Budini: Mediat, jo sulm nga politika, protagonizëm politik

Raporti i medias dhe politikës në një marrëdhënie të ndryshueshme mes “buzëqeshjes” dhe kërcënimit. A po futet media në shinat e misionit të saj dhe sa tregues është që media ia ka arritur qëllimit kur sulmohet nga protagonistët e politikës? 

Prof. as. dr. Belina Budini, Përgjegjëse e Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në UET

Media po sulmohet nga të gjithë anët, veçanërisht nga eksponentë të politikës. Fakti që sulmohet nga të gjitha palët, a tregon se media është në funksionin e vet?

Më tepër sesa të sulmuara nga politika, duket se mediat dhe njerëzit e mediave në Shqipëri po shfaqen si protagonistë të vetë politikës. Është e hapur përpjekja e disa mediave dhe disa formateve mediatike, për të dalë në rol protagonistësh ose aktorësh politikë.

Ky nuk duket si protagonizëm i dhuruar, edhe pse të krijohet kjo ide nisur nga sulmet e eksponentëve të politikës të cilave u referoheni edhe ju në pyetjen tuaj. Ka të ngjarë që të jetë pikërisht kërkimi dhe dalja si protagonistë edhe shkaku i sulmeve, kritikave ose diskutimeve me tone të larta.

Lajmi i mirë është se përveç aktorëve partiakë të politikës, në skenë është intensifikuar prania e aktorëve të tjerë, qofshin këto media të reja a të riformatuara, personalitete publike, publicistë, gazetarë apo analistë, ndërsa po përgatiten të hyjnë në treg edhe media të rrjeteve ndërkombëtare të informimit.

Në fakt, protagonizmi i mediave përballë qeverive, partive politike apo aktorëve të tjerë me pushtet publik, flet më tepër në favor të mediave sesa kundër tyre sikurse mendohet rëndom. Nëse ato arrijnë të fitojnë protagonizëm publik dhe të jenë në qendër të vëmendjes së politikanëve, do të thotë se janë duke përmbushur minimalisht funksionet e tyre si “qen roje” të demokracisë.

Lajmi i keq është se ky lloj protagonizmi i vonuar paraqitet më tepër si “kapardisje” sesa si qasje profesionale dhe në interes të publikut. Duket se ka një kor zërash kundër mediave njësoj si kundër politikës. Përgojimi sistematik i mediave nga eksponentë të politikës por jo vetëm, tani shoqëruar edhe me replika të ashpra e joetike mes njerëzve të medias dhe të politikës, mund të ndikojë që publiku t’i zhvlerësojë perspektivat e të dyja palëve.

Ka një ndarje edhe mes vetë protagonistëve të medias, që në disa raste merren me sulmet ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për anshmëri. Sa e dëmton ky fenomen për të qenë një media e fortë dhe a mungon “sindikalizmi pozitiv”, që të parët që duhet të mbrojnë gazetarët janë vetë gazetarët?

Tonet e ngritura mes vetë njerëzve të mediave dhe akuzat reciproke për anshmëri flasin pikërisht për protagonizëm publik por edhe politik. Nga pozicione dhe pole krejt të kundërta me njëri-tjetrin është e kuptueshme që do të ketë fërkime dhe përplasje dhe këtu nuk ka domosdoshmërisht një problem.

Po kështu, gara mes tyre për protagonizëm më të lartë, audiencë dhe influencë, është e natyrshme. Nga ana tjetër, duke u shndërruar në protagoniste, edhe vetë media bëhet subjekt i medias. Dhe as këtu nuk ka domosdoshmërisht një problem. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, në forumet me gazetarë që kemi zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, më ka bërë përshtypje pikërisht kjo qasje për të cilën flisni ju.

Gazetarët shfaqen të parët kritikë ndaj mediave. Ndoshta edhe më ashpër sesa vetë politikanët. Denoncojnë pothuajse gjithë spektrin mediatik, pa dallime, duke përfshirë kësisoj edhe veten e tyre si punonjës të këtyre mediave. Në këto kushte, si zor të përfytyrohet solidarizimi apo sindikalizmi mes kaq shumë kundërshtive dhe poleve të papajtueshme brenda vetë mediave.

Së fundi, impulsi protagonist mes vetë mediave, mund të jetë nxitur pikërisht nga sfida që paraqesin mediat online dhe copëzimi i audiencave prej tyre. Gara për klikime, zhvendosja e vëmendjes drejt aspekteve lifestyle dhe gossip, shpejtësia dhe atypëratyshmëria e procesit të informimit, e kanë shndërruar krejtësisht tablonë mediatike edhe në Shqipëri. Ndaj protagonizmi mund të jetë karta e fundit që u mbetet mediave tradicionale për të luajtur, nëse nuk duan të përfundojnë karta të djegura…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Safija, Sulltanesha shqiptare, një nga gratë më të fuqishme në histori

  Arbëria ka luajtur një rol të madh në drejtimin e Portës...
Read More