Bursa sociale UET, historia prekëse: Nga viktimë e dhunës në studente

“Arsimi më ndryshoi jetën, asnjëherë nuk është vonë t’ia nisësh nga e para”. Majlinda Aliu, studentja 46-vjeçare e psikologjisë, që i nisi studimet universitare pas një jete të vështirë e strehuar në qendrat e rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje 

Gjatë një dekade Universiteti Europian i Tiranës ka mbështetur me bursa studimi rreth 2500 studentë. Ata vijnë nga kategori të ndryshme shoqërore, me aftësi të veçanta, nga komuniteti rom e egjiptian, studentë në vështirësi ekonomike, studentë me aftësi të kufizuara etj.

Majlinda është njëra prej tyre. Ajo e ka kaluar moshën e universitetit duke bërë bashkëshorten dhe nënën dhe sot në moshën 46-vjeçare po përfundon studimet në Psikologji. E martuar herët në zgrip të ndryshimit të sistemit komunist, ajo nuk arriti të përfundonte as provimet e gjimnazit.

Por jeta bashkëshortore nuk kishte rezervuar lumturinë dhe qetësinë që kishte shpresuar në fillim.

Ashtu si një përqindje e madhe e grave shqiptare që bien pre e dhunës nga bashkëshortët, ajo jetoi vite të errëta me bashkëshortin ndërkohë që rriste tre fëmijët e saj.

Kur vendosi t’i thoshte “stop” dhe të kërkonte ndihmë mori shuplakën e dytë të dhimbshme nga sistemi i drejtësisë.

Kjo grua është rasti të cilit i referohej ambasadori amerikan Arvizu kur kërkonte me ngulm Reformën në Drejtësi duke etiketuar sistemin e korruptuar të gjyqësorit shqiptar që arrin deri atje sa i merr fëmijët një nëne.

“Ish-bashkëshorti im ishte biznesmen dhe duke pasur paranë arriti t’i blinte gjyqtarët. Unë dhe pse kisha një urdhër mbrojtjeje ndaj tij, përsëri u penalizova dhe fëmijët i mori ai në kujdestari”, tregon Majlinda në një nga intervistat e para që vendos të japë për mediat.

Pasi kaloi vite të gjata duke u strehuar në qendrat e posaçme për gratë e dhunuara ajo vendos t’i dalë zot vetes së saj. Por i duhej t’ia niste nga zero.

Pa mbështetje dhe pa një diplomë në xhep iu desh të bënte punë të rëndomta duke e ditur se meritonte më tepër.

Vendimi për të bërë shkollë dhe për të studiuar pikërisht për psikologji kishte lidhje me eksperiencën e saj të jetuar, kur i ishte dashur të bënte terapisten e vetes, kur i ishte dashur të kalonte në sitë jetën e saj dhe të gjente forcën për t’u ringritur.

“Ka shumë gra si unë. Ato kanë nevojë për një dorë që t’iu fërkojë krahët e t’u thotë se ka mundësi të reja, kanë nevojë për një fjalë ngushëlluese, për një këshillë. Vendosa të studioja sepse kishte qenë ëndrra ime e lënë në mes. Erdha në dyert e UET-it dhe takova Henri Çilin. Nuk e njihnim njëri-tjetrin më parë. Kur mësoi historinë time më tha; ke bursë të plotë studimi, zgjidh degën dhe të uroj suksese. Kjo fjalë më ndryshoi jetën tërësisht. Këtë verë diplomohem për Psikologji e ndërkohë kam gjetur një punë tek Arkivat, por dua që pas diplomimit të angazhohem në shoqërinë civile, t’iu dal në krah grave si unë”.

Kur nisi së pari shkollën, studentët e tjerë e shihnin me habi për shkak të moshës së saj, por ajo me buzëqeshje iu thotë: “rasti im duhet t’ju shërbejë të kuptoni se kurrë nuk është vonë. Historia ime e vështirë mund t’ju shërbejë që të transmetoni një mesazh te të tjerët, ndoshta dhe te gratë e moshës sime, që ndodhen në situata të vështira të jetës, t’ju jepni kurajë atyre se diku ndodhet një dritë jeshile”.

Ajo e ndau historinë e saj me studentët e tjerë bursistë të UET-it gjatë takimit të përvitshëm.

Historia e jetës së saj u kthye shpesh si shembull gjatë orëve të psikologjisë në këto tri vite studimesh. Në një mënyrë apo një tjetër ajo kishte qenë një terapiste e vetes, por tani po merr dhe një diplomë për këtë gjë.

Donald Biba: Një bursë për t’ia nisur nga fillimi

Donald Biba është student i vitit të tretë në Universitetin Europian të Tiranës. Ai studion për degën Informatikë Ekonomike, Financë-Bankë dhe është një ndër fituesit e bursës sociale që UET ofron.

Donaldi na tregon që fillimisht arsimin e lartë e ka ndjekur në Fakultetin Politeknik të Tiranës, por në pamundësi për ta përballuar atë ekonomikisht, është larguar në vit të dytë.

“Kam qenë student dy vite në shtet. Kisha kërkesa shumë të larta për të paguar provimet dhe për të tilla arsye, financiare, më është dashur të largohem. Kështu që u drejtova në UET, ku gjeta një mbështetje të vërtetë. Fitova një bursë të plotë dhe rinisa studimet e mia prej fillimit, në degën Informatikë Ekonomike”.

Të dy prindërit e Donaldit janë të papunë, por kjo nuk e pengon atë që, edhe falë mbështetjes që ofron bursa sociale, të jetë i suksesshëm në jetë. Si një student me rezultate shumë të mira akademike, ai ka arritur të çajë në tregun e punës ndonëse është vetëm në vitin e tretë të studimeve të tij, duke u punësuar në një nga kompanitë më të mira të kësaj fushe.

“Falë praktikës së zhvilluar në universitet si dhe panairit të punës që UET mundëson, aplikova në shumë kompani, ndër to edhe ‘Lokal Web’. Pasi aplikova atje, ndoqa praktikën, e mbarova dhe u certifikova në Google Adwords. Tashmë kam rreth një muaj, që prej datës 3 qershor, që jam i punësuar te Lokal Web”.

Kur kthehet mbrapa në kohë dhe kujton ato çfarë ka kaluar, Donaldi është i lumtur që UET është gjendur pranë tij për të bërë realitet dëshirat që ka për të ardhmen.

“Gjatë kësaj kohe jam ndjerë shumë mirë, dhe unë bëj gjithnjë krahasimin me atje ku isha dhe këtu ku jam dhe krahasimi është si nata me ditën, duke filluar që nga më minimalja, që nga kurset bazike të mësimit. Çdo gjë e kemi më të lehtë, transmetimi online i leksioneve, mbështetja e pedagogëve si dhe asistenca në çdo lloj niveli të strukturave të shërbimit”.

Donald Biba është vërtet një nga shembujt më të mirë, se dëshira për të mësuar dhe puna për të bërë realitet vizionit tënd, një ditë shpërblehet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zbardhen listat e kandidatëve për KLGJ dhe KLP, ja emrat

Gjykata e Lartë, Prokuroria, Kuvendi dhe Avokati i Popullit kanë përzgjedhur emrat...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *