Botim i UET-Press/ Si vendosën Kohl dhe Schröder të bombardonin Serbinë

Pjesë nga libri “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime”, me autor Bashkim Zenelin

“Më datën 9 tetor, pra menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, z. Schröder ftohet në SHBA nga Presidenti amerikan Bill Klinton. Ai do të shoqërohej nga Joshka Fisher, nga Günther Verheugen dhe nga bashkëpunëtori i afërt i zotit Schröder, Uwe Karsten Heye.

Nga shtypi u bë e njohur se takimi me Presidentin amerikan Klinton kishte qenë shumë i mirë dhe Kancelari i sapozgjedhur Schröder kishte mbetur shumë i inkurajuar.

Ministri i Jashtëm Fisher, në vitin 2007 do të botonte një libër me kujtime “Die Rot-Grünen Jahre, Deutsche ausenpolitik von Kosovo bis zum 11 september” (Vitet kuq-gjelbër, politika e jashtme gjermane nga Kosova deri te 11 shtatori). Është publikuar nga shtëpia botuese Kiepenheuer und Witsch. Është një libër i mrekullueshëm.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, Fisher tregon në libër, se si nisën qëndrimet shumë aktive për Kosovën. Duke folur për takimin me Presidentin Klinton, Fisher shkruan: “Rezultati politik i këtij takimi ishte shumë i kënaqshëm. Dukej që Klinton dhe këshilltarët e tij ishin pajtuar me argumentin e Schröderit se Gjermania tani për tani nuk mund të vendoste (për trupat në dispozicion të NATO-s) për shkak të tranzicionit mes qeverisë së re dhe asaj të vjetër. Kështu së paku fituam kohë.”

Më tej, në kujtimet e tij për çështjen e Kosovës, Fisher tregon se Verheugen i kishte telefonuar që në orët e para të mëngjesit, më 12 tetor, dhe e kishte vënë në dijeni se Marrëveshja midis Klintonit dhe Schröderit nuk kishte më asnjë vlerë. Kështu ishte transmetuar nga Shtëpia e Bardhë në orët e vona të natës.

Por çfarë kishte ndodhur? Riçard Hollbruk, negociatori i SHBA-së, ishte takuar disa herë si përfaqësues i Presidentit Klinton me Presidentin Milosheviç. Kësaj radhe Hollbruk kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë se Milosheviçi i kishte deklaruar se Gjermania nuk do të përfshihej në forcat e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe po kështu, shembullin e saj do ta ndiqnin edhe vende të tjera anëtare të NATO-s. Sigurisht, si mjeshtër i demagogjisë dhe i mashtrimit, Milosheviçi kërkonte të linte përshtypjen se NATO ishte e përçarë në këtë drejtim. Dhe Hollbruk kishte kërkuar të ishte i sigurt për çdo qëndrim të aleatëve.

Në këto rrethana, Fisher takohet menjëherë me z. Schröder, që gjithashtu ishte vënë në dijeni. Kancelari i ardhshëm i kërkon takim Kancelarit Kohl për të biseduar për këtë çështje dhe, të dy palët, përfaqësues të qeverisë së vjetër dhe të qeverisë së re, mblidhen në zyrën e Helmut Kohlit. Z. Schröder vë në dijeni bashkëbiseduesit për kërkesën e qartë të Presidentit amerikan Klinton. Kancelari Kohl bie plotësisht dakord. Ministri i mbrojtjes në detyrë, Volker Ruhe do të deklaronte se “tani Beogradi duhet kërcënuar në mënyrë të besueshme e më pas duhej vepruar”. Një mirëkuptim i plotë midis “dy palëve”!

Po atë ditë Kancelari Kohl mbledh kabinetin qeveritar dhe mori vendimet përkatëse në kuadër të ACTORD. Në këtë takim të përbashkët Kancelari Kohl propozoi që të mos humbej as edhe një ditë kohë dhe ky vendim i qeverisë t’i kalonte për miratim Bundestagut të vjetër, pa pritur konstatimin e atij të riut. Kështu u vendos që seanca plenare e Bundestagut të thirrej menjëherë.

Menjëherë Gerhard Schröder dhe Joshka Fisher mblodhën grupet e tyre parlamentare dhe i vunë në dijeni për këtë vendim. Fisher nuk e pati të lehtë të përballej në grupin e tij me qëndrime se “këto janë jashtë programit të Partisë” etj. Por ishte shumë e rëndësishme se pavarësisht zërave kundër, ishin CDU dhe SPD që kishin një shumicë absolute dhe Bundestagu do të miratonte vendimin e qeverisë.

Për Kancelarin Kohl ky do të ishte shërbimi i madh, i fundit, që do t’i bënte çështjes së Kosovës dhe për Kancelarin e ardhshëm Schröder ky do të ishte një fillim i mbarë dhe me qëndrime të qarta, po për çështjen e Kosovës, si vazhdimësi.

Më 16 tetor, së bashku me Sokol Bushatin shkuam në Bundestag dhe ndoqëm deri në fund seancën për Kosovën. Me deputetë të ndryshëm që bisedonim gjatë pushimeve për një kafe, dukej qartë mbështetja për çështjen e Kosovës. Të gjithë flisnin se me këtë vendim që do të merrej, Milosheviçit do t’i jepej një mësim i merituar. Më pyesnin se sa është numri i të dëbuarve nga Kosova, si po përballohen vështirësitë, etj. Punimet e kësaj seance u zhvilluan në një sallë të vogël, pasi në sallën plenare po bëheshin përgatitjet e fundit për çeljen e Bundestagut të ri.

Ata deputetë që ishin më pranë politikës së jashtme, vlerësonin shumë faktin që Shqipëria kishte vënë në dispozicion të NATO-s hapësirën ajrore dhe detare. Ministri Ruhe i kishte telefonuar pak ditë më parë Ministrit Hajdaraga dhe e kishte falënderuar.

Në Bundestag, në fillim foli Ministri i Jashtëm Kinkel e më pas Ministri i Mbrojtjes Ruhe: “Ne nuk duhet të lejojmë Milosheviçin të djegë Ballkanin… Ai nuk po nxjerr mësime, por ne duhet t’ia bëjmë të qartë atij… Dhe nëse nuk ndryshon, nëse nuk tërhiqet nga kursi i tij kriminal, ne, të përfshirë në kuadër të aleancës sonë, NATO-s, do të përdorim forcën ushtarake… Sigurisht do të dëshironim, ashtu si shumë nga ju në sallë, një mandat të KS të OKB-së për këtë… Kjo do të ishte mënyra më e mirë. Por ne mund të veprojmë edhe pa një mandat të tillë”.

Sokoli mbante shënim, ndonëse fjalimet mund t’i merrnim menjëherë në sekretari.

Me shumë interes u prit diskutimi i Kancelarit të ardhshëm Gerhard Schröder. Foli shumë hapur dhe u ndoq me vëmendje të madhe nga të gjithë. Dhe kjo ishte e natyrshme. Z. Schröder në esencë tha: “Në qoftë se ka një borxh historik të gjermanëve në këtë rajon, atëherë ky mund të shlyhej edhe nëpërmjet ndalimit të krimeve të mëtejshme.”

Ai u ndal shkurtimisht se çfarë kishte biseduar në Uashington me Presidentin Klinton dhe tha se ne nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që Milosheviçi të vazhdojë qëndrimin e tij duke folur për mungesë gatishmërie të Gjermanisë… Ne nuk mund të pranojmë të akuzohemi nga partnerët tanë për dështim të negociatave me Beogradin, ngaqë Milosheviçi shpërndan mesazhe të tilla të pavërteta… Ne duhet të marrim këtë vendim të guximshëm… Ky do të ishte një vendim historik.

Fjala e z. Schröder u duartrokit gjatë.

Dola nga holli i caktuar për diplomatët për të pirë një kafe. I telefonova Kryeministrit Majko dhe e vura në dijeni. I thashë se do t’i telefonoj edhe z. Milo por më tha nuk e ke këtu, është në Norvegji. Ajo që po vendoste sot Bundestagu ishte i një rëndësie historike, të jashtëzakonshme, që nga viti 1949. Ai e bënte për angazhimet e veta komunitare në kuadër të NATO-s, por unë doja të besoja se e bënte thjesht dhe vetëm për Kosovën, për lirinë e saj, për popullin shqiptar të Kosovës. Në një fare mënyre, po!

Më tej në seancë foli Joshka Fisher. Ai u tregua shumë më i avancuar nga sa pritej, siç mendohej si drejtues i të Gjelbërve.

“Ne duhet t’i tregojmë vendin Milosheviçit” dhe se “duhet ta konsiderojmë atë plotësisht përgjegjës për situatën”. Ai foli shumë qartë edhe për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit dhe të zgjerimit të tij, në radhë të parë drejt Maqedonisë.

Në librin e tij me kujtime për Kosovën, Ministri i Jashtëm Gjerman Joshka Fisher, do të shkruaj: “Nacionalistët e dhunshëm por edhe të pamoralshëm, para së gjithash nacionalistët serbomëdhenj, u pëlqen që në Jugosllavinë e vjetër, t’i shikojnë përsëri kufijtë jo në rrugën e bisedimeve, por me luftë, me terror dhe me dëbime.”

Në tetor, në Bavari, do të ftohej për vizitë zyrtare Presidenti i vendit, Prof. Rexhep Meidani. Presidenti do të pritej nga Kryeministri i Bavarisë Stoiber, nga Kryetari i Parlamentit Bohm, zv. Kryeministrja Stahm, Ministri i Brendshëm Beckstein etj.

Në të gjitha këto takime u fol për zhvillimet në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë edhe për situatën në Kosovë. Presidenti Meidani nuk mbështeste tezën e autonomisë për Kosovën dhe argumentonte edhe politikisht, edhe historikisht, por edhe me zhvillimet aktuale, se autonomia jo vetëm nuk do të pranohej nga shqiptarët në Kosovë, por nuk do të ishte aspak zgjidhje, qoftë edhe kalimtare. Është interesante sepse në të njëjtën linjë ishte edhe Kryeministri bavarez Stoiber. Presidenti Mejdani i falënderoi bashkëbiseduesit për ndihmën që Landi i Bavarisë i kishte dhënë Shqipërisë gjatë atij viti, në mënyrë të veçantë.

Presidenti Meidani, në mjediset e RTV bavarez foli në një takim me intelektualë, gazetarë, përfaqësues të shoqatave joqeveritare, por edhe bashkatdhetarë, për Kosovën në më të shumtën e kohës, duke dënuar ashpër politikën e Milosheviçit. Ai deklaroi hapur se nuk mbështeste një draft të përpunuar që shqiptarët e Kosovës të përfaqësoheshin në Kuvendin e RFJ-së me disa anëtarë.

Presidenti i dha edhe një intervistë gazetarit të Frankfurter Allgemeine Zeitung, Mathias Rub. Po kështu, në mjediset e gazetës Suddentsche Zeitung u takuam me Drejtorin e Bordit drejtues të kësaj gazete, mikun tim, dr. Reiner Gohlke. Ai bisedoi me prof. Meidanin mbi 1 orë në një tavolinë të madhe, ku ishin ftuar disa gazetarë të politikës së jashtme, kryesisht të Rajonit. Vizita pati një jehonë shumë të mirë në media.”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Këshilla: Ushqimet me magnez, minerali që ruan zemrën, muskujt dhe imunitetin

Magnezi parandalon probleme të shumta shëndetësore. Trupi e përdor magnezin për të...
Read More