Bukuritë natyrore të Shqipërisë që duhen ruajtur dhe promovuar

Nga Ndriçim Kulla

Megjithëse Shqipëria është e vogël si sipërfaqe, atje ka një listë të madhe bukurish natyrore, të tillë që nuk e gjen edhe në vende shumë më të mëdha. Arsyeja kryesore për këtë është larmia gjeografike e vendit tonë. Brenda territorit të vogël të Shqipërisë gjendet edhe një bregdet i ulët, me laguna, plazhe të gjera dhe delta lumore, por edhe një bregdet shkëmbor, ku gjen edhe fjorde, ndonëse te ne nuk ka hyrë kjo fjalë, gjire shkëmbore me shpella të bukura e bukuri të tjera.

Brenda territorit të vogël të Shqipërisë gjenden lumenj të cilët brenda një gjatësie të vogël, janë edhe lumenj malorë, që rrjedhin nëpër lugina të thella, që marrin formën e kanioneve, por më pas shndërrohen edhe në lumenj fushorë, me bukuri të tjera si tarracat lumore dhe deltat në fusha.

Brenda territorit të vogël të Shqipërisë gjen edhe masive malore, edhe rrafshnalta, krahas ultësirave bregdetare. Të njëjtin lumë mund ta gjesh në një luginë malore të ngushtë, duke zbritur nëpër kanione, pastaj në një rrafshnaltë, pastaj përsëri në një luginë malore me kanione dhe në fund në fushë, duke bërë një hark të gjatë. Një lumë që i ka të gjitha këto cilësi është p.sh. Devolli, i cili kalon nëpër rrafshnaltën e Korçës. Por shumica e lumenjve malorë të Shqipërisë, domethënë të gjithë me përjashtim të Bunës, i kanë të gjitha cilësitë e tjera, me përjashtim të kësaj veçantie të rrjedhjes nëpër rrafshnaltë pas daljes nga burimi. Por të gjithë këta lumenj kanë larminë e bukurive natyrore që vjen nga kombinime të tilla të terrenit.

Edhe një lumë i shkurtër, vetëm 32 km, si Bistrica, ka një larmi bukurish në itinerarin e tij. Vendburimi i tij në Malin e Gjerë (në shpatin e kundërt me atë në të cilin gjendet qyteti i Gjirokastrës), përfshin si prurje më të rëndësishme Syrin e Kaltër, një nga bukuritë gjeografike më të mëdha të Shqipërisë. Pasi përshkon një luginë të thyer malore, ku nuk mungojnë kanionet, Bistrica zbret në fushë, ku dikur derdhej në Liqenin e Butrintit, duke krijuar me këtë një bukuri gjeografike në llojin e vet. Por, në kohën e komunizmit, kjo gjë u ndryshua nga dora e njeriut, duke u ndryshuar rrjedha e Bistricës me qëllim që të furnizonte kanalin vaditës të Çukës që do të shërbente për vaditjen e fushës së Vurgut. Bistrica është i vetmi lumë në Shqipëri që derdhet në Detin Jon. Por Bistrica ka edhe një veçori tjetër, është i vetmi lumë në Shqipëri që ujin e merr kryesisht nga burime nëntokësore.

Sa iu përket lumenjve, një bukuri natyrore që lidhet me ta janë tarracat lumore si Tarracat e Vjosës në Kaludh, tarracat në Luginën e Bënçës dhe të Drinosit.

Një karakteristikë e gjeografisë së Shqipërisë që duhet përfshirë ndër bukuritë natyrore është se në lartësitë malore të vendit ka pika të caktuara nga ku shfaqet një panoramë shumë e bukur e hapësirës së larmishme. Kështu, nga lartësia e Malit të Dajtit, hapet një pamje e bukur e fushës së Tiranës, luginave të lumenjve Erzen dhe Ishëm, si dhe e bregdetit. Që nga Mali i Skënderbeut shihet një pamje e mrekullueshme nga perëndimi (bregdeti) dhe (lindja). Që nga lartësia e Malit të Tomorrit shihet një panoramë e gjerë e Shqipërisë, nga Myzeqeja, bregdeti, në thellësi të vendit në veri, drejt Tiranës etj.

Kur flitet për bukuritë natyrore, përmendet së pari bregdeti, për shkak se turizmi bregdetar shihet si kryesore, megjithëse për larminë e klimës që ka Shqipëria duhet të kishte po aq turizëm malor sa bregdetar, ndonëse kohët e fundit në fakt ka nisur të ndryshojë zhbalancimi mes turizmit bregdetar dhe atij malor. Që nga derdhja e Bunës në veri dhe deri në derdhjen e Bistricës, lumi më jugor i Shqipërisë, ka shumë bukuri natyrore. Sa për të përmendur vetëm disa prej tyre, kemi Gjirin e Gjipesë, me kanionin dhe shpellën. E kanë quajtur Kanioni i Gjipëse, por mua më shumë më ngjan si një fjord, meqenëse është në bregdet, gjendet midis Vunoit dhe Dhërmiut. Formësohet si një grykë e ngushtë që zbret nga lartësitë shkëmbore.

Gjithashtu do të përmendja Gjirin Skaloma në pjesën e brendshme të Gadishullit të Karaburunit, me një si majë guri të nxjerrë si një anije e ankoruar atje. Ashtu si Gjipeja edhe Skaloma e ka bukurinë magjike te larmia, atje ka një gji të gurtë, shkëmbor që rrethon një plazh me rërë.

I ngjashëm por me bukuri të veçantë është edhe Gjiri i Gramës, pak më në jug të Gadishullit të Karaburunit. Një gji i mbyllur shkëmbor si i ndërtuar nga dora e njerëzve që donin të fshiheshin, në qendër të të cilit është Shpella e Gramës, një mrekulli më vete e natyrës.

Ndër bukuritë e veçanta të bregdetit jugor, të Rivierës, një fjalë që sot nuk përdoret më fatkeqësisht, janë edhe ishujt e Ksamilit, si dhe Laguna e Butrintit, e vetmja lagunë në bregun e Detit Jon, në vendin tonë.

Lagunat përbëjnë një bukuri të veçantë të bregdetit tonë adriatikas, secila me veçoritë e saj. Laguna e Nartës me ishullin e Zvërnecit para saj, Laguna e Karavastasë, më në veri Laguna e Patokut.

Një bukuri më vete në bregdetin adriatikas janë deltat e lumenjve, si Delta e Vjosës në veri të Vlorës, Delta e Semanit, Delta e Drinit në Lezhë apo Delta e Matit. Përgjatë luginave të lumenjve të bëjnë përshtypje të veçantë kanionet. Të famshme janë kanionet e Vjosës, sidomos Kanioni i Lëngaricës në Hotovë, Gjirokastër. Të magjishme janë Kanioni i Osumit, në Grykën e Osumit, me mure shkëmbore mesatarisht 450 metra të lartë. Kanione shumë të bukura ka edhe në veri të vendit, si Kanioni i Grunasit, në Alpe (Theth), Kanioni i Martaneshit, kanioni i Gjallicës (Gryka e Shejës), Kanioni i Valbonës, në Tropojë.

Një bukuri më vete janë ujëvarat. Të famshme kanë qenë ato në veri si Ujëvara e Grunasit në Theth, Ujëvara e Rragamit (Valbonë), portë tilla ka edhe në jug, dhe shumë të bukura madje. Të tilla janë Ujëvara e Peshturës në Kurvelesh, me një bukuri unike sepse ka tri pragje, Ujëvara e Sotirës në Gramsh, kjo e fundit e popullarizuar shumë nga turistët e huaj kohët e fundit, Ujëvara e Radëshit në Skrapar. Uji i ftohtë në Tepelenë përbën një ujëvarë të butë me bukuri ku kombinohet natyra me ndërhyrjen e dorës së njeriut.

Një bukuri e veçantë natyrore janë liqenet akullnajore, nga të cilët të famshëm janë ata të Lurës por edhe të kreshtave të malit madhështorë të Jezercës. Por liqene të vogla akullnajore ka në shumë zona të vendit. Natyra e larmishme shqiptare përmban shumë bukuri, e ndër to duhen përmendur edhe disa maja malesh me formë të veçantë. Kështu duhet përmendur Maja e Harapit në Theth, me formën e saj të veçantë, si një kullë e ngritur mbi shkëmb. Shpati jugor i këtij mali është faqja më e lartë shkëmbore ne Ballkan, ndërsa në rrëzën lindore gjendet shpella më e gjatë horizontale në Shqipëri. Gjithashtu duhet përmendur Mali i Radohimës në Alpet shqiptare me formën e tij të veçantë, me disa maja. Mali i Skënderbeut, gjithashtu, me formën e tij të veçantë është një bukuri natyrore e rrallë. Mali me Gropa në Tiranë përbën një bukuri unike natyrore në vendin tonë dhe të rrallë edhe më gjerë. Edhe Mali i Shpiragut, më shtatëmbëdhjetë përrenjtë që e përshkojnë gati me largësi simetrike përbën një pamje unike, përballë qytetit të Beratit.

Shpellat përbëjnë bukurinë e fshehur të natyrës shqiptare. Ato janë të shumta nga jugu në veri. Kam përmendur tanimë shpellën e Gramës në bregdetin jugor. Një monument i vërtetë natyror është Shpella e Haxhi Aliut në Kepin e Gjuhëzës në cepin më të lartë të Gadishullit të Karaburunit. Por shumë e bukur është edhe shpella e Lepenicës në Vlorë. Të tjera shpella me bukuri të spikatur natyrore janë Shpella e Pëllumbasit në Tiranë, Shpella e Bizës, Shpella e Dragobisë, në Tropojë, Shpella e Pirogoshit në Skrapar, Shpella e Kaurit në Pukë, Shpellat e Shutresë dhe të Valit në Val të Martaneshit.

Shpella e Pëllumbasit, e njohur kështu nga emri i fshatit pranë të cilit ndodhet, njihet edhe si Shpella e Zezë dhe është e rëndësishme si një nga gjashtë shpellat karstike më të rëndësishme në Europë. Shpella e Zezë është në fakt pjesë e një kompleksi bukurish gjeografike të Luginës së Erzenit, më saktë të Grykës së Skoranës, ku gjenden kanione, si dhe ai që quhet “Syri i Kaltër” i Erzenit.

Bukuri te veçanta natyrore përbëjnë edhe puset karstike që gjenden në zonat malore të vendit tonë, si p.sh. Pusi i Kulmakës, në Skrapar. Një tjetër bukuri natyrore që të bën përshtypje magjike në vendin tonë janë shkallët malore, si Shkalla e Tujanit në Tiranë apo Shkalla e Valit, në Val të Martaneshit, sa për të përmendur vetëm disa.

Bukuri të veçanta natyrore gjenden edhe në tre liqenet e mëdha natyrore të vendit tonë, atë të Shkodrës, të Ohrit dhe dy liqenet e Prespës. Një bukuri e veçantë natyrore në Liqenin e Ohrit është kepi apo gadishulli i Linit, i cili zgjatet në liqen duke krijuar një peizazh magjik. Gjithashtu, burimet nëntokësore të Liqenit të Ohrit nga Prespa, në Tushemisht, përbëjnë një gjë fenomen shumë të veçantë gjeografik. Në Liqenin e Prespës së Madhe ka shumë bukuri gjeografike por ishujt e tij të bien në sy veçanërisht.

Liqenet e Belshit janë fenomen unik natyror me bukuri të veçantë, që në kompleks krijojnë një peizazh të bukur me zonën përreth tyre.

Burimet ujore përbëjnë një element të spikatur të bukurive gjeografike të vendit tonë dhe ia vlen që të flitet posaçërisht për to. Duke folur për të tjera bukuri gjeografike tanimë kam përmendur Syrin e Kaltër të Bistricës, Syrin e Kaltër të Erzenit, burimet nëntokësore në Tushemisht, por ia vlen të përmenden edhe Burimi i Viroit në Gjirokastër, si dhe burimet termale, si ai i Bënjës në Përmet, me një bukuri vërtet të veçantë.

Sigurisht që lista e bukurive gjeografike natyrore të vendit tonë është më e gjatë, unë kam disa të tjera në mendje, por kaq mund të them në kufijtë e këtij shkrimi. Por ajo që duhet thënë patjetër në fund është se këto bukuri si një pronë e jashtëzakonshme turistike duhet prezantuar me cilësinë e bukurisë që ato mbartin. Gjithashtu duhet shprehur shqetësimi për ruajtjen e këtyre monumenteve të gjeografisë sonë, pasi shumë prej tyre rrezikohen nga shfrytëzimi i papërgjegjshëm prej dorës së njeriut.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Historia e dosjes së “CEZ”: A po ndryshon kurs prokuroria?

Ish-ministri i Ekonomisë gjatë kohës së privatizimit të OSSH konfirmon fletëthirrjen e...
Read More