Beteja për Çmimin Kadare 2018: Triumfon romani i Virgjil Muçit ndaj autobiografisë së Vera Bekteshit

Shkrimtari, përkthyesi e diplomati Virgjil Muçi është shpallur fitues i edicionit të katërt të çmimit Kadare 2018, me shpërblimin 10 mijë euro, që ndahet nga Instituti Europian Pashko, në Ditët e Letërsisë Razëm; pas një beteje të fortë mes anëtarëve të jurisë, duke u vënë përballë dy emra, Vera Bekteshi dhe Virgjil Muçi, ky i fundit merr tre vota të jurisë nga pesë, me motivacionin: “…Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar individualitetin me artin vrasës të përshtatjes së pafundme”.

Ka qenë një betejë jo e lehtë edicioni i katërt i ndarjes së çmimit Kadare 2018, duke u vënë përballë romani autobiografik i Vera Bekteshit me romanin e shkrimtarit Virgjil Muçi. Juria me kryetar Kim Mehmetit, dhe anëtarë Genciana Abazi Egro, Ledia Dushi, Eni Vasili dhe Agim Baçi janë ndarë mes tyre deri në selektimin e dy emrave finalistë, duke kaluar dy vota për romanin e Bekteshit, dhe kaluar si fitues me tre vota shkrimtarin e përkthyesin, Virgjil Muçi. Romani i tij në dorëshkrim me titullin “Piramida e shpirtrave” është shoqëruar me motivacionin: “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar individualitetin me artin vrasës të përshtatjes së pafundme”.

Ky është i vetmi çmim privat që ndahet në Shqipëri e në rajon me shpërblimin financiar 10 mijë euro, ku romani i shkrimtarit Virgjil Muçi fitoi pas një përzgjedhjeje në fazën finale, nga konkurrimi i sivjetëm i 32 veprave në dorëshkrim. Prurjet për çmimin Kadare kanë qenë të konsiderueshme, dhe në këto katër edicione kanë hyrë në garë më shumë se 140 autorë, me vepra në dorëshkrim, të pabotuara, ndërsa çmimi shpallet çdo vit të dielën e fundit të muajit maj, në Razëm, në kuadër të aktivitetit Ditët e Letërsisë Razëm, që organizohen nga Instituti Pashko me mbështetjen e UET.

Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Autori është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndjehet i pafuqishëm.

“Piramida…” një roman pa heronj, çka mishërohet jo vetëm e thjesht në figurën e personazhit kryesor Mark Mara, por edhe te të gjithë figurat e tjera që sillen rreth e qark tij. Për këtë arsye, por edhe për një truk tjetër që lexuesi mund ta zbulojë mbasi ta ketë lexuar librin, autori e quan romanin e vet antipoemë, “duke thyer skemën e klasifikimit tradicional të një vepre letrare sipas zhanrit dhe e nxjerr atë nga shablonet që i imponohen ndonjëherë nga kritika”, shkruan autori. Romani zë fill me mbërritjen e Mark Marës në aeroportin e Rinasit, një shqiptaro-amerikan, i cili nuk e ka vizituar as edhe një herë vendlindjen e të parëve dhe, paradoksalisht, mbyllet me largimin e tij, disi të mistershëm (nuk kuptohet mirë nëse e kanë rrëmbyer apo është evakuuar si shtetas amerikan), për shkak të trazirave që shpërthejnë në vend me shembjen e piramidave financiare. Ç’është e vërteta udhëtimi i Mark Marës drejt Shqipërisë, një ish-financier i suksesshëm në vendin e tij, por që më pas përfundon në burg për shkak të disa operacioneve financiare jo fort të pastra, është sa fizik aq edhe shpirtëror. Fizikisht ai dëshiron të prekë vendin ku kanë lindur prindërit para se të merrnin rrugën e emigrimit dhe që, afërmendsh, ka dëgjuar shumë prej tyre, si dhe shpirtëror, duke qenë se, pas daljes nga burgu, Mark Mara është në kërkim të një farë katarsisi, një rrugëtimi nga Ferri drejt Purgatorit me shpresën që në çastin e mbramë t’i hapen dyert e Parajsës. Ndaj të gjithë këtë proces purifikimi ai mendon ta kryejë në këtë vend të vogël e të largët, të cilin e idealizon dhe që, sipas tij, nuk ka të ngjarë të jetë ende prekur prej veseve dhe defekteve të shoqërisë kapitaliste. Kontakti me dheun e të parëve dhe kontrasti tejet i fortë që krijohet nga realiteti ia thyen këtë iluzion dhe bën që tek ai të ringjallet me të njëjtin pasion gjakimi i një peshkaqeni të financave. I frymëzuar prej piramidave financiare që gëlojnë në vend atij i lind ideja – nga leximi krejt rastësisht i romanit të një shkrimtari rus, Gogolit, “Shpirtra të vdekur” – të krijojë një piramidë të vetën, një piramidë shpirtrash, e cila, tek e fundit, rezulton të jetë një skemë mjaft e leverdishme edhe nga ana financiare. Por gjithçka i shkërmoqet ndër duar e merr fund në çastin kur piramidat financiare shqiptare falimentojnë dhe vakumi i krijuar prej tyre i lë vendin kaosit e katrahurës. A është ky fundi i Mark Marës dhe i ëndrrës së tij apo fillimi i diçkaje të paparashikuar? Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukoëski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj. Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës.

Ndërkohë, vepra tjetër pretendente për çmim, që mori 2 nga 5 votat e jurisë në raundin e fundit, autobiografia e Vera Bekteshit “Një rrugë e gjatë pa krye” u vlerësua për narracionin përmes së cilës ndërton e përjetëson kujtesën për rrëfimin dhe refleksionin e jetës së vet si një dëshmi autentike e kujtesës njerëzore; për energjinë jetësore të kaluar nga një kohë në tjetrën me dinjitet dhe klas.

 

Juria flet për prurjet e letërsisë shqipe 2018; në katër vjet 140 dorëshkrime në roman 

Kim Mehmeti: Ishim pesë lexues të ndryshëm, s’është i lehtë çmimi Kadare

Nuk kisha dilema kur pranova të jem në jurinë e çmimit Kadare, mes pesë vetëve të barabartë të pjesës tjetër të jurisë duke ditur se janë njerëz që lexojnë dhe kompetentë në lexime. Madje nuk kisha dilema edhe në lidhje me këtë që kur pranon të bëhesh anëtar jurie, duhet ta dish se vetëm njëri duhet të pajtohet me ty se, gjithë të tjerët do të të thonë se nuk di të lexosh. Mirëpo ka vetëm një mënyrë se si mundet njeriu të jetë në paqe me vetveten dhe jo me gjithë ata, të cilët me të drejtë pretendojnë dhe, gjithë ata që me të drejtë kanë menduar se e meritojnë këtë çmim. Ne, si juri padyshim kishim parasysh në vlerësimin tonë standardet letrare. Dua ta personalizoj pak së pari, në këtë konkurrim kishte dhjetë vepra të cilat i kisha nënshkruar si redaktor dhe ajo është prurje e mrekullueshme; e dyta ky çmim ka vetëm një problem që çmimdhënësi dhe emri i çmimit janë aq të mëdhenj saqë ti gjithmonë kujdesesh nga çmimi Kadare. Çmimi nuk e ka emrin Kim Mehmeti që ta kesh lehtësinë e dhënies, por duhet të kesh kujdes, që çmimi të etablohet, të jetë tregues të vlerave të mirëfillta sepse nuk bëhet çmimi përnjëherë i tillë.

Në fillim çmimi mbështetet mbi çmimdhënësin, dhe emrin e çmimdhënësit, dhe emrit që e mbart. Mirëpo pas asaj duhet që edhe njerëzit që e marrin të kontribuojnë diçka në të. Shkurt e shqip, u ndjeva mirë këto ditë me jurinë, madje erdha i parapërgatitur se do të ketë më shumë debat, mirëpo ne u morëm vesh shumë shpejt se si dhe kur, pavarësisht se këtu normalisht ekzistoi një debat, sepse ishim pesë lexues të ndryshëm. Çmimet më së lehti jepen aty ku mund të jepen çmime aq sa anëtarë ka, sepse aty plotëson dhe dëshirën si lexues. Këtu kam parë një simbolikë: privatistët këtu bëjnë atë që nuk arrijnë ta bëjnë institucionet shqiptare, nëse nuk e bën mëmëdheu ynë si mund të bashkohet shqiptaria. Simbolikisht Kimi edhe mund të mos ishte adekuat mes kësaj pesëshe të jurisë. Mirëpo ky çmim e mban edhe këtë simbolikë, është çmim mbarëshqiptar, ndaj dhe më keni thirrur mua si shqiptar nga Maqedonia. Në këtë kontekst jam ndjerë mirë, sikur vetëm kjo të jetë arsyeja që më keni thirrur nga Maqedonia, le të mos di të lexoj do mjaftonte. Unë jam nga pak nacional romantik. Ndihem mirë për çmimmarrësin, edhe për të gjithë të tjerët që morën pjesë në konkurrim, i çmoj dhe i vlerësoj për letërsinë e tyre. 

Genciana Abazi Egro: Letërsi cilësore nga gjithë trevat shqiptare, shkruhet shqip

Me çmimin Kadare kemi të bëjmë me një çmim të institucionalizuar, dhe mbyllëm edicionin e katërt të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Instituti Pashko.

Përvoja në juri ishte një përvojë e këndshme, qoftë nga debatet dhe diskutimet që kemi bërë mes kolegëve për të përzgjedhur një vepër më të mirën, ndër ato vepra që kishin ardhur për konkurrim. Por këtu do ndalem në atë çfarë ishte kjo përvojë gjatë leximit të veprave në dorëshkrim. E para që më ka bërë përshtypje është se në trojet shqiptare, pasi në konkurrim ishin nga të gjitha trevat: Maqedonia, Kosova nga e gjithë Shqipëria, kam vënë re se shkruhet shumë shqip. Kjo ka qenë ndër faktet që më ka impresionuar shumë. Kemi patur autor nga Gjirokastra, Kuçova që u ngjit deri në pesëshe, kemi patur një autor nga Shëngjini i cili ka tre vjet që hyn në këtë garë…Dua të them se shkruhet shumë shqip dhe uroj që çmimi Kadare të nxisë edhe leximin shqip. Kjo do të thotë se këto vepra që shkruhen të kenë edhe një lexueshmëri e duhur. Me këtë ne stimulojmë shkrimin shqip, dhe njëkohësisht të stimulojmë të lexuarin e këtyre veprave. Nga autorët që janë paraqitur për konkurrim ka pasur vepra nga të gjitha zhanret e prozës. Shumë interesante nga veprat që kemi pasur në konkurrim të nxjerrësh prirjen e zhvillimit të letërsisë shqipe në ditët e sotme. Kemi patur një grup shkrimtares femra, të cilat përvijojnë një lloj prirjeje brenda letrave shqipe, si Rudina Çupi, Flogerta Krypa apo Ada Çapin… etj., të cilat shfaqin një prirje të caktuar që realitetin e përjetojnë, e hedhin në letër përmes përjetimeve të brendshme. Si ky grupim kemi shumë raste të tjera si letërsi realiste, klasike etj. Kjo do të thotë se ky konkurrim shërbeu njëkohësisht për të kuptuar edhe trendet se ku po ecën letërsia shqipe sot.

Ledia Dushi: Letërsia shqipe në të gjitha zhanret, ka sprova moderniste

Përvoja në juri duket sikur nxjerr edhe dimensionet tjera që ne nuk i njohim për njëri-tjetrin, është një riprezantim me secilin. Lajmi i mirë është se, ajo çfarë kam kuptuar, dhe është viti i dytë që jam në jurinë e çmimit Kadare, letërsia shqipe shkruhet në të gjitha zhanret edhe në sprova moderniste. Letërsia femërore vlen të përmendet pasi kishte një përfaqësim vërtet dinjitoz. Disa emra edhe premtojnë, dhe absolutisht që mund ta përsosin shkrimin në prozë. Ajo që shpresoj për vitet e ardhshme që përfundimisht çmimi Kadare të jetë një institucion vlerësues i pakontestueshëm.

Agim Baçi: Çmimi Kadare, etalon debati për letërsinë bashkëkohore

Pas katër vitesh, vlen të theksoj është se konkursi për çmimin Kadare tashmë është një institucion i rëndësishëm për të parë etalonin e debatit që po bëhet në letërsinë shqipe. Emrat që vijnë, llojet e stileve janë një shkollë shumë e mirë dhe, fatmirësisht nuk mbeten vetëm te gara por vazhdojnë debatin duke qenë një ndihmë shumë e mirë për autorët të cilët konkurrojnë. Unë shpresoj që ky çmim do të jetë një traditë shumë e mirë, sepse po kthehet në qendrën e një debati mbi vlerat e letërsisë shqipe.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gromësima e fundit e Levathianit

Nga Balil Gjini Nëse do ta besonim me të vërtetë se shteti...
Read More