Beteja kundër qeseve plastike si betejë kundër mullinjve të erës

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit 

Ka një dallim thelbësor, midis të majtës dhe të djathtës, në synimet e politikbërjes përgjatë qeverisjes. Të majtët, së pari, mendojnë se qytetarët janë budallenj dhe të papërgjegjshëm, prandaj nevojitet që qeveria ti mbroj ata nga budalliku dhe papërgjegjshmëria që i karakterizon. Rëndësia që i japin vetes, si qenie më inteligjente dhe më të moralshme se qytetarët e thjeshtë, u siguron të majtëve të drejtën të ndërhyjnë në shumë aspekte të jetës njerëzore, për të rregulluar atë që kanë prishur qytetarët! Kjo është arsyeja pse, sa herë të majtët ushtrojnë pushtet ekzekutiv legjislacioni rritet progresivisht me kohën. Hiper-legjislacioni që ata prodhojnë, vetëm në dukje rregullon gjërat, sepse në brendi vetëm sa shton volumin e akteve ligjore për tu respektuar nga shoqëria dhe ul nivelin e zbatimit të ligjit nga qytetarët e atij vendi. Filozofi britanik Herbert Spencer (1820-1903) e ka laboruar shterueshëm këtë çështje në esenë e tij ‘Hiper-legjislacioni’.

Kështu që nuk po shkojmë më tej në këtë drejtim, për të kërcyer te një karakteristikë tjetër e të majtëve. Ata përveçse pushtues të hapësirave të lirisë së qytetarëve, në qasjet dhe praktikat qeverisëse politikbërëse shfaqen edhe si populistë të pandreqshëm. Nëse vëzhgojmë të gjitha politikat e Rilindjes Rama, specifika që i bën bashkë është fakti se të gjitha janë zgjidhje që edhe shumica masive e qytetarëve të thjeshtë shqiptar do ti jepte problematikave me të cilat përballet vendi dhe shoqëria. Kjo është arsyeja pse të gjitha politikat e këtyre viteve ‘duken bukur’, por nuk prodhojnë asnjë përmirësim, dhe ky është edhe dallimi midis të majtës dhe të djathtës, për të cilin po flasim sot. Nëse e majta i harton politikat me synimi që ato ‘të duken bukur’ dhe të pëlqehen nga shumica e qytetarëve, të djathtët i orientojnë synimet e politikbërjes që ato të ‘japin rezultate’, pavarësisht se shumicës së qytetarëve do ju duket e largët dita e përfitimit prej tyre.

Aksionet mjedisore me goditje të përqendruar ‘Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë’ dhe ‘Të pastrojmë Shqipërinë në gjashtë muaj’, respektivisht të qeverive Rama 1 dhe Rama 2, janë dy nga shembujt më emblematik të kësaj teze. Ndërmarrja e nismës së qeverisë Rama 2, na vërtetoi se nisma e qeverisë Rama 1 kishte dështuar, kurse gjendja faktike e mjedisit, veçanërisht në zonat me potencial turizmin, na vërteton në praktikë se edhe nisma e dytë nuk dha rezultatet e propaganduara. E theksova togfjalëshin ‘në praktikë’, sepse në teori dështimi u parashikua që gjashtë muaj më parë, kur kjo nismë u prezantua me “pompozitetin ducejan” që e karakterizon kryeministrin tonë. Sikurse po parashikojmë që sot, se nisma e fundit që u ndërmor nga i njëjti kryeministër me të njëjtin pompozitet, lufta kundër qeseve plastike për blerje, do të ketë të njëjtin fund, sepse edhe kjo nismë nuk është ndërmarrë që të ‘prodhoj rezultate’ por që të ‘duket bukur’.

Pa as më të voglin dyshim edhe kjo nismë ‘duket bukur’, por ajo nuk mund të ‘prodhoj rezultate’ për disa arsye. Së pari, se në vendet nga ku është importuar ky projekt qytetarët i largojnë mbetjet nëpërmjet ambalazheve të dedikuara, ndërsa shqiptarët i përdorin qeset plastike të blerjeve edhe si ambalazh për largimin e mbetjeve. Ç’ka do të thotë se edhe në rastin kur shqiptarët nuk do të përdorin qese plastike për blerje, do ti përdorin ato për të larguar mbetjet. Së dyti, qeset plastike kanë kosto të ulët dhe në këtë kuptim çmim të ulët në shitje. Ç’ka do të thotë se, kostoja e blerjes së qeseve plastike nuk mund të punojë si një barrierë e rëndësishme për mos përdorimin e tyre. Së treti, volumi i qeseve plastike si mbetje zë vetëm 5% të mbetjeve totale urbane që prodhojnë qendrat e banuara. Ç’ka do të thotë se, edhe nëse kjo nismë do të ketë sukses në masën 100% ndikimi në mjedis, të paktën në volum mbetjesh, është pothuajse i papërfillshëm.

Mirëpo, ka një kuptim sipas të cilit nisma qeverisëse që ‘duket bukur’, mund të ‘prodhoj rezultate’. Në qoftë se dy nismat e tjera qeverisëse ishin vetëm me profil të brendshëm, me synim edukimin e masave, kjo nismë e tretë ka një profil të fortë globalist. Nëpërmjet saj, sikurse bashkia Tiranë për projektet e Këmbësores Skënderbej apo Pazarit të Ri, edhe qeveria Rilindase mund të fitoj ndonjë dekoratë ndërkombëtare. Sepse me këtë vrull që ka marrë qeveria për të mbrojtur mjedisin mund të nxjerr jashtë ligjit të gjitha llojet e ambalazheve plastike, dhe kështu të bëhemi ‘i pari dhe i vetmi vend në botë’ pa mbetje plastike. Nuk do të ishte as ndonjë çudi, dhe as për herë të parë, shqiptarët janë shtrënguar të jetojnë “të lumtur” nëpër biruca. Në këtë rast do e meritonim plotësisht një dekoratë globaliste, pavarësisht se do duhej ta paguanim me humbjen e një industrie shumë më të madhe se ajo prej 100 milion euro investime që rrezikojmë sot.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krim-politikë: Fije që (s)priten! Flasin Shkullaku, Nano dhe Haxhiu

Skandali i Elbasanit, ku policia u tërhoq nga ndjekja e të dyshuarve...
Read More