Butrinti 2000: Teatri i (pa) mundur…

butrinti 1Një nga festivalet më jetëgjatë në vend, festivali ndërkombëtar i teatrove që mbahet në skenën antike të Butrintit hyn në edicionin e 14, mbajtur nga 19-23 korrik;  një model që zbulon se si mungon mecenati dhe shteti shpërfill organizime integruese dhe ballafaquese me Evropën

Javën që vjen nis edicioni i 14-të, i një prej festivaleve me jetën më të gjatë në Shqipëri, festivali ndërkombëtar i teatrove “Butrinti 2000”, me drejtor artistik, Alfred Bualoti.

Organizuar në skenën antike të Butrintit, risku i këtij festivali qëndron te mbijetesa e tij. Edicioni i 12 dështoi, Ministria e Kulturës dha një shumë injoruese duke e banalizuar organizimin e tij. Ky festival është modeli se si një ide zvarritet në role të politikës, kur nuk i shërben propagandës dhe kurimit të imazhit për ministra të suksesshëm. Teatri mbi të cilën luhen sfidat intelektuale përballë shoqërisë vazhdon të mbetet mjeti i gjallë që jep shëmtinë, plagët dhe psikozat.

Festivali i Butrintit që hyn thellësisht në këto alternativa, sidomos përmes antikitetit dhe atij klasik, ka humbur mundësinë për të qenë privilegj i statusit të politikës. Organizatorët kanë humbur edhe mundësinë e hapjes së vazhdueshme të një debati të shuar me kohë, atij të ligjit të sponsorizimit. Në këto kushte vjen edicioni i 14 i festivalit, si shenjë e vullnetit për të qëndruar në këmbë një organizim të refuzuar e të shpërfillur nga shteti, ndonëse prej vitesh e kërkon si mecenat të tij.

Vetë Butrinti është arsyeja më thelbësore, pse shteti duhet t’i qëndrojë pranë kësaj veprimtarie. Ideatori dhe organizatori Alfred Bualoti nuk dihet për të satën herë ripërsërit që ligji i sponsorizimeve ka dështuar, dhe se sot të dalë një biznesmen për zot është shumë e vështirë- mund të të ndihmojë një vit, por në tjetrin të degradon. Bualoti jo në pak raste ka treguar për betejën e tij:”…Ky festival në radhë të parë është festival integrues. Brenda tij ka pasur evenimente të mëdha që nuk konvertohen dot në para, në kuptimin e vlerave. Shkëmbimi i kulturave ndërkombëtare, ndër vendet, të ndërsjella në vendet e Evropës dhe më gjerë, është një gjë e jashtëzakonshme, në mënyrë konkrete dhe direkte. Shkëmbimi i shkollave të teatrit të sotëm që i shërben drejtpërsëdrejti artistëve shqiptarë, sidomos atyre të rinjve, të cilët kanë etje të madhe për të kuptuar ku është teatri sot, dhe se çfarë duhet të bëjnë ata në raport me vendin dhe me profesionin e tyre në raport me teatrin. Kjo është një gjë e madhe. Nga ana tjetër, është një shkëmbim i shkollave të mëdha teatrore, që në fund të fundit së bashku me impakt e teatrit sot në Evropë, kemi të bëjmë dhe me shkolla teatrore, pra kontakti me shkollat e mëdha teatrore janë pikërisht në Festivalin e Butrintit…”

Për këtë vit, nga 19-23 korrik, në amfiteatrin e qytetit antik të Butrintit do organizatorët bëjnë me dije se netët e shfaqjeve do të alternohen. Shfaqja shqiptare “Made in Albania” me autor Stefan Çapalikun  dhe regjisor Altin Bashën do të hapë natën e parë të festivalit. Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë me një shfaqje koncertore me 60 artistë grekë nga Korfuzi, drejtuar nga dirigjenti Alkis Baltas. Shfaqja “Shtëpia e Bernarda  Albës”, risjell në Butrint  regjisoren Diana Dobreva, duke prezantuar trupën e Sofjes. Kjo është shpallur si shfaqja më e mirë e vitit 2015 në Bullgari, pohon drejtori i këtij festivali Alfred Bualoti.

Nuk do të mungojnë në këtë festival edhe teatri spanjoll që do performojë në shfaqjen “Dasma e Gjakut” të Federico Garcia Lorkës me regji të Irina Kuberskaja. Trupa e Teatrit të Madridit e ka realizuar këtë shfaqje posaçërisht për Festivalin e Butrintit. Bualoti edhe këtë edicion e ka parë një sfidë, një organizim për të mos humbur “hartën” që ka krijuar ky festival në kontaktet dhe njohjet në Evropë, edhe pse ka marrë një financim të papërfillshëm në Ministria e Kulturës. Por, bën një nga rastet e rralla ky edicion duke marrë mbështetjen nga Bashkia e Sarandës, dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit. Megjithatë nga gjithë historia e këtij festivali, shterimi i pjesëmarrjes së trupave teatrore është përgjigje e këtij sistemi të ndërtuar, duke shpërfillur e injoruar nisma të cilat kanë ngritur një traditë shumëvjeçare që mund të konsiderohen trashëgimi.

V.M

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diplomacia: 25 vjet “ngjarje shpirtërore” me Selinë e Shenjtë

Ambasada e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, në përkujtim dhe në nderim...
Read More