Ç’do të bëjë Kushtetuesja me opinionin e Venecias?

vetinguVenecia pro vettingut: Rritet presioni mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesja e Shqipërisë në Këshillin e Venecias, Aurela Anastasi, tha dje se opinioni është ai që ka publikuar “Zëri i Amerikës”, ndërsa ish-kryetari i Kushtetueses, Fehmi Abdiu është i mendimit se gjykata do të marrë së shpejti vendimin. Për Afrim Krasniqin vendimi do të respektojë opinionin e Venecias

Nga Fejzi Braushi

Megjithëse deri tani nuk kemi ende një opinion zyrtar te Venecias për “Vettingun”, përfaqësuesja e Shqipërisë në Këshillin e Venecias konfirmoi dje për MAPO se konkluzionet e publikuara të shtunën në “Zërin e Amerikës” janë ato që përmban edhe drafti final i miratuar tashmë nga Venecia.

“Janë paragrafë që nuk kanë asnjë lloj ndryshimi, mund të ketë ndonjë redaktim ose ndonjë amendament të vogël, por në tërësi ai mbeti”, -u shpreh Aurela Anastasi, e cila mori pjesë edhe në seancën e Komisionit të Venecias.

Gjithsesi Komisioni i Venecias nuk e ka dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen e tij zyrtare.

Është Anastasi ajo që konfirmon këtë duke theksuar se nga ana e përfaqësuesve të Venecias i ishte premtuar se opinioni do vinte sa më shpejt.

“Jo nuk ka ardhur përfundimtari fare, veçse kaloi aty në seancë, presim që të vijë. Ndoshta këto ditë. Ata më thanë sa më shpejt, por se çfarë kuptonin me sa më shpejt nuk e di. Shpresoj që nesër ose pasnesër mund të vijë”, -bëri të ditur Aurela Anastasi.

Por ndërsa ardhja e përgjigjes zyrtare mbetet çështja orësh, tashmë barra e vendimit përfundimtar për Vettingun i takon Gjykatës Kushtetuese.

Koha

Juristë dhe politikanë ndajnë bindjen e njëjtë se Gjykata Kushtetuese me ardhjen e opinionit zyrtar nuk mund të ketë më  arsye që ta shtyjë vendimmarrjen përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji, i cili është në fakt dhe thelbi i reformës në drejtësi.

Për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiun tashmë situata është e qartë dhe Gjykata duhet të veprojë sa më shpejt.

Madje ai thekson se është në përgjegjësinë e kësaj gjykate që të marrë në konsideratë edhe interesat e opinionit publik dhe ato të qeverisë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi.

“Gjykata, unë jam i sigurt që do marrë një vendim të shpejtë. Në qoftë se deri më tani e ka shtyrë me apo pa shumë arsye dhe argumente, tani s’ka më kuptim që ta zgjasë. Ajo domosdo duhet t’i bëjë jehonë këtyre shqetësimeve që ka vendi, që ka politika, që ka shteti, që ka qeverisja. Sa më shpejt shpresoj të përfundojë”, -tha Fehmi Abdiu për MAPO.

Edhe politologu Afrim Krasniqi, i cili drejton Institutin e Studimeve Politike, vlerëson se sapo përgjigja të vijë në rrugë zyrtare është e pritshme që Gjykata Kushtetuese të mblidhet dhe të marrë vendimin e saj.

Sipas tij praktikat e punës së Gjykatës dhe rëndësia e problematikës në shqyrtim krijojnë mundësinë që vendimi të jetë i shpejtë, brenda muajit dhjetor.

Madje ai thekson se për t’i dhënë besueshmëri dhe transparencë procesit do të duhet që vetë Gjykata të bëjë publike datat e korrespodencës me Komisionin e Venecias dhe datën e seancës për vendimmarrjen e saj.

“Kryetari i Gjykatës në rolin drejtues të procesit mund ta realizojë këtë, pavarësisht vendimmarrjes së kolegjit të gjyqtarëve. Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse procesi shoqërohet me alibi teknike, vonesa në shqyrtim do të kishte pasoja negative për vetë imazhin institucional e publik të Gjykatës dhe të kryetarit të saj, – diçka që nuk e besoj se është në interesin e tyre, të publikut dhe as të integritetit të reformës në drejtësi”, -u shpreh Krasniqi.

Gjithsesi përfaqësues të mazhorancës, nisur nga procedura e ndjekur deri më tani në shqyrtimin e kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese i tremben edhe një skenari që ky vendim të zvarritet deri pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke ia lënë më pas mazhorancës së re që do dalë nga zgjedhjet zbatimin e kësaj reforme.

Por përtej këtij skepticizmi vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke folur disa ditë për këtë çështje, premtoi një vendimmarrje të shpejtë duke e lidhur atë me kohën që do të duhet për të përkthyer opinionin.

“Do pritet opinioni, do përkthehet dhe pastaj do veprohet. Por nuk mund të them asnjë datë. Ajo do varet nga përkthimi i përgjigjes”, -u shpreh Dedja.

Vendimi

Përveç kohës se kur kjo gjykatë do duhet të marrë vendim, i rëndësishëm mbetet edhe përmbajtja e tij.

Praktika e deritanishme ka treguar se Gjykata i ka mbetur strikte në qëndrimet e saj interpretimit që Komisioni i Venecias i ka bërë çështjeve të ndryshme, për të cilat i është kërkuar mendim.

Ndaj edhe në këtë rast duke marrë të mirëqenë opinionin e publikuar tashmë në media, Gjykatës nuk i mbetet shumë hapësirë për të interpretuar.

“Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se ka përcjellë autoritetin e vet gjykues tek opinioni i Komisionit të Venecias, ndaj është e pritshme që ajo të respektojë integritetin e këtij Opinioni. Në asnjë nga rastet e deritanishme nuk ka ndodhur që Gjykata të jetë shprehur ndryshe nga opinioni i ardhur nga Komisioni, dhe tani nuk është rasti të presim një devijim nga kjo praktikë normale profesionale”, u shpreh Krasniqi lidhur me këtë debat.

Këtë qëndrim ndan edhe avokati, Spartak Ngjela, i cili thekson se tashmë ka mbaruar pritja dhe fillon procedura e shpëtimit të Shqipërisë.

“Vonesë; gjithmonë vonesa ka pasur populli shqiptar nga qeveritarët e tij. Ky ka qenë fati i keq i tyre: i zgjedhin qeveritarët, dhe ata janë kundër shqiptarëve. E fundit ishte Gjykata Kushtetuese… Po tani? U lodhën kot”, shkroi dje Spartak Ngjela duke kujtuar se reforma ishte një angazhim i dy nga shteteve më të rëndësishme në botë, SHBA-së dhe Gjermanisë.

Pjesa tjetër e reformës

Por nuk ka përfunduar me kaq, pasi për Afrim Krasniqin problemi mbetet i hapur në një këndvështrim tjetër dhe që ka të bëjë me vijueshmërinë e reformës në drejtësi.

Ai thekson se në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar ose pritet të adresohen edhe ankimime të tjera mbi ligje të veçanta të paketës kushtetuese, çka sipas tij në rast se do të veprohet nga kjo gjykatë në të njëjtën mënyrë si u veprua me Vettingun, atëherë rrezikohet që reforma në drejtësi të shtyhet sërish.

“Nëse kjo ndodh reforma ecën dhe brenda marsit mund të kemi produktet e para të saj, në aspektin e fillimit të krijimit të institucioneve të reja. Nëse vijon praktika e ankimimit dhe e nevojës për Opinion, atëherë procesi shtyhet me muaj të tjerë, duke dëmtuar ndjeshëm progresin dhe kapacitetet e Shqipërisë për jetësimin e reformës në drejtësi. Ky është një vendim që Gjykatësit do të duhet ta konsiderojnë me më shumë seriozitet se sa praktika e deritanishme”, shprehet Krasniqi.

Vlerësimi i Komisionit të Venecias

  1. Skualifikimi i gjyqtarëve kushtetues për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit do rezultonte në përjashtimin total të mundësisë së rishikimit gjyqësor të Ligjit të Vettingut në lidhje me përputhshmërinë e tij me Kushtetutën. Kjo do të minonte garancitë e siguruara nga një rishikim gjyqësor funksional i legjislacionit. Kjo situatë mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si një ‘rrethanë e jashtëzakonshme’, që mund të kërkojë shmangien nga parimi i skualifikimit me qëllim që të parandalohet mosdhënia e drejtësisë.
  1. Me gjithë përfshirjen e organeve, si ILDKPKI-ja (Inspektorati i Lartë i Deklarimit Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave) ose DSIK-ja, (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) në procesin e hetimit dhe kërkimit fillestar të provave, vlerësimi i çdo informacioni ose prove të mbledhur nga ato organe ekzekutive i takon Komisionit dhe Kolegjit të Ankimit, që të dyja kanë karakteristikat e organeve gjyqësore dhe kanë tagrin të verifikojnë vetë provat e mbledhura nga organet ekzekutive. Mbi këtë bazë, mund të arrihet në përfundimin se sistemi i ngritur nga Ligji i Rivlerësimit, nuk duket se përbën ndërhyrje në tagret gjyqësore.
  1. Këto tekste ligjore ofrojnë elemente të mjaftueshme për të nxjerrë përfundimin që Kolegji i Ankimit mund të konsiderohet si një juridiksion i specializuar që ofron garanci gjyqësore për personat e prekur nga procedura e rivlerësimit. Të drejtat dhe garancitë e përfshira në skemën legjislative dhe kushtetuese duken të gjera.
  1. Konsiderata thelbësore është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në vlerësimin e figurës dhe që përbëhet kryesisht nga personeli i sigurisë, funksionon nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që i gjithë materiali përkatës para grupit të punës duhet t’u ofrohet atyre. Komisioni i Venecias është i mendimit që ndërsa vlerësimi i figurës është natyrisht ndërhyrës, ai nuk mund të shihet si një ndërhyrje e pajustifikuar në jetën private ose familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me Nenin 8 të KEDNJ-së.
Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja shtëpia ku do jetojë Obama pasi të lërë detyrën

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama kanë marrë...
Read More