“Çadra e lirisë” ndodhet diku tjetër

Nga Ervis Iljazaj*

Çadra e vendosur nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë në shenjë proteste për të realizuar kërkesën e saj të Qeverisë teknike, me pretendimin që ky Kryeministër nuk mund të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, është një deja vu që shqiptarëve u shfaqet si një makth sa herë që iu afrohemi zgjedhjeve.

Asgjë të re nuk ka kjo protestë për sa iu përket zhvillimeve politike që kanë ndodhur deri më sot. Thjesht janë ndërruar vendet e aktorëve. Mazhoranca e sotme, dikur në opozitë, qëndronte në “çadrat e lirisë”. E njëjta gjë po ndodh edhe në këto momente. Opozita e sotshme, po ashtu, ka zënë “çadrën e lirisë”.

Kujt i përket vallë “çadra e lirisë”? Cila nga palët ka të drejtë në të gjithë këtë histori?

Sigurisht, asnjërës prej të dyjave. Çadra e vërtetë e lirisë ndodhet te institucionet e lira dhe të pavarura. Një çadër që politika shqiptare nuk ka mundur kurrë ta ngrejë. Në këtë mënyrë, krizat politika ciklike të vendit do të vazhdojnë deri në momentin që do të kemi arbitër të pavarur, i cili do të vendosë për ndeshjen e forcave politike.

Në këto 25 vite tranzicion, për fat të keq, kemi arritur të ngremë një regjim partitokratik, që kontrollon çdo gjë. Politika jep drejtësi, nga ajo varet ekonomia, liria, individi e çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetët tona. Pra, nga një parti shtet në kohën e komunizmit kemi ngritur një shtet të partive. Asgjë s’ka ndryshuar në këtë drejtim, përveçse pluralizmit politik. Tentativa e partive politike për të uzurpuar çdo institucion të pavarur vazhdon të jetë prezent në politikën shqiptare. Dhe deri më tani ia kanë arritur me sukses.

Andaj, krizat politike do të vazhdojnë të jenë prezente sa herë që palët janë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës. Mosbesimi dhe konfliktualiteti i lartë midis tyre, që jo rrallëherë paralizon jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, nuk është zgjidhja. Sepse dihet tashmë, që ky mosbesim është i përhershëm.

Politika kalon në krizë edhe në vendet me demokraci të zhvilluara, po në ndryshim nga këtu, atje, krizat politike i zgjidhin institucionet e pavarura si Presidenti, gjykatat etj. Dhe kjo është një shenjë e cila tregon pavarësinë e tyre dhe funksionim e një shteti, i cili është i ndarë totalisht nga politika.

Ndërsa këtu, jo vetëm që institucionet nuk iu japin zgjidhje krizave politike, por, përkundrazi, kalojnë dhe ato vetë në krizë si shenjë e qartë e uzurpimit politik.

Çdo mekanizëm tjetër i cili duhet të kontrollojë politikën në subjektivitetin dhe patologjinë e saj për pushtet, në Shqipëri është po ashtu politik. Duke filluar që nga Presidenti i Republikës, te pushteti gjyqësor e deri te kompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pra, politika shqiptare sot, po ha një çorbë që vetë e ka gatuar. Ka rënë në grackën e tamasë për pushtetin total dhe kur vjen momenti i përplasjes së babëzisë politike, vendi kalon totalisht në ngërç.

A do të evitohej rreziku i zgjedhjeve të lira thjesht me një qeveri teknike? Kam përshtypjen që jo! Sepse manipulimi i zgjedhjeve ndodh jo vetëm nga administrimi i tyre, por si një fenomen shoqëror dhe kulturor i cili kërkon strategji totalisht më të thella, më serioze dhe më afatgjata.

Problemet me zgjedhjet e lira nuk kanë lindur sot! Ato vazhdojnë të na përndjekin sa herë që afrohet momenti i votimit. Andaj, ndërrimi i një pale më një pale tjetër nuk është zgjidhja!

Zgjidhja e vetme dhe afatgjatë do të ishte vullneti politik për të kryer reformat institucionale. Vetëm institucionet e pavarura do të jepnin njëherë e përgjithmonë lirinë e aq shumë dëshiruar nga të gjitha palët, por të pa aplikuar nga asnjë prej tyre. Dhe reformat në drejtësi, e sistemit zgjedhor apo menaxhimit të zgjedhjeve nuk bëhen në protesta të cilat kanë synim vetëm qëllimet politike afatshkurtra, por duke u ulur në tavolinat e bisedimeve me dëshirën dhe vullnetin e plotë për t’i çuar deri në fund ato. Qoftë duke shtyrë datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Si përfundim, edhe pse protestat janë të mirëpritura në çdo kohë, ato nuk janë zgjidhja nëse nuk zgjidhim thelbin e vërtetë të kësaj krize politike. Dhe thelbi i vërtetë është ndarja e politikës nga drejtësia. Sepse lirinë nuk ta jep politika, ajo është e lindur. Institucionet janë ato që e ruajnë atë, pikërisht nga politika. Nëse nuk do të arrijmë këtë, atëherë pamjet me çadra përpara Kryeministrisë do të vazhdojnë të na përndjekin edhe për shumë kohë!

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Priebe: Kriza politike rrezikon ta lërë integrimin në pritje

Megjithëse i rezervuar për të folur rreth ngjarjeve aktuale në  Shqipëri, ish-drejtori...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.