Bloodlands: Suela Bako, horrori që e bëri të besojë

Më 22 shtator filmi “Bloodlands” projektohet në kinema “Millenium”/ Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo luan rolin e nënës në familjen në të cilën zhvillohen ngjarjet kryesore të filmit, ku kësaj familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige

Nga Violeta Murati

Suela Bako, aktore e teatrit, por në vitet e fundit ka pasur një këmbëngulje të rrallë për t’u bërë pjesë e kinematografisë, në role por dhe në produksione të shkurtra, duke pasur vetë regjinë. Puna si duket tani po i jep frytet. Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky çmim i ndarë për Suela Bakon vlerësohet të jetë tejet i rëndësishëm për aktoren shqiptare, duke pasur parasysh se filmi ka dalë nga një konkurrim me një përzgjedhje fantastike të filmave të tjerë që kanë qenë në garë në këtë edicion të këtij festivali. Regjisori i filmit, Steven Kastrissios,  ka qenë i pranishëm në këtë festival, kurse për çmimin që i është ndarë Suela Bakos ka thënë se gjithmonë e ka ditur se Suela do të fitojë një çmim për punën e saj në filmin Bloodlands. “Ishte vetëm çështje kohe”, është shprehur regjisori, duke kujtuar përvojën e tij përgjatë xhirimeve, ku sipas tij, Suela Bako kishte punuar shumë për të nxjerrë rolin e saj, ashtu sikurse edhe e kërkonte skenari. “Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për dhimbjen që i kanë shkaktuar.

Aktorja Bako luan rolin e nënës në familjen në të cilën zhvillohen ngjarjet kryesore të filmit, ku kësaj familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige. Ngjarja zhvillohet në Tiranë, ku familjet moderne tipike shqiptare bien pre e sulmit të vampirëve të udhëhequr nga shtriga, në rolin e së cilës paraqitet aktorja nga Kosova, Ilire Vinca. Kasta e aktorëve është e gjitha shqiptare dhe i gjithë filmi shfaqet në gjuhën shqipe. Aktorët e tjerë që luajnë në këtë film janë Gëzim Rudi, Emiljano Palali dhe Alesia Xhemalaj.

“Bloodblands”, një rast për t’u takuar me ty Suela, pas disa produksioneve autoriale, duke sjell në Shqipëri një çmim për aktoren më të mirë, në një film horror. S’është në mendësinë tonë, ende të shohim një personazh horror, shqip, shqiptar, e për më tepër një grua. Mund të na flisni për këtë rol, një portret të saj, si u realizua?

Shpresa, personazhi që unë luaj, është një grua, tipike shqiptare, me karakteristikat në thelb të çdo gruaje; e fortë, luftarake, këmbëngulëse, nikoqire, e devotshme dhe  përkushtuar. Nuk e kam parë asnjëherë si një personazh horror, se nuk kam pasur arsye për ta parë ashtu. Në thelb të realizimit të figurës së saj nga unë, (si të çdo figure tjetër, apo procesi tjetër aktorial, mendoj) është të besuarit! Gjithë ç’kam bërë është që kam besuar, se isha në ato rrethana e se duhej të reagoja në atë formë që regjisori njëkohësisht dhe skenaristi Steven Kastrisios, kish parashikuar.

Si erdhi propozimi për filmin?

Nuk ka pasur një propozim të mirëfilltë, ka pasur një ftesë për audicion, përzgjedhja me ka lumturuar shumë e më ka kthyer shpresën gati të humbur të përzgjedhjes në audicion. Ishte viti 2014, 3 Shtator dita kur kam bërë audicionin, u përzgjodha, dhe përgjigjen e kam marrë brenda pak ditëve. Unë do isha Shpresa, personazhi për të cilin bëra audicionin, mes disa aktorëve të tjera. E kam ndjerë, që në audicion një lloj aprovimi të regjisorit, dhe me ka dhënë shumë besim si para ashtu dhe gjatë xhirimeve. Në krye të dy muajve ne xhiruam, filmin.

Çfarë të ka bërë bashkë, ajo që e dallon personazhin me shqetësimin tuaj, atë që është jashtë lëndës artistike?

Mëmësia, të qenit bashkëshorte, instinkti i nënës, sakrifica në emër të familjes.

Bashkëpunimi me të huaj, pse merr më tepër “vlerë” në kompeticione të tilla?

Unë nuk di të them nëse merr më tepër vlerë bashkëpunimi me të huaj, di që jam ndjerë shumë mirë, dhe e vlerësuar profesionalisht në çdo etapë të procesit krijues. Kompeticioni ndërkombëtar e për më tepër në një festival të madh e të konfirmuar, është shpërblimi më i mirë, për një punë ku je ndjerë e dobishme dhe e vlerësuar.

Pse ka tërhequr sipas jush vëmendjen, çfarë e ka bërë kaq përfaqësuese për ju këtë rol?

Unë e quaj veten me fat, të luaj një rol kaq kompleks e me ngjyra sa Shpresa. Jam përpjekur t’i jap sa më shumë ngjyra e vërtetësi, kam pare thellë brenda vetes sime, mamasë sime, tezes sime, gruas shqiptare, e kam konsideruar si përgjegjësi qytetare po aq sa profesionale. Shpresa ka amplitudat që kam dëshiruar gjithmonë ti këtë një personazh që do doja të luaja, dhe Steven Kastrisios, ma bëri dhuratë! I jam shumë mirënjohëse, falënderoj secilin nga kolegët pa të cilët, nuk do ishte kjo Shpresë !.

Suela, ju e keni nisur karrierën tuaj në teatër, madje nuk jeni shkëputur ende. Por ka dhe një përpjekje tuajën, prej disa vitesh për të hyrë në kinema duke kujtuar projektet e tua individuale pothuaj të guximshme dhe pse i përkasin filmit të shkurtër. Pse në këto hapësira?

Sepse mendoj se i përkas po aq sa më përket. E kam zbuluar pak vonë, m’u desh t’i futesha studimeve në Master për Regji filmi, për të kuptuar që është një hapësirë që më intereson veçanërisht, kjo përsa i përket fushës së regjisë, pasi në aktrim besoj se i kam paralel hapat si në film dhe në teatër.

E kuptoni, pyetja është për filmin me metrazh të shkurtër “Darka”, që edhe jeni vlerësuar. Çfarë ju “shqetëson” kur vjen puna tek krijimi, ose në një situate individuale për t’u shprehur?

Me shqetëson individi problematika, përplasjet me ata që e rrethojnë, dallgët e jetës…por më së shumti marrëdhëniet në çift dhe marrëdhëniet prind fëmijë.

Pas “Darkës”, filmi me metrazh të shkurtër  “Mëngë Këmishe” ju çoi në Festivalin e Kanës, në kategorinë e filmit indipendent. Besoj se e keni ende gjurmën e atij impresioni, ç’ishte ky film?

“Mëngë këmishe” ka qenë pjesëmarrëse në Short film corner, një seksion tepër modest, ku unë shijova të qenit atje me një produkt timin dhe jo thjesht si vizitore. Teksa isha andej e vetmja gjë që i uroja vetes ishte të mund ta shkelja herën tjetër, me më shumë dinjitet dhe si pjesë e seksioneve të rëndësishme, te saj, si aktore apo regjisore pak rëndësi, ka. Për kaq më vlejti, për të besuar, se mund t’ia dalësh. Nëse fryn erë e mbarë e di të vozisësh mire, mund t’ia dalësh, dhe unë e di që mbase mund të jem me flokë të bardhë, deri atëherë, por do ja dal…Mëngë Këmishe, nga ana tjetër flet pikërisht për këtë, për “rilindjen” për “ringritjen” pas një stuhie, për “të dëgjuarit” e vetes, e zërit të brendshëm, dhe kjo metaforë e këmishës si një ogur i mirë vjen tani pas një viti dhe më konfirmon, që; Po, unë mund t’ia dal!

Por, vazhdon të jetë e vështirë për ju, të jetosh me aktrimin?

Po, e vështirë dhe grishëse, deri në dhimbje…

Radha për t’ju pyetur për projektet, të ardhmen…të merr kohë, punë, për ku është pretendimi juaj?

Dua t’ia lë diellit që do të lindë  nesër, uroj të vazhdojë të lindë për mua ai diell, kam ende nevojë për dritë…

Botuar së pari në revistën “Madame Mapo”

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sindroma e gjelit të detit dhe ringritja e të djathtës

Nga Gentian Gaba Përfytyrojeni veten në vendin e një gjeli deti, të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.