Buxheti 2018, Ahmetaj mbron koncesionet. Spaho: Rritje taksash


Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në seancën parlamentare ku është prezantuar buxheti i vitit 2018 i ka cilësuar një farsë shqetësimet e opozitës për koncesionet.

Në fjalën e tij, Ahmetaj ka nënvizuar se aktualisht janë 213 kontrata koncesionare aktive, nga të cilat 178 janë bërë para vitit 2013 nga qeveria e PD.

“178 koncesione janë bërë nga PD, nga të cilat 98 për qind janë oferta të pakërkuara, që do të thotë kur biznesi sjell ofertën dhe hyn në procedurë”, ka thënë Ahmetaj.

Sipas tij, vetëm në periudhën maj 2013-9 shtator 2013 janë bërë 45 koncesione, në kohën kur qeveria Berisha II ishte në ikje.

“Ndërkohë që ju ishit duke ikur nga pushteti keni firmosur 45 koncesione. Vetëm një ministër i qeverisë Berisha II, në maj 2013 ka firmosur 4 koncesione, në qershor ka firmosur 3 dhe në gusht 2013 kur ishit duke ikur ai ka dalë ditën e diel dhe ka firmosur kontratën e koncesionit”, ka thënë Ahmetaj.

Duke nënvizuar se vetëm 22 koncesione janë firmosur nga qeveria e shkuar 2 ditë para se të largohej, Ahmetaj ka theksuar se kostoja e tyre ka rënë në kurriz të qytetarëve.

“40 euro për deklaratë. Ishte taksë e re dhe këtë e di gjithë biznesi, i madh e i vogël. Kolaudimi i makinave, rreshti u rrit, kostoja u rrit. Edhe për hidrocentralin e Devollit, 50 milionë euro ishte rruga që do ta ndërtonte buxheti i shtetit”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa koncesionet e qeverisë Rama, ka vijuar ai, janë ndryshe pasi paguhen nga buxheti i shtetit. “Për dializën nuk paguan qytetari. Po për check up-in? Sa është kostoja? Është 1.537 lekë, që i kushton buxhetit të shtetit, pasi është një kontroll parandalues që qytetarët e bëjnë falas. Kemi liruar qytetarin nga ngarkesa në kurriz të buxhetit të shtetit”, ka vijuar Ahmetaj.

Më tej ministri ka publikuar shifrat e koncesioneve të bëra nga ministrat e qeverive përkatëse, që sipas tij janë: Genc Ruli 37, Florion Mima 38, Edmond Haxhinasto 19, Erion Veliaj 1, Ilir Beqja 4, Ridvan Bode 3, Sokol Dervishaj 2, Sokol Olldashi 6, Damian Gjiknuri 8.

“Jeni kampionë me 178 koncesione dhe flisni për të vafërit! Ju tatonit të punësuarit që fitojnë, ne nuk i tatojmë”, ka thënë Ahmetaj.

Sa për taksën e pronës, ai ka sqaruar se qytetarët në nevojë e që janë pensionistë të vetëm lirohen nga kjo taksë. “Në Bashkinë e Tiranës janë 60 mijë familje që përfitojnë nga kjo taksë. Politika fiskale për “5 yjet” janë të gjitha skema të reja, ato që do të vinë janë marka”, ka shtuar Ahmetaj.

Spaho: Buxheti 2018, rritje taksash

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho ka deklaruar se ndryshe nga sa pretendon qeveria, buxheti i vitit 2018 do të jetë një buxhet me taksa të rënduara për qytetarët.

Këtë, ka thënë Spaho, e provon fakti që në 5 vite qeveria Rama ka rritur 4 herë taksat.

“Në 2014-n 220 milionë euro, 2015-n 160 milionë euro, në 2016-n 40 milionë euro dhe në 2018–n 50 milionë euro. E keni dëgjuar ndonjëherë Edin të thotë se ka rritur taksat? Jo, thotë, i kemi ulur për 95 për qind të shqiptarëve. Kështu tha edhe sotë, nuk u biem në qafë njerëzve. Por kush i paguan këto taksa?”, ka thënë Spaho.

Së pari, ka thënë numri dy i PD, njerëzit duhet të dinë se në vitin 2018 do t’u dyfishohet dhe trefishohet taksa për shtëpitë.

“Qytetarët e Tiranës që kanë një shtëpi të ndërtuar para vitit ‘93 do të paguajnë 45 mijë lekë taksë të re. Qytetarët që i kanë pas vitit ‘93 do të paguajnë 45 mijë lekë”, ka thënë Spaho.

Gjithashtu, ka vijuar ai, nëse sot qytetarët paguajnë 20 mijë lekë për ujin, vitin e ardhshëm do të paguajnë 28 mijë.

“Pastaj do vijë ligji për tatimin e të ardhurave për të gjithë qytetarët në mënyrë progresive. Të gjitha të ardhurat do të tatohen me normën 13 deri në 23 për qind. Në tatimin e qytetarëve të tij Rama ka parimin punist, ngre taksat që qytetarët të mos kenë mundësi të mendojnë përveçse për bukën e gojës”, ka thënë Spaho.

Sot, ka shtuar ai, deklaratat për rritje ekonomike bëhen qesharake kur 90 për qind e popullësisë varfërohet dhe dhjetëra mijëra qytetarë largohen në emigracion.

“Taksë tjetër me efekt negativ në kurriz të qytetarit do të jetë ulja e kufirit të TVSH-së. Në vendin tonë eksperienca ka treguar se kur kufiri është rritur taksat janë mbledhur dhe është rritur buxheti”, ka shtuar Spaho.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Bujqësia dhe qeveria

Nga Niko Rroshi* Gjendja e bujqësisë sot është në gjendje të vështirë....
Read More