saj janë thellësisht të lidhura me komunikimin e një krize dhe shumë keqkuptimeve në lidhje me arsimin e lartë publik në Shqipëri dhe gjendjen reale të tij.  Protesta nuk ka pse të shihet si problemi, edhe pse ajo mund të mos rezultojë të jetë as zgjidhja nëse shuhet pa arritur qëllimet e veta. Deri tani protesta e studentëve i ka komunikuar shumë qartë kërkesat dhe pritshmëritë e saj fillestare. Jo vetëm përmes parullave dhe memeve, por edhe përmes qëndrueshmërisë së saj dhe gjetjeve të kanaleve të komunikimit. I është imponuar mjedisit mediatik dhe opinionit publik në tërësi për ditë me radhë, duke nxitur diskutime por edhe reflektime për reformimin e pamjaftueshëm ose të munguar të arsimit të lartë në Shqipëri. Protesta vetë ka komunikuar, sikurse thoni ju fuqishëm, edhe për faktin se ka ardhur e papritur në një klimë të supozuar nënshtrimi dhe apatie publike. Format e komunikimit të përdorura nga studentët kanë qenë mjaft kreative dhe ndonëse studentët janë të varfër në burime financiare dhe deri diku edhe kapital kulturor e strukturor, organizimi i saj ka qenë i jashtëzakonshëm. Studentët janë futur në dialog publik jo vetëm me kryeministrin, por me gjithë aktorët përgjegjës për gjendjen e tyre, përmes kësaj proteste. “Mungesa e dialogut” është shpikje komunikative e Ramës. Është rrëfimi konkurrues i vetë kryeministrit përballë aktit dhe narrativës protestuese të studentëve. E shndërruar në lajtmotiv nga ana e Ramës, ajo ende nuk artikulohet gjerësisht në opinionin publik. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të nisë të tingëllojë si kërkesë e natyrshme, edhe pse deri tani është perceptuar më tepër si karrem.

Thuhet shpesh se kryeministri Edi Rama është një ekspert i fushës së komunikimit. Është aktiv në median sociale dhe tradicionale. Pse u duk më i dobët në këtë fushë këto ditë, ndërkohë që studentët dukeshin më superiorë?

Përballë protestës së studentëve, dolën në pah pikërisht limitet dhe qasja trukuese e kryeministrit si komunikues publik. Studentët treguan se janë në gjendje ta tejkalojnë Ramën si komunikues, duke e nxjerrë atë zbuluar në trukimin e realitetit. Superioriteti moral dhe vleror i studentëve e vuri në vështirësi reale qasjen propagandistike dhe joeficente të qeverisjes së tij. Ky perceptim mund të mos zgjasë shumë gjithsesi dhe studentët ndonëse e kanë fituar një betejë të parë komunikative, do të vijojnë të kenë përballë një komunikues politik që ka jo vetëm aftësi aktoriale që i japin pushtet simbolik, por edhe pushtet ekonomik, mediatik dhe institucional. Ky është edhe avantazhi i Ramës përballë studentëve, avantazh të cilin ai kërkon ta legjitimojë përmes thirrjes për dialog. Dialogu i kërkuar (a thua se ai mungon!) në fakt është thjesht një karrem komunikativ për të mbërritur te një pakt institucional, në mënyrë që jo vetëm të fitojë komunikimin me studentët dhe aktorët universitarë, por edhe të kapitalizojë merita qeverisëse dhe reformuese.

Disa thonë se kjo ishte beteja e memeve dhe parullave. A ndani këtë mendim?

Parullat dhe memet duke qenë se kanë qenë mjaft kreative, janë përhapur dhe diskutuar mjaft dhe në këtë mënyrë kanë rezultuar të jenë edhe mjaft eficiente, pra kanë luajtur rol të rëndësishëm në përcjelljen e mesazheve të protestës. E kanë bërë protestën më komunikuese si të tillë, por nuk mendoj se janë të mjaftueshme. Janë aktet ato që sjellin ndryshimet dhe zgjidhjet, ndaj do të ishte reduktuese që kjo protestë të përfundojë e etiketuar thjeshtë si betejë e memeve dhe parullave. Akt nuk përbëjnë memet, por lëvizja studentore, pra angazhimi dhe përkushtimi i atyre studentëve ndaj kauzës së tyre për arsim dhe universitet cilësor. Memet dhe parullat rezultuan të jenë mjete mjaft efikase për të përhapur zërin e tyre deri tani, por nuk do të mjaftojnë për t’i arritur qëllimet e shpallura, në rast se nuk mbështeten edhe në vijim nga akte të tjera.

 

Blendi Salaj: Problemi është se Rama kërkon të jetë ai që e ofron zgjidhjen

Gazetari dhe eksperti i komunikimit, Blendi Salaj, thotë se kjo është një betejë e pabarabartë, pasi njëra anë kërkon të ndryshojë botën, tjetra të ruajë fytyrën

A mund të quhet protesta e studentëve një krizë komunikimi dhe informacioni? Për shembull askush nuk e parashikoi që do vinte kaq fuqishëm? Po ashtu, ngërçi aktual është te mungesa e dialogut…

Mendoj se të vetmet protesta që funksionojnë në Shqipëri janë ato që nisin dhe zhvillohen për arsye të mirëqena. Mendoj se më tepër se mungesë komunikimi është një situatë e agravuar, le të kujtojmë se lindi spontanisht për pagesën e parashikuar në pikën 4 të VKM-së. Abuzimi brenda sistemit është evident, dhe të rinjtë që e refuzojnë janë duke komunikuar qartë se nuk do ta pranojnë status quo-në.

Thuhet shpesh se kryeministri Edi Rama është një ekspert i fushës së komunikimit. Është aktiv në median sociale dhe tradicionale. Pse u duk më i dobët në këtë fushë këto ditë, ndërkohë që studentët dukeshin më superiorë?

Ky është një brez tjetër, që e zotëron komunikimin e sotëm online më mirë se kryeministri dhe stafi i tij. Këta vajza e djem janë natyralë, dhe janë në sulm. Kreativitet, ekspresivitet dhe kurajo. Ka qenë një surprizë për disa që i paragjykojnë si injorantë dhe dembelë të rinjtë. Por nuk janë aspak. Ata janë 20-vjeçarë që po komunikojnë një dëshirë të pastër dhe të drejtë për arsim, ndërsa ekipi i kryeministrit është duke u përpjekur të mbajë situatën nën kontroll. Në këtë sens, është një betejë e pabarabartë, njëra anë kërkon të ndryshojë botën, tjetra të ruajë fytyrën. Studentët e kanë më të lehtë.

Disa thonë se kjo ishte beteja e memeve dhe parullave. A ndani këtë mendim?

Po, absolutisht. Agjencitë e marketingut që ankohen se nuk gjejnë njerëz kreativë duhet të skuqen pasi po shohim se kreativiteti qenka në kulm. Humori, ironia, sarkazma janë ndërthurur me kurajën, sfidën dhe inteligjencën me të cilën janë përfaqësuar studentët.

Rama ka nisur i vetëm betejën për të marrë veten nga ‘shuplaka’ që thotë se mori, duke përdorur fjalën si armën e tij të fortë. Fillimisht ishte i ashpër, pastaj u zbut, pastaj sërish agresiv. Si e parashikoni betejën më tej?

Problemi është që kryeministri kërkon të jetë ai që e ofron zgjidhjen ndërkohë që studentët janë ata që kanë meritën për plotësimin e kërkesave. E sigurt që studentët kanë kthyer vëmendjen e shoqërisë tek arsimi i lartë. Po të mos ishte për ta, asnjë institucion shtetëror nuk do ngrinte një gisht ndaj një situate të patolerueshme në vitin 2018.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të dhënat: 1 në 4 persona të rrezikuar nga probleme të shëndetit mendor

Mbështetja psikosociale mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet. Investimi për...
Read More