Bujqësia dhe qeveria


Nga Niko Rroshi*

Gjendja e bujqësisë sot është në gjendje të vështirë. Qeveritë postkomuniste, dhe jo vetëm, kanë një përgjegjësi të madhe morale, por edhe penale sigurisht, për këtë gjendje. Qeveritarët tanë, deputetët, pothuaj e gjithë kasta e politikanëve, i janë larguar fshatit, e kanë abandonuar atë, i kanë kthyer krahët, e kanë harruar atë. Fshati dhe bujqësia jonë përballen me një thes problemesh, të trashëguara apo edhe të këtij tranzicioni.  Është koha që të gjithë të japin alarmin për atë çka është sot hapësira dhe çka duhet të jetë nesër, me pak fjalë.  Si një specialistë i bujqësisë që ka punuar për dekada dhe që e njeh nga afër këtë sektor do të përpiqem të  parashtroj në këtë shkrim disa mendime  se si mund të kemi një rivitalizim të saj.

1-Në vargun e problemeve të shumta, mbase ai i pronësisë i bie të jetë në krye të axhendës. Është rasti për të thënë se ligji 7501 është ligji më i mbrapshtë, më dëmprurës në të gjithë historinë e Shqipërisë, si në asnjë kohë e vend tjetër, dhe që ka sjellë gjithë këtë pështjellim që përjeton shoqëria shqiptare e viktimizuar, gjatë gjithë këtyre 27 viteve.

Qeveria Rama ka marrë përsipër barrën e vështirë për ta shpurë deri në fund këtë ligj, po me pak korrigjime, pasi në fakt, ky proces nuk ka përfunduar dhe nuk dihet kur do përfundojë, në mënyrë që çdo fshatar që ka një pronë, e në çdo cep të Shqipërisë, të ligjërohet e drejta mbi pronën, thënë ndryshe, të marrë tapinë e pronës. Pa e përfunduar këtë proces z. Rama mos thuaj se mund të bëhet diçka që bujqësia jonë të dalë nga qorrsokaku dhe të përfitojë ndonjë kacidhe nga investimet e huaja. Një qeveri serioze- dhe dëshiroj që Qeveria Rama të jetë e tillë, duhet të dëshmojë me fakte, sinqerisht, se kur do përfundojë ky kalvar. Për këtë duhet të shënojmë afate, data, harta për çdo bashki, njësi vendore e fshat.

2-Problemi i privatizimit në bujqësi lidhet ndërkohë me një eveniment jetik për fshatin , por edhe për ekonominë në tërësi, që ka të bëjë me perspektivën e zhvillimit të afërt apo afatmesëm të kësaj dege tepër të rëndësishme të ekonomisë kombëtare, në përshtatje me kushtet  e mundësitë tona, që vijnë e bëhen, gjithsesi, më shpresëdhënëse. Fjala është për kooperimin në fshat, jo për kooperativa  të bashkuara, apo të tipit të lartë – të kohëve të Nastradinit, por kooperativa apo bashkim fshatarësh të një tipit tjetër, të provuara tanimë  në shumë shtete, por edhe tek neve. Apriori, le të themi se në rast që brenda një periudhe relativisht të shkurtër do të organizohej një seri kooperativash, rreth gjysma e fshatarësisë, me vullnetin e tyre të lirë, atëherë, thënë me modesti, fatet e Shqipërisë do të ndryshojnë dukshëm. Do të thotë që do të rritej prodhimi bujqësor e blegtoral, pra niveli i jetesës, punësimi, pensionet, stabiliteti, siguria e kështu me radhë.

Mund të realizohet një punë e tillë? Sigurisht që po! Dhe kjo është alternativa më e rëndësishme, në mos e vetmja që shtrohet qartazi përpara fshatarësisë, qeverisë dhe shoqërisë. Është në radhën e emergjencave tona, sigurisht që nuk është e lehtë, por nga që është tepër e rëndësishme, bëhet edhe e domosdoshme. Duhen me patjetër një varg i tërë masash tekniko-organizative. Problemi është kush do të operojë konkretisht  në terren. Ka sigurisht, një gjendje për rentabile. Njerëzit që mund të kryejë këtë detyrë urgjente, me profesionalizëm – do të mund  të ishin studentë të Universitet Bujqësor , por edhe të Universitetit të Tiranës, instituteve dhe institucioneve të tjera të profileve të ngjashme, kryesisht gjatë periudhës së pushimeve verore, me një pagë të arsyeshme, doemos, duke angazhuar specialistët më të mirë të fushës, duke i trajnuar studentët me mënyra të posaçme, duke siguruar bazën e nevojshme me materiale, në mënyrë që Shqipëria  të ketë më në fund një produkt standard të prodhuar në bujqësi. Ndoshta nuk do të ishte e tepërt që ky proces të shpallej aksion kombëtar. Gjithashtu, nuk është e tepërt të thuhet, se për këtë punë duhen forcat e nevojshme dhe përkushtimi maksimal.

3- Shqipëria, besoj dihet nga të gjithë, që është vendimi me më pak tokë bujqësore për frymë të popullsisë në Europë, – që do të thotë  se, ndërsa natyra e ka privilegjuar Shqipërinë me male, përkundrazi e ka privuar me tokë bujqësore. Ky fakt, në të shumtën e herës, harrohet ose anashkalohet. Do të doja të përcillja një mesazh për qeverinë dhe shoqërinë, për të ngulitur thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari, mbase duke filluar që nga klasa e parë fillore, përgjegjësinë civile qytetare, dashurinë, respektin për çdo pëllëmbë tokë, si dhe për ta ruajtur dhe administruar atë me xhelozi. Por faktet se si po sillemi ne me tokën, me këtë thesar për sot e mot, flasin trishtueshëm, na akuzojnë. Përveçse mijëra e mijëra hektarë të lëna djerrë gjatë 27 viteve të fundit ( është pak të thuash kështu) shumë qeveritarë, politikanë, deputetë e qytetarë të papërgjegjshëm, kanë bërë kriminelin e tokës tonë mëmë, duke e pushtuar , pikërisht duke pushtuar mijëra ha në të gjithë Shqipërinë, tokë të klasit të parë me lloj-lloj ndërtimesh. Bukëshkalë! Dhe qeveria, institucionet ligjvënëse, shoqëria bëjnë sehirxhiun e sëmurë.  E pabesueshme , njëfarësoj, por e vërtetë therëse. Dhe janë më të shumtët që presin të zgjohet, të ndërgjegjësohet qeveria dhe ligji të zhbëjë këtë të keqe, t’i kthehet shoqërisë çdo pëllëmbë toke të grabitur dhunshëm, nga këta bij bushtre. Të penalizohen këta individë dhe të tjerë të lidhur me ta dhe t’iu faturohet edhe dëmi ekonomik që i kanë shkaktuar vendit.

4- Ka Shqipëria jonë, gjithashtu, edhe një problem po aq madhor e emergjent, siç është problemi i shume lakuar i investimeve të huaja, që do të lidhin një rrënjë të fortë oksigjeni, siç flitet rëndom për të gjithë ekonominë e vendit, pra edhe për bujqësinë. Mund të thuhet, me bindje, se kapitali i huaj ka interes të investojë edhe në bujqësinë, për shumë arsye të favorshme. Pa hyrë në hollësira të problemit, le të marrim një rast, apriori, për të theksuar sadopak vlerën e investimeve të huaja në bujqësi.

Fusha e Dropullit në Gjirokastër, fjala vjen, që shtrihet në disa mijëra ha përgjatë luginës së Drinos, e pa kultivuar, e lënë djerrë në pjesën më të madhe, pothuaj, është një fushë e bekuar, që ka potenciale të mëdha prodhimi bujqësor, blegtoral, që i mban në gjirin e saj sot e mot. Të tilla fusha masive, të ngjashme, ka shumë anë e kënd Shqipërisë. Këtu mund të kultivohen një varg i tërë kulturash drufrutore, arrore, perime, foragjere, në daç edhe mjekësore. Sinqerisht këtu bëhet fjalë për prodhime të shumëkërkuara nga tregu i brendshëm e i jashtëm. Fusha e Dropullit ka privilegjin, kësisoj, të shtrihet në një nga zonat turistike më të vizituara të vendit. Me kushte klimatike të favorshme, me parametra të lartë, me burime ujore nën dhe mbitokësore, fusha e Dropullit mund të kthehet në një hambar të prodhimeve bujqësore, ndryshe në një fabrikë të prodhimeve blegtorale, për furnizimin e popullsisë të një pjese të madhe të zonës së jugut, si dhe për eksport, me prodhime cilësore.  Pa mëdyshje!. Me investime nga investitorë të huaj, të rëndësishëm e seriozë, me një teknologji moderne, nga kjo fushë mund të merren rendimente rekorde frutash, perimesh, mishi, qumështi, vezë. Le të themi, mandej, se një investim i tillë do të sillte patjetër ndryshime të prekshme social-kulturore. Më së pari do të rriste punësimin në zonë. Me një pagë të arsyeshme të punonjësve të thjeshtë, le të themi 1500-2000 lekë për ditë pune, jam besimplotë, se do të ketë shumë kërkesa për t’u punësuar në këtë ndërmarrje. Në kushtet e krizës në Greqi, do të mund të ktheheshin për t’u punësuar në këtë ndërmarrje edhe shumë emigrantë, ndaj është për t’u shënuar edhe ky rast.

Një investim i tillë natyrisht do të sillte edhe një zinxhir ndryshimesh pozitive, si në infrastrukturë, në cilësinë e jetës, në fushën social-kulturore, e shumë të tjera me radhë.

P. S, u përpoqa të parashtroja një mendim, një ide. Dikush mund të thotë, një ëndërr!. Gjithsesi nuk është një projekt. Duhet të mirëkuptohemi. Sidoqoftë, shembulli i sipër menduar, megjithatë, nuk është aspak një ëndërr, por ka kësodore një mur të pakapërcyeshëm edhe ligjin famëkeq 7101 dhe mungesën e tapisë së parcelës.

5- Ndërkohë, dëshiroj vetëm sa t’i prekë shkurt disa probleme të tjera (por jo të fundit) që i ka theksuar edhe z. Nazarko.

a)Kanalet kullues janë arteriet e bujqësisë, që pa komunikimin normal të tyre, bujqësia asfiksohet. Gjatë 4 viteve të fundit është folur shumë për arritjet (?) në këtë fushë, sidomos nga ish ministri i fundit i Bujqësisë. Por faktikisht është bërë  shumë pak nga çfarë është thënë. Gjatë 25 viteve të tranzicionit janë dhënë për kanalet kullues e ujitës mbi 300 milionë euro, thotë z. Nazarko.  Një shifër vërtetët tmerrësisht e lartë.  Me kaq para kanalet kullues e ujitës duhet të ishin në gjendje pune gjatë gjithë stinëve të vitit dhe gjatë gjithë këtyre 25 viteve. O Zot, po ku kanë shkuar vërtetë këto para?

Siç mund të merret me mend, problemi është mjaft i mprehtë; rrjedhimisht dhe detyrimisht ky duhet evidentuar e njohur me detaje, duhet vlerësuar e programuar me seriozitet e kompetencë. Më së pari do të duhet një hartë ku të pasqyrohen të gjitha kanalet kullues e ujitës për çdo parcelë e bllok, në çdo bashki, komunë e fshat, në të gjithë Shqipërinë, siç e ka gjithë bota. Po ashtu grafikë e kalendarë për  pastrimin e mirëmbajtjen e tyre në vazhdimësi, çka druaj se e kemi pasur ndonjëherë.

Problematika e bujqësisë është shumë e ngjeshur e  vështirë, por me djersë, përkushtim, ambicie, inat, mund t’ia dalim ta shkëpusim më në fund bujqësinë nga gjendja rutinë sot dhe për ta vënë në baza shkencore, ditë pas dite. Dhe këtu, rol të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm, kanë specialistët.

Z. Rama! Zotërinj politikanë! Angazhojini specialistët, mbështetini specialistët, stimulojini specialistët, për t’i vënë në shërbim të Atdheut të gjitha potencialet dhe dijet e tyre. Duhet thënë që në këtë drejtim deri tani ka pasur dobësi të theksuara.

Në vend të epilogut:

Ndokush, hera herës, me ngjarje e fakte, që përveç se informohesh, edhe të mërzisin e dëshpërojnë jo pak.  P.sh, i referohem përsëri z. Nazarko, kur thotë se Maqedonia fqinje, me kushte klimatike-tokësore aspak më të mira se ne, përkundrazi, me një traditë tonën për t’u rrëfyer në mbarështrimin e të imtave, pra kur Maqedonia, edhe më e vogël se Shqipëria,  eksporton çdo vit në Evropë  çerek milioni qengja, domethënë 20 herë më shumë se ne, për be mbetesh pa frymë.

Mbetet të pyesësh e të ulërasësh: a u ka mbet qeveritarëve, kastës së politikanëve, elitës shoqërore, një fije ambicie dhe krenarie kombëtare për t’u ballafaquar, matur e krahasuar qoftë edhe me fqinjët tanë më të vegjël Maqedoninë apo Malin e Zi, që për hir të së vërtetës na bëjnë goxha konkurrencë?.

Ndërkaq, dhe e them me bindje të patundur, se në kushtet shumë të mira, të privilegjuara klimatike, por edhe tokësore të Shqipërisë, bujqësia jonë i ka mundësitë që dora-dorës të ngrihet të tejkalojë nivelin e bujqësisë së fqinjëve.

Fushat tona të begata – shumica e të cilave të pakulturuara, djerrë – le të themi, në gjendje disi të përgjumur, kanë nevojë për një injeksion, që do të thotë investime patjetër, që do të thotë subvencion e koncesion. Kjo i duhet kërkuar të zotit të timonit!

*Specialist i bujqësisë

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vasili: Rama një mal me zero. A do shkrijë kryeministrinë si ALUIZNI-n Berat?!

Ish-kryetari i LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas publikimeve të lajmeve se...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.