Biznesi lokal i Botërorit

Kupa e Botës “Rusi 2018” dhe miliardat e hedhura për një muaj kompeticion. Shqipëria e fiksuar nga bastet sportive, baret e tejmbushura me sportdashës dhe garat e televizioneve për emisionin më të mirë sportiv. Kupa e futbollit dhe e biznesit…Flet Presidenti i UET, Adrian Civici

Nga Sebi Alla

Për shumë është një muaj argëtimi, por në fund kampionati botëror i futbollit do të mbyllet me një kupë të ngritur nga fituesi dhe një faturë bilancesh dhe fitimesh nga Rusia organizatore, humbjet në baste, apo edhe paratë e fituara nga baret e lotot sportive. Përtej topit të rrumbullakët që rendet në fushën e gjelbër, futbolli është kthyer në biznes fitimprurës. Këtë e kupton më mirë Rusia e cila loboi fuqishëm edhe mes dyshimesh për afera që të ishte ajo organizatore, dhe në fund nuk kurseu aspak për të realizuar këtë kompeticion të rëndësishëm. Duke iu referuar raportimeve të mediave dhe institucioneve ruse, botërori “Rusi 2018” konsiderohet si më i kushtueshmi në historinë e tij, pasi janë investuar plot 14.2 miliardë dollarë. Rusia thuhet se ka tejkaluar me disa qindra milionë investimet e parashikuara më herët. Plani ishte që investimi total të arrinte në nivelin e 683 milionë rubla, ose 11 miliardë dollarë. Vetëm infrastruktura e transportit për Botërorin ka kushtuar 6,11 miliardë dollarë, ndërtimi i 20 stadiumeve të reja dhe rikonstruksione 3,45 miliardë dollarë, ndërsa 680 milionë dollarë ka kushtuar ndërtimi dhe organizimi i strukturave pritëse, hotele, restorante, kampe sportive, rikonstruksion aeroportesh dhe shërbime të tjera. Duken si shifra në letër, por kompeticioni më i rëndësishëm sportiv matet me investime. Rusia tregoi se është e papërmbajtshme, për më shumë që është investuar vetë presidenti Vladimir Putin, që supermacia në këtë rast nuk tregohet vetëm me armë, por investim dhe zhvillim ekonomik, që janë edhe më të gjata se vetëm një muaj që zgjat kompeticioni.

Shqipëria

Nëse çmenduria e investimeve, pompozitetit dhe mënyrës së organizimit kalon më parë nga Kremlini, edhe Shqipëria në formën e saj nuk bën përjashtim nga interesi i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik. Aroma e botërorit ndihet kudo në çdo cep të vendit. Politika gjithashtu do ulë tempin e përplasjes, sepse debati politik shuhet për t’i lënë vendin atij futbollistik. Baret e mëdha dhe të vogla mbesin në garë se kush do tërheqë më shumë klientelë, me kënde enkas për vendosjen e ekranëve të mëdhenj, e në mungesë të tyre, “çarçafë të bardhë” që marrin sinjalin nga projektori. Futboll, analizë, baste, tifozllëk për skuadrën e preferuar dhe në fund sportdashësit ikin për pak kohë nga rutina dhe problemet e përditshme.

Botëror me miliarda

Përtej lojës në fushë, organizimi i botërorit të futbollit një herë në katër vite, mbështillet me hije të shumta dyshimi për afera korruptive, lobime apo gjeostrategji ekonomike dhe politike. Brenda këtij kompeticioni lëvizin miliarda euro që nga ngritja e infrastrukturës, akomodimi pritës, transporti, kompanitë hoteliere, shërbimet e tjera që shtrihen deri në biznesin e vogël. Gjithçka brenda një muaji. FIFA, organizatorja e “kupës së Botës” në futboll, tre vjet më parë kaloi ditët e saj më të vështira, ku 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë u arrestuan për akuzën pastrim të parave, korrupsion dhe mashtrim gjatë 20 viteve të fundit. Akuzat ndaj drejtuesve të lartë kanë të bëjnë me garat për të fituar të drejtën e organizimit të Kupave të Botës dhe akorde marketingu dhe të drejtash televizive. Kjo çoi në rokadën presidenciale, ku “i përjetshmi” Sepp Blatter dha dorëheqjen dhe në vendin e tij u zgjodh Gianni Infantino. I gjithë hetimi ka nisur në SHBA nga zyra e FBI-së që ra në gjurmët e skandalit pas një hetimi mbi transferta të dyshimta në shuma të mëdha që kishin kaluar në llogari të zyrtarëve të lartë të FIFA-s. Pavarësisht skandalit, kjo nuk e zbeh spektaklin, emocionin, shfaqjen dhe vëmendjen që tërheq sporti i futbollit.

Presidenti i UET-së Ardian Civici organizimin e kupës së botës nuk e sheh vetëm në aspektin futbollistik, por edhe në atë ekonomik dhe turistik, pasi është një proces zinxhir. “Ndikimi në ekonominë ruse është i trefishtë. Shpenzimet që u bënë llogariten mbi 9 miliardë euro. Edhe një lloj frike që ekzistonte nga FIFA nëse Rusia do e përballonte ose jo këtë eveniment kaq të rëndësishëm tashmë ka rënë. Një shpenzim i tillë në shifrat mbi 9 miliardë euro është peshë e madhe për buxhetin e vendit, por për ekonomistët shpenzimi është edhe investim” -thotë Civici. Në analizën e tij gjykon se miliona njerëz që vijnë nga e gjithë bota ku veç tifozëve ka gazetarë, staf shërbimet etj., ndikojnë për Rusinë, sepse mendohet se të ardhurat të jenë më të mëdha se shpenzimet. “Një masë shumë e madhe njerëzish disa miliona shkojnë edhe për të bërë turizëm, çka do i japin ndikim konsumit”-thotë Civici. Një tjetër pikë është edhe marketingu turistik, sepse është një eveniment që përqendrohet media botërore, ku sipas statistikave mbi një miliard njerëz në të gjithë botën janë shikues të rregullt të futbollit. “Kjo do sjellë në një ndikim edhe më afatgjatë zhvillim të turizmit. Duke pasur parasysh se ekipe të mëdha janë prezente në këtë kompeticion, çdo lëvizje e tyre shoqërohet me qëndrimin e sportdashësve disa ditë, të cilët akomodohen në hotele, konsumojnë në shërbime të tjera si bare restorante etj., lëvizin në zona të ndryshme që janë atraksion turistik dhe në këtë kontekst pritet që të ketë zhvillim edhe në ekonomi”-pohon Civici.

Nëse Rusia e largët sapo ka nisur “muajin e mjaltit”, mbi të ardhurat në ekonomi nga Kupa e Botës, edhe Shqipëria qoftë edhe për pak do të vërë në lëvizje një konsum më të madh, që gjithsesi injektohen në ekonomi. “Qoftë edhe në mënyrë modeste ka një lloj investimi nga baret dhe restorantet në lidhje me kompeticionin botëror futbollistik. Paketat sportive, dekoderat, lotot sportive, apo shtimi i klientelës kryesisht në bare, shton konsumin”-shprehet Civici. Në këtë pikë Shqipëria ka një traditë, duke qenë vërtet një vend i vogël, por me shumë futbolldashës. Formë argëtimi, por edhe mënyrë për të shtuar të ardhurat në ekonominë e vogël.

Shqipëria mes tifozllëkut dhe basteve

“Më dogji Arabia, e kisha vënë dysh, se kishte koficientin e lartë”-thotë Arbeni, një lojtar i regjur i lotove sportive, që nuk kishte si të humbte edhe takimin e parë hapës mes Rusisë dhe Arabisë Saudite që u mbyll 5-0. Ai është një nga mijëra lojtarë që rendin në bastet sportive për të provuar fatin me parashikimet e tyre. Në lotot sportive, krahas monitorëve që qëndrojnë në kalanë sportive dëgjohet shpesh zhurma e “ëmbël” e printimeve të skedinave. Është zakon që sapo skedina printohet, lojtari i hedh dhe një sy të fundit, ku përqendrohet kryesisht në shifrën që tregon “fitimin e mundshëm”, por rrallë janë ata që e kapin këtë fitim… “Janë ende ditët e para, por puna duket se po shkon mirë. Janë vënë baste që në fillim se cilat skuadra kalojnë grupin, apo edhe të tjera që parashikojnë se kush do jetë kampione. Për Gjermaninë dhe Brazilin janë vendosur më shumë skedina si fituese”-thotë Artur Sopi, pronari i një pike basti në Tiranë, ndërsa shton se: “presim të ketë më shumë baste kur të luhen ndeshjet live, zakonisht kur një skuadër e madhe pëson gol, ka trend në rritje të basteve që rezultati përmbyset, këtë praktikë ndjekin kryesisht personat që janë lojtarë të përhershëm”. Sa për shumat që shpenzohen janë nga më të ndryshmet dhe ato ndahen në kategori, kryesisht në vendet ku janë ngritur pikat e basteve, që në vendin tonë janë të shumta. “Bastet me vlera të mëdha parash vihen kryesisht në zonat e zhvilluara të Tiranës, ku bastexhinjtë shpesh janë të rinj me të ardhura të mira dhe biznesmenë”-thotë Sopi. Ekziston edhe një kategori tjetër futbolldashësish që nuk janë të prirur nga bastet, por për një rehati dhe mënyrë më të veçantë të të shijuarit të ndeshjeve, preferojnë t’i ndjekin nëpër bare. Vitet e fundit janë shtuar qytetarët që familjarisht ndjekin ndeshje të caktuara përballë ekraneve të mëdha në bare, apo edhe sheshe publike, në qytetet ku bashkitë kanë krijuar zona të veçanta ku mund të ndiqen takimet e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

Televizionet, sport e bukuri femërore

Të gjitha televizionet janë në garë për emisionin më të mirë sportiv. Ngado që të bësh “zapping”, ndryshon studio dhe logo e televizionit, por jo formati. Ai është thuajse i njëjtë: Të ftuar specialistë futbolli, personalitete disi të njohur që bëjnë tifo për një skuadër dhe më pas femra të paraqitshme, që jo detyrimisht kuptojnë futbollin… Me gjithë formatin që kanë zgjedhur, reklamat mbulojnë shpenzimet, ku më së shumti sponsorët gjeneralë të këtyre emisioneve janë kompanitë e basteve dhe disa lloje birrash. Thuajse të gjitha televizionet për të tërhequr shikuesit kanë lajme sportive të shpeshta dhe në darkë vonë pasi mbyllen ndeshjet e ditës është emisioni qendror sportiv. Analizë, diskutime, batuta e spektakël në këto studio, ku synohet që krahas informacioneve të gërshetohet me prani më të madhe femërore. Për një muaj vëmendja do jetë nga futbolli, magjia e të cilit nuk është vetëm në fushën e lojës por edhe në ekonomi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Ambasadorët’, Mediu dhe Manjani: Fajin e ka Rama

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, në një status në Facebook, shkruan se...
Read More