Biznesi i integrimit: A është një punë me leverdi?

Bilanci ekonomik i hapjes së negociatave të Shqipërisë si kandidat në BE dhe 35 kriteret e rrepta që do monitorohen. Fondet që do të mbërrijnë nga Europa dhe kushtet që të përthithen. Gjithçka varet edhe nga klima politike dhe besimi… Flasin ekspertët Ketrina Çabiri dhe Zef Preçi

Nga Sebi Alla

Mbërritja në Tiranë e përfaqësueses së lartë të Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, që mbante në duar “fermanin” e Brukselit për Shqipërinë, u prit me sy të ndritur nga një pjesë e madhe e politikës shqiptare. Menduan më shumë për kredon politike dhe konsumin ditor mbi meritat e njërës palë apo dështimet e tjetrës. Pak e kuptojnë, madje edhe nga ata që janë në elitën politike se “paradhoma” e BE-së nuk është e thjeshtë për t’u kaluar. Kroacisë iu deshën mbi tetë vite që pas hapjes së negociatave që të bëhej anëtare e BE-së. Ndërsa zhgënjimi do të vijë pikërisht për ata që menduan se në rast të hapjes së negociatave njëkohësisht do të lirohet gryka e thesit të madh me euro për Shqipërinë. Fondet që do të përthithen pritet të kalojnë në një proces më se rigoroz dhe nuk është aspak çudi që Shqipëria të mbesë sërish nga fundi i vendeve të Ballkanit, për nga tërheqja e fondeve. Në këtë pikë nuk është çështje “miqësie”, por rregulla të qartë, ku para se të ofrohen fonde, nevojiten projektet e duhura. Europa ka historik të hidhur me Shqipërinë ku nga viti 1990-2020 ka dhënë dhe planifikuar fonde në vlerën e 2.4 miliardë eurove. Një shifër më se e lartë, që nëse do të shihet në terren, nuk ka dhënë impaktin që kërkuan. U shpenzuan për infrastrukturën e ajo ende i ngjan një kostumi të arnuar, u dha asistencë e shpenzime për demokratizimin e vendit, por raportet na renditin gjithnjë nga fundi për sa i përket elementeve kryesore të demokracisë. Plotësimi i kritereve kyçe, politike, ekonomike dhe të standardeve në drejtësi, janë vite larg me atë që kërkon Europa, ndaj “fermani” i Brukselit do të bëjë me dhimbje koke, të parët ata që u gëzuan më shumë, politikën. Janë 35 kapituj të rëndësishëm që detyrojnë politikën të ndryshojë kurs, ndryshe larg e më larg do shihet Europa dhe ai gëzim i momentit, mund t’u kthehet në hidhërim të vazhdueshëm. Mënyra e re qeverisje “allafrënga”, bie ndesh me “otomanizmin” politik, që gjithsesi vështirë të heqë dorë aq lehtë nga forma që kanë mbjellë në 28 vitet e fundit. Pas hapjes së negociatave, që në rastin më të mirë pritet të ndodhë në muajin qershor, në aspektin ekonomik, vendi ynë ka kosto, por edhe përfitime. Qeveria do të vihet nën përgjegjësi për të plotësuar kriteret që vendosen si në fushën e investimeve strategjike ashtu edhe në plotësimin me përpikëri të standardeve të kërkuara. Specialistja në Qendrën UET, e zyrës për Zhvillimin e Projekteve dhe Kërkimin, në Departamentin e Shkencave Shoqërore të Aplikuara, Ketrina Çabiri, mendon se hapja e negociatave është një proces rregullimi i tregut, përmirësimi i mirëqeverisjes dhe stabilizimi i mëtejshëm i vendit. Sipas Çabirit, kjo garanton stabilitet ekonomik e social, rrjedhimisht e bën vendin më të besueshëm e më atraktiv ndaj investitorëve të huaj. Edhe pse Shqipëria pritet të ketë akses gjithnjë e në rritje të fondeve të Bashkimit Europian, kjo është në varësi edhe të kapaciteteve përthithëse për këto fonde. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi argumenton se nëse flasim për kostot, kuptohet se kryerja me sukses e reformave të identifikuara, të shprehura në formën e prioriteteve apo sfidave që duhen adresuar, kërkon vullnet politik të shprehur qartë të qeverisë dhe jo vetëm retorikë pa përmbajtje, si ajo që rëndom ofron elita politike e vendit.

 

Ketrina Çabiri, Qendra UET: Qeveria do të detyrohet të arrijë standardet e BE-së në 35 fusha

Komisioni Europian zyrtarisht rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë për në Bashkimin Europian. Në rast se edhe vendet anëtare të BE-së miratojnë raportin pozitiv, çfarë ndryshon për Shqipërinë?

Hapja e negociatave është një proces i shumëpritur për rreth 85% të shqiptarëve. Edhe pse jo çdokush e di me saktësi çfarë nënkupton kjo fazë para-anëtarësimi, apriori të gjithë e dimë se çelja e negociatave e orienton shtetin dhe shoqërinë shqiptare drejt një rruge më të qartë por edhe më sfiduese. Nga pikëpamja politike kërkohet një zhdërvjelltësi në nivel qeverisës, në përgatitjen e ekipeve negociatore të anëtarësimit të Shqipërisë. Për rreth 35 fusha të qeverisjes do të kërkohet që të ketë ekipe të veçanta negociatore dhe një kryenegociator me stafin mbështetës. Si praktikë e njohur, hapja e Kapitujve fillon nga ata më problematikët, që mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u mbyllur. Megjithatë pavarësisht se hapja e kapitujve promovohet si momentumi më i rëndësishëm i negocimit, mendoj se procesi i mbylljes se kapitujve është i një rëndësie të lartë, që tregon se të gjitha kërkesat janë përmbushur dhe mat efektivitetin e zbatimit të reformave. Më pas vjen anëtarësimi. Kroacisë iu deshën rreth 8 vjet, për ne kjo rrugë pritet të jetë edhe më e gjatë. Nga pikëpamja ekonomike, shteti shqiptar ka kosto dhe përfitime. Pas çeljes së negociatave, qeveria shqiptare vendoset para një përgjegjësie të madhe, e cila detyron arritjen e standardeve të BE-së në 35 fusha ta paracaktuara. Mbyllja e kapitujve kërkon investime dhe nuk është më thjesht dhe vetëm një vullnet i mirë politik. Investimet e Malit të Zi për mjedisin kanë shkuar rreth 1.5 miliardë euro për përmirësimin dhe menaxhimin e mbetjeve, trajtimin e ujërave etj. Kjo ndodh sepse standardet në BE janë shumë më të larta se ato që kemi në Ballkan. Ndërkohë, përfitimet ekonomike do i shihja në dy aspekte.

Së pari, hapja e negociatave është një proces rregullimi i tregut, përmirësimi i mirëqeverisjes dhe stabilizimi i mëtejshëm i vendit. Si koncept, kjo garanton stabilitet ekonomik e social, rrjedhimisht e bën vendin më të besueshëm e më atraktiv ndaj investitorëve të huaj. Së dyti, Shqipëria pritet të ketë akses gjithnjë e në rritje të fondeve të Bashkimit Europian, në përputhje me nevojat dhe prioritete strategjike në varësi edhe të kapaciteteve përthithëse për këto fonde.

Një nga pikat kryesore është aspekti ekonomik, çfarë përfiton vendi ynë pas hapjes në negociatave si vend kandidat për në BE? Cilat do jenë projektet kryesore që BE mund të financojë?

Për shumë Kapituj ka shumë kosto dhe për këtë vendet që janë në negociata kërkojnë një periudhë tranzitore. Duke pasur parasysh këtë, shumica e fondeve që do të alokohen gjatë këtij procesi janë fonde asistence të dedikuara si ndihmë specifike për kapitujt që do të hapen. Si një vend kandidat, Shqipëria përfiton nga Instrumentet e Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) që mundësojnë kryerjen e reformave, investimeve strategjike etj. Asistenca e strukturuar e Bashkimit Europian që mbulon pjesën më të madhe të fondeve për periudhën 2014-2020 është  komponenti IPA II.  Fonde të tjera të komponentëve IPA, të lejuara vetëm për vendet me statusin kandidat, (IPA III. Zhvillimi Rajonal, IPA IV Zhvillimi i Burimeve Njerëzore; IPA V Zhvillimi rural (IPARD), janë një mundësi për procesin e negociatave në vazhdim. Në parim, fondet IPA e përgatisin vendin për të aksesuar Fondet Komunitare (Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal dhe Fondet e Kohezionit; Fondi Social Europian; Fondi Europian i Bujqësisë për Zhvillimin Rural) dhe forcimin e aftësive menaxheriale të kapaciteteve publike. Një nga sektorët më me përfitim nga fondet e para-anëtarësimit do të jetë Bujqësia, përmes skemës së granteve IPARD, e cila bashkëfinancohet nga BE 75% (71 Milionë Euro) dhe nga Qeveria shqiptare 25% (23 Milionë Euro) me një vlerë të përgjithshme të mbështetjes financiare prej rreth 94 Milionë Euro përgjatë viteve 2016-2020.

*Është me rëndësi të përmendim se fondet e Bashkimit Europian për Shqipërinë alokohen përmes programeve Komunitare, ku Shqipëria përfiton financime qysh prej vitit 2004. Programet Komunitare të Bashkimit Europian nuk lidhen drejtpërdrejt me statusin e integrimit në BE, por gjithsesi ndihmojnë proceset akademike, shkencore, të edukimit etj., të vendit anëtar.

Cilat janë fushat kryesore ku pritet që BE të lëvrojë fonde? Sa parashikohet të jetë vlera monetare që përfitojmë dhe si do të menaxhohen këta fonde, do ketë mbikëqyrje nga BE?

Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria prej vitit 1990 përfiton nga fondet e BE-së, asistencë jo vetëm teknike, por edhe financiare për projekte në sektorë të ndryshëm, si në ndërtimin e shtetit ligjor, infrastrukturë, ekonomi etj. Shqipëria është përfituesja e tretë më ë madhe e fondeve të BE në Ballkanin Perëndimor (pas BH dhe Serbisë). Për vitet 1990-2020 programet e Asistencës së Bashkimit Europian kanë alokuar për Shqipërinë rreth 2.4 miliard Euro, duke nisur nga ECO&OBNOVA (363 mnl Euro); PHARE (549 Mln Euro); CARDS (315 mln Euro); IPA I (597 mln Euro) dhe komponenti më i madh i asistencës për vitet e ardhshme IPA II, përmes së cilit Shqipërisë i përfiton shumën indikative prej 649.4 milionë Euro, për vitet 2014-2020. Fushat prioritare për asistencë përmes komponentit IPA II janë demokracia dhe qeverisja (320 Mln Euro); zhvillimi social-ekonomik dhe rajonal (168 mln Euro); punësimi, politikat sociale, edukimi, promovimi i barazisë gjinore dhe burimet njerëzore (69 mln euro) dhe bujqësia dhe zhvillimi rural (92 mln Euro). Këto shifra e vendosin qeverinë shqiptare dhe aktorët e shoqërisë civile para përgjegjësisë për të kuptuar dhe prioritizuar nevojat, dhe përgatitur projekte të denja për të përthithur fondet e BE-së. Për nga pikëpamja e menaxhimit, duke ndjekur shembullin e menaxhimit të fondeve IPA 1, BE ka zhvendosur në vitin 2014 menaxhimin e fondeve në duart e qeverisë shqiptare, duke u përpjekur të ndërtojë kulturën e ndarjes së përgjegjësive. Ndërkohë, strategjia e Zgjerimit e Komisionit Europian parashikon që fondet IPA do të përshtaten sipas nevojave të vendeve kandidate. Komisioni ka parashikuar një rritje graduale të fondeve të instrumentit IPA si suport për vendet e Ballkanit deri në vitin 2020, aq sa lejon rialokimi i IPA-s. Megjithatë, vazhdimësia varet nga ecuria e reformave dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit.

 

Zef Preçi, Qendra shqiptare për studime ekonomike: Tërheqja e fondeve nga BE varet nga mënyra qeverisëse në Shqipëri

Komisioni Europian zyrtarisht rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë për në Bashkimin Europian. Në rast se edhe vendet anëtare të BE-së miratojnë raportin pozitiv, çfarë ndryshon për Shqipërinë?

Duke uruar që kjo të ndodhë, d.m.th. që rekomandimi i Komisionit Europian të merret parasysh nga Këshilli Europian, mendoj se është me arsyeshme të flitet për kostot dhe për përfitimet potenciale të rastit. Siç tregon përvoja e vendeve ish-komuniste që tashmë janë “de jure” dhe “de facto” anëtare të BE-së, në momentet e qenies vend kandidat për anëtarësim në BE vështrimi hidhet mbi aspekte të tilla, si: tregtia e lirë, konkurrenca, rritja ekonomike, bujqësia dhe siguria ushqimore, por dhe në këndvështrimin politik dhe institucional. D.m.th. pritshmëria e parë mendoj se lidhet me rritjen e mundshme të volumeve tregtare me vendet e BE-së, si dhe ulje relative të çmimeve, rritje të pranisë investimeve të huaja dhe të vendit, rritje të eficiencës së fondeve publike dhe në përgjithësi konkurrueshmërinë në ekonominë shqiptare, në përshpejtim të rritjes ekonomike në periudhën afatmesme, kuptohet të gjitha këto të trajtuara si një proces që përfshin disa vite dhe dekada dhe jo si një moment, apo më keq akoma, sikur do të ndodhë nesër…. Por ndoshta të një rëndësie më të madhe do të jenë zhvillimet e pritshme sa u takon burimeve njerëzore, d.m.th. hapja e tregut të punës së të huajve në vendin tonë e mbi të gjitha lejimi i punësimit të lirë të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së, e konceptuar kjo si një lëvizje brenda shtetit (federatës) në të cilën Shqipëria do të jetë vend anëtar. Natyrisht që siç ka ndodhur edhe në vendet e reja anëtare të BE-së, ardhja e europianëve në vendet anëtare stimulon rritje të çmimeve të pasurive të patundshme, pasurive në bregdet etj. Ndërsa punësimi i qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së krijon terren që ata të kontribuojnë në ekonominë tonë kombëtare, në një formë më formale dhe të zbutur në krahasim, me remitancat kryesisht informale dhe vlerat monetare nga veprimtaritë kriminale që kjo ekonomi përfiton aktualisht. E nëse flasim për kostot, kuptohet se kryerja me sukses e reformave të identifikuara, të shprehura në formën e prioriteteve apo sfidave që duhen adresuar, kërkon vullnet politik të shprehur qartë të qeverisë dhe jo vetëm retorikë pa përmbajtje si ajo që rëndom ofron elita politike e vendit, kërkon fonde të konsiderueshme sidomos për të plotësuar kuadrin ligjor dhe institucional si dhe për të siguruar funksionalitetin e shtetit. Gjithsesi ato janë të justifikueshme duke menduar ndikimin pozitiv afatgjatë në dobi të qytetarëve të vendit. Për momentin përftimet e para lidhen në dekurajimin e braktisjes së vendit dhe rritjen e kontrollit qytetar dhe të llogaridhënies së institucioneve politike që menaxhojnë taksat e qytetarëve shqiptarë. Është e dëshirueshme që qeveria të rishikojë programin e vet politiko-qeverisës për t’u shkëputur nga ndikimet oligarkike në shpërndarjen e fondeve publike, në përmirësimin e klimës së investimeve që mundësojnë kthimin në Shqipëri të investitorëve seriozë dhe zvogëlimin sa më shpejt që të jetë e mundur e zotërimit të tregjeve të rëndësishme nga kompani “offshore” etj. Po kaq të rëndësishme janë edhe reforma dhe sfida të tjera të kushtueshme në procesin e harmonizimit me standardet europiane siç mund të jetë ajo në fushën e mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Një nga pikat kryesore është aspekti ekonomik, çfarë përfiton vendi ynë pas hapjes së negociatave si vend kandidat për në BE? Cilat do jenë projektet kryesore që BE mund të financojë?

Për sa kohë nuk ka një program të qartë të zgjerimit, por është më shumë një angazhim institucional  e politik për periudhat e ardhshme (mbas vitit 2020) është vështirë të imagjinosh se cilat mund të jenë projektet prioritare që do të financojë BE në periudhën e negocimit për anëtarësim dhe më vonë. Ajo që mund të thuhet nisur nga përvoja e vendeve të tjera më të avancuara në këtë proces apo që e kanë kaluar këtë faze është se projektet e rëndësishme infrastrukturore, sidomos ato ndërshtetërore, kanë përparësi. Kjo do të thotë se është kundërproduktive që qeveria, nën ndikimin e interesave të oligarkëve të lërë peng taksat që do të mblidhen gjatë 10 apo 20 viteve të ardhshme (PPP famëkeqja) apo të marrë borxhe të reja, p.sh. për të ndërtuar rrugë automobilistike (edhe pse ato janë të nevojshme), sepse kjo do të mund të mbështetet financiarisht nga BE në periudhat që vijnë. Është e dëshirueshme të hiqet dorë nga gjigantomania apo investimet publike thjesht për disa vota më shumë në zgjedhjet e radhës, duhet që fondet në dispozicion të përqendrohen në vepra publike që hapin vende të reja pune e jo zyra pune, që rritin prodhimin vendas, që zgjerojnë aftësitë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare.

Cilat janë fushat kryesore ku pritet që BE të lëvrojë fonde? Sa parashikohet të jetë vlera monetare që përfitojmë dhe si do të menaxhohen këto fonde, do ketë mbikëqyrje nga BE?

Është shumë shpejt për të folur rreth kësaj teme. Viti 2020 për fondet e BE-së nuk është larg dhe deri atëherë do të kemi mundësi të shohim jo vetëm qëndrimet e vendeve të veçantë të BE-së kundrejt vendit tonë, por edhe zhvillimet në vete BE-në në “macro-scale” d.m.th. në konsolidimin e institucioneve të unionit. Por mbi të gjitha deri atëherë do të mund të shohim e vlerësojmë nëse elita politike drejtuese e vendit në pushtet dhe në opozitë do të shkëputet nga ndikimet e krimit te organizuar, nëse do të zvogëlohet korrupsioni në menaxhimin e burimeve  natyrore, financiare e njerëzore në dispozicion të qeverisë, nëse do të marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë dhe kaosi me pronat, nëse vetë procesi i integrimit Europian do të shihet si një përgjegjësi publike, politike dhe qytetare apo si një trofe i luftës se paprinciptë për pushtet. Pra, zhvillimet e brendshme, posaçërisht reformat e identifikuara pritet të jenë përcaktuese në ritmet dhe dimensionet e vetë procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. E në këtë proces, padyshim mbikëqyrja nga afër e BE-së do të marrë një rëndësi të madhe për të garantuar njëkohësisht si krijimin e atij sistemi vlerash të promovuar nga etërit themelues të BE-së, ashtu dhe standardet tashmë të njohura në ditët e sotme për vendet si yni, që duan të bëhen pjesë e këtij bashkimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi Rama kërkon ta përballojë fundin me zhurmë, por është e kotë

Nga Fitim Zekthi* Përtej faktit që takimet me “popullin si pjesë e...
Read More