Botimi i UET-PRESS, Kurt Kola tregon rezistencën e Spartak Ngjelës në burg: E urrente policia

Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg” të Kurt Kolës, publikim i UET-PRESS

Fill pas largimit të Dom Nikollit, erdhi në dhomë Spartak Ngjela. E sollën nga kampi i Ballshit, si masë ndëshkuese në burgun e Burrelit.

Ditët e para u njoh me ambientin, me opinionin e dhomës dhe elementin përbërës. Spartaku, sikur nuk kishte bërë jetë “blloku” me të mira materiale dhe liri të pakufizuar; ambientohej shpejt si me kuzhinën tejet të varfër, edhe izolimin e burgut. Ky ishte një nga faktorët për të mundur të keqen e shumëfishtë që të rrethonte. Po e psikologjisja pa i hyrë në detaje dhe konstatoja anë pozitive në gjithë qëndrimin e tij: serioz, autoritar, me karakter solid dhe i gjithë-formuar. Të jepte përshtypjen se ish përgatitur prej kohësh, për një jetë kësisoj.

Në dhomë ishin dy rryma politike që debatonin: pro-lindorja dhe pro-perëndimorja. Debatet bëheshin mbi epërsinë e njëra-tjetrës, me argumente të hershëm dhe supozime, se të dhëna të reja nuk kishin. Pro-lindor ishin shumë, flisnin në kor, bënin punën e zhurmuesit. Unë isha vetëm, sepse disa qëndronin indiferent.

Spartaku ishte pro-perëndimor dhe kishte njohje të plotë mbi fuqinë ekonomike dhe ushtarake të dy blloqeve, kishte argumente, u bë pjesë e debatit dhe i detyroi të heshtin, duke dhënë prova epërsie të paarritshme të sistemit kapitalist, gjë që më lehtësoi nga një provokim nervor i përditshëm.

Ishte kënaqësi të kishe Spartakun në dhomë. Kur erdhi, duke gjykuar nga familja – babai ministër, nëna zv/ministre e regjimit, me kontribute në luftë – pa asnjë dijeni rreth formimit të tij politik, e pandehnim të majtë dhe për pro-lindorët ishte befasi dhe goditje njëherësh. Spartaku ishte rritur tërësisht i pa influencuar nga prindërit, duke krijuar paralelisht me rritjen në moshë, pavarësinë totale në mendim e veprim. Ishte pasionant i muzikës italiane e, veçanërisht, i asaj angleze.

Që në gjimnaz e kishte rrëmbyer mënyra e jetesës dhe arti perëndimor dhe kur ishte student në universitet i manifestonte, duke u bërë problematik deri në përjashtim e padi për burg, po të mos qe për mburojën e prindërit të tij.

Në momentin që u godit Kiçoja, i ati, dera e burgut për Spartakun ishte hapur. Nga lëvizjet që bëheshin, na takoi të ishim ngjitur me dyshekët, gjë që bëri të hyjmë në intimitet të njëri-tjetrit dhe u bëmë shumë miq. Një grup 5-6 vetash, për çdo natë mblidheshim tek dyshekët tanë, me radhë, blinim pakon e kakaos dhe, me një xhezve që e ngrohnim duke djegur letra, bënim kakao, duke bërë muhabet, humor e treguar barsoleta.

Spartaku ishte kampioni i grupit, na shkrinte së qeshuri me Lymin e ambasadës. E kishim bërë zakon, çdo natë do t’i kërkonim ta tregonte, sepse me atë shkuleshim gazit. Spartaku kishte dhunti rrëfimtare nga ato, që një minutë nuk të linin pa qeshur. E ruan edhe sot, dhe ia njohin të gjithë ata, që kanë pas rastin të rrinë një herë të vetme me të.

Spartakun e kishte dërguar Instituti i Historisë me shërbim në Itali, për t’u marrë me historinë e arbëreshëve dhe i kishte qëlluar të rrinte ca ditë me ambasadorin tonë në Romë. Për të fjetur kishte zënë hotel dhe shkonte atje. Një natë vonohet në ambasadë deri pas mesnate. Kur doli për të ikur, takoi shoferin e ambasadës që po dilte me makinë, dhe e mori për të çuar në hotel…

Spartaku, i tregoi rrugën për tek hoteli, por shoferi vazhdoi linjën e tij të zakonshme dhe ky nuk i tha gjë, sepse ai e dinte vetë përderisa e kishte marrë në makinë. Shoferi, kishte dalë nga Roma dhe vazhdonte ende të udhëtonte. Mbërriti te një greminë ku digjeshin mbeturinat e Romës. Afron makinën indietro deri afër greminës, del, hap bagazhin dhe fillon të hedh diçka në vatrën e zjarrit. Spartaku, bëhet kureshtar dhe del të shikojë…

Shoferi po hidhte në zjarr veprat e Enver Hoxhës. Spartaku nuk foli, por u fut në makinë dhe priti sa të vinte shoferi. Ai sapo hyri në makinë, i thotë:

-Kam gjetur këtë vend ku digjen mbetjet e Romës dhe kam shpëtuar pa ngrënë ndonjë plumb kokës…

-Pse do e hash plumbin? – e pyet Spartaku.

-I pe ato që hodha në zjarr? Janë veprat e shokut Enver, që duhet t’i çoj e t’i vë në dyert e qytetarëve të Romës, pas orës dy të natës! Një punë ku rrezikon kokën se del qytetari, të shikon që i vë në pragun e derës diçka dhe të fut plumbin, pa pikë përgjegjësie.

-Pse nuk i shisni, o Lym?

-Po kush i blen ato budallallëqe, që të vetmen vlerë kanë kopertinat, -sqaroi Lymi.

Spartaku e tregoi aktivitetin “patriotik” të Lymit, me një humor të hollë e therës për famën e veprave, që çoheshin për propagandë nëpër Europë.

Komanda, kërkonte një person për ta vënë roje në depo, meqë atë që ishte, e kishin çuar në kamp pune. Për këtë punë kishte dalë vetë komandanti i burgut, Ismail Musta. Futet në dhomën tonë dhe i drejtohet direkt Spartakut.

– Spartak, kam menduar të çoj roje në depo…

– Ku e di ti se shkoj roje unë?! Shko ti roje në depo! – bërtiti Spartaku dhe komandanti doli jashtë menjëherë.

Ai me mendjen e tij për t’i bërë mirë se rrinte tërë ditën jashtë, por nuk e njihte karakterin e Spartakut, ndaj iku i çuditur dhe i frikësuar…

Spartakun e urrente policia dhe mezi prisnin një shkak për ta ndëshkuar.

Në vitin 1982, pushteti dekretoi një “amnisti të gjerë“ për të burgosurit, të cilën e shpalli me bujë të madhe diktatori, në zonën e tij të votimit. Në burgun e Burrelit nuk kapi asnjë, se ishim të gjithë të dënuar nga dy herë e më shumë dhe na përjashtonte neni i parë ku thuhej: kush është dënuar më shumë se një herë nuk përfiton!

Ngjela, duke shkuar në banjo, sheh disa të dënuar që rrinin të mërzitur dhe u thotë: – Akoma nuk jeni bindur se ky pushtet nuk iu fal!

U tha këtë dhe u largua… E dëgjoi roja dhe njoftoi në komandë. Erdhi brenda skuadra e terrorit, që drejtohej nga infermieri Kamber Lypeshari.

E marrin Spartakun në korridorin e birucave dhe në prani të një hetuesi e rrahin me shkopinj gome, deri sa e lënë pa ndjenja! E fusin në birucë.

Hetuesi ngre akuzën dhe kryen procedimin penal dhe, po ky hetues, pas pesë ditësh, në një dhomë të komandës i bën gjyqin dhe e dënon pesë vjet burg! I njëjti person: e rreh e heton dhe bëhet “gjyqtar” dhe e dënon! Rast i pa precedent në sistemin diktatorial, i aplikuar tek Spartak Ngjela, avokat, për t’i thënë: Ja si e zbatojmë sistemin e drejtësisë ne! Kur e sollën në dhomë, edhe pas një muaji e kishte kokën me hematoma, aq keq e kishin masakruar kriminelët.

Pak kohë pas këtij dënimi, Spartakun e bashkuan me Kiçon, sipas një kërkese që kishte bërë i ati. Por, edhe pse e çuan atje, nuk i shkëputëm asnjëherë lidhjet. Shkëmbenim informacione me letra. Në një rast, Spartaku më çoi librin “Koncert në fund të dimrit” të Kadaresë. E kishte lexuar dhe kërkonte opinionin tim. Pasi e lexova, ia ktheva me shënimin: Nëse Kadare do të kishte shkruar për diktatorin shqiptar, do të bënte tre-katër vjet burg, por çmimin Nobel do ta kishte të sigurt…

Me Spartakun u ritakuam në burgun “Kosovë e Vogël”, ku na debarkuan nga Burreli, në fillim të muajit prill, 1990, para se të vinte Peres de Kuelar (Cuelar) në Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Stresi: Jam përdorues droge, nuk merrem me shitjen e saj

Këngëtari i njohur, Stresi, i kapur duke konsumuar kokainë në një lokal,...
Read More