Bursat në UET, përfituesit rrëfejnë mundësitë e arta të studimeve

Me një traditë të mirëvendosur tashmë në filozofinë e mbështetjes së studentëve, Universiteti Europian i Tiranës mbështet me qindra të rinj çdo vit përmes bursave që akordon. Nga bursat e ekselencës, tek ato të talentit, bursat sociale dhe deri te bursa “Pashko”. Tre studentë rrëfejnë përvojat e tyre, si kanë mësuar rreth bursave që ky universitet ndan dhe se si ua ka ndryshuar jetën përfitimi i tyre, duke u dhënë një mundësi të artë për të ndjekur ëndrrat e së ardhmes. Ata inkurajojnë të rinjtë që të vijnë e të aplikojnë, pasi në shumësinë e bursave për nga kategoria, por edhe nga numri prej disa qindrash të tilla, shumë mund ta gjejnë veten përfitues të studimeve edhe pa asnjë tarifë

Enkeleana Mehmeti është studente e vitit të parë në degën Komunikim-Dizajn në Universitetin Europian të Tiranës dhe përfituese e bursës së talenteve. Që UET ofronte qindra bursa dhe për kategori të gjera studentësh e kish mësuar qysh kur ishte në gjimnaz, ku pedagogë të këtij universiteti në kuadër të turit të përvitshëm në shkollat e mesmeve të të gjithë vendit, flasin me maturantët që së shpejti do të përballen me studimet universitare duke iu prezantuar jo vetëm ofertën akademike që UET si institucion i arsimit të lartë ofron, por gjithashtu duke i këshilluar për të bërë zgjedhjen e duhur të karrierës.

“Erdha të pyesja më pas në ambientet e universitetit edhe rreth bursës së ekselencës, por edhe të talenteve”. Me një talent jashtë së zakonshmes në fushën e vizatimit, Enkeleanës iu kërkua të paraqiste një dosje të punimeve të saj, foli me profesorët e degës e më në fund mori njoftimin se ishte fituese e bursës së talenteve, duke përfituar pesëdhjetë për qind ulje nga tarifa e studimit. “E zgjodha UET-in edhe sepse Komunikim-Dizajn është një degë që nuk gjendet në universitete të tjera në Shqipëri” –thotë Enkeleana, e cila shprehet e lumtur për degën ku studion dhe rrëfen madje se ka marrë edhe ofertat e para për punë nga një shtëpi botuese.

Për ata të rinj që mbyllin së shpejti maturën dhe duan të përfitojnë nga mundësitë e bursave që ofrohen, Enkeleana thotë “U këshilloj të hapin internetin, të vizitojnë faqet e UET-it, pasi ka informacion të bollshëm dhe të mos hezitojnë të pyesin, sepse ka plot njerëz që të informojnë si duhet”.

Elda Dedja është një tjetër studente e Komunikim-Dizajnit dhe një tjetër përfituese e bursave që Universiteti Europian i Tiranës, ndan sipas meritës për ata që aplikojnë.

Elda është përfituese e bursës “Pashko” për vitin akademik 2016 -2017. Edhe ajo kishte qenë e vëmendshme gjatë bashkëbisedimit me pedagogët e UET-it në turin e gjimnazeve dhe e kishte lexuar me hollësi broshurën me informacione ndihmëse për të rinjtë që janë në kërkim të një dege studimi dhe të një universiteti që përmbush kërkesat e tyre.

“Për bursën Pashko kam dëgjuar fillimisht gjatë turit që UET ka zhvilluar në gjimnazin tim dhe kur u prezantua si mundësi nuk e mendova dy herë aplikimin. Si çdo nxënës ekselent edhe unë dëshirën e kisha të vazhdoja studimet e larta në një universitetet cilësor dhe UET ishte për mua universiteti i duhur”. Pasi u interesua rreth dokumenteve që duhet të dorëzonte në zyrat e universitetit, ajo u shpall fituese e bursës “Pashko”, që prezantohej për herë të parë pikërisht atë vit akademik . “Për këtë arsye aplikantët ishin të shumtë në numër ndaj konkurrenca ka qenë mjaft e lartë. Pas disa fazash seleksionimi të kandidatëve mora vesh lajmin e shumëpritur se unë isha një ndër 10 fituesit fatlumë të bursës Pashko”- kujton Elda, duke shtuar se kjo bursë është e lakmueshme nga çdo student. “Veçanërisht për mua ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme, pasi më mundëson jo vetëm të studioj në një nga universitetet privatë më të mirë në vend, por edhe të ndjek pasionin tim, dizajnin”.

Në universitetin shtetëror, rrëfen Elda, pasi u interesua kuptoi se dega që ajo dëshironte nuk ofrohej, ndërsa universitete të tjerë privatë kishin tarifa të papërballueshme për kushtet e saj ekonomike, “ndaj kjo bursë që unë kam fituar është padyshim një mundësi e artë. Kam hyrë në UET me një mesatare të lartë dhe vazhdoj të punoj fort për ta ruajtur atë” -thotë ajo, me pritshmëri të larta, që puna dhe përkushtimi t’i shpërblehen në të ardhmen.

Me gjithë paragjykimet që shoqërojnë ende universitetet privatë, Elda shprehet e bindur se zgjedhje më të mirë se UET nuk mund të kishte bërë. “Nëse je i gatshëm të studiosh dhe përpiqesh çdo ditë për të përmirësuar veten, UET të mundëson rritjen profesionale që çdo student synon të ketë. Për mua, paratë kurrë nuk e kanë bërë dikë më të mirë se dikush tjetër, janë vlerat ato që veçojnë individin dhe mund të them me plot bindjen se në UET kam gjetur “fushëbetejën” e duhur për të treguar se kush jam dhe çfarë mund të bëj” –thotë me bindje ajo, duke inkurajuar këdo që ka një talent, aftësi, ambicie dhe përkushtim për të ecur përpara të vijnë të trokasin në UET. “Bursat që ky universitet ofron janë ndihmesë shumë e madhe për të qenë një hap më pranë ëndrrës. Ndaj cilido maturant që ka dëshirë të bëjë ëndrrat e tij realitet, i ka dyert e hapura në UET”.

Florian Plaku është një tjetër student i UET që ka përfituar nga bursat. Ai është në vitin e tretë të ciklit Bachelor në degën “Informatikë-Ekonomike” dhe student i ekselencës.

“Pasi mbarova vitin e parë me një mesatare 9.77 mendova të aplikoj për bursë, por ngurrova pasi mendoja që nuk funksionon meritokracia. Në fund të vitit të dytë ish-administratori bëri një mbledhje me rrjetin e ekselencës, ku isha pjesë dhe unë. Aty fillova të krijoj besim dhe u binda që meritokracia është një pikë kyçe e UET-it”- rrëfen Floriani, ndërsa shton se fillimi i vitit të tretë e gjeti në dyert e zyrës së Pranimeve në UET, duke aplikuar për bursë. “Pasi verifikuan mesataren time të të dy viteve që ishte diku te 9.85 dhe shqyrtimit të listës së notave nga komisioni i ngritur pikërisht për këtë pjesë, bursa u miratua. Ishte një kënaqësi e pandier më parë për mua”- tregon Floriani, i cili thotë se UET përpos mësimdhënies me cilësi të lartë dhe pedagogëve shumë të mirë, të bën që të fitosh besim te vetja. “Këtë të fundit e arrin nëpërmjet Bursave që lëshon”.

Bursa e Ekselencës, thotë studenti, do e shtyjë të studiojë më shumë. “Së bashku me mësimdhënien e UET-it nuk do të ndihem aspak inferior, nëse vazhdoj Masterin në një nga vendet perëndimore”.

Madje Floriani thotë se përfitimin e bursës, kur hyn në një lloj gare me të tjerë studentë me rezultate të shkëlqyera, e sheh si një armë për t’u punësuar në profesion.

“Fitimi i kësaj burse jo vetëm që më ka ndryshuar mendjen për Universitetin, por më ka mbushur me shpresë që meritokracia do funksionojë në atdheun tonë të dashur”.

Floriani thotë se UET i ka mësuar gjithashtu thyerjen e tabuve. Floriani ka qenë një prej studentëve që ka mirëpritur gjimnazistët e parë për këtë vit që kanë vizituar Universitetin Europian të Tiranës, për t’u interesuar më nga afër rreth degëve që ofrohen, por edhe mjediseve universitare. “Së bashku me Presidenten e Qeverisë Studentore, Emanula Maraj të gjithë maturantëve që kanë ardhur për të prekur nga afër universitetin tonë, u kemi thënë vetëm një gjë: “Kujdes, kur zgjidhni universitetin pasi të ndryshon jetën! Një notë e keqe të bën të ndihesh keq, një humbje e ndeshjes nga skuadra e zemrës të trishton, por një zgjedhje e keqe e Universitetit ndryshon çdo gjë në jetën tuaj”. Të gjithë maturantëve të shkëlqyer u përcjell mesazhin tim: “Aplikoni sa më shpejt për bursë në UET, pasi bërja pjesë në rrjetin e ekselencës do ju përmirësojë shumë si student dhe si njeri. Ju keni në dorë të bëni krenarë prindërit tuaj”.

Çdo vit akademik, Universiteti Europian i Tiranës vë në dispozicion të studentëve një numër të caktuar bursash dhe aktualisht, janë më shumë se 500 ata studentë që kanë përfituar nga bursat, të plota e të pjesshme. Kategoritë e bursave janë gjithëpërfshirëse, duke mos përjashtuar asnjë student, qofshin ata me rezultate të shkëlqyera, apo ata në nevojë ekonomike me bursat e promovimit social, deri te bursat e talentit dhe të lidershipit. Por edhe ata që nuk arrijnë të përfshihen në asnjë nga kategoritë, Universiteti Europian i Tiranës, përmes marrëveshjeve me sistemin bankar, ua bën studentëve më të thjeshtë procedurën e përfitimit të kredive studentore me interes 0%.

Jo vetëm Bursat e Ekselencës që, përveçse vlerësojnë arritjet e studentëve, nxisin edhe konkurrencën në dobi të rritjes së nivelit të përgatitjes së studentëve, por edhe Bursat e Talentit që u vijnë në ndihmë studentëve që tregojnë se kanë prirje dhe arrijnë të spikatin në fusha të ndryshme si: arti, politika, sporti dhe shkenca.

Me një dimension të pasur të politikës sociale, UET jep çdo vit kontributin karshi shoqërisë duke akorduar Bursa Sociale për shtresat në nevojë, ndonjëherë edhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë shoqërorë dhe institucionalë.

Si institucion i arsimit të lartë, vendi ku rriten dhe formësohen liderët, UET beson se ndryshimet e shoqërisë do të vijnë nga të rinjtë aktivë që angazhohen dhe dinë të angazhojnë të tjerë. Të rinjtë që kanë treguar se kanë aftësi lideri dhe që duan të përfshihen akoma më shumë në zhvillimin e shoqërisë UET-i, i mbështet duke u ofruar Bursën e Lidershipit.

Këtë vit Universiteti Europian i Tiranës ka bërë të ditur se do të ofrojë 100 bursa në total për studentët, duke marrë për bazë përkushtimin e tyre karshi studimit. Në vitin e dhjetë të tij Universiteti Europian i Tiranës filloi një strategji të re për bursat sociale. Universiteti do të mbështesë me tarifë zero, edukimin për 10 studentë ekselentë dhe me rrethana familjare të vështira nga mjedise sociale të pafavorizuara. Në të njëjtën kohë për secilin prej tyre, UET merr përsipër t’i paguajë shpenzimet e jetesës për 36 muajt e studimit me 25 mijë lekë në muaj. Këta janë përfituesit e bursës “Pashko”, të pagëzuar në nder të Gramoz Pashkos, ekonomistit dhe politikanit të shquar, i cili promovoi idetë liberale në Shqipëri në fillim të viteve ’90, ide të cilat Universiteti Europian i Tiranës i mbështet.

Po si mund të aplikohet për një bursë në UET?

Për studentët e shkëlqyer mjafton paraqitja me një listë notash, e cila vërteton pretendimin për një bursë Ekselence, ndërsa ata që duan të përfitojnë për një Bursë Talenti & Lidershipi, nga zyrat e Pranimeve në këtë institucion kërkohet një CV artistike, dëshmi angazhimi shoqërore dhe politike, bashkëngjitur certifikatat apo dokumentacion tjetër përkatës.

Bursa e Promovimit Social kërkon një certifikatë familjare, një dokument që vërteton statusin e veçantë social si pension, papunësi, invaliditet, të ardhura të pamjaftueshme etj.

Studentët kanë gjithashtu mundësi riaplikimi për bursa, duke ndjekur sigurisht një sërë kriteresh që UET kërkon të plotësohen në rastin e riaplikimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Brezi i dytë i bursistëve “Pashko”: Ëndrra jonë e realizuar në UET

Ata janë të rinj 18-vjeçarë me ëndrra të mëdha për jetën si...
Read More