Bojkot apo jo? Pikëpyetja mbi zgjedhjet e 18 qershorit

Opozita i bëri me dije KQZ-së se nuk do regjistrohej për zgjedhje derisa kushti i saj për qeveri teknike të ishte plotësuar. Kjo i vë zgjedhjet në dyshim, megjithëse opozita pretendon se bojkot nuk do të ketë.

Nga Vladimir Karaj

Opozita po kërcënon me bojkot, ndërsa premton se bojkot nuk do të ketë. Ndërsa Partia Agrare Ambientaliste dhe ajo Republikane, tërhoqën regjistrimin nga KQZ, e gjithë opozita i nisi komisionit dje një letër ku i shpallte se nuk do hynte në zgjedhje pa një qeveri teknike. Kjo në teori, duke mos parashikuar dot se çfarë pritet të ndodhë, i vendos zgjedhjet në pikëpyetje. Nga ana tjetër, kreu i PD që edhe udhëheq këtë nismë sulmoi ashpër ata që e quanin këtë bojkot: “Kush iu fryn borive të bojkotit, gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga paratë e korrupsionit”, -tha Lulzim Basha. Nga shumica ndërkohë reagimet janë fragmentare. Deputetë të PS kanë sulmuar ashpër PD për këtë vendim, por vetë Rama nuk ka reaguar. Ndërkohë kreu tjetër i koalicionit qeverisës Ilir Meta ruajti sërish një ton asnjanës, duke ngulmuar se opozita nuk mund të bënte ultimatume, por njëkohësisht duke mos marrë qëndrim ndaj tyre dhe duke folur për koalicion. Ministri i Drejtësisë nga LSI po ashtu vijoi debatin në distancë e me letra me kreun e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit mbi vetingun, duke mbajtur gjallë hamendësimet se qeveria vepron me dy linja të ndryshme. Në të njëjtën kohë kryeministri Edi Rama mori “komplimente” për reformat në Gjermani nga ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel, që përsëriti inkurajimin për anëtarësimin në BE.

Koklavitja e situatës deri në grotesk duket se e ka futur vendin në një krizë politike, të cilës nuk i shihen zgjidhjet. Tensioni nuk pritet të bjerë ndërsa në tavolinë pritet të shtrohen probleme të reja që ende nuk janë në sipërfaqe, përfshi emrin për presidentin e ri.

Njoftimi i bojkotit që nuk është bojkot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar zyrtarisht dje se asnjë prej partive të opozitës nuk do të regjistrohet në zgjedhje, deri në arritjen e marrëveshjes politike që siguron zgjedhje të lira e të ndershme. “Partitë e koalicionit opozitar kanë zyrtarizuar sot vendimin se nuk do të lejojnë në Shqipëri zgjedhje fasadë, zgjedhje të kapura nga krimi dhe paratë e drogës. Me një kërkesë zyrtare dërguar KQZ-së, partitë e koalicionit opozitar kanë vënë në dijeni se nuk do të paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore, dhe as si koalicion zgjedhor, deri në arritjen e marrëveshjes politike që siguron zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të sigurojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, -thuhet në njoftimin e lëshuar nga Partia Demokratike. Bashkangjitur PD shpërndau edhe vetë mesazhin e firmosur nga një listë partish.

Në letër shkruhet se “duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shkak të kërcënimit serioz dhe real të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare”, partitë e opozitës kanë vendosur “të mos paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ, dhe rrjedhimisht as si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, deri në momentin e arritjes së një marrëveshjeje politike që siguron realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të votojnë të lirë”.

Megjithëse e gjithë kjo lexohet si kërcënim për të bojkotuar procesin, Basha nuk e quan bojkot këtë akt. “Asnjë tërheqje nuk ka e nuk mund të ketë sepse çdo tërheqje do të ishte tradhti. Dhe zgjidhja është një: Qeveri teknike, largimi i Edi Ramës dhe kabinetit të turpit, kabinetit të krimit, kabinetit të drogës”, -tha Basha. Nga ana tjetër, ai është i qartë se po shpërndan ultimatum. “Sot, dorëzojmë në KQZ ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk do të ketë bojkot, por zgjedhje të lira e të ndershme dhe republikë të re”, -tha Basha, i cili me siguri ka llogaritur edhe faktin që palët mund të mos i përgjigjen ultimatumit. Shpresa e PD te LSI duket se sidoqoftë e mban këtë të fundit brenda mundësive për të arritur kërkesat.

LSI, ende pa qëndrim të qartë

Në editorialin e radhës, Mero Baze nga “Tema” pasi sulmon ashpër opozitën për kërkesat e saj, shkruan se në fakt është LSI ajo që duhet të qartësojë pozicionin. “LSI nga ana e vet, duhet po ashtu t’iu përgjigjet zyrtarisht thirrjeve që vijnë nga opozita për t’iu bashkuar asaj. Mund t’u thotë “Po”, ose “Jo”, pa asnjë kompleks….. Çdo vendim i saj është e drejta e saj. E padrejtë është mungesa e qëndrimit të saj dhe marrja e një roli që nuk ia ka dhënë askush, për të qenë si “pajtuese gjaqesh””, shkruan Baze. Shkrimi i tij duket se vjen pas një përgjigje ambige që Ilir Meta dha në Ora News pasditen e djeshme. “Ka ardhur koha që Shqipëria ta pastrojë një herë e mirë temën e zgjedhjeve me probleme. Kjo kërkon një dialog politik proaktiv, larg ultimatumeve, të cilat nuk e ndihmojnë dialogun dhe nuk ndihmojnë krijimin e një klime mirëkuptuese dhe zgjidhëse të problemeve. Dhe shpresoj që opozita të jetë më aktive gjithashtu për zhvillimin e këtij dialogu dhe jo ta ndërpresë atë në mënyrë të njëanshme dhe jo shumë të dobishme do të thosha”, -tha Ilir Meta. E ndërsa duket se ai nuk është dakord me opozitën në ultimatum, Meta nuk shprehet konkretisht se është kundër një qeverie teknike. Kjo nxitet më fort të mendosh që me gjithë mohimet e herëpashershme aleatët e mëdhenj në shumicë nuk janë në paqe. Edhe pse “katastrofat” e parashikuara për koalicionin sa herë që publikisht tonet janë rritur nuk janë materializuar, plagët e këtyre përplasjeve janë të gjalla. Jo rrallëherë opozita mund të përdorë gjuhën e ministrave të LSI kundër atyre të PS. Ndërsa dy palët vijojnë të paktën publikisht të mos jenë në sintoni sa i përket Reformës në Drejtësi. LSI po ashtu nuk duket në të njëjtin ton me PS sa iu përket kushteve për hapjen e negociatave dhe as përdor të njëjtën gjuhë kundër PD-së në këtë fushë. Socialistët ndërkohë vijojnë t’i mëshojnë, qoftë përmes Edi Ramës, qoftë përmes zërave të tjerë, faktit se protesta është kundër Reformës në Drejtësi. “BE po e thotë çdo ditë troç se hapi i ardhshëm i Shqipërisë – hapja e negociatave – varet nga zbatimi i reformës së sistemit të drejtësisë, në veçanti zbatimi i procesit të vettingut. Është koha që të hiqet dorë nga loja me lufta nga çadra e t’i hapet rruga jetësimit të një reforme thelbësore për demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, shkroi dje ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, pas takimit të Këshillit të BE.

Ndërkohë analistët shohin situatën me ngjyra pesimizmi. Zëri i Amerikës intervistoi Lutfi Dervishin dhe Afrim Krasniqin dje rreth situatës. “Vendet demokratike shkojnë në zgjedhje për të zgjidhur krizat politike, ndërsa në Shqipëri, vetë zgjedhjet janë shkaku i krizës politike”, -tha Lutfi Dervishi. Afrim Karasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, ishte sipas VOA më optimist kur thotë se ende ka shumë hapësira për dialog dhe mirëkuptim dhe se të njëjtën skemë me kuazi bojkot kishte bërë edhe PS para zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Ndërkohë Andi Bushati nga Lapsi.al shkruan se Basha duhet t’i shkojë në fund procesit dhe të mos futet në zgjedhje, për të delegjitimuar qeverinë. “Ai ka në dorë armën dhe mundësinë për ta përdorur atë. Prandaj nëse shumëkush mendon se ai është në impasin më të madh të karrierës së vet, gabohet. Ai sot ka mundësinë të bëjë aktin e vet madhor politik”, shkruan Bushati në një tekst që i sugjeron Bashës bojkotin e zgjedhjeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Tre aktorët

  Moisu, Antoniu dhe Eleni Qirici që i dhanë zë kinematografisë shqiptare...
Read More