Biblioteka e albanologut/ Shqipja dhe amaneti i tretur i Norbert Jokl, ç’deklaroi Çabej

 

Për herë të pare, pas 100 vitesh, botohet një nga veprat më të rëndësishme lënë në dorëshkrim i albanologut Norbert Jokl, Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, përkthyer nga origjinali gjermanisht nga Eqrem Çabej; janë trashëgimtarët, botimet “Çabej” që nxjerrin nga sirtarët dhe hapin një histori ende të pambyllur qoftë me veprën në dorëshkrim, por edhe amanetin e Jolklit; Agron Alibali ka zbuluar dje raportin prej 30 faqe të autoriteteve austriake për kthimin në “atdhe” të bibliotekës së albanologut.

Ka kaluar një shekull nga shkrimi dhe, gjysmë shekulli nga përkthimi, por vepra më e rëndësishme lënë në dorëshkrim e albanologut Norbert Jokl, “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, përkthyer nga origjinali gjermanisht nga Eqrem Çabej, e sheh dritën e botimit vetëm tani. Në 140 vjetorin e lindjes së Norbert Joklit, botimet “Çabej” nxorrën veprën e parë monografike të këtij autori, në përkthimin e ish nxënësit të tij Çabej, si një homazh për të dy albanologët më të shquar të shekullit XX. Jokli është konsideruar nga studiuesit si një nga etërit themelues të albanologjisë krahas Hahnit, Meyerit, Pedersenit, doktoruar për jursiprudencë në vitin 1901, kur orientoi vëmendjen për nga studimet gjuhësore indoevropiane, fillimisht në romanistikë e sllavistikë. Në këtë kohë e tërheq gjuha shqipe; një gjuhë e rrallë dhe pak e njohur nga studiuesit, duke e mësuar autodidakt. Ishte 30 vjeç kur nisi studimin e shqipes, në kursin e zhvilluar në Universitetin e Vjenës nga Gjergj Pekmezi. Kishte një pamje të gjerë hyrja në studimet e shqipes duke iu kushtuar studimit të thelluar të saj në: etimologji e histori fjalësh, fonetikë e morfologji historike, në prejardhjen e shqipes e të shqiptarëve, marrëdhënien e shqipes me gjuhët fqinje, të lashta e të reja, si dhe në etnolinguistikë të shqipes.

Nëse vepra “Kërkime gjuhësore kulturohistorike nga fusha e shqipes” (1923) u quajt kryevepra e Joklit, ajo që i dha cilësimin linguist qysh në vitin 1913 ishte studimi monogafik: Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, vlerësuar vepër madhore mbetur në dorëshkrim, ende sot quhet e humbur. Dorëshkrimet, arkivi e biblioteka e tij u konsfiskuan nga Gestapoja pas arrestimit e deportimit të tij, në mars 1942, dhe gjenden sot në Austri.

Ishte ky që mori në dorë fatin e “dorëshkrimit” duke u sjellë për herë të parë në shqip, përkthyer nga gjermanishtja.

“Kjo vepër është një kontribut i rëndësishëm në studimet etimologjike të gjuhës shqipe prandaj i takonte të ishte në duart e gjuhëtarëve shqiptarë edhe në versionin shqip. Këtë detyrë e mori përsipër Eqrem Çabej, që në vitet e para të punës së tij në Institutin e Shkencave, edhe si nderim kundrejt mësuesit e mikut të tij”, thotë Anila Omari që është kujdesur për këtë botim.

Bëhet e ditur se përkthimi i veprës së Joklit nga Çabej gjendet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe letërsisë. “Gjuha e përkthimit të Çabejt është e saktë, besnike e tekstit origjinal gjermanisht dhe njëkohësisht e kuptueshme dhe e rrjedhshme në shqip. Asnjë nuancë kuptimore nuk mbetet jashtë vëmendjes së përkthimit, edhe pse e dhënë sipas strukturës së shqipes së viteve ’50-të.”, vëren Omari. Në përkthim janë përfshirë korrigjimet dhe shtesat që ka sjellë Jokli në fund të veprës. “Siç ndodh rëndom, autori deri në çastin e fundit të shtypshkrimit sjell ndryshime në veprën e tij, dhe madje kjo punë vijon shpesh herë dhe mbas botimit të veprës. Kjo ka ndodhur edhe me tekstin e Joklit, siç duket nga shënimet e bëra me dorë nga autori anash faqeve të kopjes së tij personale, e cila është riprodhuar në botimin e Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës në vitin 2014”, thotë filologia.

Ajo tregon se puna në përgatitjen e këtij botimit të përkthyer të Çabejt u krye në fillim mbi bazën e një kopjeje të dytë të daktilografuar dhe të pakorrigjuar nga autori i përkthimit. “Kur materiali ishte bërë gati për shtyp, një e dhënë e Arkivit të IGJL na vuri në dijeni për ekzistencën e dorëshkrimit të Çabejt si përkthim i veprës së Joklit dhe mbas një kërkimi në Arkiv u gjet dhe dorëshkrimi original i përkthimit . Ballafaqimi me origjinalin zgjidhi edhe disa probleme të drejtshkrimit të autorit dhe konfirmoi disa zgjidhje të hamendësuara prej nesh”, thotë filologia Omari.

Jokli ka qenë mik e koleg me shumë intelektualë shqiptarë të gjysmës së parë të shek XX si Konica, Noli, Fishta, Poradeci, Asdreni, Xhuvani etj si dhe me studentin e tij Eqrem Çabej.

Ky i fundit, përkthyesi i veprës, në gazetën Mësuesi, të vitit 1972 me titullin “Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Norbert Joklit”, ndër të tjera shkruan: “Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën e Miklosich-Gustav Meyer-Perdersen-Jokl, një radhë dijetarësh të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtëri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi dhe në metodë, dhe zgjeroi e thelloi qenësisht (esencialisht) njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me tiullin e së parës vepër më të madhe albanistike Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes, me të cilën u habitua më 1911 në universitetin e Vjenës: Etimologjia dhe morfologjia janë qenësisht përpjekjet e gjurmimeve të tij në fushë të leksikut të shqipes. Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës të formimit dhe të historisë së saj…”.

Rëndësi në këtë vepër i kushtoi edhe kulturës materiale: “fjalët dhe sendet”, ku krahas fjalës kihen parasysh edhe sendet përkatëse, që Jokli e huazoi si metodë në fushë të shqipes. Kryevepra e shkruar prej tij më 1923 ndoqi këtë parim, e mban titullin “Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e gjuhës shqipe”, duke kaluar caqet e linguistikës, duke hyrë në etnografinë shqiptare, material që Jokli e ka nxjerrë sidomos nga veprat e Nopçës, por siç na vë në dijeni Çabej shumë herë ishin nxjerrë nga biseda private me këtë njohës të disiplinës shkencore.

Përsa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Meyerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe, thotë Çabej, vendin e një gjuhe satem (indoevropiane lindore) me karakter verior. Jokli, në anën tjetër, vazhdon Çabej, është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe, si për shembëlll edhe në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Veriut, në Kanun të Lekë Dukagjinit, si dhe në fushë të toponimisë. “Në çështjen e lidhjes t’afrisë me gjuhët indoeuropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar edhe thelluar rrugën që pat rrahur G. Meyeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore, ngulen në brigjet e Mesdheut”.

Vepra gjuhësore e Norbert Joklit, ka konfirmuar më parë Çabej, me gjithë zhdukjen tragjike të tij, mbeti e pambaruar, paraqet diçka tërësore në vetvete: tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij.

Interesat shkencore të Joklit ndërkaq nuk u drejtuan vetëm nga historia e lashtë e gjuhës shqipe. Ai i kushtoi vëmendje edhe zhvillimit të mëpastajmë të saj, si gjuhë e shkrimit dhe e literaturës. Jokli ka gjurmuar rrethanat historike në të cilat u hartua vepra e Buzukut, e para vepër e letërsisë shqipe, dhe elementët e alfabetit që u përdor nga autori i saj. Më 1925 studioi veprën e Naim Frashërit nga ana e pasurimit të gjuhës letrare, dhe krijimit të fjalëve në sferën e mendimit e të kulturës.

Pas 70 vjetësh, pa “atdhe” amaneti i Nobert Jokl

Një skedë që mban datën 5 nëntor 1943, e përgatitur nga CIA për albanologun Norbert Jokli jep të dhëna për jetën e tij deri sa u pushua nga puna, prej nazistëve në mars të vitit 1943. Por në ironi, siç kuptohet, amerikanët nuk mund ta dinin që Jokli kishte ndërruar ndërkaq jetë dhe ishte masakruar, vrarë prej nazistëve në maj të vitit 1942.

Me këtë skedë studiuesi Agron Alibali ka paraqitur dje në takimin për promovimin e veprës së Joklit, një histori ende të pambyllur, që lidhet drejtpërdrejt me trashëgiminë që la albanologu dhe amanetin e tij për ta vendosur në shtetin shqiptar. Ajo që është quajtur “flutura shqiptare”, Johanna Gerechter Neumann me një nismë private e të pavarur, ka bërë betejën më këmbëngulëse që trashëgimia bibliotekare e albanologjike e prof. Norbert Joklit të vijë në Shqipëri. “Johanna Gerechter kishte lindur në Hamburg në vitin 1930. Në vitin 1939 familja e saj u strehua në Shqipëri, ku edhe i shpëtoi zezonës naziste të Holokaustit. Më vonë ajo jetoi në Amerikë, ku mori përsipër si mision të jetës t’i thoshte botës mbarë për aktin fisnik dhe vetmohues të shqiptarëve ndaj hebrenjve. Shpesh bisedonim edhe për fatin e zi të Joklit, që nuk kishte mundur të shpëtonte dot…”, tha Alibali.

Trazimet në jetën e prof. Jokl kishin nisur me “bashkimin” e Austrisë me Gjermaninë, kur Jokli ishte pushuar nga puna e tij si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës dhe prof. i Gjuhësisë atje.

Menjëherë filloi edhe beteja e miqve shqiptarë, në Europë e Amerikë për shpëtimin e tij. Në krye të përpjekjeve u vunë Faik Konica dhe Fan Noli. Synimi fillestar ishte dhënia e shtetësisë shqiptare për Joklin, në pritje të nguljes së tij në Shqipëri.

Vetë Mbreti Zog, sipas informacionit të sjellë nga Alibali, e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Ndërsa sipas prof. Mahir Domit, shteti shqiptar me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

“Mirëpo pushtimi fashist i Shqipërisë ndryshoi rrjedhën normale të jetës dhe të historisë. Prandaj, Jokli mendoi seriozisht për të emigruar në Amerikë dhe për të vijuar punën atje. Dhe aty atij iu gjendën sërish Fan Noli dhe Faik Konica, edhe pse ky i fundit tashmë kishte mbetur pa punë. Noli madje përfshiu në përpjekjet për shpëtimin e Joklit edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe institucione të ndryshme, që ndihmonin studiues hebrenj të rrezikuar nga përndjekjet naziste. Ndërkaq, autoritetet kolaboracioniste në Tiranë, të cilat e njihnin mirë dhe e respektonin së tepërmi personalitetin dhe punën e Joklit, i nisën atij ftesën e njohur të marsit 1941, ku i ofronin punësim si kryebibliotekar i Shqipërisë dhe i bënin thirrje të nisej pa humbur kohë”.

Arrestimi më 4 mars 1942 ishte fillesa e mbarimit të Norbert Joklit. Data e 11 majit 1942 jepet zyrtarisht si dita e eliminimit të tij fizik në kampin nazist të shfarosjes në Maly Trostinec në Bjellorusi.

Siç na dëshmon prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën dhe dorëshkrimet e tij të çmuara. Në vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit.

Edhe pse deri tani janë pothuaj tre nisma private për kthimin e trashëgimisë së Joklit në Shqipëri, Alibali thotë se ka ardhur koha të merren hapa me konkretë, institucionalë.

“Kam dëgjuar që Jokli i ka lënë me testament bibliotekën e tij shtetit shqiptar” do t’i shkruante Fan S. Nolit, Hito Sadiku më 1946. Vullnetin e Joklit, madje, e pat përjellë në letër edhe prof. Eqrem Çabej, nxënësi dhe miku i ngushtë i tij. Përmes një “deklarate” amanet, 61 vjet më parë, prof. Çabej na përçon si më poshtë:

“..Carlo Tagliavini, Profesor i Gjuhësisë në Universitet të Padovës në Itali, më tha mua të nënshkruarit në vetën e atij viti [1942, shënim imi, A.A.], në Romë, se Prof. Jokli, disa muaj paa se të zhdukej, i kishte thënë atij në Vjenë, që gjithë pasurinë e tij, e pasurinë shkencore (me dorëshkrime, bibliotekë, etj.), me akt zyrtar ia kishte falur popullit shqiptar (gjermanisht dem albanischen Volk). Unë di se në bibliotekën e tij ai ka pasur dhe një dorëshkrim të daktilografuar të Baron Nopcas përmbi Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndër dorëshkrimet e Prof. Joklit ka qenë dhe forma e parë e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.

Duke u kthyer unë në verën e 1944 në atdhe, në Vjenë u takova me Kolë Rrogën. Ky më kumtoi se biblioteka e Prof. Joklit bashkë me dorëshkrimet etj aso kohe gjindej në një dhomë të mbyllur në Bibliotekën Nacionale të Vjenës.

Tiranë, 20 mars 1957 Dr. Eqrem Çabej.”

“Prof. Eqrem Çabej ndërroi jetë në vitin 1980. Bashkë me veprën e tij madhore, Çabej i la brezit tonë edhe amanetin e amanetit. Letra jonë, e nënshkruar nga Znj. Neumann dhe dy të tjerë, mban datën 7 mars 2017. Shtatë javë më pas, me 26 prill 2017, Johanna Neumann do të ndërronte edhe ajo jetë. Kthimi i trashëgimisë së Joklit në Shqipëri do të ishte misioni i fundit i saj në këtë botë. Me ikjen e Johannës, barrën e nënës e mori përsipër i biri, Benjamin. Tashmë amanetit të Joklit, dhe deklaratës së Çabejt, i është bashkuar edhe misioni i fundit i Johanës. Ose tre amanete të bashkuara në një”,- thotë Alibali. Ndërsa trashëgimtarja e gjuhëtarit, Brikena Çabej tha se: “Ky nderim është i vonuar. Për këtë vepër të qënësishme ndjej lehtësim, sepse vjen pas një shekulli pasu u botua, dhe gjysmë shekulli në shqip. Kjo tregon gjendjen e trishtuar që për themelet e kulturës sonë nuk përpiqemi t’i nxjerrim në dritë, ose përpiqemi shumë pak. Ne duhet t’i mëshojmë fort kulturës kombëtare dhe themelit të saj, gjuhës shqipe”.

Përgatiti: V.Murati

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gisele Bündchen dhe Tom Brady kanë publikuar foto nga dasma e tyre që nuk ishin parë më parë

  Gisele Bündchen dhe Tom Brady po lajmërojnë përvjetorin e nëntë të...
Read More