Bode: ‘Projekti 1 miliard’, marifet i qeverisë për përfitime politike


“Kjo është një lojë që nuk shkon, e denoncuar nga FMN dhe BB, pasi i kanë kërkuar qeverisë se çdo kontratë e tillë do të konsiderohet e deklarohet borxh publik në përputhje me Kodin e Paraktikave të Mira të FMN për buxhetimin e financave të një vendi”

Intervistoi: Luljeta Progni – Ish-ministri demokrat i Financave, Ridvan Bode analizon për gazetën Mapo, projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2018, ku evidenton se paketa fiskale e qeverisë godet konsumin, buxhetet familjare.

Ish-ministri Ridvan Bode, evidenton se përkundrejt dogmave të qeverisë Rama, lidhur me politikat fiskale, janë thelluar diferencat mes shtresave të shoqërisë dhe kategorive të bizneseve dhe janë goditur më të varfërit.

Zoti Bode! Sa mendoni se i adreson problematikat e ekonomisë dhe qytetarëve, projekti i propozuar nga qeveria për vitin 2018?

Projekt buxheti i prezantuar nga qeveria dhe që mori miratimin në parlament, për mendimin tim është një projekt fiskal, i cili manifeston maturi dhe kujdes për të pasur sa më pak telashe për vetë qeverinë dhe është larg së qëni një përpjekje serioze për të adresuar problematikën komplekse në fushën e ekonomisë dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Programimi në ulje, në krahasim me realizimet e pritshme të vitit në vijim, të të ardhurave buxhetore dhe i buxhetit në tërësi (shpenzimet) ndërkohë që vijon një rritje e lehtë e taksave, rritja e të ardhurave në buxhet nën nivelin rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) etj, dhe nga ana tjetër mungesa e mbështetjes së reformave të kërkuara (veç asaj në drejtësi) apo nevojave në rritje për mbështetje shoqërore, është dëshmi e këtij fakti.

Duket se qeveria nuk ndihet e motivuar apo e detyruar për t’u përfshirë në angazhime më të mëdha. Presioni politik apo vemendja e opinionit shoqëror duket se janë të dobëta dhe të pamjaftueshme për të detyruar qeverinë që të angazhohej seriozisht në detyrimet që ka para qytetarëve.

Vijon sërish rritja e taksave dhe zgjerimi i taksës progresive. Cilat do të jenë efektet e kësaj rritje?

E ashtuquajtura paketë fiskale e qeverisë, në tërësinë e saj rrit barrën e taksave me së paku një vlerë prej rreth 50 mln USD neto për vitin 2018. Nga momenti kur nga mazhoranca e majtë filloi të implementojë një politikë të re taksash rreth 5 vite të shkuara, efekti neto i taksave shtesë shkon në rreth 500 milion USD sipas përllogaritjeve të vetë qeverisë dhe ky efekt vetëm në vitin e parë të implementimit të taksave të vendosura (vitet pasardhëse kanë një rritje edhe më të madhe).

Duke qenë se rritja e taksave apo ndryshimet në strukturën e tyre janë përdorur nga qeveria vetëm për ti krijuar asaj mundësinë për të patur sa më shumë të ardhura në buxhet nga nevoja e mbulimit të shpenzimeve në rritje, kuptohet që impakti ekonomik e shoqëror i këtij sistemi taksash është shumë larg asaj që deklarohet, përkundrazi efektet tashmë janë vërtetuar tërësisht negative.

Dogma e ngushtimit të diferencave të të ardhurave përmes rritjes dhe progresivitetit të taksave, është tashmë evidente se ka prodhuar efekte të kundërta, diferencat janë thelluar mes shtresave të shoqërisë dhe kategorive të bizneseve. Ata që më së shumti nuk kapërxejnë dot “gardhin” e taksave të larta janë më të dobëtit, më të varfërit.

Paketa fiskale e qeverisë për 2018 gati tërësisht godet konsumin, buxhetet familjare, edhe pse vetë qeveria skenarin e saj të rritjes ekonomike për vitin që vjen e bazon në rritjen e konsumit familjar pasi investimet direkte në ekonomi priten në rënie (BB, FMN). Rritja me 2-3 herë e taksës së pronës, rritja e akcizave dhe tërheqja e biznesit të vogël nën skemën e TVSH-së në thelb godasin buxhetet e konsumatorëve familjarë, pra pakësimin e konsumit.

Kjo ndodh njëkohësisht me faktin që qeveria nuk programon rritje pagash, një rritje prej më pak se 1.5% të pensioneve dhe një pakësim të fondeve për mbështetje shoqërore.

Mendoni se projektbuxheti 2018 është nxitës për ekonominë, ndihmon zhvillimine biznesit, rrit punësimin apo vijon shpërndarja rutinore e fondeve sipas sektorëve?

Mendoj se momenti në ambientin ekonomik rajonal dhe eurozonë duket pozitiv për vitin në vijim, me një rritje ekonomike evidente, më të madhen në 10 vitet e fundit dhe pritshmëritë në vijim projektohen optimiste. Pritej që dhe qeveria jonë të jepte sinjalet e përfshirjes në përpjekjet për të përfituar sa më shpejt dhe më mirë nga kjo konjukturë e favorshme edhe ekonomia jonë. Në fakt një gjë e tillë mungon tërësisht dhe kjo është zhgënjyese.

Qeveria në vend të kulaçit u tregoi përsëri kërbaçin qytetarëve dhe biznesit. Disponibilitet e financiare ekzistojnë në banka por kredia për ekonominë vijon të ndrydhet, pasi biznesi heziton të investojë dhe bankat po ashtu pasi janë të pasigrta për klimën investuese dhe suksesin e sipërmarrjeve në vend. Përmirësimi i klimës së biznesit, krijimi i më shumë optimizmi dhe investimi i vetë qeverisë krahas aktorëve ekonomikë për të nxitur një frymë entuziaste për tregun, janë jetike për të mundësuar ringritjen e ekonomisë.

E përsëris, vetë qeveria duhet të jetë aktive në nxitjen e kësaj shprese jo me sllogane propagandistike, por me programe që projektohen në buxhet dhe adresojnë prioritet e njohura të ekonomisë. Buxheti kalon thuajse në harresë këto çështje.

Ka një sinjal pozitiv me incentivat që propozon për turizmin elitar, shumë i domosdoshëm për zhvillimin perspektiv të sektorit (edhe pse i limituar në një numër të vogël investitorësh), por harron tërësisht sektorin e bujqësisë dhe fshatit, për të cilët jo vetëm nuk do ketë projekte e programe për mbështetje të fermave e buxheteve familjare, por i janë pakësuar edhe fondet në krahasim me një vit më parë sa i takon infrastrukturës bujqësore e asaj rurale. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Si e vlerësoni projektin 1 miliard euro investime? Sipas jush është një shmangie e garës, borxh që do ta paguajnë qytetarët me interes të lartë apo mënyra e vetme edhe pse me risk për të pasur investime të konsiderueshme?

Qeveria e ka deklaruar këtë gjë si një projekt të sajin në fushën e partneritetit publik me privatët. Koncensionimi apo partneriteti me privatin sigurisht që është i dobishëm, por absolutizimi i këtij instrumenti, aq më tepër kur implikojnë detyrime të konsiderueshme e afatgjatë buxhetore, mendoj se është i tepëruar.

Kam bindjen se ky program i qeverisë është thjesht një marifet për të zgjatura duart në xhepin e bizneseve e bankave, para që smund ti marrin dot për shkak se qeveria është ndërkaq me borxhe të mëdha, dhe të duken para qytetarëve se po bëjnë investime dhe spo marrin borxhe të reja.

Kjo është një lojë që nuk shkon, e denoncuar nga FMN dhe BB si një marifet qeveritar për përfitime politike, pasi i kanë kërkuar qeverisë se çdo kontratë e tillë do të konsiderihetr e deklarohet borxh publik në përputhje me Kodin e Paraktikave të Mira të FMN për buxhetimin e financave të një vendi.

Po ashtu jam dakord me ju se kjo praktikë do të akselerojë koston e investimeve publike të përfshira dhe qytetarët do të paguajnë një cmim më të lartë për këto vepra dhe që lidhet me dy aspekte: e para se gara nuk do të përqëndrohet tek konkurenca për çmim më të ulët dhe cilësi më të mirë të veprës (rrugës, shkollës), por tek sigurimi i burimeve për financimin e veprës,: e dyta sepse në çdo rrethanë çmimi i parasë, interesi bankar, është shumë më i lartë për një kompani private se sa për buxhetin e shtetit.

Prandaj mendoj se qeveria me projektin e saj 1 miliard euro nuk do të duket dot më e bukur se ç”është, hunda e madhe e borxhit do ti rritet dhe do të rritë kostot e objekteve publike për taksapaguesit.

A ka diçka pozitive ky buxhet?

Sikurse e thashë, projekti i buxhetit 2018 nuk duket të ketë risqe që vijnë nga programime optimiste. Të ardhurat janë programuar të riten rreth 5.8% në krahasim me realizimin e vitit në vijim, ndërkohë që rritja e PBB në terma nominalë programohet rreth 6%. Çdo përmirësim në administrim apo efektet e rritjes së taksave do të jenë një rip sigurie shtesë në të ardhurat e buxhetit.

Edhe deficiti vjetor është programuar sa 2% e PBB ndërkohë që rritja ekonomike është programuar dy herë më e madhe. Kjo ndihmon në një ulje të lehtë të mundshme të nivelit të borxhit publik në krahasim me nivelin e lartë të tij prej 72% e PBB që pritet në fund të këtij viti.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Aktori turk qëllohet me 4 plumba nga e dashura, modelja më pas vret veten

  Stambolli është tronditur mbrëmjen e djeshme nga një ngjarje e rëndë....
Read More