Bisturia që nevojitej në trupin e sëmurë të Akademisë së Shkencave


Nga Ndriçim Kulla – 
Të shkruash për Akademinë e Shkencave, për konceptimin dhe strukturimin e saj të ri, është një detyrë për të cilën çdokush duhet të ndalej e të reflektonte thellë përpara se të parashtronte disa mendime. E kemi analizuar ngrehinën dhe strukturën që na la trashëgim e kaluara komuniste, bashkë me këto 27 vite liri, dhe arritëm në përfundimin se anija e saj ka ngecur në rërën e mediokritetit dhe të moskapërcimit të vetvetes. E ashtu e vjetruar siç qe, nuk arriti dot të përballej me lartësitë që kërkonte koha dhe zhvillimi i saj i shpejtë.

Shpresuam që e gjitha kjo të ishte një premisë e fortë dhe e shëndetshme për një strukturim dhe konceptim të ri, për konsiderimin e Akademisë si një organizëm i gjallë, si një pararojë jo vetëm e mendimit elitar shkencor, por, para së gjithash, e zhvillimit ekonomik, social-arsimor dhe kulturor të vendit, nëpërmjet hartimit dhe botimit të platformave, të guidave udhëheqëse të realizimit për secilën nga fushat ku shtrihet përdorimi praktik i shkencës.

Pra, si një organizëm që, në radhë të parë, ndikon në formimin e një ndërgjegje të re, të një mënyrë të re e një botëkuptimi të ri pune dhe studimi; përndryshe, ajo do ngurtësohej e do të paralizohej në vetvete, njëlloj si e mëparshmja. Tek e fundit, ky është mesazhi që na sjell prej shekujsh edhe zanafilla e lindjes së saj, kur imagjinojmë eksperiencën e Platonit në Greqinë e kohës së dekadencës, teksa shihte Athinën të vuante krizën e shkatërrimit. Ose, e thënë ndryshe, Platoni u gjend përballë falimentimit të klasës politike të asaj kohe, përballë gabimeve të rënda të kësaj klase politike, e cila arriti deri aty sa ta dënonte me vdekje Sokratin, mjeshtrin dhe mësuesin e tij të madh.

Në këtë pikë, gjenia e tij arriti të kuptojë e të dalë në përfundimin se politika nuk ishte rruga nëpërmjet së cilës duhet të zgjidheshin problemet e demokracisë, të zhvillimit e të qytetërimit grek. Kësisoj, një njeriu të madh të kulturës, një filozofi të vërtetë si ai, nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i kthehej filozofisë, t’i përkushtohej i gjithi të filozofuarit, për të krijuar kështu – te brezat që do të vinin – një klasë të re drejtuese. Prandaj ai i themeloi Akademinë. Po ta bëjmë paralelizmin me situatën tonë, do të kuptonim se ajo Akademi e re që kërkonim të krijohej dukej të kalonte përtej specializimit të saj shkencor, duhet të qe, së pari, e përbërë nga njerëz që kishin arritur të ndikonim në rrethin shoqëror ,shkencor dh e intelektual të jetës shqiptare.

Nuk mund të kufizohej vetëm në studiues të fushave përkatëse, a në aksh formë burokratike të përzgjedhjes me dosje apo me votim të fshehtë. Akademik do të thotë njeri i shkencës por gjithashtu i kulturës e, njeri i kulturës nuk është kurrsesi vetëm profesionisti i zotë në specialitetin e tij. Përkundrazi, profesionalizmi është vetëm guri i themelit që duhet të ndërtonte strukturën e njerëzve, të cilët duhet të përbënin Akademinë. Ngrehina duhet të ishte erudicioni, kuraja intelektuale, prirja ndaj së vërtetës përtej trysnive ideologjike, pjesëmarrja në jetën e shoqërisë civile, jo strukja nëpër muret mykura të zyrës, të klinikës a të institutit apo të rrethit të vet të ngushtë. Se, përndryshe, nëse do të përdornim fjalët e një filozofi të madh, të Hoze Ortega y Gasset, e gjitha kjo të shpinte në atë që ai e quan “barbarizmi i specializimit”.

Nuk na nevojiten vetëm specialistë që “mund ta njohin shumë mirë” (edhe kjo për t’u diskutuar) atë cepin e tyre të vogël të universit e të jenë deri në themel të paditur për gjithçka tjetër. Çdokush që dëshiron mund ta vëzhgojë qartë shterpësinë dhe paralizën e mendimit, të gjykimit e të veprimit të këtij lloji “specialistësh” në problemet sociale, të filozofisë, të politikës, të bashkëjetesës, të fesë apo në probleme të ndryshme të jetës e shtetit. Prapa tyre qëndron sigurisht doktori, inxhinieri, financieri, informaticieni e kështu me radhë. Rezultati i drejtpërdrejtë i gjithë këtij specializimi të paekuilibruar është fakti se edhe pse sot ekzistojnë më shumë “shkencëtarë”, përsëri ka më pak “njerëz të kulturuar” sesa më parë. Ku është produkti i tyre?

Tituj dhe grada shkencore pa vepra, pa ide, pa impakte, pa teza shkencore, të paprovuara dhe pa krijimtari efektive, por të dala nga dosjet e fryra nëpërmjet kleçkave të kërkuara e të gjetura prej kleçkave dhe lojës së fshehtë të burokracisë, për të grabitur honorare të majme dhe benefice të tjera prej këtij shteti i varfër. E kjo, për shkak se shkenca, herë pas here, si një rregullator i domosdoshëm i përparimit, ka nevojë për një rikrijim, rithemelim, orvatje kjo që synon drejt unifikimit; ndaj bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse përfshin në vetvete rajone akoma edhe më të stërmëdha të botës së dijes, sesa ato ku shtrihet aksh specialitet.

Njutoni, për shembull, u tregua i aftë të zbulonte sistemin e tij të fizikës, pa e njohur shumë filozofinë, ndërkohë që Ajnshtajnit iu desh ta përgatiste veten duke studiuar Kantin dhe Machun – dy emra thjesht simbolikë të masës së madhe të mendimit filozofik dhe psikologjik që ndikuan mbi të – përpara se të arrinte të zbulonte sintezën e tij largpamëse. Kjo e përforcon pohimin se, nëse specialisti është i paditur për filozofinë e brendshme të vetë shkencës që ai kultivon, atëherë ai do të jetë edhe më shumë thellësisht i paditur për kushtet dhe strukturat që kërkohen në realizimin e vazhdimësinë; për formën që merr përsipër të sigurojë qëndrueshmërinë e organizimit të këtij “zinxhiri” të njerëzve të shkencës dhe për mënyrat se si shoqëria dhe njerëzimi duhet të organizohen, që ky zinxhir të mos këputet edhe në të ardhmen.

Ky ishte thelbi i konceptimit të ri që prisnim të kishte ngrehina e re e Akademisë: jo më një bazë e ndërtuar vetëm si piramidë, por mbi specialitetin e mbrujtur te njeriu i kulturës dhe shkencës së vërtetë krijuese, që sjell të reja në krijimtarinë e saj, por që dhe guxon dhe ndikon në rrethin tonë shoqëror.

Dhe po ta thyejmë këtë arsyetim në prizmin e realitetit shqiptar në të cilin po vazhdon që të bëhet edhe debati i nxehtë për të ardhmen e Akademisë, pa këtë debat, ky mendim do të gjendej i katandisur në kufomën e tij më të shëmtuar. Do të reduktohej në praktika kryekëput burokratike, që synojnë vetëm zëvendësim emrash dhe karrigesh, dhe jo dijesh, kompetencash dhe vizionesh të reja përzgjedhëse dhe studimbërëse. Do të molepsej nga forume udhëheqëse të praktikave dhe procedurave të përzgjedhjes që bien erë servilizëm, paaftësi dhe mediokritet. Në ç’praktika është zhytur Akademia e Shkencave të sotme të Shqipërisë, derisa më tani nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë, ide, simpozium shkencor, e jo më material të përgatitur mbi mënyrat se si mund të përmirësohet sot raporti mjeran i Shqipërisë me “Shoqërinë e Informacionit”, dhe se si mund të përpunohet ajo “minierë” e pashtershme, siç është interneti, në të gjitha fushat e zhvillimit të shoqërisë sonë? Po akademikët e zgjedhur prej tij në këtë fushë, në ç’mure të “barbarizmit të specialitetit” lëvrijnë? Ç’programe praktike zbatimi i kanë ofruar biznesit, tregtisë, mbrojtjes së fëmijëve nga sëmundjet e internetit, sistemit bankar e kështu me radhë? As edhe kur qeveria u mëshoi nismave të zhvillimit të shoqërisë së informacionit, të e-learning, e kështu me radhë, ata nuk guxuan dot të ngrihen nga gjumi i tyre dogmatik.

Apo mos vallë po përgatitnin dosjet me artikujt shkencorë nëpër botë, pa shkruar kurrë një të tillë në shtypin shqiptar?! Shkenca e palidhur me praktikën, me realitetin është shterpë, është iluzion. E bukur sarkazma e profesorit nga fusha e mjekësisë, kur tha dikur, se edhe po të sjell dosje te ju, ju anëtarë të grupit përzgjedhës nuk arrini të më kuptoni. Është e vështirë të përzgjedhësh njerëz që kanë ecur hap pas hapi me kohën, kur ti kacavirresh për të ruajtur edhe ato pak dije që ke marrë që nga koha e shkollës.

Ndërhyrja e Edi Ramës për Akademinë në formën e një bisturie të qartë ose për ta reformuar, ose qoftë edhe për ta shkrirë, ndoshta është një nga gjërat më të mira që ka bërë. Personalisht, si një njeri që jam shprehur edhe më parë, pa asnjë interes, pa asnjë aspiratë, si studiues dhe njeri i kulturës, s’ka se si të mos e gjykoj si një veprim shumë të përshtatshëm, që duhej bërë madje edhe shumë kohë më parë, por që në vijim duhet garantuar me përgjegjshmëri dhe këmbëngulje reformimi i qartë i saj.

Përzgjedhja e akademikëve nuk mund t’iu lihet më në dorë ish-drejtuesve të mëparshëm dhe të rrethit të tyre mbështetës, qoftë edhe në qeveri. Duhet patjetër të bëhet një pikëzim dhe klasifikim i kritereve mbi vizione të reja, që të ndryshojnë brumin dhe cilësinë e akademikëve, jo rolet e tyre; vizionin e tyre të studimit dhe angazhimit praktik në jetën e vendit, jo gjoja breznitë e tyre. E kjo të bëhet paralelisht me kalimin në këtë sitë të re vlerash të të gjithë akademikëve të derisotëm. Vetëm në këtë mënyrë do të kishim zgjedhje të pastër, cilësore dhe të denjë për institucionin që përfaqëson Vetëm në këtë mënyrë, në vend të dembelit dhe parazitit, që mbante buxheti i shtetit, mund të hyjë një institucion i ri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ja ç’do të ndodhë pas rrëzimit të qeverisë së Edi Ramës

Nga Spartak Ngjela* - Shtetet e Bashkuara të Amerikës me politikën e tyre...
Read More