Breshëri plumbash të fortit të Shijakut, e shpëtoi Benzi i blinduar

Rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme, Dashamir Gjoka ishte duke udhëtuar me bashkëshorten dhe fëmijët në drejtim të Shijakut, kur nga një automjet që lëvizte paralel u qëllua me breshëri kallashnikovi. Gjoka denoncoi vetë ngjarjen në polici, ndërsa grupi hetimor nuk gjeti asnjë gjurmë të autorëve në vendin e ngjarjes. Historia e Dashamir Gjokës, nga dënimi në Itali te sekuestrimi dhe më pas lirimi i pronave nga Krimet e Rënda.

Një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë italiane u vu në qendër të një atentati mesditën e djeshme në zonën e Shijakut. Dashamir Gjoka, i dënuar në Itali dhe i hetuar në Shqipëri për pasurinë e tij ishte duke udhëtuar me një automjet të blinduar kur persona të panjohur qëlluan drejt automjetit me breshëri kallashnikovi. Në momentin e atentatit Gjoka ishte në automjet bashkë me gruan dhe fëmijët, por fatmirësisht askush nuk mbeti i dëmtuar.

Në një njoftim paraprak për mediat policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 14:05, në vendin e quajtur “4 Rrugët- Shijak” , në afërsi të Komunës Xhafzotaj. Pas atentatit, Gjoka është paraqitur vetë në polici ku ka denoncuar ngjarjen dhe uniformat blu janë vënë menjëherë në lëvizje për zbardhjen e krimit. “Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia e Durrësit nuk mundi të identifikojë asnjë të dyshuar, por mësohet se ka siguruar të dhëna mbi mënyrën e kryerjes së atentatit. Sipas burimeve të policisë konfirmohet se Dashamir Gjoka bashkë me gruan dhe fëmijët ka qenë duke lëvizur në vendin e quajtur “Katër Rrugët” me drejtim qytetin e Shijakut. Ai lëvizte me një automjet tip “Benz” të blinduar dhe pas tij është vënë një tjetër makinë.

Lloji i mjetit që ka ndjekur Gjokën nuk është bërë ende publik për shkaqe hetimore, por policia thotë se në një moment automjeti ku ndodheshin autorët ka qëndruar paralel me makinën e Gjokës. Pikërisht ky ka qenë çasti kur është qëlluar drejt Benzit të blinduar me të paktën 15 plumba kallashnikovi.

Grupi hetimor pasi rrethoi vendin e ngjarjes nisi kërkimet për gëzhoja, por pa mundur të gjejë asnjë gjurmë të autorëve. “Atentatorët duket se janë treguar shumë të kujdesshëm, pasi janë siguruar të mos lënë gjurmë në vendngjarje. Ekspertët nuk kanë gjetur asnjë gëzhojë në vendin e atentatit”, -tha për “Mapo” një burim pranë policisë së Durrësit.

Nga këqyrja e automjetit tip Benz janë vërejtur disa gjurmë predhash të cilat mund të kishin qenë fatale nëse makina nuk do ishte e blinduar. Pasi ka bërë njoftimin për ngjarjen, Gjoka është marrë në pyetje lidhur me konflikte të mundshme kohët e fundit, por ai ka mohuar të ketë patur diçka të tillë. Në mungesë të provave dhe gëzhojave në vendngjarje, policia ngriti disa postblloqe me qëllim ndalimin e automjetit të atentatorëve të përshkruar nga Dashamir Gjoka dhe këqyri rrugën ku mendohet të ketë kaluar kjo makinë.

Mësohet se janë gjetur disa kamera sigurie, por nuk dihet ende përmbajtja e pamjeve filmike nëse është fiksuar ose jo makina e atentatorëve. Policia u tregua shumë e rezervuar mbi pistat e hetimit të atentatit, por në fokus kryesor të grupit të hetimit mbetet e shkuara e objektivit të ngjarjes, Dashamir Gjoka. Emri i tij nuk është i panjohur si për drejtësinë shqiptare ashtu dhe për atë italiane, edhe pse të tria shkallët e gjyqësorit refuzuan ekstradimin e tij në Itali ku është dënuar me 7 vjet burg. Ky vendim ka marrë formë të prerë në vitin 2009 dhe menjëherë Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai u arrestua në Shqipëri në vitin 2013 me qëllim ekstradimin drejt Italisë, por Gjykata e Durrësit, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë refuzuan ekstradimin e tij. Pas përfundimit të procesit gjyqësor Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin pasuror ndaj Gjokës në zbatim të Ligjit “Antimafie”.

Në shtator të vitit 2015, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e të paktën 17 pronave, përfshi dhe kompleksin “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimi 6949 m2. Ndaj tyre u vendos edhe masa e konfiskimit nga Gjykata e Shkallës së Parë, por ky vendim u rrëzua nga Apeli në qershor të këtij viti. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të hiqte masën e konfiskimit për pronat e Dashamir Gjokës, pasi nga përllogaritja e një eksperti të pavarur rezulton se gjitha pasuria e vënë prej tij kishte burim të ligjshëm.

Mësohet se prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të marrë në shqyrtim çështjen e pronave të Gjokës. Kërkesa e prokurorisë për hetimin pasuror të atij që njihet si “I forti i Shijakut”, erdhi pasi autoritetet italiane vunë në dispozicion të drejtësisë shqiptare dosjen gjyqësore të tij. Sipas vendimeve gjyqësore të palës italiane rezulton se në vitin 2007, Gjykata e Apelit në Milano ka dënuar shtetasin shqiptar Dashamir Gjoka me 7 vjet e gjysmë burg për akuzat e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni.

Ky vendim ka marrë formë të prerë më 7 tetor të vitit 2009 dhe që prej asaj kohe, i dyshuari është shpallur në kërkim ndërkombëtar për këto akuza. Gjyqi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe kjo ka qenë një nga arsyet përse gjykatat shqiptare refuzuan kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij. Në vendimin e Gjykatës së Milanos renditen edhe faktet kriminale, që dyshohet se ka kryer shtetasi Dashamir Gjoka, të cilat sipas autoriteteve italiane tashmë janë të provuara. Në vendim thuhet se ky shtetas ka bashkëpunuar me disa persona, me qëllim kryerjen e një shumice krimesh relative me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore me qëllim që t’i prostituonin.

“Gjoka ishte me detyrën e organizuesit dhe drejtuesit të grupit, i cili vepronte në Milano dhe Puglia që prej vitit 1999. Në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe drejtuar aktivitetin që favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 2 vajzave me origjinë moldave, me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Puglia, në periudhën përpara datës 08.01.2000. Ka vepruar në bashkëpunim për të futur, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e 2 grave që flitet në pikën e mësipërme, fakt i vërtetuar në Milano në periudhën përpara datës 08.01.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim me disa persona për të organizuar dhe drejtuar aktivitetin e futjes në mënyrë klandestine në Itali të 3 vajzave me origjinë moldave, me qëllim që t’i shfrytëzonin si prostituta. Fakt i vërtetuar në Bari ndërmjet datave 8 dhe 9 janar 2000”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Milanos. Por pavarësisht dënimit, Gjoka nuk u ekstradua asnjëherë drejt Italisë, ndërsa pronat e konfiskuara me vendim të shkallës së parë iu rikthyen nga Apeli.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kryeministrat e Ballkanit mblidhen sot në Durrës, i pranishëm dhe Hahn

Kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë ditën e sotme...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.