Bilanci real i Procesit të Berlinit

Dy vite pas Procesit të Berlinit efektet ekonomike janë të pandjeshme dhe Shqipëria është ende në dhomën e pritjes së BE. A mjafton formula e Triestes për tregun rajonal ballkanik, pse shpiken kushtet e reja, çfarë qëndron pas hezitimit të Brukselit dhe fajësimi i elitave politike. Analiza me komentet e Presidentit të Institutit Europian Pashko, Selami Xhepa dhe drejtorit të Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi

Nga Luljeta Progni

Një zonë e tregtisë së lirë, pa barriera tarifore dhe jotarifore, ky është projeksioni i Bashkimit Europian për të ardhmen e afërt e vendeve të Ballkanit. Duket të jetë konkretizimi i vendimit tashmë të marrë nga liderët e BE-së, për të zgjatur edhe më shumë rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së. Procesi i Berlinit mbushi katër vite me përmbylljen e samitit të Triestes, i cili është finalizuar me një fond prej 1 miliard eurosh që do iu akordohet këtyre vendeve si një ndihmë për të rimëkëmbur ekonominë e dobët të tyre. Analistët gjermanë kanë komentuar gjerësisht samitin e Triestes, por edhe procesin e Berlinit në tërësi. Ata vërejnë se procesi i Berlinit nuk e zgjidh problematikën në Ballkan, pasi sipas tyre problematika nuk është vetëm çështje parash, por është çështje demokracie.

Adelheid Feilcke e DW, e vlerëson pozitiv rezultatin e samitit të Triestes vetëm për faktin se BE ofroi vërtet diçka më shumë në Ballkan dhe për pasojë do të ketë më shumë fonde madje edhe projekte konkrete në hapësirën infrastrukturore dhe transportit. Por vëren me pesimizëm se integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian e mbajnë peng problemet e brendshme të secilit prej këtyre vendeve dhe problemet midis tyre, të cilat ajo i cilëson shumë më të thella, dhe as që ka mundësi të zgjidhen me mjetet që u ofruan nga procesi i Berlinit.

Një qëndrim të përafërt kanë edhe profesor Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko si dhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi. Megjithëse e vlerësojnë si një proces mjaft pozitiv për Shqipërinë, ata flasin për barrierat që ka Shqipëria dhe vendet e Ballkanit në rrugën e tyre të integrimit. Sipas Preçit, integrimi europian nuk është çështje thjesht fondesh në dispozicion, por para se gjithash çështje e vizionit properëndimor të liderëve politikë, çështje e mirëqeverisjes në funksion të konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe ndërtimit të demokracive funksionale.

Për profesor Xhepën, samiti i Triestes ishte një rast për të rikonfirmuar sërish faktin se portat e Europës janë të hapura për vendet ballkanike, porse ato duhet të kryejnë reformat e duhura të ndërtimit të institucioneve të forta demokratike dhe të luftojnë korrupsionin.

Lodhja e Ramës nga BE”

Kryeministri Rama mendon se Shqipëria i ka kryer detyrat e saj dhe tashmë është radha e liderëve të BE-së të mbajnë fjalën. Ai doli dje para mediave për të dhënë lajmin e mirë për pesë projektet që Shqipëria përfitoi nga samiti i Triestes por edhe për të përsëritur kërcënimin e radhës nda liderëve të BE-së të cilët po e zvarrisin pa arsye procesin e që “fshihen pas gishtit kur gishti tregon hënën”. I bindur se qeveria e tij ka kryer detyrat e shtëpisë, kërkon me vendosmëri nga liderët e BE-së të mbajnë fjalën: “Ata na kërkuan që të bëjmë vettingun dhe ne e bëmë dhe ai ka nisur tashmë. Për sa na takon ne i kemi kryer që të gjitha detyrat që na janë vendosur. Ne kryem zgjedhje me standarde të cilat u quajtën histori suksesi. Bashkimi Europian duhet që të mbajë fjalën. BE kërkon të shikojë gishtin ndërkohë që gishti tregon hënën, shpik gjëra të reja. E ka bërë edhe herë të tjera dhe me vende të tjera. Ne jemi gati për hapjen e negociatave, pasi i kemi kryer ato sa na u kërkuan”, –tha Rama.

Pavarësisht se cila do të jetë politika që do të ndjekin krerët e Brukselit me Shqipërinë, Rama tha se do të vazhdojmë me këmbëngulje procesin, pasi “për ne procesi për të shkuar në Bruksel nuk është një udhëtim, por destinacion”.

Problemi i elitave

Nëse Rama duket i bindur se qeveria e tij dhe elita politike në Shqipëri kanë kryer detyrat e veta, për analisten gjermane të Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, qeverisja dhe elitat janë pikërisht problemi, të cilin nuk e zgjidh dot procesi i Berlinit. Ajo fajëson si liderët e Ballkanit por edhe ata të BE-së. “Vitet e fundit mes politikanëve të Ballkanit ka zënë më shumë vend një lloj neglizhence e rrezikshme, që lejohet nga partnerët e BE më shpesh se duhet e me një mirëkuptim më të madh se duhet për presionet e brendshme politike, por që kryesisht çon në ruajtjen e pushtetit të politikanëve qeverisës gjithnjë e më shumë autokratikë”.

Eksperti Zef Preçi analizon kështu pretendimet e Ramës për detyrat e kryera:

“Mendoj se është tejet e gabuar që liderët e vendeve të Ballkanit të përdorin këtë nismë thjesht për konsum të brendshëm politik, që të ushqejnë shpresat e gabuara se “ekziston dreka falas”, se anëtarësimi në BE është thjesht një procedurë administrative burokratike që merret në Bruksel, Berlin apo Paris, sepse ata “kanë përmbushur detyrat e shpisë”. Kjo nismë provon më së miri se tashme “topi” është në fushën e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar qeverisjen dhe për të qenë realistë në projektimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e vendeve të tyre, si rruga e vetme që dekurajon braktisjen e vendit dhe problemet e mëdha që shoqërojnë këtë fenomen”, -tha Preçi.

Myslimanët e Ballkanit, ende larg BE

Kur foli për perspektivën e zgjerimit, zv.presidenti i PE-së, McAllister tha se Mali i Zi dhe Serbia janë më përpara në procesin e integrimit, duke veçuar ose lënë jashtë vëmendjes edhe për ndoshta shumë kohë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën. Ndoshta është krejt rastësi që janë pikërisht ato vende ku ka prezencë të konsiderueshme të popullsisë myslimane. BE ka vendosur kritere të forta për secilin vend për t’u bërë pjesë e Unionit dhe këto kritere po duket se pikërisht këto vende me prezencë të popullsisë myslimane, po shfaqin më shumë vështirësi për t’i arritur. Dy ekspertët Xhepa e Preçi, mendojnë se nuk mund t’i kërkosh problemet te ky fakt se janë myslimane vendet që po duken kaq larg BE-së në raport me vendet e tjera, megjithatë kanë një shpjegim për këtë “rastësi”. “Personalisht nuk do të preferoja që këtë fakt t’ia atribuoj elementit të përkatësisë fetare – megjithëse në kontekstin e Turqisë kjo është evidente. Kushtet e BE-së për luftën ndaj korrupsionit, shtetit ligjor etj., janë një perpetum, nuk janë të kuantifikueshme dhe prandaj nuk mund të shërbejnë si indikatorë gjykimi. Do të ishte shumë më realiste që BE të zhvillonte një listë indikatorësh për vendet aspirante dhe gjykimi të mos ishte më subjektiv. Ndërsa elementet kulturore dhe fetare mendoj se janë më shumë se një “liability”, një aset për Europën e realiteteve të sotme”, thotë professor Selami Xhepa.

Eksperti Zef Preçi thotë edhe “Po” edhe “Jo”. Ja si e argumenton: Përgjigja pohuese ka të bëjë me faktin se trashëgimia e vendeve te dominuara nga popullsia e besimit mysliman gjatë pesë shekujve të perandorisë otomane dje, dhe mentaliteti i lidhur me të sot janë më prezente në këto vende. D.m.th. në këto vende duket se nevojitet një punë më e madhe për kultivimin e një raporti të ri midis qytetarit dhe shtetit, për ndërtimin e urave midis kontributeve në taksa dhe përfitimeve prej tyre, për zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare në qeverisje dhe injektimin e kulturës së llogaridhënies, për ndëshkimin e abuzimit me detyrat shtetërore të ofiqarëve të lartë dhe administratorëve publikë etj. Dhe kjo trashëgimi negative, që nuk është për fajin e qytetarëve të vendeve në fjalë, është diçka që mund të ndryshojë vetëm “së brendshmi”, që ndodh te gjithë shoqëria dhe jo vetëm në disa segmente të saj. Pra është një proces historik. Përgjigja mohuese lidhet me faktin se elitat politike drejtuese në vendet në fjalë, kanë qeverisur me dy standarde: përunjësi e pakuptimtë ndaj burokratëve të Brukselit dhe qëndrimi që herë-herë zëvendësojnë qeverisjen me sundimin ndaj qytetarëve të vendit të vet.

Zona e përbashkët ekonomike

Iniciativa e samitit të Triestes, i cili mbylli punimet dy ditë më parë, parashikon akordimin e një fondi prej 1 miliard eurosh deri në 2020-ën, i cili do të ndihmojë vendet e Ballkanit për rimëkëmbjen e tyre ekonomike. Qëllimi i kësaj iniciative është krijimi i tregut të përbashkët në funksion të zhvillimit ekonomik të rajonit por edhe si një mënyrë për të shuar barrierat historike që i mbajnë këto vende në marrëdhënie konflikti. Liderët e Brukselit sugjerojnë historinë e themelimit të BE-së si përvojë model për vendet e Ballkanit. Padyshim që kjo është rrugë e mirë por sa e mundur është që kjo të ndodhë në një rajon si ky i Ballkanit, ku secili shtet ka probleme serioze në organizimin e brendshëm dhe shumë më të mëdha në raportet mes tyre. Kjo panoramë plotësohet me një situatë ekonomike mjaft pesimiste pasi shifrat e varfërisë në shtetet e Ballkanit janë më alarmantet në Europë. E megjithatë liderët e BE-së janë optimistë se kjo është rruga e rajonit të Ballkanit për t’iu qasur BE-së, dhe një shteg i ri për t’u kaluar që e zgjat rrugën e tyre drejt integrimit europian.

Ka një histori të hershme të përpjekjeve të vendeve të Ballkanit për të realizuar këtë projekt që sugjerohet nga BE. E kthen në kujtesë, profesor Selami Xhepa, drejtues i Institutit Europian Pashko. Ai evidenton se nëse vendet e Ballkanit do të kishin dashur të krijonin një hapësirë për tregun e lirë, e kanë pasur këtë mundësi shumë kohë më parë, qysh në vitin 2001-2002. Profesor Xhepa e sheh këtë iniciativë si një përpjekje të liderëve të BE-së për të zgjatur rrugën e vendeve të rajonit drejt unionit dhe ky vendim tashmë i njohur i tyre, po kompensohet me një prezencë më aktive ekonomike të BE-së në Ballkan.

Profesor Xhepa tërheq vëmendjen kur thotë se ambicia e shpallur në Trieste për krijimin e një bashkimi ekonomik dhe të transportit, është shumë e paqartë nga pikëpamja juridike. Nëse vendet do të shkonin drejt bashkimit doganor, ky do të kishte qenë një hap politik shumë serioz pasi efektivisht do të bënte që vendet e rajonit të mos kishin politika tregtare të pavarura.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Zef Preçi thekson gjithashtu se historia e zhvillimit të vetë BE-së ka treguar se vetëm përmes mundësimit të lëvizjes së lirë të kapitaleve, kulturave, qytetarëve dhe investimeve është rruga e vetme që çon në një të ardhme të përbashkët më të mirë për qytetarët e rajonit tonë. Ai sqaron edhe “thashethemet” për krijimin e perandorisë Jugosllave. “Nisma për një treg të përbashkët rajonal nuk ka asgjë të përbashkët me rikrijimin e perandorisë jugosllave, që siç dihet ishte një “burg popujsh” dhe trajtimi si e tillë jo vetëm i largohet qëllimit të mirë të znj. Merkel si lidere e Gjermanisë dhe BE-së, si dhe një mike e madhe shqiptarëve, por edhe një provë ndaj lidershipit politik të vendeve të veçanta se sa serioze dhe të vendosur janë në ndërtimin e një të ardhmeje europiane për qytetarët e vendeve përkatëse”.

Skeptizicmi i analistit të Deutsche Welle, Adelheid Feilcke, për nismën e samitit të Triestes, lidhet pikërisht me konfliktet që ekzistojnë sot në Ballkan, të cilat mund të vazhdojnë të jenë pengesë e rëndësishme që mund të çojë në dështimin e zonës së lirë ekonomike në Ballkan. “Nga samiti i Triestes doli si rezultat konkret marrëveshja e transportit. Por suksesi i vogël – që për herë të parë Serbia dhe Kosova vendosën nënshkrimin në një marrëveshjeje të përbashkët nuk ra në sy – sepse Bosnjë-Hercegovina refuzoi nënshkrimin. Pse? Republika kokëforte Srpska me tendencë të fortë pavarësuese bllokoi qeverinë federale thjesht nga parimi i qëndrimit bllokues në politikën e brendshme. Ajo që në Bosnjë-Hercegovinë shkakton komplikime të vazhdueshme, mund të kthehet në çdo kohë në një retorikë të nxehtë e bllokadë edhe brenda vendeve të Ballkanit. Serbia nuk e njeh Kosovën, Maqedonia bllokohet për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë…e kështu me radhë”.

Pesë projektet e Shqipërisë nga procesi i Berlinit

Shqipëria është në vend të dytë në rajonin e Ballkanit si përfituese e procesit të Berlinit. Kryeministri Rama tha se Shqipëria ishte vendi që fitoi më shumë projekte në samitin e Triestes. “Fituam mbështetje për katër projekte, plus një projekt rajonal.

Pesë projekte që morën mbështetje janë: -Rindërtimi i kalatës 1 dhe 2 në Portin e Durrësit; -HEC-i i Skavicës; -Bajpasi i Lezhës; -Zhvillimi i turizmit ndërkufitar në Liqenin e Shkodrës; dhe -Projekti rajonal për linjën e transmetimit të energjisë”.

Rama tha se nuk është lënë pas dore as Korridori Blu, që do të lidhë zonat bregdetare në rajonin tonë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS propozon tryezë Rama-Basha, opozita e refuzon

Reforma zgjedhore bën bashkë PS, PD dhe LSI, që pritet të nisin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.