Botimi i UET-Press/ ‘Biseda me Ramiz Alinë dhe “porosia” për Shtrausin’

Nga Shpëtim Çaushi

Ai ishte dhe mbetet një nga librat që trajton një prej çështjeve më të komentuara. Bëhet fjalë për publikimin e dr. Shpëtim Çaushit, me titull “Edhe njëherë për shansin gjerman”, publikuar nga UET-Press. Historia e shansit të humbur me Gjermaninë, gjatë kohës së diktaturës, mbetet një histori interesante edhe sot e kësaj dite. Në librin e tij, Çaushi thotë se Shqipëria e humbi një shans për të normalizuar marrëdhëniet me Gjermaninë. “Enver Hoxha kërkoi në radhë të parë që të shfrytëzoheshin marrëdhëniet me RFGJ për marrjen e reparacioneve të luftës, që ishin mbi 2 miliardë dollarë të vlerësuara, të vitit 1938, plus përqindjet, që e çonin këtë shifër në rreth 4 miliardë e më shumë dollarë”. Por Çaushi thotë se Enver Hoxha ishte i vonuar pasi Marrëveshja e Londrës dhe ajo e Potsdamit kishin parametrat e tyre kohorë dhe legalë për të pranuar dëmet. Por a kishte një moment kur palët ishin pranë marrëveshjes? “Pati një moment kur Enver Hoxha në një bisedë të veçantë me Ramiz Alinë, para takimit të Bonit, tha që ‘ata le t’i cilësojnë kredi, ne do i cilësojmë reparacione. Por kjo le të mbetet në arkivat e të dy palëve dhe të mos deklarohet’. Por kjo nuk u realizua, sigurisht…”. Megjithatë kjo mbeti vetëm ide, pasi Ramiz Alia nuk e transmetoi atë në Bon të Gjermanisë. 

Janar i vitit 1988… Gjatë udhëtimit për më se tri orë drejt Frankfurtit nëpërmjet Zyrihut, mendoja për vështirësitë që më prisnin në këtë fillim të elaborimit të marrëdhënieve me Gjermaninë.

Në Tiranë, koha shumë e shkurtër e përgatitjes për në destinacion që m’u imponua, nuk më dha mundësinë të njihesha plotësisht e thellësisht me informacionin rreth bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë. Kisha qenë jashtë vorbullës së dijes dhe ecurisë së këtij procesi, të një maratone kohore të pafund prej pothuaj 15 vitesh. Kishte nxitim për të më dërguar në detyrën e re, pa më zhytur në arkiva, për një periudhë strikte tremujore, sikurse e kisha menduar e parashikuar, e cila ishte në fakt një procedurë e zakonshme e MPJ-së për një titullar në përgatitjen për një mision të ri.

Pavarësisht nga koha e pakët në dispozicion, mora instruktazhet politike të drejtuesve më të lartë të shtetit. Në atë kohë gjithashtu ishte një praktikë pretoriane: kalimi i ambasadorëve që merrnin detyrën e re, në paradë formale takimesh me “udhëheqësit”, ku padyshim kryesori ishte Ramiz Alia.

Alia më priti më 19 Janar 1988, një ditë para largimit për në Bon. Më priti në zyrën e tij të punës: e thjeshtë, pa dekorime. Mbi tavolinën e ngarkuar me dosje qëndronte një mikrofon, që mesa dukej incizonte bisedat. Kjo më bëri përshtypje. Më dha dorën, serioz, pa buzëqeshje. Ishim vetëm ne të dy. Bënte pyetje retorike, vetë përgjigjej. Definicioni i parë: “Duhet kuptuar që marrëdhëniet me Gjermaninë kanë rëndësi për ne. Pse? Në planin politik – jo vetëm roli, por edhe ndikimi i Gjermanisë në drejtim të aleatëve të saj është vendimtar”…U habita. U ndjeva mirë. Mendova: A thua vërtet po flet për hapje të politikës së jashtme?!! Por nuk kaluan as pak minuta duke konstatuar diçka në reagimin tim të heshtur, ai vijoi: “T’i bëjmë gjermanët të kuptojnë drejt politikën tonë të jashtme dhe mendimin politik shqiptar”…Sentenca më ktheu sërish në start… Ai nuk ishte kombativ në komunikim, s’kish forcë imponuese, por duke qenë si një pemë e rritur nën hijen e “udhëheqësit tradicional”, ishte si një kërcell i lëkundshëm, që e bënte të vibronte nga mendime liberale si “takohu me djallin po të duash, veç të bëhet diçka” deri tek ato ekstrakte strikte të ekstremit konservator dhe dogmatik, sërish: “Ki parasysh, në asnjë mënyrë kreditë nuk lejohen…kemi Kushtetutën” etj., etj.

Foli shkurt për kombin gjerman, Kosovën. Ballkanin. Më la përshtypjen që nuk priste ndonjë zhvillim evident dhe të shpejtë të marrëdhënieve financiare dhe ekonomike me Gjermaninë, që duhet të zinin vendin kryesor, sipas meje, në këtë takim.

Alia më pas kaloi në porosi të përgjithshme dhe të rrumbullakosura: “Jo mohim në diplomaci, jo slogane, të jesh i qartë për çështjet, të mos kesh frikë dhe hezitim, të flasësh me ta që ta kuptojnë vijën tonë”. Përsëri iu kthye arsyetimeve justifikuese për qëndrimet tona në arenën ndërkombëtare, që stononin dhe përbënin barrierat, në fakt që pengonin zhvillimin e marrëdhënieve pa paragjykime politike dhe ideologjike me Demokracitë Perëndimore. Thelbi i udhëzimit – shfrytëzimi politik i gjermanëve, jo për të perceptuar si një urë që do t’i shërbente Shqipërisë për të kaluar në një hapje të vërtetë, por për të kuptuar “argumentet” e politikës izolacioniste të deriatëhershme.

Në përfundim, duke parë që nuk po e përmendte fare mundësinë e vazhdimit të dialogut me Shtrausin, i kërkova ndonjë “porosi” apo mesazh për të, si një personalitet që kishte dhënë një kontribut të veçantë për vendosjen e marrëdhënieve midis të dyja vendeve. Më tha thjesht që ta takoja dhe ta përshëndesja në emër të tij dhe evitoi zgjatjen për të. (këtë qëndrim e ndjeva edhe në takimet e marra më parë me drejtuesit e lartë të Ministrisë së Jashtme, gjë kjo që shprehte pa shumë fjalë krijimin e një distance me këtë personalitet).

Nga takimi me Alinë konstatova njëfarë konfuzioni, një vizion dritëshkurtër, paqartësi në mendimin se si mund të zhvilloheshin më tej, në tërësi marrëdhëniet me Gjermaninë. Dukej qartë se ishin shuar ëndrrat për “dhuratën” ekonomike e financiare gjermane, që do të vinte me “shkop magjik” fill mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kishte rënë gjithashtu edhe nyja e lidhjes që kishte vendosur pala jonë në bisedimet e tejzgjatura–kushtëzimin e tyre me reparacionet e luftës.

Pata një boshllëk perceptimi pasi u largova, një ndjenjë e pashpjegueshme pasigurie. Radhitja e ngulitja në mendje radhë skemash, ende irreale, që do më duhej t’i përdorja në takimet që më prisnin, si dhe kompleksitetin e problemeve që më duhej të përballoja në këtë “terra-nova”.

Mungesa vizuale dhe imagjinare e kontrastit të qytetërimeve, me të cilën isha mësuar e edukuar në adoleshencën e hershme, më vonë si diplomat junior nën peshën e letrave filozofike të kohës, përpara ndërmarrjes së këtij udhëtimi real në një botë krejt tjetër, por të vërtetë, më paraqiste një tjetër kontrast të thellë të realiteteve, që “natyrshëm” cedonte botëkuptimet e mbartura nga koha. Mendoja e përsëri mendoja plot ndrojtje dhe naivitet apriori, i përjashtuar nga një etalon krahasues, në pritje të një aventure të mbushur me formulime të “dyshimta”, herë-herë të një konstelacioni të ri e të huaj, madje deri në atë kohë i përcaktuar në standardet tona shtetërore si “armiqësor”.

Por, mes këtij dimri të bardhë, drejt qendrës së Europës, midis dyshimeve e mundësive të përmbushjes së këtij misioni diplomatik të vështirë, brenda subkoshiencës sime, ndizej një llambëz shprese, ndonëse ende e zbehtë, që më inkurajonte drejt kapërcimit të temave–barrierë që evidentoheshin si krijesa abstrakte, jo vetëm për shkak të mosnjohjes apo padijes, por edhe mentalitetit tonë të mbylljes dhe izolimit hermetik, nga mekanizmat klishe të formimit, ngulitur në vite.

Ndërkohë, ndjehesha fatlum që në këtë udhëtim diplomatik ecja pa u ndalur në stacione–kryeqytete, nga Budapesti i marshit ngadhënjimtar të papërsëritshëm të Franc Listit, midis rreshtave e vargjeve kombative patriotike të Petefit të Madh, tek “mrekullia ekonomike hungareze” e profesorëve liberalë Njerëz e Bognar, e cila tronditi botën dogmatike sovjetike, pa harruar “tangon” politike të diplomacisë magjare–“dy hapa drejt Perëndimit dhe një hap drejt Lindjes”, e cila i dha provat e saj në pragun e Rënies të Murit të Berlinit, kur Gjula Horni njoftoi kolegun e tij gjerman Gensher për hapjen e kufirit, gjë që shënoi fillimin e një epoke të re, rënien e Murit ndërgjerman dhe hapjen e një porte historike ndërgjermane komunikimi, të një Europe më të sigurt. Më pas kalova në një “planet” tjetër, stacioni i dytë-vendet skandinave, me qendër Stokholmin, ku ndjeheshin akoma zhurmat e helikave të nëndetëseve sovjetike në inkursionet e tyre provokuese militare në ditët dhe netët polare, si dhe flladin e impresioneve mbarëpopullore të hidhërimit kombëtar, që lidheshin me vrasjen e kryeministrit Olaf Palme…

…dhe tani udhëtoja drejt stacionit të tretë, Gjermanisë, që ishte padyshim për mua stadi më i maturuar në hapësirën e kulturës diplomatike e të formimit profesional, (sepse atëherë akoma nuk i kisha menduar stacionet-kryeqytete të tjera, që vijuan më vonë në këtë udhëtim… Strasburgun dhe Beogradin).

Nuk e ekzagjeroj kur them se shqiptarët kanë qenë përherë të afeksionuar në çdo stad të historisë për popullin gjerman, demijurg i gjenive, që i ka dhënë theks të pakthyeshëm zhvillimit progresist mbarënjerëzor.

Ndjehem krenar që edhe në këtë sens pata mundësinë edhe nderin t’i shërbej vendit tim si ambasadori i parë i Shqipërisë në Republikën Federale Gjermane, këtij vendi të madh që i dha Europës formatet filozofike të zhvillimit, që i dha impulse e kontribute të çmuara idesë së Europës së Bashkuar, ku edhe ne me plot dëshirë kërkojmë integrimin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kush e veton Vetingun?

Dy muaj pas nisjes së kontrollit, bilanci me 16 gjyqtarë dhe prokurorë...
Read More