Blushi: Për 4-5 vjet kjo klasë politike do të shkrihet

Kryetari i LIBRA-s ishte i ftuar në Forumet UET, ku bashkëbisedoi me studentë e pedagogë për situatën politike parazgjedhore në vend

“Protesta është e Partisë Demokratike dhe unë i uroj dy gjëra: E para, të mos kalojnë në dhunë në ditët që vijnë dhe e dyta, i uroj sukses që të arrijnë të garantojnë standardet e domosdoshme zgjedhore”

Ashtu si në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, ku shkrimtari Ben Blushi bën disa parashikime për të ardhmen e botës dhe të Shqipërisë, me rritjen e ekstremizmit, apo polarizimin fetar në vend, edhe si politikan Blushi ka disa parashikime për të ardhmen politike. Sipas tij në 4-5 vitet e ardhshme kjo klasë politike që njohim sot nuk do të ekzistojë më. Arsyetimi i tij lidhet me dy kurba; atë të drejtësisë, që nis me vettingun dhe kurbën popullore, që lidhet me zhgënjimin në rritje të njerëzve ndaj politikës. Kur këto dy kurba do të bashkohen, atëherë sipas tij do të shkrihet kjo klasë politike, dy partitë e mëdha do të humbin elektorat dhe mund të jetë një lëvizje populiste që do të përfaqësojë të zhgënjyerit, që po bëhen shumicë.

Këto parashikime, një qëndrim për parlamentin e sotëm, të cilin ai e quan më injorantin e të gjitha kohërave, dhe çfarë ofron partia e tij LIBRA në këtë kontekst parazgjedhor, Blushi i bëri gjatë një bisede me studentë dhe pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës këtë javë.

Nën moderimin e pedagoges së komunikimit Belina Budini, ish-eksponenti i Partisë Socialiste, foli edhe për protestën e opozitës, të cilën e cilësoi protestë të Partisë Demokratike dhe iu përgjigj me “jo” ftesës për të qenë pjesë e saj.

Më tej, duke akuzuar ish-partinë e tij se ka futur deputetë me të shkuar kriminale në Kuvend, ai tha se qeveria vazhdon t’i mbrojë sërish ata dhe pse kanë dalë nga Kuvendi dhe se janë pikërisht këta njerëz që po mbledhin vota apo vendosin se çfarë bëhet me pushtetin në zonat e tyre.

Zoti Blushi, ju jeni kthyer në një kritik të fortë të sistemit aktual politik, të parlamentit, ku dhe vetë bëni pjesë. Cilat janë shqetësimet tuaja? A janë këto shqetësime shkaku kryesor pse ikët nga Partia Socialiste dhe si e morët këtë vendim kaq të rëndësishëm për karrierën tuaj politike?

Kjo është një karikaturë e parlamentit që duhet të kishim në fakt, për shkak se shumë njerëz të papërshtatshëm edhe për një emergjencë elektorale që partitë kanë pasur në vitin 2013, pra nevoja për të marrë pushtetin me çdo kusht dhe me çdo çmim, futën në listën e tyre njerëz që komuniteti e di që ishin problematikë dhe me rekorde kriminale, por në vitin 2013 për shkak të një emergjence, sytë u mbyllën dhe ata u futën në parlament duke u fshehur pas një sistemi zgjedhor, i cili të jep mundësinë të votosh për një parti pa e ditur kush është pas kësaj. Kështu ndodhi që më shumë se 10 apo 15 njerëz parlamentarë, që në fund të ditës është 10% e parlamentit sot, ose rezultuan që ishin njerëz që kishin trafikuar qenie njerëzore, ose kishin vrarë personalisht, ishin marrë me trafik droge dhe në proces e sipër u skualifikuan megjithëse me shumë rezistencë, rezistenca për fat të keq vazhdon t’i mbrojë, ka një tentativë reale nga ana e qeverisë për t’i mbrojtur këta njerëz. Por çështja është se kjo nuk mbaron këtu, ka shumë njerëz që dolën nga parlamenti për shkak të rekordeve kriminale që kishin, janë akoma njerëz të rëndësishëm në zonat ku ata kishin bërë fushatë, pra mund të jenë jashtë parlamentit, por ata po vendosin kush do jetë kush, kush do jetë prefekt, kush do i zëvendësojë, kush do jetë kryetar Bashkie, kush do futet në administratë, kush do jetë drejtor spitali, kush do jetë mësues, kush do jetë drejtor shkolle, fuqi të cilën ia jep sistemi, ose më saktë ata që i futën në parlament. Unë dyshoj se edhe për disa vite, ky proces dekriminalizimi nuk do shkojë dot deri në fund, ka njerëz që akoma po mbledhin votat për zgjedhjet e ardhshme për qeverinë, edhe ndoshta për forca të tjera politike, që do të thotë që fuqia e tyre administrative do të vazhdojë.

Është e vështirë që Shqipëria me këtë klimë konfliktuale politike që ka, me shumë kriminalizim për shkak të mbjelljes masive të kannabisit, çka është elementi më i fortë korruptues në shoqërinë tonë, ai korrupton shtetin, korrupton policinë, korrupton gjykatat, prokuroritë, është një mall de jure i jashtëligjshëm, por de facto i legalizuar dhe gjithë kjo potencë monetare e financiare e grupeve kriminale do të vazhdojë të korruptojë shoqërinë tonë deri në nivelet më të larta, nga parlamenti në nivelin gjyqësor dhe sigurisht në qeveri, dyshoj se do të shkëputemi dot nga ky fenomen, edhe për të paktën 5-6 vjet.

Si mund të përballemi me fenomenin? 

Ne jemi në betejë me këta njerëz. Një nga arsyet pse unë ika nga një parti që kisha gati 20 vjet, ishin dhe këta dhe në shumë raste kam pasur dhe konflikte personale me njerëz të tillë e për fat të keq partia ku unë isha mbrojti këta dhe më agresoi mua, sigurisht ky ishte raporti me moralin që lashë. Sigurisht ne nuk kemi ndërmend të trampolojmë në politikë njerëz me rekorde kriminale, besoj që kemi një filtër shumë të mirë brenda Librës, partisë së re që themeluam nga nëntori i vitit të kaluar.

Pyetja është jo vetëm përballja, por si do i mundni?

Unë kam përshtypjen se shoqëria ka nevojë që ne t’i mundim, pra ka nevojë sepse nuk mund t’i mundi dot vetë. Ju nuk mund të kërkoni që ne të kemi projekt mbi ligjin, ne do ta bëjmë një ligj vetëm për këta, ligji besoj do jetë i mjaftueshëm, kështu që mjafton vetëm të zbatohet. Ajo që do bëjmë është që do fusim në listat tona si deputetë njerëz të zakonshëm dhe jam i bindur që njerëz të zakonshëm mund të mundin njerëz të jashtëzakonshëm në këto zgjedhje. Kandidatët tanë do të jenë njerëz të zakonshëm nga komunitete, qofshin mësues, njerëz të papunë, infermierë, mjekë, juristë, inxhinierë, njerëz që nuk kanë rekorde kriminale. Vetëm një komunitet i fortë mund të mundi njerëz me rekorde kriminale dhe ky është projekti ynë.

A nuk ishte më e mundur brenda Partisë Socialiste për ta bërë këtë betejë se me një parti të re, duket si një projekt minimal, njerëzit do të kishin dashur t’ju shihnin atje, brenda numrave të mëdhenj pasi elektorati që kishit do t’ju mbështeste, si prisni ta bëni këtë si pjesë e Libra-s tashmë?

Unë s’e kam pasur përgjatë 3 viteve të fundit këtë dilemë, dhe besoj se kjo vjen si pasojë e të qenit me ndërgjegje. I kam mëshuar gjithmonë moralit përpara sasisë, po t’i mëshoja sasisë do të qëndroja aty ku isha, i kam mëshuar standardit moral dhe në këtë rast sasia edhe si dimension është i parëndësishëm.

Por ndoshta mund të kishit më shumë influencë dhe impakt për ta ndryshuar shoqërinë, pasi një Ben Blushi në një parti të madhe mund të bënte më tepër.

Ai është një standard i ulët për çdo shoqëri, e cila mendon se je i madh kur je pjesë e një gjëje të madhe. Ti mund të jesh i rëndësishëm sepse je i tillë nga gjërat që thua, bën apo mendon dhe dekori në të cilin je nuk të rrit përmasat e gjësë. Pra, një mace është prapë e vogël nëse e vë në një dekor stadiumi, një luan është prapë i madh nëse e vë si dekor në një mur shtëpie.

Kjo duket e bukur për figuracion dhe në letërsi, por besoj se në politikë funksionon ndryshe apo jo?

Absolutisht që duhet të funksionojë kështu dhe në politikë. Një gjë tek e cila besoj fort është që Shqipëria edhe për shkak të ngjarjeve të fundit, kam përshtypjen që po ndryshon ciklin. Ka 25 vite që ka pothuajse dy parti që po dominojnë jetën politike të Shqipërisë dhe sot ia vlen të pyesim kush është bilanci i tyre pas 25 vitesh. Bilanci që kemi nga qeverisja e të dy partive, ku te njëra kam qenë dhe unë pjesë është katastrofal. Kush mund të thotë që sot kemi më shumë liri, kemi universitete private që s’i kishim para 20 vitesh, kemi iniciativë të lirë, kemi makina që s’i kemi patur, kemi mundësi të vishemi si të duam se më para nuk na lejohej, mund të dalim jashtë shtetit dhe të përdorim pasaportat tona. Të gjitha këto është e vërtetë që janë avantazhe të sistemit, por bilanci 25-vjeçar është katastrofal. Njerëz si puna ime kur ishin 25 vjeç, nuk mund ta imagjinon dot që 25 vjet më vonë, kur fëmijët e tyre do të ishin sa isha unë në vitin ‘91, mbas 25 vitesh Shqipëria mund të ishte kaq keq. Në ’91 ne besonim se do të na duheshin 10 vite për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe kjo nuk ka ndodhur. Ne humbën një shans të madh në vitin 1997. Nga viti 2001-2005 mendonim se do ishim anëtarë të BE-së, akoma nuk jemi. Sot jemi më larg Evropës seç ishim. Shqipëria sot është vendi më i polarizuar në Evropë, vendi që ka më shumë të varfër për frymë, është vendi që skllavëron më shumë njerëz, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës njerëz që i përdor për të punuar nëpër ara, miniera, fabrika ose i lë pa punë e pa ushqim. Është vendi në të cilin 35% paguhen me më pak se 9 $ në ditë, është një vend në të cilin ne nuk do kemi mundësi të paguajmë faturën e prindërve tanë sepse popullsia po zhbalancohet. Po kemi gjithnjë e më shumë të vjetër që po jetojnë në Shqipëri apo pensionistë sepse mosha 18-25 vjeç po emigrojnë në masë. Është i vetmi vend i cili ka zbuar 1.4 milionë të popullsisë së tij në këto 25 vite. Pse i kemi zbuar këta njerëz ne? Sepse nuk ju japim punë, nuk ju japim drejtësi, s’ju garantojmë kushte minimale jetese. Nëse BE-ja i hap nesër dyert për Shqipërinë apo rajonin dhe thotë unë kam nevojë për punëtorë të rinj. Mund të hapi dyert me kuota për të marrë punëtorë nga Shqipëria apo Ballkani. E dini sa mund të zbrazet Shqipëria? Edhe me 10 apo 20 për qind të tjerë. Pyetja është ku shkon ky vend? 4 milionë banorë në vitin ’91, 2.7 milionë në vitin 2017, pra për 25 vjet. E pamundur! Kjo tregon se sa keq jemi qeverisur, ky është sistemi i bilancit të dy partive më të mëdha. Në këtë bilanc 25-vjeçar besoj se dy partitë e mëdha po vijnë duke u reduktuar dhe tranzicioni nuk mund të mbyllet me këtë formulë politike. Ky tranzicion po shkon kaq gjatë, pothuajse 30 vite, aq sa vazhdoi pak a shumë edhe regjimi komunist, për shkak të monopolit të dy partive që kanë këtë bilanc dhe e kanë kapur shtetin totalisht. Njëra vjen në pushet, kap gjyqësorin dhe prokurorinë, pastaj vjen tjetra dhe bën të njëjtën gjë dhe gjithçka është e kapur në Shqipëri. Ky duopol besoj se do të përmbyset bashkë me tranzicionin.

Ka një proces ku janë shumë përrenj që po çojnë ujë në mullirin ose në lumin e populizimit ose të antisistemit, ky është bërë një sport i kësaj dekade dhe zakonisht vjen kur ka krizë, a mos qasja juaj e problematikës së vendit është një ushqim i populizmit, çka mund të ndajë mendimin që është më i rrezikshëm se dekriminalizimi i politikës për sistemin, pasi pavarësisht se sistemi ka shumë probleme ose është i keq, antisistemi është edhe më i keq?

Nuk besoj se jam një populist, në disa raste më akuzojnë që jam një moralist, çka nuk e mendoj se e dëmton sistemin, është e sigurt që nuk jam pokulist dhe nuk po iu qasem në mënyrë populiste zgjedhësve apo sistemit në përgjithësi. Megjithatë ka për të ndodhur në Shqipëri. Për 4-5 vjet sigurisht do të ketë edhe lëvizje populiste. Ajo që po ndodh sot besoj është se monopoli i dy partive të vjetra që kanë qeverisur për 25 vjet po bie. Ato kanë gjithmonë dhe më pak mbështetje, do të kenë më pak vota të dyja bashkë në zgjedhjet e ardhshme, ka për të qenë një tregues, do të dëmtohen të dyja reciprokisht, kjo është e sigurt, edhe kriza që ka filluar sot është një krizë politike që ka për t’i nxjerrë të dyja më të plagosura seç janë dhe do të duken më të vjetra seç janë. Kjo do të çojë detyrimisht në një populizëm, në një projekt të ri politik për 4 ose 5 vjet, që mund të jetë edhe shumë populist nuk e përjashtoj, për shkak se shqiptarët janë të bindur sot, në masën 30-40% janë të bindur, që nuk do të votojnë asnjërën nga të dyja ose nuk do të votojnë asnjë parti të sistemit. Kjo shifër është me sondazh, me statistikë; pra, sot partia më e madhe në Shqipëri është një parti që është e papërfaqësuar. Është e sigurt se për 3-4 ose 5 vjet, nuk e di do të jetë LIBRA apo jo, nuk e them dot, mund të jetë dhe ndonjë tjetër që nuk ka lindur akoma, pra do të ketë një projekt politik që do të përfaqësojë kaq shumë njerëz. Nuk do të shpëtojmë dot nga populizmi, përkundrazi do të bëhet më populist seç jemi për shkak se do të kërkohet shërimi nga ky sistem. Është njësoj si të shkosh te doktori; në qoftë se ai do të thotë që ke temperaturë ose i ke mushkëritë e mbushura me ujë, dhimbje koke, padyshim që ti ke një sëmundje dhe kush janë sëmundjet tona? Janë varfëria, polarizimi, korrupsioni, nevoja për emigracion, papunësia e lartë te të rinjtë, të gjitha këto sëmundje, kjo situatë që po kthehen kronike çojnë në nevojën për një ilaç të ri. Kur nuk funksionon një ilaç do të ndryshosh ilaçin për të kuruar sëmundjen. Sistemi politik që në kemi sot në Shqipëri nuk e shëron dot dhe sigurisht që ka për të shkuar në një ndryshim radikal për 4-5 vjet. Cilat janë dy kurbat që puthen në kohë; njëra është në rruga e drejtësisë që mirë apo keq ka për të pasur një lloj efekti, ka për ta korrektuar, dhe kurba e dytë është kurba popullore- të dyja këto bashkë, kurba e drejtësisë dhe e presionit popullor, do të puqen në një projekt dhe ky projekt çfarë do të shkaktojë për disa vjet? Do të shkaktojë shkrirjen apo eliminimin e kësaj klase politike. Njerëz që dalin sot në televizor që flasin nga 2-3 orë, që bëjnë politikë nëpër studio për 5 vjet nuk do t’i shihni më. Kjo kurbë politike, ekonomike, presioni ndërkombëtar, një ndryshim që do të vijë nga SHBA dhe në Europë gradualisht, nevoja për të ndryshuar kushtet e sigurisë në Ballkan, ka për të ndryshuar totalisht këtë klasë politike.

Duke ruajtur staturën tuaj të një politikani të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar, cili mendoni se është problemi makro i sistemit tonë politik dhe në çfarë mënyre ju i qaseni zgjidhjes së tij? Sigurisht dekriminalizimi është gjithsesi një problem kalimtar, ose si të thuash periferik më shumë simptomë se sa shkak. Çfarë ka që nuk shkon sipas jush makro në sistemin tonë politik. Është përmasa, kultura politike, janë aktorët, është sistemi politik, është sistemi elektoral, dhe në çfarë mënyre do t’i qaseni ju?

Defekti më i madh i sistemit tonë politik është raporti me ligjin. Sistemi ynë politik është jashtë ligjit, ligji nuk ka asnjë efekt mbi sistemin tonë politik. Vidh vota bëhesh deputet, abuzo bëhesh ministër, vazhdo të abuzosh bëhesh kryeministër.

Është totalisht jashtë ligjit. Ditën që ligji do të veprojë sistemi ynë politik do të jetë shumë më stabël dhe shumë më i pranueshëm nga të gjithë, i drejtë dhe shumë i dobishëm, sot është totalisht i papranueshëm.

Raporti i parlamenti shqiptar me interesin publik ka ardhur duke u zvogëluar. Po të bësh një analizë me interesin publik, pra sa njerëz votojnë interesin publik dhe jo interesin privat, sot mund të jetë; në 10 vendime që marrin, një është për interesin publik dhe 9 janë për interesin privat, edhe ai është sipërfaqësor dhe nuk zbatohet.

Ka pasur një ftesë konkrete nga Aldo Bumçi që t’i bashkoheni protestës së opozitës, cila është përgjigja juaj?

Protesta është e Partisë Demokratike dhe unë i uroj dy gjëra: e para, të mos kalojnë në dhunë në ditët që vijnë dhe e dyta, i uroj sukses që të arrijnë të garantojnë standardet e domosdoshme zgjedhore. Nëse protesta, e theksoj e Partisë Demokratike, arrin të garantojë standarde më të mira zgjedhore, shumëkush prej nesh, përfshirë dhe mua, do të duhej ta falënderonim. Por ajo nuk është protesta ime dhe në çadrën e Sali Berishës nuk ka vend për mua.

Nëse pas zgjedhjeve të qershorit Partia Demokratike do të jetë në qeveri dhe ju do të jeni pjesë e parlamentit, jo domosdoshmërish e qeverisë, a do t’i bashkoni votat me Partinë Demokratike për të rrëzuar ligjin e ri të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor?

Për hir të së vërtetës unë nuk e kam votuar ligjin për arsimin e lartë, ky është një nga ligjet që unë nuk kam votuar në këtë 4-vjeçar. Shumë njerëz më pyesin çfarë nuk ke bërë, ja pra, nuk e kam votuar ligjin e arsimit të lartë, kam qenë kundër armëve kimike, nuk kam votuar ligjin e mbetjeve edhe të tjera. E kuptoj që ky debat gjithmonë varet si ta marrësh por unë prapë i mbetem asaj që thashë. Ne duhet të kemi qasje totalisht të ndryshme për arsimin. Si shoqëri, politikat tona arsimore janë të pamjaftueshme ose gjysmake, asnjëherë nuk shkojnë deri në fund. Fakti është që po nxjerrim nga shkollat tona produkt më të ulët se para shumë vitesh. Del nga universiteti privat apo publik, rëndësi ka produkti. Këto janë filtra, nuk ka rëndësi se çfarë filtri i vë ujit, rëndësi ka çfarë uji nxjerr nga çezma. Pra, në fund shoqërisë nuk i intereson nëse çezma jote është prej kristali apo bronzi, rëndësi ka çfarë uji nxjerr. Dhe ne duhet të shohim çfarë uji nxjerrim nga çezma e arsimit shqiptar. Uji që nxjerrim sot është i turbullt dhe i pamjaftueshëm. Besoj që shteti duhet t’iu japë mundësi studentëve të varfër të shkojnë në shkolla pa paguar shumë para ose aspak. E kuptoj që ka dhe bursa, por është shumë e vështirë për të marrë një bursë sot.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Majko for President

Viti 2017 do të jetë një vit tepër i rëndësishëm për politikën...
Read More