Blushi, Aliçkaj dhe Rama “takohen” në sallonin e librit

Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino, nga 10-14 maj Shqipëria prezantohet me tre autorë: Ben Blushin, Ylljet Aliçkaj dhe Edi Rama, kryeministrin e paraqet kritiku i njohur Vitorio Sgarbi, ndërsa Blushi shkon me statusin e fituesit të Çmimit Europian

Ben Blushi, një nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe do të jetë një ndër të ftuarit e veçantë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, që do të mbahet nga datat 10-14 maj. Lajmi bëhet i ditur nga Botimet Mapo, që lajmërojnë daljen në gjuhën italiane të romanit “Otello Arapi i Vlorës”.

“Ka vetëm pak ditë që botimet Mimesis në Itali kanë nxjerrë në librari botimin italisht të romanit “Otello Arapi i Vlorës” nën përkthimin e Elda Katorrit. Botimi i një romani përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe është një ngjarje për letrat shqipe, duke patur parasysh hapësirën që kultura dhe letërsia shqipe ka pasur në tregun e librit të vendit fqinj”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET Press/Mapo Edition.

Në promovimin e librit në gjuhën italiane, në ambientet e Sallonit Ndërkombëtar të Librit priten të marrin pjesë personalitete të njohura të kulturës e njerëz të librit. Prezantimi i librit do të bëhet më 12 maj, ora 10:30 në sallën Internacionale.

Ben Blushi do të prezantohet nga shkrimtarja shqiptare e cila ka botuar disa libra në gjuhën italiane nga Einaudi, Anilda Ibrahimi dhe do të përkthehet për të pranishmit nga Benko Gjata. Elda Katorri do të flasë për kohët e kaluara me përkthimin e këtij libri dhe atë çfarë proza e këtij autori përfaqëson. Në faqen e saj zyrtare “Mimesis” e veçon stilin narrativ, gjuhën e pasur dhe erudicionin e thellë të autorit, duke e konsideruar “Otellon” një nga veprat më të bukura të letërsisë shqipe.

“Otello, Arapi i Vlorës është një nga veprat më të mira të letërsisë shqipe pas viteve ‘90. Otello është një personazh që mishëron “tragjedinë” e kohërave moderne, shkruar me një stil që përfshin dhe lexuesin më të zakonshëm, drejt një leximi i cili lë shumë gjurmë. Ndryshe nga Arapi i Mauritanisë të cilit Shekspiri i dha jetë më 1604, në shekullin e XXI, Otello i Blushit ruan të njëjtat cilësi të ndershmërisë por me sfida të reja”, thotë Bardhyli.

Ben Blushi është një ndër autorët më të lexuar shqiptar, i cili botohet nga Mapo Edition dhe UET Press. Sipas Bardhylit, harta e gjuhëve ku letërsia e Blushit po përkthehet po rritet, e kjo vjen nga impakti që veprat e tij kanë lënë te kritika apo lexuesi.

Por, dy autorë të tjerë që shkojnë me agjendë krejtësisht personale, me botues italianë janë shkrimtari Ylljet Aliçkaj dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që pritet të prezantohet nga kritiku i njohur Vitorio Sgarbi.

Nga ana tjetër, autorët e mësipërm nuk janë në agjendën që ka publikuar Ministria e Kulturës, e cila në një njoftim për mediat sjell të tjerë emra që i dërgon ajo në Torino, dhe që lidhen drejtpërdrejt si përfitues të fondit mbështetës së krijimtarisë letrare të dhënë nga ministria. Me projektin e mbështetjes së krijimtarisë letrare, vitin e kaluar Ministria i dha përparësi mbështetjes së letërsisë së krijuesve të rinj. Përmes këtij fondi u mbështetën 5 autorë shqiptarë deri 35 vjeç.

Në vijim të kësaj nisme Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Rajonin e Pulias, me Fondacionin “Antonio Gramsci” dhe shtëpinë botuese “Salentobooks” në këtë rast organizuan prezantimin e pesë autorëve të rinj nga Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino.

Është e para herë që hartohet një program i posaçëm për autorët e rinj, me qëllim përkthimin dhe botimin e veprave më të mira në gjuhën italiane. Me logon “Histori shqiptare në Torino”, duke iu referuar përmbajtjes së veprave shqiptare, autorët janë: Saimir Muzhaka, përfitues i Fondit të Krijimtarisë Letrare me romanin “Qyteti plak”, Eris Rusi, me vëllimin me tregime “Ëndrra e fundit e natës”, Manjola Nasi me vëllimin me poezi “Një udhëtim e gjysmë”, Elona Çuliq me vëllimin me poezi “Rranjët e kangës” dhe Belfjore Qose me vëllimin me poezi “Aurat e natës”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Esmeralda Kadëna: Falë studimeve në UET, doktorante në Hungari

Në Universitetin Europian të Tiranës kaloi pesë vite të jetës dhe sot...
Read More