Bujqësia, e asfiksuar nga kriza e investimeve

bujqesiaMbështetja buxhetore për hektar e sipërfaqes bujqësore të përdorur është rreth 25 euro në Shqipëri, 50 euro në Bosnjë, 70 euro në Kosovë, Mal të Zi e Serbi, dhe 150 euro në Maqedoni. 

Për nga shtrirja e punësimi bujqësia shqiptare zë gjysmën e ekonomisë, për nga pesha e prodhimit është një e pesta e saj.

Është rasti i vetëm në rajon që sektori të ketë peshë aq të madhe dhe ku financimet janë aq të pakta.

Vend pune për rreth gjysmën e të punësuarve aktualë shqiptarë, shumica më të varfrit e vendit, kjo degë e ekonomisë që ka pësuar transformimet nga më të mëdhatë në shekullin e fundit, megjithatë mbetet kyçi i zhvillimit të vendit.

Specialistët besojnë se edhe për shumë vite të tjera Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend bujqësor, paçka se prodhimi bujqësor vendës aktualisht është 4 deri në 5 herë më pak nga sasia e importeve të produkteve ushqimore.

Situata është e tillë sepse përveç shumë halleve të tjera ka mungesë të madhe financimesh, ndonëse në 10 vitet e fundit vëmendja drejt tokës është rritur disi.

Tokë e copëtuar

Nga 2.8 milionë hektarë që është sipërfaqja territoriale e Shqipërisë vetëm 25 për qind e saj, ose 700 000 mijë hektarë është tokë e punueshme.

Nga kjo sipërfaqe 44 për qind e tokës së punueshme është në zonën bregdetare, 37 për qind në zonat kodrinore dhe vetëm 19 për qind në zonat malore.

Nga e gjithë kjo sipërfaqe toke e punueshme tokë-arë është rreth 580 mijë hektarë, shumica e të cilës e përftuar në vitet e socializmit pas bonifikimeve, shpyllëzimeve dhe kthimit të livadheve në tokë-arë.

Sipas shifrave ndërmjet viteve 1945-1990 janë hapur rreth 300 mijë hektarë tokë e re.

Por pavarësisht dyfishimit të sipërfaqes, dhe kujdesit tradicional për këtë pasuri të madhe natyrore, pronësia mbi tokën në Shqipëri mbetet çështja më e paqëndrueshme e shekullit të fundit.

Reformat me tokën që nuk kanë reshtur deri në ditët e sotme ku ende nuk është asgjë e definuar plotësisht nisin që më qeverinë e Ismail Qemalit, për të dështuar si e tillë ne qeverisjen e Nolit, për të vijuar me dy të tilla nga Zogu e po aq reforma nga Enver Hoxha e për të përfunduar me reformën e pambyllur të ligjit 7501, ku e gjithë sasia e planifikuar për t’u ndarë është copëtuar mes 467 mijë familjeve që mesatarisht kanë marrë nga 1.17 hektarë tokë.

30 për qind e familjeve në zonat rurale kanë më pak se 0.5 hektarë tokë ndërkohë që për 45 për qind të këtyre familjeve toka në zotërim varion mes sipërfaqeve 1.1 deri në 2 hektarë.

Ndërkohë në Evropën Perëndimore konsiderohet e përshtatshme për bujqësinë konkurruese nga ana tregtare një sipërfaqe toke mbi 25 ha.

Ligji 7501

25 vjet më parë do të niste procesi i pajisjes me tokë të të gjithë familjeve fshatare, si një proces krejt i kundërt me atë që kishte ndodhur me tokat në 3 dekadat e fundit.

Privatizimi i tokës që filloi menjëherë pas viteve 90 nisi me fondin e tokës së kooperativave bujqësore dhe më pas me atë të 251 fermave shtetërore që zotëronin 24 për qind të fondit të tokës së punueshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë deri në fund të vitit 2005 është privatizuar 563696 ha tokë ose 98.9 për qind e sipërfaqes së planifikuar për ndarje.

Nga fondi gjithsej i tokës bujqësore (699423 ha) nuk janë privatizuar 110584 ha, nga ish-sektori kooperativist dhe 25143 ha nga ish-sektori shtetëror, gjithsej 135727 ha, ose 19.4 për qind e fondit të tokës bujqësore.

Statistikat flasin për rreth 130 mijë hektarë tokë që është refuzuar të merret në pronësi nga fshatarët, ndërkohë që të dhënat zyrtare flasin se Shkodra, Lezha, Vlora, Fieri, Kukësi e Tirana kanë qenë qarqet që kanë patur më shumë probleme me ndarjen e tokës.

E ndërsa toka formalisht është ndarë ajo mbetet në një masë të madhe e paregjistruar në kadastra. Qeveria aktuale ka ndërmarrë një reformë në regjistrimin e tokës, dhe kryeministri Rama ka deklaruar se problemi do të zgjidhet përfundimisht.

Bllokimi shumëvjeçar ka bërë që në vend të mungojë tregu i mirëfilltë i tokës, ndërkohë që kapitalistët në këtë sektor ende janë një specie shumë e rrallë.

Financimet, problemi i madh

Nëse krahasohet me vendet e rajonit, Shqipëria ka një situatë të rëndë të financimeve në bujqësi. Të vërtetën e hidhur në këtë drejtim e zbulon raporti i FAO i vitit 2015, me titull “Politika bujqësore dhe integrimi europian në Europën Juglindore”.

Për të kuptuar realitetin e hidhur shkëputëm tre paragrafë nga ai raport. I pari ka të bëjë me krahasimin e mbështetjes financiare buxhetore për bujqësinë.

“Në vendet e SEE-së, me përjashtim të Kroacisë dhe Maqedonisë, niveli i mbështetjes buxhetore totale për bujqësinë është shumë i ulët në krahasim me EU-27. Në vitin 2012, mbështetja buxhetore për hektar e sipërfaqes bujqësore të përdorur arriti në rreth 25 euro në Shqipëri (më e ulëta nga të gjitha), 50 euro në Bosnjë, 70 euro në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, dhe me rreth 150 euro në Maqedoni”.

Akoma edhe më tronditës është raporti i mbështetjes direkte për prodhuesin (fermerin).

Në raport thuhet: “Mbështetja direkte e prodhuesve në Shqipëri është shumë modeste, më pak se 2 euro për ha; në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi këto fonde janë më të larta, por qëndrojnë nën nivelin e 30 euro për ha; niveli i mbështetjes direkte të prodhuesve në Serbi është rreth 60 euro për ha; në Maqedoni është rreth 110 euro për ha”.

Ka një element që duhet vënë në dukje në këta tregues, të cilët flasin vetëm për bujqësinë. Por mbështetja në Shqipëri ka specifikën e vet.

Sipas raportit: “Në Shqipëri, Bosnjë dhe Mal të Zi, shumica e fondeve janë shpërndarë për sektorin e kafshëve; në Kosovë, të dy sektorët janë mbështetur në mënyrë pothuajse të barabartë, dhe në Serbi, Maqedoni dhe Kroaci, shumica e fondeve janë të destinuara për prodhimin bimor”.

Gruri, kultura e “harruar”

E konsideruar në vitet e socializmit si bima që “çante bllokadën”, në vitet e tanishme interesi i fermerëve për të mbjellë grurë ka rënë ndjeshëm.

Kështu në vitin 2004 sipërfaqja e mbjellë me grurë nuk ishte më shumë se 100 mijë hektarë, përkundër 123 mijë hektarëve të mbjella vetëm një vit më parë.

Shifra e sipërfaqes së mbjellë është vetëm sa gjysma e sipërfaqes së kultivuar me këtë bimë në vitin 1989, viti i fundit i socializmit. Atëherë janë mbjellë 203 mijë hektarë dhe është prodhuar 613 mijë tonë grurë, pothuaj aq sa ishte nevoja e vendit.

Me sipërfaqen e mbjellë në vitin 2004 kultivimi i grurit është pothuaj në nivelet e vitit 1950, ku janë mbjellë 88 mijë hektarë dhe prodhuar 85 mijë tonë grurë.

Sipas specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, vitet e fundit vihet re se fermeri vendës mbjell grurë aq sa të plotësojë nevojat vetjake, duke i kushtuar më tepër vëmendje kultivimit të perimeve e foragjereve, nga të cilat ka arritur të përfitojë më shumë.

Nga ky bilanc rezulton se nevojat e vendit me grurë nga prodhimi i 2004 u plotësuan më pak se 40 për qind dhe pjesa tjetër (60 për qind) u sigurua nga importi në grurë ose miell.

Sipas statistikave mesatarisht në vitet e fundit janë importuar, kryesisht nga SHBA-ja, mbi 350 mijë tonë grurë në vit.

Më e thellë ka qenë rënia në prodhimin e kulturave industriale. Sipërfaqet e mbjella me panxharsheqeri, luledielli, sojë, pambuk e duhan kanë rënë në mënyrë drastike, si rezultat i mbylljes së agjencive shtetërore të përpunimit dhe marketingut.

Këto pesë kultura janë kultivuar në një sipërfaqe mesatarisht prej 81,000 ha në fermat shtetërore e kooperativa në periudhën 1985-1989.

Në mes të viteve 2000 e në vijim sipërfaqja e mbjellë me to është raportuar në më pak se 10,000 ha.

Struktura e Zotërimeve Bujqësore

Grupet Fermere Numri i fermave Përqindja
0.1-0.5 hektar 142,600 33.9
0.5-1 hektar 101,600 24.2
1-2 hektar 126,200 30.1
Mbi 2 hektarë 19,600 11.8
Totali njësive fermere 420,000 100%

Burimi: Ministria e Bujqësisë

BUJQËSIA SI PESHË E EKONOMISË

Vendi             GDP (në dollarë)            Pesha e bujqësisë

Shqipëria         11.54 miliardë             21.9%

Maqedonia      9.92 miliardë               11.2%

Serbia              36.51 miliardë              9.5%

Mali i Zi          4.04 miliardë               8.3%

Greqia             195.3 miliardë             4%

BE                   16.27 trilionë               1.6%

SHBA             17.95 trilionë               1.1%

Gjermania        3.36 trilionë                 0.6%

 Burimi: CIA Factbook 2015

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Kur Athina firmoste varrezën e partizanëve çamë në Greqi”

Deri në vitin 1995 “çështja çame” ka qenë në një shtrat “normal”...
Read More