Bilanci i qeverisë: Rama përballë analistëve

52-rama-reformator-para-gazetareveKryeministri është “i pakënaqur” por krenar me atë që ka bërë qeveria e tij, ndërsa prof. Adrian Civici, Mustafa Nano e Zef Preçi gjejnë vetëm arritje modeste, ndërsa Artan Hoxha sheh përkeqësim të qeverisjes. Për analistët të ndarë në qëndrime përmirësimet modeste në ekonomi dhe Reforma në Drejtësi i japin notë kaluese qeverisë, korrupsioni dhe lidhjet me krimin atë mbetëse

Nga Vladimir Karaj

Edi Rama përdori diçka mes krenarisë dhe modestisë në atë që e quajti bilanc të qeverisjes, në Asamblenë Socialiste të fundit për këtë vit. Duke përdorur shpesh “kemi shumë për të bërë” apo  “jam i pakënaqur”  e të ngjashme, Rama u përpoq të krijonte idenë e një bilanci të besueshëm qeverisës duke përmendur arritjet sipas tij, por edhe futur ndër to fjali “qortuese” edhe pse fajet në më të shumtën e fjalës iu vunë opozitës për të shkuarën dhe për “baltën”.

“Po, jam shumë i pakënaqur. Jam çdo ditë e më i pakënaqur, sepse shoh çdo ditë sesa shumë ende mund të bëjmë, jo sepse nuk jam krenar për ato që kemi bërë, por kuptoj se çfarë potenciali i madh i është ndrydhur këtij vendi në këto 20 e kusur vite”, tha Rama në një pjesë të fjalimit të tij.

Të pyetur nga MAPO ekspertë dhe analistë i japin një notë kaluese qeverisë në disa pika, ndërsa të tjerë madje besojnë se vendi ka bërë hapa pas.

Profesori Adrian Civici thotë se në terma ekonomikë arritjet e qeverisë janë të varura nga investimet e huaja të mëdha si TAP apo hidrocentralet të mëdha, kjo i bën ato jo aq të lidhura me qeverinë.

Nga ana e tij Mustafa Nano i jep një pesë kaluese qeverisë Rama vetëm për Reformën në Drejtësi, më shumë siç shpjegon ai sepse mbajti që në fillim qëndrimin pro saj, sepse reforma siç shpjegon ai nuk është produkt i kësaj qeverie.

Analisti Zef Preçi nga ana e tij është i dyzuar dhe madje nuk sheh mundësi për ta vlerësuar qeverinë për shkak se siç thotë “objektivat janë të pamatshëm”, por vëren te ajo të njëjtat probleme si në qeverisjen e kaluar sidomos sa i përket koncesioneve.

Analisti Artan Hoxha ndërkohë e vlerëson negativisht qeverisjen. Ai thotë se ajo ka humbur edhe betejën me të shkuarën.

Kryeministri sidoqoftë ishte i bindur që vendi nën drejtimin e socialistëve dhe LSI, me të cilën ai shpalli se donte të vijonte bashkëpunimin madje edhe përkundër zërave brenda të vetëve, kishte bërë përpara.

“Është hera e parë në historinë e këtyre 25 viteve që rriten rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin. Është hera e parë që u shtohet rroga prindërve pa u marrë borxh fëmijëve, që u shtohet pensioni gjyshërve pa u marrë borxh nipave dhe mbesave”, tha Rama, ndërsa theksoi se qeverisja e tij kishte shpëtuar vendin nga një kolaps në 2013 dhe se falë saj vendi sot ishte në një trend rritjeje.

“Por nuk mjafton dhe ne jemi të vetëdijshëm për të këtë. 3.5% nuk mjafton për të energjizuar ashtu siç duhet ekonominë familjare dhe sidomos ekonominë e shtresës së mesme dhe shtresës më të  varfër. Kemi nevojë të shkojmë përtej 5%, që kjo gjë të ndihet dhe ne do shkojmë përtej 5%, sepse kemi një plan për të shkuar jo përtej 5%, por për të shkuar në mbi 7% në tre vitet e ardhshme”, tha Rama duke përmendur investime në vlerë 1 miliard dollarë.

Trendin rritës të ekonomisë e konfirmon edhe profesori i ekonomisë Adrian Civici.

“Parashikimi për rritje ekonomike është optimizëm që vjen edhe për shkak të ciklit të ekonomisë që edhe sipas institucioneve ndërkombëtare si FMN e BB është në ngjitje, kjo sigurisht nëse nuk do ketë probleme politike apo gjeopolitike”, tha Civici për Mapo.

Por ndërsa shpjegon këtë drejtim të ekonomisë profesori thotë se kjo më shumë se sa për meritë të qeverisë është për shkak të investimeve të huaja strategjike, projekti TAP i veçuar këtu.

“Shifra pastaj do varet nga investimet e huaja të mëdha (TAP apo HEC-et), që kanë qenë edhe faktori kryesor i përmirësimit”, thotë profesor Civici.

Për Mustafa Nanon sidoqoftë ekonomia është pika më e dobët e qeverisë.

“Dështimi (i qeverisë) është ekonomia e dobët, dhe korrupsioni i madh. E përveçse që ka dështuar, të befason edhe me reagimin ndaj dështimeve. Ekonominë që e ka të rrëzuar për tokë kërkon ta kompensojë me biznesin e drogës që po mbjellin shqiptarët, duke u dhënë këtyre të fundit për aleat në këtë biznes “dobësinë e qeverisë” për ta ndalur këtë gjë”, i tha ai MAPO-s.

Edhe Artan Hoxha e sulmon në këtë pikë qeverinë duke e fajësuar Ramën edhe për kriminalizim.

“Qeverisje e lidhur me fort se kurrë me krimin, që ka përqendruar më shumë se kurrë pushtet ekonomik në një klan më të ngushtë se kurrë, e që po shpërdoron më shumë se kurrë paranë publike ndërsa ka rritur më shumë se kurrë barrën fiskale dhe pandjeshmërinë për nevojtarët. Ngado konstatohet një depresion shoqëror”, i tha Hoxha Mapos.

Diku më i ndërmjetëm ishte Zef Preçi. Sa i përket ekonomisë ai tha se diçka ishte bërë më mirë në raport me vitin e kaluar.

“Edhe pse 2016-ta mund të konsiderohet një vit krejt i ngjashëm me 2015-tën, ka njëlloj përmirësimi që duhet vlerësuar”, thotë ai ndërsa llogarit si përmirësimi, shtimin e numrit të të siguruarve, përmirësimin modest të  mbledhjes së tatimeve dhe të ngjashme. “…arritjet në ekonominë e vendit, sado modeste duhen vlerësuar”, thotë Preçi.

Profesor Civici vlerësoi edhe rritjen e pagave e pensioneve. “…edhe pse ndodhi vetëm në vitin e katërt të mandatit u bë i mundur nga suficiti primar i financave publike vitin e fundit, një nga kushtet e FMN-së. Është diçka shumë pozitive që duhet mirëpritur edhe pse gjatë tre viteve nuk pati as rritje pagash as indeksim në përputhje me inflacionin”, tha Civici.

Rama ndërkohë u fokusua gjatë fjalës së tij në disa fusha të ndryshme.

Duke përmendur arsimin, policinë, emergjencat dhe infrastrukturën, kryeministri vlerësoi veç e veç arritjet në këto fusha, ku sidoqoftë shtoi se ato nuk ishin të mjaftueshme.

Rama po ashtu i mëshoi fort dhimbjes së shkaktuar prej reformave.

“Ne nuk kërkojmë nga askush që të çohet dhe të brohorasë qeverinë. Ne nuk i themi askujt që sot, Shqipëria është një vend që po konkurron me fuqitë e mëdha ekonomike për shkak të sukseseve tona. Absolutisht jo! Por ne nuk mund të mos jemi krenarë për faktin se reformat tona, sado të vështira, sado të dhimbshme, sado me kosto, në fund të ditës kthehen në të ardhura që shkojnë tek njerëzit në nevojë”, tha kryeministri.

Mustafa Nano sidoqoftë nuk e shef këtu bilancin pozitiv të qeverisë, sipas tij nëse ka një të tillë ai është në politikën e jashtme.

“Diplomacia, politika e jashtme, ku qeveria, saktësisht kryeministri Rama, ka qenë aktiv, dhe eficient. Një nga pak meritat që i njoh kryeministrit është figura e mirë e tij jashtë Shqipërisë, dhe mbrojtja këmbëngulëse që i ka bërë ai interesit kombëtar”, tha Nano.

Ai sidoqoftë shtoi se edhe këtu kishte raste superxhiroje duke theksuar kryesisht fjalët e Ramës për Donald Trump.

Kryeministri në fjalën e tij nga ana tjetër u fokusua më shumë në arritjet e brendshme.

“Programi PISA i edicionit të fundit dha shenjën më kuptimplotë të rezultateve të para të reformës tonë në arsim”, tha Rama duke iu referuar rritjes me disa vende të Shqipërisë në këtë program, merita për të cilin sipas tij i takon edhe platformës “Mësues për Shqipërinë”.

Rama po ashtu vlerësoi Ministrinë e Brendshme dhe punën e bërë ndaj krimit. Ai përgënjeshtroi ashpër akuzat e opozitës ndaj qeverisjes së tij dhe madje edhe mediat i nxori në krahun tjetër.

“Teoria se shkatërruam Lazaratin dhe e përhapëm kanabisin në të gjithë Shqipërinë, – një maskaradë njerëzish të pafytyrë dhe të përzier të gjithë bashkë në një kazan të madh, politike dhe mediash”, tha kryeministri. Me të njëjtën gjuhë Rama mbrojti koncesionet në shëndetësi dhe reformën aty.

Por Zef Preçi nuk gjen arsye që qeveria mund të mburret me këto lëshime në ekonomi. Ai tha se konfirmimi i koncesioneve në dëm të interesave publikë të së shkuarës dhe vijimi në këtë rrugë rrezikon të ardhurat buxhetore të vendit.

“Në këtë kuptim, nëse qeveria aktuale mund të konsiderohet lehtësisht si “llogaritare e detyrimeve financiare të qeverisë paraardhëse”, qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 2017-tës mund të shihet paraprakisht si “llogaritare e interesave  të oligarkëve”, d.m.th. që do të mbledhë taksat e qytetarëve dhe do t’jua jua dorëzojë këtyre të fundit pa konkurrim dhe thjesht mbi bazën e një copë letre – kontratës koncesionare të qeverisë me klientët e saj”, tha Preçi, ndërsa duke renditur disa probleme ai tha se ishte pesimist për të ardhmen ekonomike të vendit.

Ndërsa kryeministri e sheh “Rilindjen Urbane” si një rigjallërim të qyteteve, për Artan Hoxhën, edhe pse kjo është e vetmja gjë pozitive që gjen, ajo është më shumë një “farë kultivimi shijesh, një sens estetik”.

Hoxha vlerëson edhe pse përgjysmë formalizimin e vendit dhe zbatimin më korrekt të disa rregullave. Ai megjithatë nuk e kalon qeverisjen e Ramës, përndryshe Mustafa Nano i jep asaj një notë pozitive.

“Meriton një notë kaluese veç për reformën në drejtësi. Kjo është një reformë që është hartuar e komanduar nga të tjerë, por votat e mazhorancës janë deklaruar qysh në krye të herës në favor të reformës, e kjo meritë u duhet njohur”, tha ai.

Rama ndërkohë thotë se është gati për një mandat të ri, bashkë me LSI, të cilën edhe e mbrojti në Asamblenë e PS-së.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Humbja e Lëvizjes ‘Pesë Yje’ në Itali, lajm i keq për populistët shqiptarë

Nga Ervis Iljazaj Humbja e thellë që pësoi Lëvizja Pesë Yje në...
Read More