Betim Muço: Rrëfim nga procesi i fundit i shkrimtarit

Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim romanin “Yjet janë fare pranë” me autor Betim Muço, krijimi artistik i fundit i tij. Romanin e prezanton bashkëshortja e autorit, Marta Muço, duke rrëfyer se si kaloi këtë proces të fundit shkrimtari, që për fat të keq autori nuk arriti të vinte pikën e fundit me dorën e tij

Nga Marta Muço

Libri që po merrni në duar u shkrua në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe deri në 14 Janar 2015. Betim Muço kishte kohë që përtypte lëndën e parë të narracionit në mendjen e tij. Ishte një përsiatje e gjatë që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së tij dhe rrënjët në Përmetin e largët, ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej.

Unë pata fatin të vështroja nga afër procesin e vështirë dhe sublim të krijimit të këtij libri që për fat të keq autori nuk arriti të vinte pikën e fundit me dorën e tij. Megjithatë romani “Yjet janë fare pranë” mund të quhet i mbaruar jo vetëm për faktin se vetëm pak faqe të fundit mungojnë, por sepse tashmë nga lënda e paraqitur në 11 kapitujt dhe letrat shoqëruese drejtuar Hamletit del qartë fundi i menduar nga autori si dhe mesazhet që ai përcjell.

Ajo çka e bën këtë libër veçanërisht të dashur për mua është fakti se Betimi punoi në të deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri vetëm pak orë përpara se të ndahej nga jeta, dhe unë kam gjithnjë përshtypjen se aty midis rreshtave është fryma e tij e fundit, mendimi i  tij i fundit. Ai e punoi romanin në një pjesë të mirë të tij në Sarandë, ku ai qëndroi i ngujuar për dy muaj në apartamentin  tonë veror të vogël buzëdetit, në një mjedis që gjithmonë i kishte ngjallur atij frymëzim dhe dëshirë për jetën, frymëzim dhe këmbëngulje për të punuar.

Një nga gjetjet më të goditura të romanit për mua mbetet përcjellja e jetëve paralele të njerëzve në situata të ngjashme tranzicioni dhe transformimesh të thella. Pavarësisht ku ndodhet njeriu dhe roli që gjeografia ka në të, rrethanat jetësore e bëjnë njohjen, vuajtjen, dashurinë dhe dështimin universal pa kufij vendesh e popujsh. Koncepti pannjerëzor i ndryshimeve në karakterin e njerëzve në funksion të ngjarjeve të mëdha të kohërave të ndryshme ku ata jetojnë, sikurse ishte zëvendësimi i një sistemi ekonomik e shoqëror të dështuar me një sistem të ndryshëm që sillte shpresë dhe entuziazëm, por që shoqërohej pashmangmërisht nga zhgënjime dhe transformime në natyrën njerëzore, është thelbi i romanit.

Pavarësisht kushteve ekonomike dhe shoqërore që qëndrojnë në formimin e tyre jetësor, Dritani një profesionist i shkëlqyer që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria dhe konkurron suksesshëm në një vend të madh e të zhvilluar, Juri një shkencëtar i talentuar që vjen nga një vend i madh, por që kalon pjesën kryesore të jetës së tij në përvojat e ashpra të ndryshimeve dhe transformim të sistemeve, paraqiten në roman si qenie të afërta njerëzore që  vuajnë, kuptohen dhe zhgënjehen në mënyra të ndryshme por që kanë një ndikim të krahasueshëm në karakterin dhe jetën e tyre të përditshme. Jetët paralele të tyre, një familje që reflekton tranzicionin në Shqipëri me një familje që vuan rrethana të vështira prej të njëjtit ndryshim socio-ekonomik në Rusi, plotësojnë atë brumë jetësor që e bëjnë epokën e përshkruar në roman universale dhe të aplikuar pavarësisht kufijve gjeografikë të ngjarjeve.

Dhe sigurisht njerëzit vijnë në këtë ngjarje nga rrethana të caktuara. Brumi  njerëzor i formimit të shkencëtarit shqiptar është i pasur me doke e zakone karakteristike që vijnë nga e kaluara e largët e jugut të Shqipërisë dhe që e bëjnë personazhin kryesor kompleks dhe interesant. Ai është produkt  i një historie  që vjen pjesërisht nga zonat rurale, në të kundërt të personazhit tjetër i cili vjen nga një familje urbane në Rusi. Dhe përsëri jetët e tyre paralele dhe psikika e transformimeve janë kaq të ngjashme.

Një element i dashur i autorit i përdorur gjerësisht në roman është astrofizika. Ky element e bën librin qiellor dhe e vendos atë në një tjetër plan. Diskutimet e tij mbi yjet dhe paralelizmat që krijohen nga përshkrimet e punës  së njërit nga personazhet në observatorin e kërkimeve të astrofizikës janë një nga elementet e veçanta të romanit. Njohuritë e thella të Betimit në këtë fushë i dhanë atij një platformë unikale diskutimi të vetë jetës njerëzore duke kombinuar elementët yllorë, natyrën me të papriturat e zbulimeve të saj me natyrën njerëzore, përpëlitjet, pasiguritë dhe njëkohësisht dashurinë, si ndjenja më e fortë e sublime e njeriut.

Një nga preferencat e mia në gjetjet letrare e autorit është bashkëbisedimi i njërit nga heronjtë me Hamletin. Ky element letrar e përshkon gjithë romanin në formën e letrave që ai zgjedh ti shkruajë Hamletit, heroit të përjetshëm tragjik shekspirian që simbolizon ndershmërinë, dashurinë, besnikërinë dhe integritetin e njeriut në një kontekst të vështirë e të trishtuar psikologjik. Nga pikëpamja letrare bashkëbisedimi i përsëritur i autorit me lexuesin nëpërmjet letrave është një element i përdorur me sukses nga autori edhe më parë në formën e këngëve midis kapitujve në romanin e tij “Gjurma e vetëtimës “ kushtuar vrasjes tragjike të Isa Boletinit. Mbase këto letra te “Yjet janë fare pranë” janë nga përsiatjet më filozofike të Betimit në roman. Nga ana tjetër ato përshkruajnë edhe njëherë me realizëm të thellë tragjeditë dhe dashurinë njerëzore pavarësisht kohës dhe vendit. Për një koincidencë të dhimbshme rrethanat e hapjes së romanit janë shumë të prekshme për mua. Njeriu që shpëtoi doktori nga vdekja po luftonte pikërisht me diagnozën e vdekjes së Betimit. Monologu i tij për jetën, sa delikate është ajo dhe sa pak e vlerësojmë kur e kemi, tingëllon e shkruar sa për veten e tij dhe për ditët e fundit të Betimit aq edhe për të gjithë njerëzit. Me të vetmin ndryshim që heroi i tij e shpëtoi pacientin, por Betim Muço nuk e pati atë fat. Dhe mua më duket vazhdimisht sikur mi thotë ato fjalë në vesh: jeta është delikate, mos e keqpërdor atë! Ngushëllimi ynë i vetëm, imi dhe i fëmijëve të mi, është ky libër i mrekullueshëm që ai na la para se të ndahej nga ne, që me gjithë kompleksitetin dhe trishtimin që e përshkon është një këngë e bukur për dashurinë njerëzore. Kjo na bëri ne të vendosim ta ndajmë atë me të gjithë ju.

Postmortem

Më 15 janar 2015, në Maryland të SHBA u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare poeti, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Betim Muço. Familja tha se ai vdiq papritur, në mëngjesin e 15 janarit. Profesor Betim Muço njihet si autor i shumë librave me poezi dhe prozë, ndonëse me profesion ishte sizmiolog. Pas zhvendosjes në SHBA në vitin 2001, ai i shumëfishoi forcat në fushën letrare. Librat e tij njihen për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, për stilin elegant dhe fjalën e qëlluar. Familja tha se ai ishte duke përfunduar një roman të ri. Poezia e Betim Muços është përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërkohë që ai vetë ishte një shqipërues i talentuar. Profesor Muço ishte i pari që solli në shqip tregimet e nobelistes Alice Munro, para se ajo të nderohej me çmimin e madh. Shquhen gjithashtu shqipërimet prej tij të James Joyce-it dhe Vladimir Nabokov-it. Ai ka qenë fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në Shqipëri. Betim Muço ishte edhe një shkencëtar i njohur. Nga viti 1993 deri në 1997 ka qenë drejtor i Institutit të Sizmiologjisë në Tiranë. Edhe pas ardhjes në SHBA, Profesor Muço vazhdimisht merrte pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kontribuonte për shkencën në forma të tjera.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria “Rama 2”, ministrat interpelancë me qytetarët

Qeveria, grupi parlamentar dhe PS do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi për...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.