Bota akademike humbi Kolec Topallin, emblemë e shqipes

Bota akademike ka humbur dje një prej studiuesve emblemë të shkencave gjuhësore, nga më të rëndësishmit të pas viteve ’90. Pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë nga jeta, në moshën 80-vjeçare prof. dr. Kolec Topalli. Topalli është vlerësuar së fundmi me çmimin e Akademisë së Shkencave për botimin e tij shkencor “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”.

Bota akademike ka humbur dje një prej studiuesve emblemë të shkencave gjuhësore, nga më të rëndësishmit të pas viteve ’90. Pas një sëmundjeje të rëndë, është ndarë nga jeta, në moshën 80-vjeçare prof. dr. Kolec Topalli. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, studiues i gjuhës në Institutin e Gjuhës e Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare, Topalli është vlerësuar së fundmi me çmimin e Akademisë së Shkencave për botimin e tij shkencor “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”. Ndërsa homazhet në nderim të personalitetit të akademik Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 Maj 2018, nga ora 10.00-11.00, njoftohet se ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës.

“Akademia e Studimeve Albanologjike i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit akademik, miqve dhe kolegëve brenda dhe jashtë vendit. Akademik Kolec Topalli – një veprimtari e jashtëzakonshme në studimet mbi historinë e gjuhës shqipe”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave për mediat. Ndërsa Biblioteka kombëtare ka koleksionuar veprat e tij studimore dhe shkencore, duke vënë në dispozicion dhe një biografi të jetës e veprimtarisë së akademik Topallit. Akademiku, gjuhëtari dhe studiuesi Kolec Topalli, me një kontribut të jashtëzakonshëm shkencor në fushën e studimeve mbi historinë e gjuhës shqipe, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare. Ai është autor i shumë veprave të rëndësishme studimore mbi gjuhën shqipe, monografi, përmbledhje studimesh dhe vepra kolektive. Ndër to përmendim vepra thelbësore si “Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996); “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”(1998); “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “Sonantet e gjuhës shqipe” (2001); “Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002); “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003); “Dukuritë fonetike të sistemin bashkëtingëllor të gjuhës shqipe” (2004); “Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe” (2005); “Ricerche sulla storia dell’accento in Albanese” (2007); “Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008); “Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009); “Nyjat e shqipes” (2009); “Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe” (2011) si dhe botimi i tij më i fundit “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” botuar në vitin 2017. Akademiku Topalli gjithashtu ka qenë edhe redaktor dhe recensues i një sërë veprash të rëndësishme studimore si “Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe” i Benedikt Demës; “Vepra të zgjedhura” të Selman Rizës; “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit, aktet e konferencës shkencore, Durrës, 15-17 dhjetor 2010”; “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe” i studiueses Anila Omari; “Fonetikë akustike: analizë e sistemit fonologjik” i Aljula Jubanit; “Komisia letrare shqipe në Shkodër (1916-1918) dhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899), Shoqëria “Agimi” (1901)” dhe “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër: (1916-1918):100 vjet të rrugëtimit të saj” të autorit Tomor Osmani etj. Kolec Topalli punën shkencore e ka nisur në fillim të viteve ’70, duke u përqendruar në fushën e historisë së gjuhës shqipe, si dhe ishte njohës shumë i mirë i frëngjishtes, anglishtes, gjermanishtes, italishtes. Ka dhënë leksione dhe ka mbajtur konferenca shkencore për historinë e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si edhe në disa universitete e qendra shkencore jashtë vendit (Kozencë, Romë, Leçe, Palermo, Bari, Napoli, Mynhen, San-Peterburg, Detroit, Bukuresht, Zagreb, Glaskoë, Krakov, Riga etj.). Ka botuar artikuj shkencorë në disa revista të huaja (Gjermani, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Kroaci etj.); ka referuar në shumë simpoziume e seminare ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksive të disa revistave. Për 15 vjet radhazi (1994-2009) ka dhënë leksionet e Fonetikës historike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Për kontributin e tij në fushën e arsimit, në vitin 1993 është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe për meritat në fushën e shkencës, në vitin 1994 ka marrë titullin shkencor “Drejtues kërkimesh” (“Profesor”). Është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave në korrik të vitit 2008; rektor i shkollës së lartë “Gjon Buzuku” Shkodër në vitin 2010; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2012. Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”. Më 2011 ka botuar veprën “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” dhe është shpallur fitues i çmimit të Akademisë Kult 2012 për librin studimor më të mirë të vitit. “Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si një homazh kushtuar akademikut dhe gjuhëtarit Kolec Topalli, çeli një ekspozitë përkujtimore me veprat dhe studimet e tij, si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të tij të jashtëzakonshëm shkencor”.

Por, dje kanë shprehur ngushëllimet e tyre edhe shkrimtarë, gjuhëtarë e kolegë të akademikut Kolec Topalli. “Nderim për Akademikun e njohur Kolec Topalli. Gjuhëtar -shkencëtar, studiues i zellshëm e skrupuloz, mësues dhe profesor, lektor universitetesh, autor i botimeve gjuhësore akademike e i Fjalorit Etimologjik të Shqipes etj. Njeri dinjitoz, fisnik i përzemërt, vinte nga vuajtja dhe heshtja dhe, pas viteve ‘90, arriti të bëhet personalitet i njohur i kulturës dhe shkencës shqiptare, me një vepër të çmuar. Kryetar yni në Keshillin e Botimeve në ISKK, i urtë dhe vendimtar. Sot, që mori rrugën e amëshimit, pedagogut tim dhe mikut tonë, z. Kolec Topalli, si një kurorë me lule, këto fjalë zemre nga larg”, ka shkruar shkrimtari Visar Zhiti

Ndërsa shkrimtari Lazër Stani shkruan: “Me hidhërim të thellë mesova lajmin se është ndarë nga jeta Akademik Kolec Topalli, një personalitet i shquar i shkencave albanologjike dhe një njeri i drejtë, human, idealist, një nga fisnikët e rrallë që më kujtonte me gjithçka shkodranët e fisëm e të shquar të kohëve të shkuara. Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve. Lamtumirë mik i çmuar. I lehtë të qoftë dheu i kësaj toke që aq shumë e deshe!”.

Për veprën e tij, që do të mbetet nga më të rëndësishmet në fondin e shqipe, pra, fjalori etimologjik për punën mbi të, vetë Topalli është shprehur pak kohë më parë për TemaTV, se “botimi i “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe” është kurorëzim i punës sime 45-vjeçare në fushën e albanologjisë. Kjo vepër me afro 2000 faqe, në fushën më të vështirë të gjuhësisë, vjen natyrshëm pas botimit të 14 monografive për historinë e gjuhës shqipe, për fonetikën dhe gramatikën historike, në të cilat kam trajtuar edhe etimologjinë e shumë fjalëve, duke dhënë mendime të reja për shumë prej tyre. Për hapësirën studimore gjuhësore shqiptare botimi i këtij fjalori ka një kuptim të veçantë, sepse gjuhës shqipe i ka munguar një fjalor i tillë, ashtu siç e kanë të gjitha gjuhët indoeuropiane, të reja e të vjetra. Kjo lidhet kryesisht me vështirësitë e kësaj pune, me çka shpjegohet që ata të paktë fjalorë të tillë që janë botuar për gjuhën shqipe deri më sot janë hartuar nga të huajt”. Në këtë intervistë, Topalli ka kujtuar fillimet e vështira të punës së tij shkencore për shkak se familja e tij ka qenë e persekutuar prej diktaturës komuniste, nga profesioni i të atit si tregtar, dhe arratisjes së vëllait të tij, të madh. “Për këto arsye babai dhe një vëlla kanë kaluar disa vite në burg dhe krejt familja është internuar. Unë kam qenë në moshën 10 vjeçare kur jam internuar në Berat, Tepelenë e Porto-Palermo. I liruar si i mitur pas një viti, mbarova shkollën e mesme pedagogjike dhe u emërova mësues. Për 36 vjet kam punuar në fshatrat e rretheve Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë dhe punën shkencore në albanologji e kam nisur vetëm në fillim të viteve ’70, kur iu afrova Tiranës pas transferimit tim nga Gramshi në rrethin e Krujës”. Senati Akademik i Qendrës së Studimeve Albanologjike i ka dhënë prof. dr. Kolec Topallit titullin “Profesor Nderi i Studimeve Shqiptare”. Presidenti i Republikës e ka nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. “Me vdekjen e tij Akademia e Shkencave humbi një shkencëtar me veprimtari të gjatë dhe cilësore, një prej drejtuesve që kanë lënë gjurmë progresi në institucionet ku kanë punuar, një koleg e mik të nderuar; bota shkencore humbi një dijetar me përvojë dhe një njeri të suksesit shkencor; familja dhe të afërmit njeriun e dashur”, shpreh ngushëllimet në një njoftim për mediat, edhe Akademia e Studimeve Albanologjike.

 

Autori

Në fushën e fonetikës historike ka botuar:

“Theksi në gjuhën shqipe” (1995),

“Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996),

“Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998),

“Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000),

“Sonantet e gjuhës shqipe” (2001),

“Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002),

“Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003),

“Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe” (2004),

“Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2005), (nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”), “Ricerche sulla storia dell’accento in albanese” (“Kërkime mbi historinë e theksit në shqipe”), (Kozencë, 2007).

Në fushën e gramatikës historike ka botuar monografitë:

“Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008),

“Nyjat e shqipes” (2009),” Sistemi rasor i emrave të shqipes” (2009),

“Sistemi foljor i gjuhës shqipe” (2010),

“Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011), (nderuar me çmimin e revistës “Kult” 2012, si vepra shkencore më e mirë e vitit), “Fjalori Etimologjik i Gjuhës shqipe” (2017) (fitues i Çmimit “Çabej”, Edicioni II, si vepra më e mirë shkencore e vitit 2017 në fushën albanologjike).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

2017 statike vs. një 2018 dinamike?

Nga Arjan Çuri Viti që lamë pas, u karakterizua nga një gjendje...
Read More