Buka, një e mirë e Zotit

Me Isabelle Allenden dhe ushqimin e trupit, mendjes dhe zemrës…

Nga ARTA MARKU – Hebrenjtë kishin qenë skllevër në Egjipt dhe, siç tregohet në pjesën e parë të Biblës, ia mbathën  në kërkim të një toke të re, të prirë nga Moisiu. Para se të ndërmerrnin rrugëtimin që do t’i çonte në tokën e premtuar, Palestinë, nuk kishin pasur kohë t’i hidhnin bukës maja, ta linin të pushonte e të fryhej para pjekjes sipas mënyrës që bëhej në Egjipt. Kësisoj hëngrën pite të holla.

E kështu, në kujtim të bukës së ngrënë gjatë eksodit nga Egjipti, hebrenjtë, gjatë javës së Pashkës, nuk hanin (dhe nuk hanë ende sot) bukë me maja.

***

Kurse Isabelle Allende, ka një mendim krejt tjetër. Majaja i intereson padyshim. Sepse i intereson shija, aroma, procesi i fryrjes mbi të gjitha… Pra, kur vendosi të përfshinte edhe bukën në librin e saj të famshëm “Afërdita”, nuk kishte aspak ndërmend t’i referohej Biblës. Madje as që donte ta shihte në ndonjë këndvështrim tradicional, kulturor apo historik bukën. Ashtu sikurse në asnjë manual afrodiziakësh nuk thuhet, ajo deshi ta shihte “këtë të mirë të Zotit” në një mënyrë krejt të papritur dhe të paimagjinueshme: si afrodiziak.

Në fakt ishte “feja” e shkrimtarit që e nxiste të fliste për bukën sepse: “Buka është si poezia: është një prirje pak a shumë melankolike që kërkon në radhë të parë kohë të lirë për shpirtin. Poeti dhe bukëpjekësi janë vëllezër në detyrën e rëndësishme për të ushqyer njerëzimin”. Por Allende do të shkonte më përtej: do ta lidhte bukën pra, me perëndeshën e dashurisë, Afërditën.

***

Nëse rreth 2000 vjet më parë çdo qytet në Palestinë kishte furrxhiun e vet i cili, në shitoren e tij, që e kishte hyrjen nga rruga, bënte brumë dhe piqte bukë të vogla me maja të bëra me miell që bluhej çdo ditë (sepse buka e bërë me miell të freskët ishte më e mirë), në fund të shekullit XX, në shtëpinë e Allendes, mbërrin një makinë çudibërëse. Pikërisht për të mos shkuar te furrxhiu i dyqanit përbri, por për ta bërë bukën në shtëpi.

Në fakt, nuk është qëllimi në këto radhë për të bërë një krahasim mes rreshtave të Biblës dhe rreshtave të letërsisë së Allendes (apo të shkrimtarëve në përgjithësi) ku flitet për bukën. Aq më pak është fjala për të krahasuar bukën si prani të Zotit apo mungesën e saj si heshtje të Zotit (siç e gjykon Bibla), me Afërditën e shkrimtares së famshme kiliane. Ajo që do të gjeni në rreshtat e më poshtëm nuk ka asfare të bëjë, as me furrat ku hebrenjtë bënin bukën, as me eksodin, e as me citimet biblike për trupin e Krishtit. Më poshtë, në të vërtetë, do t’i referohem një shkrimtareje të vetme, një libri të caktuar, Afërditës, ku në mënyrë krejt të papritur dhe origjinale edhe buka ka gjetur vend.

***

Siç e thamë Allende, ia nis nga momenti i mbërritjes së makinës së bukës në shtëpinë e saj. Pra i referohet vetes. Jo sepse, më së shumti, kështu bën në librat e saj, për të cilët përvoja i bëhet lëndë e parë, por mbi të gjitha sepse një libër si Afërdita, nuk mund të mos shkruhej më parë se në letër, në lëkurën e autores. Makina paskësh qenë me të vërtetë çudibërëse: “në një vrimë futej miell, maja dhe ujë, rregullohej kohëmatësi dhe të nesërmen aroma e bukës së sapodalë nga furra na zgjonte të gjithëve nga gjumi në orën e caktuar. Sesi qe e mundur që bëhej ky transformim është ende një mister i padepërtueshëm. Pasojat qenë të menjëhershme dhe mund t’i shihje në ijet e të rriturve dhe në kundërshtimin e fëmijëve për t’u ushqyer me proteina dhe perime, dëshironin vetëm kulaç dhe ëmbëlsira.”  Dhe menjëherë pasi e ka provuar këtë gjë, Allende arrin në përfundimin: mos e bëni bukën vetë në shtëpi. Sepse joshjes mesa duket nuk është e mundur t’i bëhet ballë. Dhe pastaj joshja, mund të shndërrohet në një pasion të rrezikshëm. Edhe pas bukës fshihet joshja.

***

Por deri këtu nuk është zbuluar ende elementi që e lidh bukën me ushqimin afrodiziak, ndryshe e thënë arsyeja pse shkrimtarja kiliane e ka përfshirë bukën në librin e saj me rrëfime, receta dhe afrodiziakë të tjerë. Por sidoqoftë do të ishte e pamundur të zbulohej në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë. Tek e fundit jemi në ujërat e letërsisë. Madje vetë Allende shkrimtare, i referohet një tjetër shkrimtari, pa ja zbehur aspak origjinalitetin veprës së vet, përkundrazi duke pohuar binjakësinë e qenieve të këtij lloji.

Ja çfarë shkruan Allende:

Në një rrëfim të Guy de Maupasant-it, çdo mëngjes shërbëtorja e re e një shtëpie borgjezësh shkon të blejë bukën me shportën e saj nën sqetull. Nga një dritare shikon vjedhurazi bukëpjekësin e ri teksa punon dhe, merr me vete shëmbëlltyrën e shpatullave të gjera, krahëve të fortë, lëkurës që ndrin nga djersa dhe të atyre duarve sensuale që zënë brumin me vendosmërinë e një dashnori, pikërisht ashtu siç i dëshironte ajo duart që do ta preknin. E meqenëse është një rrëfim dashurie ëndrra s’do të vononte që të përmbysej…”

Dhe pastaj sqaron se edhe asaj vetë, sa herë sheh bukët e mëdha fshatarake, i vjen ndërmend bukëpjekësi i Maupasant-it dhe duart e tij në mishin e fortë të vajzës… Eh Allende e ka marrë përdore Afërditën dhe e ka çuar në kuzhinë: “Ka duar e duar, disa të rënda dhe të ngadalta, të tjera të vogla dhe të forta, por të zësh bukën dhe të bësh dashuri, i rëndësishëm është qëllimi që udhëheq dorën.”- shkruan ajo.

***

Ndryshon disi këndi i shikimit kur shkrimtarja sjell në kujtesë kuzhinën e një manastiri në Bruksel. Ishte dëshmitare (e nderuar madje, thotë për këtë prani të saj në atë vend) e një përzierje të majasë, miellit dhe ujit. Nuk shihte shpatullat e gjera të ndonjë bukëpjekësi që mund t’i sillte ndërmend Maupasant-in, ama murgesha që ishte e përqendruar e tëra në punën e saj, kishte shpatullat e një hamalli porti. Porse duart e saj ishin delikate si të në balerine. “…e përgatiste bukën me stampa të rrumbullakëta dhe katrore, i mbulonte me një pëlhurë të bardhë, të larë dhe rilarë me mijëra herë, dhe i vendoste ato pranë dritares, mbi një parvaz druri mesjetar. Ndërsa punonte, në qoshen tjetër të kuzhinës, vërtetohej mrekullia e thjeshtë e përditshme e miellit dhe poezisë, ajo çka gjendej brenda stampave merrte jetë dhe një proces i lehtë e sensual zhvillohej nën ato peceta të bardha që, si çarçaf, mbulonin lakuriqësinë e panineve. Brumi fryhej në psherëtima të fshehta, lëvizte butësisht regëtinte si trupi i një gruaje tek bën dashuri. Aroma e thartë e brumit që fermentohet përzihej me erën e ngrohtë të bukëve të sapo dala nga furra”.

Kurse Allende, siç shkruan, e ulur mbi një nga stolat e mëkatarëve, në një qoshe të errët, të asaj dhome të madhe prej guri, e zhytur në ngrohtësinë dhe aromën e kësaj ngjarjeje misterioze, qante pa e ditur përse…

***

…epo, buka, kjo e mirë e Zotit, nuk mund të shpërfillet nga shkrimtarët. Këndvështrimi i tyre mund të jetë i ndryshëm, të ndryshme mënyrat se si përfshihet buka në një copëz letërsie apo arsyet se pse ajo është aty. E megjithatë është, sepse nuk mund të mos jetë… edhe buka.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Adrola Dushi i bën vetes urimin special, nuk do e besoni sa vjeç mbush

  Modelja shqiptare Adrola Dushi është një nga femrat shqiptare, e cila...
Read More