Çdo popull ka qeverinë që meriton

 

Nga Dr. Bledar Kurti – Ndër të tjera, fatkeqësisht, shqiptarët vuajnë nga Sindroma e Stokholmit. Për ata të cilët nuk e njohin këtë sindromë, ky është përkufizimi i saj: Sindroma e Stokholmit – tendenca psikologjike e një pengu për t’u lidhur, identifikuar me, të pëlqejë apo të dashurohet me rrëmbyesin e tij.

Zyrtarisht mori këtë emër në vitin 1973, por realisht, sidomos në Shqipëri ka ekzistuar shumë e shumë kohë më parë, kur ne nuk lamë pushtues, mbret, diktator, kryeministër e kryetar partie pa dashur e pa iu lëpirë, ndonëse ne ishim pengjet, dhe ata pengmarrësit.

Shumë pak shqiptarë mund ta kenë vizituar Stokholmin në Suedi, por të gjithë e kanë brenda vetes, pjesë gjenetike të mazokizmit të tyre me pushtetin. Bjerë qeveritë popullit, na gjuaj më fort bërtiste ai; fut kërbaç politika, aq më shumë shtohen votat. Dhe ai termi ekonomiko-politik në njërën dorë karotën e në tjetrën shkopin u shqiptarizua me hunj në të dyja duart.

Sot, më shumë se sa kurrë që pas rrëzimit të atij regjimi sadist, i cili pavarësisht sistemit makabër e torturave çnjerëzore e bëri popullin të qante më shumë se sa për nënën e vet më 11 prill 1985, e që ende kujtohet me mall, vendi ynë i dashur është në ekstazën më të lartë të kësaj sindrome. Shkelet Kushtetuta, qesh populli; mbulohet Shqipëria me hashash, punë e madhe se s’ka më bletë e mjaltë; futi në burg për ca fatura minimale të energjisë elektrike, hallall nëna skafeve e kamionëve që kalojnë detin e kufirin me lëndë narkotike; papunësi dhe depresion ekonomik në çdo familje, mjafton të jeni ju mirë o qeveri! Të jeni ju, pa jemi ne! Dhe qeveria ia plotëson dëshirën popullit dita-ditës, duke aplikuar doktrinën dhe terapinë e shok-ut, duke e elektrifikuar sipas dëshirës me elektrodat ekzekutive, fiskale e ligjore.

Historia na tregon që nuk mund të shtypësh dot një popull i cili nuk ka frikë. Ndaj injektoi frikën e sundo qetë e gjatë. Kjo ka qenë tejet e lehtë të bëhet në Shqipëri, por aspak e lehtë në vendet e tjera të Europës, siç kemi parë së fundmi në Greqi apo Rumani, vende të cilat po të kishin një qeveri si tonën do e kishin rrëzuar në darkë e do e kishin ngrënë për mëngjes.

Sot, ka më pak shpresë se në vitin 1991, dhe nëse do i ofroheshin dokumente qëndrimi e punësimi do largoheshin më shumë shqiptarë se sa u larguan dy dekada e gjysmë më parë. Sot mungon buzëqeshja në fytyrat e shqiptarëve, jo vetëm në skajet më të largëta të vendit por duke filluar që nga Tirana. Shqipëria është shndërruar në kremator të shpresës. Megjithatë, pengmarrësit pluskojnë në flluskën e tyre të realitetit virtual, dhjetëfish më të pasur se sa homologët e tyre në Europë dhe njëqindfish më arrogantë se sa shtetarët e huaj, pasi, në këtë vend populli dashuron me frikë qeverinë, e jo si atje, në vendet e zhvilluara e demokratike, ku është qeveria ajo që ka frikë nga populli.

Në realitetin e prekshëm dhe të dhimbshëm shqiptar varfëria është ulur në çdo tryezë. Nëse e konsideroni këtë shkrim të njëanshëm, bëjini tri pyetje vetes e do gjeni përgjigjen e duhur: 1) A jam unë më mirë ekonomikisht sot sesa para disa vitesh? 2) A njoh unë ndonjë të afërm, mik apo fqinj i cili është i lumtur ekonomikisht? dhe 3) A e kam unë të sigurt rrogën muajin tjetër?

Qeveria propagandon rritje ekonomike, por rritja ekonomike në efekt të qytetarit nuk matet më sipas mënyrës klasike, por sipas nivelit të jetesës së qytetarit. Dhe niveli i jetesës së shqiptarëve sot është i mjerueshëm, sidomos për shtresën e mesme e cila mund të konsiderohet pothuajse e asimiluar për shkak të politikave fiskale dhe të qenit tërësisht jashtë vëmendjes së qeverisë.

Xhorxh Oruell thotë se “varfëria asgjëson të ardhmen”, ndaj e ardhmja e shqiptarëve ka kohë që është zënë në çarkun e halleve të së tanishmes. Jo vetëm prospekti i së ardhmes, por shqiptarët tashmë janë privuar edhe nga vlerat e trashëguara. Prej vitesh të tëra, qeveria ka tunduar si djalli edhe njerëzit më të ndershëm të këtij vendi për shkak të mungesës së punës apo pagave të ulëta. Shqiptarët po vihen çdo ditë përballë tundimit të vjedhjes duke cenuar dinjitetin. Bluzat e bardha e shtyjnë me mëdyshje dorën e pacientit që i ofron diçka për shërbimin e kryer, sepse me rrogën e një mjeku e sidomos një infermiereje nuk mund të blesh dot as edhe një libër mjekësie e jo më të kesh një jetë normale. Po kështu me mësuesit, autoritetet ligjzbatuese, e profesione të tjera të nderuara të cilët, turp ju pushtetarë e pengmarrës, i tundoni çdo ditë të shkelin vlerat e parimet për shkak të varfërisë ku kanë përfunduar. Falë jush, edhe shtresa e mesme është e detyruar të kurvërojë intelektualisht dhe në shumë raste edhe fizikisht. Këtë djallëzi historike mund të mos e kuptojnë pengjet tuaja sot, por nuk do jua falë kurrë historia nesër.

Nga një vend me ëndrra perëndimore, tashmë ëndrrat e shqiptarëve janë reduktuar në pritshmëritë më minimale të mbijetesës. Krenaria për veten dhe vendin duket si një nocion i largët e i harruar. Për atdheun dhe Mbretëreshënthotë anglezi; Rroftë Franca thotë francezi; Dua të jem një amerikan i mirëthotë amerikani; dhe Aman të kemi shëndet se të tjerat s’kanë rëndësi thotë sot shqiptari. Turp ju pengmarrës, që keni degraduar e helmuar deri në palcë ndërgjegjen e një populli.

Por a mund të kemi një revolucion mendimi? A mund të zgjohemi nga hipnoza e sindromës së Stokholmit? Në fakt, duhen tre breza antropologjikë për të ndryshuar një mentalitet. Një brez antropologjik ka 25 vjet, ndaj duhen 75 vjet në total. Por kjo nëse ndodh me ritme normale. Duke konsideruar që në Shqipëri ecet me ritme të ngadalta, për ta çrrënjosur sindromën e Stokholmit duhen 150 vite. Pra, një shekull e gjysmë mentalitet skllavi.

Asnjeri prej nesh nuk do jetë këtu për ta parë atë ditë të lavdishme të çlirimit të mentalitetit tonë kombëtar, por një gjë është më se e sigurt, që çdo popull ka qeverinë që meriton. Nëse shqiptarët vazhdojnë të jetojnë si pengje atëherë qeveria do jetë pengmarrëse. Por nëse shqiptarët do jenë njerëz të lirë e me kurajë, atëherë qeveria nuk do jetë më padronia por shërbyesja e tyre.

Dhe siç ka thënë Tomas Xhefersoni “Qëllimi i qeverisë është të ofrojë siguri dhe lumturi për njerëzit. Qeveria ekziston për interes të qytetarëve e jo qeveritarëve”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rekomandim pa kushte për negociatat, Rama paralajmëron gjyqtarët: Nuk do t’u lëmë rehat!

  “Në dritën e progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon që negociatat...
Read More