Brezi i dytë i bursistëve “Pashko”: Ëndrra jonë e realizuar në UET

Ata janë të rinj 18-vjeçarë me ëndrra të mëdha për jetën si çdo moshatar i tyre, por rrethanat e vështira të jetës u kanë nxjerrë pengesa në udhën e saponisur. Maturantët ekselentë që Bursa Pashko u ka shtruar udhën e arsimit, një udhë që iu ka dhënë mundësinë të bëhen ata që duan të jenë. Njihuni me historitë e brezit të dytë të fituesve të bursës më të veçantë në Shqipëri, që UET dhe Instituti Europian Pashko akordon për maturantët e 10-ve që vështirësitë financiare i pengojnë të vazhdojnë universitetin.

Bursa “Pashko” është një bursë e veçantë që UET ka dhënë për herë ë parë vitin e kaluar, për 10 studentë. Kjo bursë u vjen në ndihmë pikërisht të rinjve ekselentë në mësime, por që s’kanë mundësi financiare për të përballuar shkollimin në universitet ose kanë një histori familjare të vështirë. Përveç të drejtës së studimit falas në një nga degët që UET ofron, universiteti merr përsipër dhe mbulimin e shpenzimeve të jetesës së tyre në Tiranë, me shumën 25 mijë lekë të rinj në muaj, për 36 muaj.

Për të dytin vit radhazi Instituti Europian Pashko dhe Universiteti Europian i Tiranës kanë mbështetur maturantë ekselentë nga gjithë Shqipëria që të studiojnë falas dhe të marrin dhe mbështetje financiare mujore, si pjesë e bursës speciale “Pashko”. Janë 7 të rinj që kanë përfituar këtë vit nga kjo mbështetje e cila u mundëson studentëve ekselentë, por që janë në vështirësi ekonomike që të ndjekin ëndrrën e tyre.

Javën që shkoi në UET u zhvillua ceremonia e akordimit të Bursave “Pashko” për vitin e ri akademik, ku u prezantuan edhe 7 fituesit e këtij viti. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Dekania e Studentëve, dr. Anisa Subashi, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit Europian Pashko, Besart Kadia, të cilët iu uruan suksese fituesve të rinj.

Në vitin e 10-të të tij, Universiteti Europian i Tiranës ka akorduar për herë të parë një bursë të veçantë, që bazohet mbi dy kritere: ekselencën dhe rrethana familjare të vështira nga mjedise sociale të pafavorizuara. “Duke besuar se talentet dhe përkushtimi për arsimimin duhen mbështetur që të ecin përpara, kjo bursë u vjen në ndihmë pikërisht të rinjve ekselentë në mësime, por që s’kanë mundësi financiare për të përballuar shkollimin në universitet ose kanë një histori familjare të vështirë. Përveç të drejtës së studimit falas në një nga degët që UET ofron, universiteti merr përsipër dhe mbulimin e shpenzimeve të jetesës së tyre në Tiranë, me shumën 25 mijë lekë të rinj në muaj, për 36 muaj. Këtë vit akademik kemi 7 fitues të Bursës Pashko”, është shprehur Dekania e Studentëve Anisa Subashi në lidhje me këtë bursë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe 10 fituesit e parë të bursës “Pashko”, të cilët patën mundësinë të ndanin me të rinjtë eksperiencën e tyre të deritanishme në UET, si ka ndikuar kjo bursë në jetën e tyre dhe si tanimë dëshirat dhe përfytyrimet e tyre për të ardhmen kanë filluar të marrin jetë.

Ndërkohë që Drejtori Ekzekutiv i Institutit Europian Pashko, Besart Kadia, ka përgëzuar fituesit dhe i ka inkurajuar ata të japin maksimumin e tyre, në këtë mundësi të re që u paraqitet.

“Është një mundësi që nuk përsëritet, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë Shqipërisë nuk ka bursa të këtij karakteri, pra që pjesa financiare e shkollës të hiqet dhe pjesa e shpenzimeve mujore të mbulohet. Pra në këtë kuptim, nëse ju keni një ëndërr, që nuk është thjesht të mbaroni shkollën, kjo bursë ju ndihmoni të jepni më të mirën tuaj”, është shprehur ai.

Kjo bursë është e veçantë jo vetëm për shkak të veçorive që ka por edhe për shkak të asaj çfarë përfaqëson, idealet dhe figurën e liberalit Gramoz Pashko.

“Pashko për ju duhet të jetë një model që mund të arrini në jetë. Pashko akoma dhe sot, pavarësisht se ka vite që ka ndërruar jetë, për shumë njerëz që e kanë njohur nga afër rrezatonte aq shumë mendim, ishte avangard në shumë çështje, si për ekonomikë ashtu edhe për filozofinë ndoshta politike dhe ka patur gjithnjë miq e shokë rreth e qark që pavarësisht se nuk ekziston më fizikisht, mendimet e tij janë. Dhe ju jeni në një farë mënyre, teorikisht me shkëlqimin tuaj në gjimnaz dhe mundësinë që jep UET që të çoni përpara idetë tuaja, për të shfaqur atë çfarë ju keni brenda jush dhe ta çoni veten atje ku doni të jeni, UET u jep mundësinë që të ju të realizoni potencialin tuaj”, u shpreh Kadia.

Fituesit e këtij viti vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, por i bashkon dëshira për të mësuar dhe ecur përpara dhe pamundësia ekonomike për ta vazhduar ëndrrën e tyre.

Shaqir Sulaj, në kërkim të vetes më të mirë

Shaqir Sulaj është student i vitit të parë në degën Informatikë Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës. Historia e tij është historia e një djali me një karakter të fortë e vullnet të palëkundur. Është historia e një djali i cili u përball me vështirësive me të cilat jeta e përplasi shumë herët. Lindur dhe rritur në një nga fshatrat e Burrelit, në një familje në vështirësi ekonomike, pasi ishte fëmija i fundit i një familje të madhe, vetëm dashuria për dijen ishte ajo që i ushqente shpirtin dhe e motivonte për të thurur ëndrra të mëdha. Për të siguruar të ardhura për familjen në moshën 16-vjeçarë ndërmori dhe një aventurë që shumë të rinj sot as nuk çojnë ndërmend, u largua drejt Gjermanisë si azilant ekonomik. Por kjo aventurë në vend që ta bënte të pasur nga xhepi, e pasuroi me një eksperiencë akademike pasi ndoqi 6 muaj shkollë në shtetin gjerman para se të kthehej në qytetin e tij me një letër rekomandimi nga drejtori i shkollës, ku vlerësoheshin rezultatet e larta të nxënësit shqiptar.

“Rrugëtimi im nis në një fshat të Burrelit, aty ku mbarova 9-vjeçaren e më pas në gjimnazin “28 Nëntori”, ku puna e palodhur dhe përkushtimi ndaj mësimnxënies më dalloi nga bashkëmoshatarët e mi. Një pikë kthese në historinë time, ka qenë padyshim largimi im drejt Gjermanisë dhe qëndrimi im disamujor atje”, tregon Shaqiri.

“Më tepër sesa një status azilanti që kërkova atje, eksperienca ime në Gjermani ishte një ‘gjueti’ mundësish të reja. Megjithatë, fati nuk deshi që unë të rrija gjatë atje e kësisoj u ktheva sërish në Burrel. Në momentin që u riktheva, iu përvesha vrullshëm studimeve dhe si rezultat arrita, jo vetëm të nxjerr një mesatare të mirë të tri viteve, por edhe të shkëlqej në provimet e maturës”.

Në fjalët e Shaqirit mund ta kuptosh fare mirë, se ai nuk është një djalë që dorëzohet kollaj. Mund të dallosh vendosmërinë në shprehinë e tij dhe pasionin për dijen në sytë që i shkëlqejnë teksa flet tanimë i kënaqur që sakrificat e tij janë shpërblyer.

“Besova se e meritoj bursën Pashko për dy arsye: E para, kam besim në vetvete dhe këtë besim mundohem ta reflektoj në çdo hap që hedh dhe e dyta, nuk do pretendoja kurrsesi që jam më i miri, por jam i gatshëm të jap më të mirën time në çdo gjë që bëj. Për mua përfitimi i kësaj burse do të thotë një mundësi e artë, për të treguar veten time dhe për të shpërblyer besimin e universitetit që ma dha. Duke qenë se universiteti nis një etapë të re në jetën e çdo individi, rrjedhimisht shumë gjëra në jetën time kanë ndryshuar, duke nisur që nga botëkuptimi, marrëdhëniet me studentët e tjerë e duke e mbyllur me kënaqësinë që të ofrohet duke studiuar në një universitet si UET që njihet si një ndër më të mirët në vend e jo vetëm”.

Ai ka zgjedhur të studiojë për Informatikë-Ekonomike, por motoja e tij nuk lidhet thjesht me një profesion të caktuar. Ai kërkon të bëhet më i mirë se vetja.

“Unë zgjodha Informatikë  Ekonomike. Ka shumë arsye pse zgjodha këtë degë. Një ndër to është se është një degë e kohës dhe që kërkohet në tregun e punës. Gjithashtu, Informatika dhe Ekonomia formojnë një dualitet që në ditët e sotme jo vetëm që të japin një profesion të lakmuar, por të japin aftësinë që të jesh më brenda realitetit që të rrethon. Ku e shoh veten pas disa vitesh? Hmm… po të më pyesnit para disa vitesh, nuk mendoj se do iu thoja që do jem student në UET, ajo që dua të them është se kjo është e bukura e jetës që nuk dihet se ku të çon. Diçka di me siguri, që unë do punoj fort që nesër të jem më i mirë seç isha dje, e çfarë vjen nga kjo është një bonus”.

Marko dhe Nikollaq Zhezha, jetimët me fatin e përbashkët

Kur i sheh të dy bashkë nuk mund të dallosh se cili është Marko dhe cili është Nikollaqi, janë si dy pika uji. Bëhet fjalë për dy binjakët identikë nga qyteti i Vlorës, të cilët sapo janë shpallur fitues të bursës “Pashko” akorduar nga UET.
Historia e tyre e përbashkët nis që në barkun e nënës si një ogur që nuk do të ishin asnjëherë vetëm në rrugën e jetës. Pavarësisht se me prindërit gjallë, ata u rritën në jetimore për shkak të varfërisë ekstreme të familjes. Të dy studentë të shkëlqyer ata janë bërë krah i njëri-tjetrit në udhën e jetës si një premtim i bërë që ditën që lindën.

Rrugëtimi i tyre i vetëm fillon që kur ishin foshnja, atëherë kur mamaja e tyre menjëherë pas lindjes, për shkak të pamundësive ekonomike, vendosi t’i linte në jetimore.

“Ne jemi rritur në një fondacion fëmijësh në Tiranë, larg prindërve, dhe jemi kthyer në shtëpi tek ta, në Vlorë, vetëm pas 12 vitesh. Atje jemi përballur me vështirësi ekonomike dhe sociale. Të gjitha këto vështirësi, por edhe rezultatet shumë të larta në mësime, kanë qenë për të dy ne, një motiv i fuqishëm për të aplikuar për bursën “Pashko” e më pas për të shpresuar se do ta fitonim atë”, shprehet Marko, njëri prej binjakëve.

Fitimi i një burse të tillë, për të dy vëllezërit, ishte një ndër lajmet më shpresëdhënëse dhe të bukura që kanë marrë në jetën e tyre. Për ta ky lajm përkthehej në mundësinë për të nisur një jetë të re, për të ndërtuar dhe realizuar ëndrrat e aq shumë të dëshiruara.

“Kjo bursë do të thotë shumë për ne. Është një çelës që do të na ndihmojë të hapë shumë dyer në të ardhmen tonë. Bursa “Pashko”, për ne të dy nuk është thjesht një vlerësim dhe mbështetje, por edhe një arsye më shumë që ne të ecim përpara”, shprehet Nikollaqi

Vëllai tjetër Marko ndan të njëjtin mendim me të.

“Kjo bursë e ndryshoi jetën time në një mënyre që asgjë tjetër nuk mund ta bënte. Ajo ka shënuar një kthesë drejt suksesit dhe një karrierë të sigurt për të ardhmen time. Në javët e para në UET jam njohur me një shoqëri të re, pedagogë nga më të mirët dhe me një infrastrukture cilësore. Tashmë, UET-i është kthyer për mua dhe vëllain tim në një familje të re. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj UET, pasi na ka dhënë një privilegj të veçantë që shumë pak studentë mund ta kenë. Jam i lumtur që i besova UET-it dhe që sot jam pjesë e tij së bashku me Nikollaqin”.

Ndonëse binjakë, degët dhe pasionet që ata kanë nuk janë të njëjtat. Marko është aktualisht student i degës Komunikim-Dizajn, ndërkohë që Nikollaqi është student i degës Menaxhim Biznesi.

Emanuela Maraj: Bursa që më vrau frikën për ëndrrat

Studente në degën Infomatikë Ekonomike, ëndrrat e Emanuela Marajt kanë filluar të marrin formë konkrete që pas fitimit të bursës “Pashko”. E rritur në një familje në qytetin e Vlorës, ku vështirësitë ekonomike kanë qenë të shumta, Emanuela dhe pasioni i saj për dijen kanë thurur vazhdimisht ëndrra nga më të bukurat për të ardhmen, ndonëse frika për mosrealizimin e tyre ka qenë prezente.

“Edhe pse kam pasur gjithmonë rezultate shumë të larta në mësime, rrethanat e mia familjare nuk kanë lënë shumë vend për ëndrrat pasi jam ndodhur gjithmonë në një realitet papunësie në familje dhe me dy prindër që ndonëse të sëmurë kanë bërë të pamundurën për mua që unë të kem sot përgatitjen dhe shkollimin e duhur. Ndaj në filozofinë e bursës “Pashko” për mbështetjen e maturantëve ekselentë me rrethana ekonomike dhe familjare të pafavorshme unë gjeta veten, gjeta mundësinë që kurrë nuk më ishte dhënë, një shpresë për të ardhmen dhe një shkollim cilësor”, thotë Emanuela.

Fitimi i kësaj burse, i dha Emanuelës dritën jeshile për të shpresuar se vërtetë, ëndrrat që dikur thurte në mendje mund të bëheshin realitet.

“Për mua përfitimi i kësaj burse do të thotë shpresë, shpresë për të hedhur hapin e parë drejt së ardhmes duke pasur mbështetjen që deri më sot më ka munguar. Është mundësia që unë t’u jap realizimin ëndrrave të mia dhe të kem shansin të formoj njeriun që gjithmonë kam dashur të jem. Jeta ime pas fillimit të universitetit ka marrë një rrjedhë tjetër me një horizont shumë më të gjerë. Me mbulimin e shpenzimeve nga pagesa mujore jeta ime shfaqet më e qetë në funksion të ndihmës së studimit. Universiteti Europian i Tiranës na ka ofruar mundësinë e jetës sonë duke ndryshuar rrënjësisht atë çfarë unë dhe bursistët e tjerë “Pashko” e quanim jetë”.

Zgjedhjen për degën e studimit e ka bërë nisur nga dëshirat dhe prirjet e saj. Ajo beson se kjo degë është zgjedhja më e mirë për të.

“Në studimet e mia kam zgjedhur një degë të Fakultetit të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit, degën Informatikë Ekonomike me profil Financë-Bankë. Duke qenë se është më afër prirjeve të mia e ndieja që i përshtatesha kësaj dege. Kjo degë hibride midis informatikës dhe ekonomikut është nga më të kërkuarat në tregun e punës dhe mund të më ofrojë shumë mundësi punësimi në të ardhmen. Por nuk është në natyrën time që gjërat t’i lë pa evoluar dhe ecur përpara. Zgjedhja e kësaj dege mund të më ndihmojë që të ngjis shkallët akademike dhe ta vendos veten time në ndihmë të brezave të rinj të studentëve”.

Esterina Molla: Nga fletëlavdërimet e gjimnazit në hollin e universitetit si ekselente

Esterina Molla është studente në degën Financë-Bankë. Një studente e shkëlqyer, ekselenca e së cilës ka nisur që në vitet e para të shkollës, me nota të larta dhe fleta lavdërimi të shumta.

“Unë vij nga Durrësi, shkollën 9-vjeçare e kam mbaruar shkëlqyeshëm, dhe shkollën e mesme e kam ndjekur më pas në medresenë “Mustafa Varoshi”, ku edhe atje mbarova me rezultate të shkëlqyera”.

Ndonëse një nxënëse ekselente, pamundësitë ekonomike e kanë e kufizonte Esterinën në vazhdimin e studimeve të saj. Për fat, ajo dëgjoi për bursën “Pashko” dhe menjëherë aplikoi.

“Dëshira për të studiuar në një universitet të mirë ishte e madhe, por që e kufizonte mundësia ekonomike. Kisha dëgjuar për UET më parë, për mundësitë që ai krijonte dhe mendova që mbase dëshira ime tanimë nuk do të pengohej nga kufizimet që disa situata të krijojnë. Dhe kështu ndodhi… Erdha në UET për t’u interesuar për bursë, stafi i UET më priti shumë mirë. Në momentin e parë u bëra fituese e bursës së ekselencës, ndërsa sot jam fituese e bursës ‘Pashko’”, thotë ajo.

Bursa e fituar paraqet bursën ideale për të, jo vetëm pa tarifa shkolle por edhe me shpenzime mujore të mbuluara.

“Përfitimi i kësaj burse për mua dhe familjen time është një ndihmë dhe akoma më shumë është një shans që të studioj në një nga universitetet më të mira, dinjitoze dhe bashkëkohore të Shqipërisë. Tashmë unë kam kaluar në një tjetër stad, atë të studentes dhe ndihem më e rritur, më e pavarur dhe mbi të gjitha shumë e kënaqur që nuk po rëndoj gjendjen ekonomike të familjes sime për të ndjekur financiarisht studimet e mia të larta, dhe kjo gjë falë UET.

Kam zgjedhur të studioj në degën Financë-Bankë sepse më pëlqen shumë kjo degë dhe synimet e mia janë të larta. Pas disa vitesh e mendoj veten si një financiere e një kompanie shumë të madhe dhe të rëndësishme të Shqipërisë duke dhënë kontributin tim në mënyrë që vendi im të përparojë edhe më tej”, shprehet Esterina.

Athina Buçka: “Pashko” më realizoi ëndrrën e “pamundur” për të studiuar në UET

Athina Buçka është një nga fituesit e rinj të bursës “Pashko”. Gjithnjë e karakterizuar nga ambicia për të marrë më të mirën nga vetja dhe dëshira për dije, ajo ka luftuar për të studiuar në universitetin që dëshironte, pavarësisht rrethanave ekonomike dhe sociale në të cilat gjendet.

“Gjithnjë kam dashur të studioj në UET sepse e vlerësoj si një nga universitetet më të mira në Shqipëri. Tani që jam studente e këtij universiteti, falë bursës “Pashko” ndihem e privilegjuar që studioj në një universitet me një staf akademik mjaft të kualifikuar dhe cilësor, që ndër të tjera sjell edhe mjaft risi në çdo drejtim. Duke parë gjithashtu historinë e studentëve që kanë mbaruar në UET, që e kanë gjetur veten mjaft mirë në tregun e punës, jam edhe më e motivuar që të jap maksimumin tim në degën që kam zgjedhur të studioj”, thotë ajo.

Athina, është rritur pa mamanë e saj, e cila ka ndërruar jetë përpara disa viteve. Ndonëse e ndjen shumë mungesën e saj, ajo kurrë nuk e harron dhe çdo arritje të deritanishme ia dedikon asaj.

“Mamaja ime më mungon shumë, por gjithçka që kam arritur deri më sot ia dedikoj asaj, edhe bursën “Pashko” ia dedikoj asaj. Uroj ta kem bërë krenare, ndonëse nuk më sheh e ndiej që është shndërruar tanimë në engjëllin tim mbrojtës”.

Shumë mirënjohëse ndaj mundësisë që i është dhënë, Athina është e bindur se do t’ia dalë mbanë me sukses sepse as dëshira për të mësuar dhe as vullneti nuk i mungojnë. “Jam e bindur që një ditë do të arrij suksesin që dëshiroj, sepse kur bën zgjedhjen e duhur dhe je e motivuar të punosh për të arritur ëndrrat e tua, gjithçka mund të arrihet”, shprehet bindshëm ajo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arrestimi i Tahirit, Këshilli me dy raporte, ja çfarë përmbajnë

Mazhoranca dhe opozita duhet të paraqesin brenda ditës së sotme dy raportet...
Read More