Brenda LSI-së/ Ish-ministri përplaset me deputetin për impiantet e mbetjeve

Impiantet e Prodhimit e Energjisë nga mbetjet janë bërë shkas për një përplasje brenda LSI-së. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili anatemonte këto impiante dhe qeverinë “Rama” duke i quajtur një tjetër skandal të tij ndërtimet në disa qytete të vendit, ish-ministri i Mjedisit, sërish nga LSI Lefter Koka i kujton se “OK”-ej është dhënë nga vetë ai.

5-1

Picture 1 of 3

Në një status në “Facebook”, Koka shkruan se në vitin 2013, qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe në bashkëpunim me disa prej bashkive mori një vendim të drejtë për t’i dhënë fund problemit të depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve por sot, sipas tij vendi po mbushet me ‘pseudolandfille’ dhe pas 10 vitesh duhet ndërtuar landfill i ri për shkak të tejmbushjes.
Koka shkruan se, Shqipëria po kthehet në varrezë landfillesh.
Ai shprehet krenar për këto impiante dhe duke shigjetuar ‘kundërshtarët’ thotë se ndihet i keqardhur për çdo miop që dëshiron ta shohë Shqipërinë varrezë masive landfillesh.

Po sot, Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, shkruante se GIZ-i gjerman i kundërshton këta inceneratorë.

Ai thotë se, shoqëria gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e njohur ndryshe si GIZ, ka hedhur kritika të forta mbi qeverinë shqiptare për ndërtimin e inceneratorëve në disa rrethe të vendit.

STATUSI I VASILIT:

“Kryeministri skandal me inceneratorët e mbetjeve, po GIZ-i gjerman që e kundërshton, kazan është?
Strategjia e trajtimit të mbeturinave duke vënë në plan të parë djegien (incenerimin) është tërësisht e gabuar, sigurisht që kjo është bërë me qëllim.

Kryeministri s’ka lënë vend duke folur dhe inauguruar këtë me demek kryevepër, që e ka gjetur vetëm ai.
Kryeministri e ka kapur me qëllim për bishti problemin shumë të rëndë të mbetjeve. Ai po zbaton të parën atë që duhet të bënte të fundit. Kjo e fut në rrugën më të keqe trajtimin e mbetjeve, gjë që e dëmton rëndë vendin për sot dhe pre dhjetëra vjet në të ardhmen.

GIZ dhe qeveria gjermane e thonë qarte, po ku dëgjon shkollëpaku?
Shoqëria gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e njohur ndryshe si GIZ, ka hedhur kritika të forta mbi qeverinë shqiptare për ndërtimin e inceneratorëve në disa rrethe të vendit.

“Incenerimi, një proces që kthen mbetjet në energji është zgjidhja e fundit. Fatkeqësisht më duhet të them që investimet më të mëdha po shkojnë në pikat që kanë më pak prioritet,” është shprehur Hermann Plumm për Dwelle.
“Ne si GIZ dhe shumë donatorë të tjerë në Shqipëri do të dëshironim të mbështesnin qeverinë dhe bashkitë që të krijojnë një sistem që fillon nga fillimi dhe jo nga fundi i hierarkisë,” ka deklaruar Plumm”.

STATUSI I LEFTER KOKËS:

“Të nderuar miq,

Mbas shumë vitesh shpërdorim në formë grantesh dhe kredish që përfundonin në prodhim masiv letrash, pa asnjë produkt konkret, në vitin 2013, qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe në bashkëpunim me disa prej bashkive kryesore në vend morri një vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, për t’i dhënë fund njëherë e mirë problemit të depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve.

Nëse deri dje shpenzoheshin dhjetëra e qindra milionë euro, të siguruara në formë grantesh apo kredish për të prodhuar letra apo ndërtuar tek tuk ndonjë pseudo-landfill, që përveç kostos impresionuese të ndërtimit kërkonte prej bashkive tarifa depozitimi të papërballueshme për to, sot kemi një realitet krejt të ri.

Pseudolandfillet – Jetëgjatësi deri në 10 vjet, kosto e lartë ndërtimi, tarifa depozitimi të papërballueshme nga bashkitë; pas 10 vitesh duhet ndërtuar landfill i ri për shkak të tejmbushjes duke e kthyer Shqipërinë në një varrezë landfillesh.

Impiantet e Prodhimit e Energjisë nga Mbetjet – Jetëgjatësi +50 vjet, kosto ndërtimi më e ulët se ajo e zbatuar abuzivisht në disa qarqe të vendit për pseudo landfille, ZERO tarifë depozitimi për bashkitë, emetimet në ajër 10 herë më të ulëta se standardet e Bashkimit Europian, teknologjia e përdorur edhe më e avancuar se ajo e impiantit të prodhimit të energjisë nga mbetjet që ndodhet aktualisht në mes të kryeqytetit të Austrisë, Vienës.

Pas 7 vitesh këto vepra unike inxhinierike i kalojnë 100% në pronësi dhe administrim bashkive. Të ardhurat nga shitja e energjisë, bashkitë do të mund t’i përdorin për investim në pastrim dhe infrastrukturën e riciklimit.

Krenar për këto impiante, i keqardhur për çdo miop që dëshiron ta shohë Shqipërinë varrezë masive landfillesh”.

Shkruar Nga
More from Revista User

E dashura u hodh nga kati i 8, deklarata e bashkëjetuesit në Polici: Ajo vetëm qante

Pas ngjarjes së rëndë në Fier, ku vajza 19-vjeçare i dha fund...
Read More