Ç’do të ndodhë të shtunën? Berisha: Vendi në prag konflikti, s’do të jetë protestë, por…

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha dje se të shtunën nuk do të ketë protestë të opozitës, por revoltë të saj dhe të qytetarëve.

I ftuar në studion e “ABC news”, Berisha akuzoi Edi Ramën se po çon vendin drejt një konflikti, pasi ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese dhe se çdo ligj apo vendim i padrejtë nuk ka ku të ankimohet apo hidhet poshtë.

Si e komentoni deklaratën e sotme të Lulzim Bashës për ofrimin e parave dëshmitarit të audio-përgjimit?

Unë e besoj plotësisht zotin Basha, sepse unë di dhe një gjë tjetër dhe e kam denoncuar. Para se PD të publikonte audio-përgjimin, hanxharët e krimit u mprehën dhe çuan kërcënime më serioze me mesazhin, “mos guxoni ta nxirrni përgjimin”.

Ku i çuan kërcënimet?

Te njerëz pranë Partisë Demokratike, por PD nuk përkulet nga kërcënimet. Por ata e bënë, komandant Geroni i urdhëroi ata dhe ata bënë detyrën, kërcënuan, siç dinë ata të kërcënojnë.

Akuzat e maxhorancës janë se ju i bëni të gjitha këto, sepse doni të bllokoni integrimin e vendit. Si i përgjigjeni?

Partia Demokratike është forca e vetme, që e do integrimin e vendit. Duke konstatuar këtë gjendje dramatike që ekziston në Shqipëri dhe vendi është në prag katastrofe. Po marrim Reformën në Drejtësi dhe situata tregon se është në prag konflikti.

Pse?

Sepse në prag konflikti e ka çuar shoqërinë shqiptare Reforma në Drejtësi. Ky vend sot është i vetmi vend që Kushtetutën e ka përtokë, nuk ekziston më Kushtetuta e vendit. Sepse kjo Kushtetutë ka përcaktuar si garant të saj Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka për funksion gjykimin e fundit të ankimimeve të qytetarëve. Nuk ka qytetar shqiptar që mund të kërkojë një të drejtë në këtë vend.

Është situatë e përkohshme?

Çdo ligj që miraton Edi Rama nuk ka gjykatë që ta rrë- zojë, nëse është i padrejtë, çdo marrëveshje që mund të bëjë kjo maxhorancë droge nuk mund të gjykohet më. Populli nuk ka më të drejtë referendumi në Shqipëri, sepse nuk ekziston Gjykata Kushtetuese. Ky ishte qëllimi i Edi Ramës.

Zoti Berisha, opozita ka protestë ditën e shtunë? Ka revoltë, jo protestë. Çfarë pretendoni me revoltën tuaj të së shtunës?

Revolta synon, dëshiroj unë, që të ndajë Shqipërinë nga e keqja. Vendi është në prag të një konflikti. Nëse ti u heq qytetarëve dhe shpresën e fundit, që është drejtësia, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse revolta dhe përballja. Nëse ti u merr qytetarëve Prokurorinë, u merr ligjet, u merr gjykatat dhe shemb garantin e Kushtetutës, ti përjashton gjithë të tjerët nga ky vend dhe njerëzit duhet të ikin. Por ata nuk do ikin, por do të përballen me ty, dhëmb për dhëmb, me çdo lloj mundësie për të të shporrur si një kalbësi.

Ka një skenar?

Unë nuk jam pjesë e lidershipit të Partisë Demokratike dhe jam i prirur të ndjek me kënaqësi skenarët që do shpalosen. Por në befasi nuk e kap dot kush opozitën. Opozita duhet të zgjidhë këtë krizë. Edi Rama duhet të dijë se ka sjellë vendin në situatën më kritike të 27 viteve.

Çfarë synon të arrijë opozita me këtë revoltë që thoni ju?

Të hapë rrugën për një zgjidhje demokratike, që janë zgjedhjet.

Zgjedhje të parakohshme?!

Pa diskutim, me zgjedhje.

Zgjedhje të parakohshme apo zëvendësim Kryeministri?

Jo, për mua, narkomaxhoranca është e njëjtë kudo dhe ajo duhet të përulet para popullit. Pasi të shembet perandoria e drogës, atëherë qytetarët do votojnë të lirë dhe PS duhet të jetë e gatshme të paraqesë alternativën e saj dhe të dalë para qytetarëve, por këto duhen shembur më parë. Por zgjedhje pa Kushtetutë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa sistem drejtësie, zgjedhje me një Prokurori, që është shndërruar në një zyrë propagande të PS, vetëm PS mund të bënte atë që bëri Prokuroria me Agron Xhafajn. Unë kam qenë optimist dhe sot nuk jam fare pesimist dhe kam shpresë se, nëse përpara diskutimi ishte, siç e vlerësoja unë, mes hapjes pa kushte të negociatave dhe një varianti të 2016-s, sot po merr, për fat të keq dhe këtë e quaj absolutisht të padrejtë, përparësi dhe po ecën varianti për moshapjen fare të negociatave me Shqipërinë dhe kjo do të ishte një fatalitet për vendin. Mendoj, se duhet të hapen me kushtin, atë që thotë dhe një përfaqësues i Kongresit amerikan, identik me tezat e opozitës, se Shqipëria nuk ka plotësuar kriteret dhe standardet, por duhet të hapen, sepse edhe ky nuk është një proces i gjatë dhe ne shqiptarët kemi 27 vjet që punojmë për këtë ditë.

Edi Rama në një intervistë të para pak ditëve në “ABC news” është shprehur se nuk mund t’ju cilësojë zotëri juve, por vetëm Sali. Keni një koment?

Ai më ka nderuar me këtë që ka thënë, në mënyrë absolute jam i motivuar në të gjithë qenien time, derisa ajo kalbësirë të krrehet nga zyrat e shtetit dhe të marrë vendin që meriton në koshin e plehrave të historisë së këtij kombi. Unë u them shqiptarëve se Edi Rama me atë që i thotë “fushatë sharmi”, ka dëmtuar seriozisht interesin kombëtar, sepse është rritur që nga ajo kohë në mënyrë progresive numri i atyre që thonë të mos hapen fare negociatat me Shqipërinë.

Si ndjeheni, kur pas 5 vitesh që keni dhënë dorëheqjen dhe jeni në opozitë, vijon të thuhet slogani: “fajin e ka Saliu”?

Të them të vërtetën, nuk ndjehem keq. Nuk ndjehem keq, sepse jam mjek dhe unë i kuptoj komplekset. Edi Rama ka pasur fatin e keq të rritet me komplekse, ai ka vuajtur tmerrësisht nga kompleksi i Edipit, gjë që nuk është një kompleks kaq i rrallë. Por Edi Rama e ka pasur në shkallën më ekstreme. Pastaj, një nga komplekset e tmerrshme të krijuara është kompleksi i Saliut, nuk i del Saliu atij nga shpirti dhe zemra, dhe e ka automate. Unë në analizën psiko-analitike që i bëj Edi Ramës, e quaj atë të pashpresë dhe të pashërueshëm. Edi Rama do vdesë politikisht me kompleksin e Saliut.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çfarë po ndodh në Turqi? Partitë opozitare bëhen bashkë për të sfiduar Erdogan

  TURQI- Pesëmbëdhjetë deputetë turq nga partia kryesore opozitare CHP, kanë shkuar në...
Read More