Çako dhe vartësit në “Vetting”, test me makinën e së vërtetës

Pasi ndryshoi 11 nga 12 drejtuesit e policisë të zgjedhur nga paraardhësi i tij, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka vendosur të zhbëjë modelin “Tahiri” në Polici. Një grup i posaçëm me në krye zëvendësministrin e Brendshëm do të kalojë në proces verifikimi të gjithë punonjësit e policisë, duke filluar nga kreu i Policisë së Shtetit. Ekspertë të huaj do të monitorojnë procesin e “Vettingut” në Polici.

Nga Leonard Bakillari

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka vendosur të përmbysë tërësisht modelin “Tahiri” në polici, duke nisur me hapa konkretë atë që e quajti “vettingun e uniformave blu” kur mori detyrën në muajt e parë të këtij viti.

Tashmë që u rikthye sërish në krye të Ministrisë së Brendshme, Xhafaj, ka konkretizuar këtë nismë, duke vënë në zbatim vettingun.

Përgjegjës për këtë proces është caktuar zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili ka shpjeguar disa nga hapat që do ndiqen për të pastruar Policinë e Shtetit nga elementët e korruptuar dhe inkriminuar.

Procesi i vettingut në polici pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm ndërsa në “sitën” e organeve që do verifikojnë pastërtinë e figurës së efektivëve do të kalojnë fillimisht drejtuesit e lartë, duke nisur me kryepolicin Haki Çako.

Komisionet e Vlerësimit pritet të jenë të ngjashëm me ato për vettingun e gjyqësorit, model i cili u udhëhoq nga Fatmir Xhafaj, kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi.

“Ai është modeli që do të ndjekim, për këtë kemi të bëjmë me një forcë sigurie, jo një pushtet siç është gjyqësori. Ideja është që organet e vettingut të jenë të pavarura nga Ministria e Brendshme apo qeveria”, thotë Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm.

Ashtu si në operacionin “Forca e ligjit”, edhe në këtë proces ekspertët e huaj do jenë të pranishëm. “Ata do kenë rol monitorues dhe këshillues për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent”, shpjegon Hodaj.

Por vettingu në polici duket se ka nisur para janarit. Sipas burimeve, rreth 20 efektivëve të lartë iu është refuzuar rinovimi i certifikatës së sigurisë për njohjen e informacioneve të klasifikuara, për arsye të paqarta.

Po ashtu, gjurmët e gishtave të gjithë trupës së policisë, Gardës së Republikës dhe punonjësve të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesave, u janë dërguar Interpolit dhe Europolit për të zbuluar individë me të shkuar kriminale jashtë vendit.

Gjatë vettingut nuk përjashtohet mundësia që për raste specifike të përdoret edhe poligrafi apo siç njihet ndryshe makineria e së vërtetës.

Po çfarë ka ndodhur me Policinë e Shtetit që detyroi ministrin e Brendshëm të kryejë një proces të tillë.

Qysh prej vitit 2013 kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, një nga objektivat kryesorë ishte reformimi i Policisë së Shtetit.

Në krye të Ministrisë së Brendshme u zgjodh Saimir Tahiri, i konsideruar si krahu i djathtë i Ramës në Partinë Socialiste, i cili nëpërmjet PR tentonte të tregonte se policia po reformohej dhe po ndryshonte.

Madje edhe Kryeministri në çdo dalje për këtë çështje nuk nguronte të deklaronte publikisht se kjo është policia më e mirë që Shqipëria ka patur në 25 vitet e fundit. Por ndryshimi i drejtimit të Ministrisë së Brendshme tregoi se jo vetëm që nuk ishte kështu, por policia rezultoi një nga sektorët më problematikë.

Sapo mori detyrën e ministrit, Fatmir Xhafaj ndryshoi 11 nga 12 drejtuesit e policisë në qarqe, duke kaluar në dispozicion apo në detyra të tjera më të ulëta të gjithë të besuarit e Tahirit.

Më pas nisi aksioni antikanabis dhe disa komisariate policie në rrethe u shkrinë, pasi rezultuan se nuk kishin punuar si duhet kundër kultivimit apo trafikimit të kanabisit.

Kësaj situate i shtohen edhe informacione të vazhdueshme të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili raportonte në Prokurori se drejtues policie ishin të përfshirë në kultivimin e kanabisit, kryesisht përgjatë vitit 2016, kur ky fenomen u bë masiv në Shqipëri.

Mjaftojnë vetëm shifrat e Guardia di Finanzës që thonë se gjatë muajve të parë të vitit 2017 sasia e kanabisit të kapur që vinte nga Shqipëria i kalon 40 tonë. Vetëm në një rast, në Itali u sekuestrua një kamion me 8 tonë kanabis i trafikuar nga Shqipëria dhe për këtë ngjarje u arrestuan disa punonjës policie në Qafë-Thanë, Tiranë e Durrës.

Faktet për përfshirjen e drejtuesve të policisë në kultivimin e kanabisit janë edhe në prokurori, e cila në shumë raste ka mbyllur njërin apo të dy sytë, edhe pse policët e dyshuar kanë dalë në përgjime me trafikantë apo kultivues kanabis.

Pra, lëvizjet e deritanishme, apo reagimi kundër fenomenit të “kanabisit” nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme, çka tregon se policia ka nevojë për një operacion më të thellë.

Këto lëvizje konkrete rrëzojnë edhe thëniet e Kryeministrit dhe ish-ministrit të Brendshëm se kjo është policia më e mirë e 25 viteve të fundit sikurse kemi dëgjuar rëndom gjatë katër viteve të shkuara.

Ish-ministri i Brendshëm, që shpesh cilësohej si më i miri i Shqipërisë së pas diktaturës, tashmë është nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim me grupin e strukturuar kriminal të pagëzuar me emrin “Habilajt”.

Në Ministrinë e Brendshme është tashmë e njohur se ish-ministri Tahiri zgjodhi të emërojë në drejtimin e Policisë së Shtetit, në gjithë vendin, zyrtarë për të cilët kishte dosjet mbi tavolinë. Edhe pse ishin proceduar më parë, apo në llogaritë e tyre rezultojnë miliona euro para të deklaruara, ish-ministri Tahiri i vendosi ata sërish në krye të drejtorive të rëndësishme.

Tashmë kjo situatë duket se ka ndryshuar dhe ekipi i ri drejtues do të kalojë në test të gjithë punonjësit e policisë. Përveç gjurmëve të gishtave, apo makinës së të vërtetës, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet pronave dhe pasurisë së zyrtarëve të policisë dhe lidhjet e tyre me elementë kriminalë.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces pritet të ketë edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, institucion ky në varësi direkte të ministrit të Brendshëm që pas ndryshimit të drejtimit ka reaguar në kohë, madje shpesh edhe me ashpërsi, kryesisht për situatën e kultivimit të kanabisi.

Madje një numër i madh zyrtarësh policie janë nën hetim nga SHÇBA, kryesisht si të dyshuar për lidhjet e tyre me kultivuesit apo trafikantët e kanabisit.

Por gjithçka pritet të zyrtarizohet me nisjen e procesit të vettingut të policëve, ku do të përdoren edhe informacionet e SHÇBA.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Hasan Z. Kamberi, i pari që shkroi në shqip poezi e lutje islame”

Studiuesja Genciana Abazi Egro pas veprës së Nazim Beratit, përmbys deformimin letrar...
Read More