Blerina Rogova Gaxha: Kur asht’ terr e nuk ndihet asnji zà

 
 

Poetët punojnë netëve...shkruante një kohë poetja italiane Alda Merini…kur koha nuk ngulmon mbi ta…Poetët punojnë në terr si fajkoj nate e bilbila

Një tjetër poete, shqiptarja nga Kosova,  Blerina Rogova Gaxha zbulon se i pëlqen të lexojë netëve kur terri ka rënë e nuk ndihet asnjë zë, me llumrat e kafesë në fund të filxhanëve dhe bishtat e cigareve në tavllë, pret agun, nën një tjetër dritë… Gaxha zbulon rrugëtimin më librin, autorët e preferuar, librat që e kanë shënjuar, por edhe autografet më të çmuar…

Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Kompleti i librave ‘1001 net’, i pata ‘vjedhur’ nga biblioteka e prindërve, i ruaj me xhelozi.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Varet se cili thërret për më shumë kuptime poetike, dhe varësisht nevojës që kam për lexim.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Pothuajse.

Libri i parë që keni lexuar…

I pari, i përzgjedhur vetë, larg imponimit të lekturave shkollore, ishte romani Verorja. Mbaj mend se qe verë, qesh ngujuar në një qoshe të oborrit, dhe nuk shkoqesha nga libri. Gati e tronditur,  e mbarova për dy ditë.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Romani “Ura e psherëtimave”.

Me kë i keni ndarë librat?

Kryesisht me shoqërinë e ngushtë.

A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po.

A shkonit në Bibliotekë dikur dhe,  a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Sigurisht që po. Mbaj mend shumë bibliotekën e shkollës fillore, ish e pasur me libra; mbaj mend edhe bibliotekisten, një grua me klasë dhe me shije për literaturën. Ajo gjithnjë më sugjeronte librat që i donte fort – sa herë i ktheja, më pyeste nëse e kisha pëlqyer ose jo veprën që më kish propozuar ose “detyruar”. Dhe mua, ndonjëherë kur s’më pëlqenin, më vinte keq t’i thosha: “Mezi e përfundova”.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Një hajdute librash – jo, por ka disa libra që nuk i kam kthyer, meqë i doja fort, dhe më dukej sikur kishin zënë vend tek unë. Nuk doja të isha ai budallai që i kthen librat… meqë ra ky muhabet do t’ia kthej një mikut tim një libër që e donte fort ‘Kështu foli  Zarathrustra’. Ka vite që ia kam ‘huazuar’.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Njërin nga librat e ‘1001 netëve’, vërtet më dhimbset, sepse është pjesë serisë së parë  në shqip

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë, nuk u besoni shumë shijeve të të tjerëve? 

Kuptohet që për lexim i zgjedh gjithnjë vetë, por më pëlqen dh e çmoj shumë kur dikush më dhuron një libër.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Pëlqej të lexoj natën, kur nuk ndihet asnji zà, kur është terr dhe atëherë kur terri ia lë vendin dritës. Shpesh lexoj duke e parë agun si bie, dhe kjo më është e pakrahasueshme me leximin në çfarëdo kohe tjetër. Ulur këmbëkryq ose gjysmë shtrirë, po edhe në tryezën e punës me këmbët mbi të. Filxhanët e kafeve bëhen rend dhe cigaret mbushin tavllën.

A lexoni në banjë?

Jo, asnjëherë.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në gjuhën angleze, serbe dhe italiane.

Ç’libër keni në duar aktualisht?

Being and Time, nga Martin Heidegger

Mbani shënime kur lexoni?

Nëse leximi është për arsye studimi, gjithnjë mbaj shënime, por nganjëherë edhe në leximet tjera. Kam një zakon të ‘keq’ leximi që nëpër fletët e librit shpesh vizatoj simbole të ndryshme ose figura abstrakte. Pjesën dërrmuese të librave i kam ‘shkarravitur’ kësisoj

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor të preferuar, lexoni gjithçka të tij apo të saj?

Ka vite që preferoj më shumë poezinë- më jep më shumë letërsi të dëshirave origjinare. Lexoj gjithçka ku ka poezi të bukur, ku rrëfehet për jetën dhe poezinë e saj.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Varet se kush duhet t’i lexojë patjetër. Ka një listë të gjatë me libra të bukur. “Sa shumë libra e sa pak kohë!”.

Lista e leximit përfshin autorët që i ngjizën dhe i krijuan letrat botërore deri te emrat që e përfaqësojnë literaturën botërore sot. Disa nga emrat që do i veçoja: Fernando Pessoa,Voyslava Symborska, Baudelaire, Dino Buzzati, Italo Calvino, Dylan Thomas, Leonard Cohen, Lorka, Sylvia Plath, E.Poe, F. Holderlin, Sokrati, Shakespear, Goethe, Dostojevski, Kafka, Heidegger, Niçe, Freud, Eliot, Eco, Rumi, Prever, Brodskij, dhe lista prapë mbetet cung… Në listë duhet t’i kemi patjetër e t’i njohim autorët e literaturës nacionale, e cila është përfaqësues  i kulturës dhe i animas tonë- Camajn, Kutelin, Kadarenë, Poradecin…

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Jo.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Do i zgjedhja tre libra poetikë.

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

“Më thuaj si lexon dhe të them kush je”,  Martin Heidegger.  “Kush nuk lexon, në moshën 70-vjeçare, ka jetuar vetëm një jetë, atë të tijën! Kush lexon ka rrnuar 5000 vjet” – Umberto Eco;

Na thoni një varg të preferuar poezie…

“Ka aq shumë gjëra mes qiellit e tokës të cilat vetëm poetët mund t’i ëndërrojnë” , Niçe.

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Raskolnikov i F.Dostojevskit

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Dedikimi Për poezinë, në një libër të bukur poezish

Shkruar Nga
More from Redaksia

Stafi i ALBtelecom dhuron “jetë” për fëmijët talasemikë

Si një prej kompanive më aktive në fushën e përgjegjësisë sociale të...
Read More