Buxheti i shtetit për opozitën duhet të jetë më shumë sesa debatet mbi kriminalitetin

Nga Ervis Iljazaj

Opozita shqiptare me sa duket debatin për buxhetin e shtetit e ka kthyer në një instrument për të mbajtur gjallë retorikën e saj mbi gjendjen e kriminaliteti në vend dhe kanabizimin, duke bërë përgjegjëse kryesore qeverinë për këto fenomene. Në këtë kuptim ka dalë me tezën që projektbuxheti 2018 është si një ligj që po mundohet të pastrojë paratë e drogës.

Ndoshta ka të drejtë, Shqipëria është karakterizuar gjithmonë nga fenomene kriminale gjatë tranzicionit të saj, të cilat kanë prodhuar para të jashtëligjshme dhe kanë gjetur mënyrën për t’u legalizuar.

Megjithatë, strategjikisht është në rrugën e gabuar. Në rrugën e gabuar për faktin se po ngatërron dy çështje shumë të rëndësishme të aksionit të saj politik. Opozita e ka për detyrë të mbajë alerte shoqërinë shqiptare për gjendjen e kriminalitetin në vend, por këtë duhet ta bëjë në mënyrë sa më efikase. Gjendja e kriminalitetit dhe lidhjet e tij me politikën nuk luftohen duke i kthyer diskutimet mbi buxhetin e shtetit në një instrument për të luftuar atë, të paktën politikisht. Gjendjen e kriminalitetit opozita duhet ta luftojë nëpërmjet drejtësisë, denoncimeve, siç me të drejtë ka bërë deri më tani.

Para droge me siguri që ndodhen në shoqërinë shqiptare, dhe këtë nuk mund ta mohojë askush tashmë, por mënyra për t’i gjetur ato nuk janë nëpërmjet buxhetit.

Buxheti i shtetit ka funksione më të rëndësishme për një opozitë. Diskutimet mbi të janë thelbësore për të trajtuar dhe për të propozuar politika që zgjidhin halleve të qytetarëve. Nëse krimi kërkon të pastrojë paratë e tij, me siguri nuk pret momentin e buxhetit të shtetit, por e bën atë pa patur nevojë për një gjë të tillë. Mjafton të hedhësh një sy vërdallë në rrugët e Tiranës, për të kuptuar se ku shkojnë paratë e krimit. nga një

Prandaj opozita duhet t’i ndajë këto dy çështje ra-tjetra, në të kundërt nuk do të fitojë terren politik me asnjërën.

Ligji i buxhetit është ligji më i rëndësishëm për një shoqëri. Aty përcaktohen taksat, investimet, infrastrukturat e reja që do të ndërtohen, rritja ekonomike. Pra, jeta e qytetarëve dhe si do të jetë ajo vitin e ardhshëm.

Nga ligji i buxhetit shihet vizioni që një forcë politike ka për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu, dallohen ndarjet ideologjike dhe mendimet për politikën. Prandaj, ligji i buxhetit është jo vetëm ligji më i rëndësishëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik.

Nuk ka moment tjetër më të rëndësishëm politik se sa momenti i diskutimit të projektbuxhetit. Në këtë kuptim roli i opozitës është shumë i rëndësishëm.

Për një forcë politike momenti i diskutimeve për buxhetin, është aq i rëndësishëm sa vetë ekzistenca në politikë. Të gjitha të tjerat, janë konsum mediatik i ditës, që as nuk ka vlerë për shoqërinë. Vendi ka nevojë për një alternativë të besueshme, e cila ndërtohet me një dimension politik të qartë, dhe një dimension i tillë ndërtohet vetëm duke prekur problemet konkrete të qytetarëve, që parashikohen në ligjin e buxhetit. Deri më tani, për fat të keq tek opozita nuk kemi parë një vizion të qartë se si mund të qeveriset vendi, mendon që karta e kriminalitetit është e vetmja që mund të luaj. Ndërkohë nga një forcë politike që pretendon të qeverisë vendin, nuk priten vetëm denoncime, por dhe propozime dhe alternativa.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëria kujdeset më shumë për të shkuarën sa për të ardhmen

Nga Besart Kadia Axhenda liberale/4 Në librin “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”,...
Read More