Çdo faturë financiare për zgjidhjen e çështjes së pronave është më e vogël se sa moszgjidhja e saj

Nga Ervis Iljazaj

Rasti i arrestimit të Kryebashkiakut të Lezhës dhe disa funksionarëve të pushteti lokal për tjetërsim të pronës private, përtej çështjes politike dhe juridike që ajo mbart, na solli edhe njëherë në mendje problemin më të madh që ka patur shoqëria shqiptare gjatë 27 viteve, atë të zgjidhjes së çështjes së pronësisë.

Gjatë gjithë viteve të pluralizmit politik, ka patur një përplasje konstante midis pronarëve të rinj dhe atyre të vjetër apo midis procesit të kompensimit dhe kthimit të pronës dhe legalizimit të pronës së re.

Një dramë shoqërore, që nuk arriti dot asnjëherë të marrë një zgjidhje përfundimtare, por që shpesh ka ngelur në rrafshin e tentativave ligjore dhe problemeve politike, pa arritur asnjëherë të shkojë në thelbin e saj. Jo vetëm kaq, por politika shqiptare, e ka përdorur pronësinë si mjet elektoral, duke bërë show mediatik në emër të ish-pronarëve apo pronarëve të rinj.

Një nga arsyet se përse çështja e pronave nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare, është kostoja e lartë financiare që ka ajo për buxhetin e vogël të Shtetit shqiptar. Por, sado e lartë të jetë kjo kosto, koha tregoi se pasojat e moszgjidhjes të kësaj problematike, ishin shumë herë më të larta se çdo faturë financiare.

Më së paku, moszgjidhja e çështjeve të pronësisë, ka sjellë për shoqërinë shqiptare tri kosto shumë të larta që kalon çdo faturë financiare që lipset për ta çuar deri në fund këtë proces.

E para, është kostoja ekonomike. Përtej faktit se e drejta e pronës është një e drejtë themelore e njeriut, ka dhe një funksion tjetër shumë thelbësor, atë të zhvillimit ekonomik të një vendi. Në themel të lirisë ekonomike dhe tregut qëndron prona private. Paqartësia e pronësisë shqiptare, jo vetëm që ka sjellë shpeshherë investime të hedhura dëm, të cilat për shkak të mosmarrëveshjeve të pronësisë nuk kanë patur asnjë efekt në ekonominë shqiptare, por një nga arsyet se përse investimet e huaja janë në nivele të ulëta në ekonominë shqiptare është pikërisht kontradikta e pronësisë.

E dyta është kostoja shoqërore. Për shkak të konflikteve të pronësisë, shumë individë apo familje kanë përjetuar drama personale, duke përjetuar kalvare të gjata nëpër institucionet e shtetit shqiptar. Shumë herë, konflikte të tilla kanë përfunduar dhe në tragjedi, me humbjen e jetës së njerëzve. Në këtë kuptim, prona, një e drejtë themelore e njeriut, është kthyer në një makth për qytetarët shqiptarë, duke krijuar një psikozë masive që dëmton çdo proces tjetër shoqëror dhe ekonomik.

E treta, është kostoja e korrupsionit galopant që është bërë me pronësinë, siç ishte rasti i fundit në qytetin e Lezhës dhe, raste të tilla, në të gjitha lokalitetet shqiptare ka pafund. Kaosi që mbizotëron për çështjet e pronësisë, është kthyer në një ambient fertil për korrupsionin politik shqiptar. Të gjithë e dimë, që nëse ka një çështje ku është bërë më shumë korrupsion nga administrata shqiptare, është pikërisht ajo e pronësisë. Në këtë kuptim ajo ka shërbyer si ushqim për pasurimin dhe korrupsionin e drejtuesve të mëdhenj e të vegjël të shtetit shqiptar.

Për të gjitha këto arsye, ideja se zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave në Shqipëri kërkon një faturë financiare të papërballueshme për buxhetin e Shtetit, është një absurditet. Sado e lartë të jetë ajo, buxheti i shtetit dhe qytetarët shqiptarë duhet në mënyrë urgjente ta paguajnë, sepse në të kundërt, nuk kemi për të ndërtuar asnjëherë një ekonomi dhe shoqëri normale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha, Rama e Meta, treshja ithtare e vjedhjes dhe gënjeshtrës

Nga Spartak Ngjela Politika amerikane dhe ajo gjermane që janë sot aleatet...
Read More