CDU/CSU: Do t’i rekomandojmë Merkel të mos miratojë hapjen e negociatave

gunther-krichbaumKryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së pranë Bundestagut gjerman tha dje në Tiranë se grupi parlamentar i CDU dhe CSU tha se janë 7 kushte që duhen plotësuar para se Shqipëria të çelë negociatat me BE

Gunther Krichbaum: Ne do të presim progres-raportin e vitit 2018. Unë mund t’ju kujtoj juve se në pranverën e vitit 2018 mund të ketë dritë jeshile, por në të gjitha rastet duhet të plotësohen të gjitha kushtet dhe të gjitha pritshmëritë

Hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian mori dje një kthesë të papritur. I gjendur për një vizitë zyrtare në Tiranë, deputeti gjerman Gunther Krichbaum, që është edhe anëtar i grupit parlamentar të partisë së Angela Merkel, tha dje se Bundestagu do të votojë kundër hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë të Bashkimit Europian me Shqipërinë. “Bundestagu ka të drejtën të shprehet me qëndrimin e tij përpara se të çelen negociatat për një vend kandidat. Ndaj, pa vendimin e Bundestagut, kancelarja gjermane nuk mund të shprehet pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat… Grupi parlamentar i CDU-së dhe CSU-së do t’i rekomandojë qeverisë federale që të mos miratojë çeljen e negociatave derisa të përmbushen pikat e formuluara…”, -tha ai. CDU/ CSU (që përfaqëson edhe mazhorancën në Bundestagun gjerman) pret që të reflektohen pozitivisht në raport progresin e pranverës së vitit 2018, për të dhënë më pas dakordësinë për negociatat. Po pse pas dy vitesh? Kjo sepse vendet e BE-së për shkak të zgjedhjeve në Gjermani, Francë, Holandë kanë vendosur të mos hartojnë vitin tjetër progress-raporte për asnjë nga vendet aspirante, përfshirë edhe Shqipërinë. “Ne do të presim progres-raportin e vitit 2018. Unë mund t’ju kujtoj juve se në pranverën e vitit 2018 mund të ketë dritë jeshile, por në të gjitha rastet duhet të plotësohen të gjitha kushtet dhe të gjitha pritshmëritë. Është e ndershme të flasim hapur që në fillim; sa më shpejt të plotësohen kushtet, aq më tepër mundësi kemi të hapim kapitullin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian…”, -tha deputeti Krichbaum. Në deklaratën e tij për mediat, deputeti gjerman radhiti 7 pika që duhen plotësuar, përfshi këtu edhe dy kërkesat e opozitës; ajo për zgjedhje të lira sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Të dyja kërkesat kanë qenë pjesë edhe e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në kriterin politik, por jo të radhitura në listën e 5 prioriteteve që duhet të plotësonte Shqipëria. Krichbaum është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së pranë Bundestagut gjerman. Ky komision është përgjegjës për çështjet themelore të integrimit evropian, temat institucionale dhe çështjet e zgjerimit. Megjithatë, dje në konferencën për shtyp, Krichbaum tha se për qëndrimin e tij ai ishte mandatuar vetëm nga grupi parlamentar i CDU-së dhe kreu i saj. Pas deklaratës së deputetit gjerman, Lulzim Basha citoi në Facebook se ky ishte një lajm i keq për shqiptarët. “Tani është koha të punojmë për të realizuar reformat e nevojshme dhe marrë vendimet e duhura që u shërbejnë shqiptarëve dhe jo për t’u hedhur hi syve qytetarëve dhe partnerëve tanë. Sot është koha për reflektim…”, -tha Basha. Nga ana e mazhorancës dje nuk kishte qëndrim zyrtar. Krichbaum tha se ai e kishte njoftuar edhe kryeministrin Rama për vendimin e marrë por pa iu përgjigjur medias se cili kishte qenë qëndrimi i këtij të fundit. Por Top Channel duke iu referuar burimeve nga kryeministria mësoi se Rama në fund të takimit i ka sugjeruar atij me humor “që as të mos e ngatërrojë Shqipërinë me axhendën e fushatës së tij në Gjermani dhe as fushatën e tij të mos e ngatërrojë me fushatën e Partisë Demokratike në Tiranë”. Deklarata e deputetit gjerman vjen edhe pak ditë para vizitës së kryeministrit Rama me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Por cili është qëndrimi i saj për këtë çështje? Deputeti i Bundestagut gjerman nuk dha një përgjigje. “Unë flas për temën, sistemin se si jemi mësuar ne të punojmë. Qeveria jonë është e lidhur me votën tonë. Qeveria nuk mund të japë votë për hapjen pa i dhënë ne dritën jeshile. Dritën jeshile ua bëra të qartë. Pra, me hapjen e bisedimeve, trajtimin e kapitujve të veçantë, të tëra këto duhen plotësuar…”, -tha ai.

Kushtet

Por cilat janë kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë? Krichbaum tha se çelja e negociatave do të bëhet vetëm pasi të jenë shënuar arritje të konsiderueshme për Reformën në Drejtësi. “Vërtet është miratuar reforma në drejtësinë shqiptare, por me vendim të Gjykatës Kushtetuese disa akte janë pezulluar”, -shtoi ai. Sipas tij, vetë Gjykata ka kërkuar të merret një opinion nga Komisioni i Venecias, dhe sot është ende e paqartë, se kur do të hyjë reforma në fuqi. Mjaft të rëndësishëm konsideroi ai skanimin e pasurisë dhe integritetin e 800 gjyqtarëve e prokurorëve, proces në të cilin kërkohet që ndërkombëtaret të mos kenë kufizim në punën e tyre. Edhe reforma në administratën publike, sipas tij, kërkon disa pika për t’u plotësuar dhe se ajo duhet të provohet në praktikë. Lufta kundër korrupsionit ishte një tjetër kapitull ku duhet arritur më shumë sepse sipas tij mungojnë ngritje të padive penale konkrete dhe vendime penale të formës së prerë. Deputeti gjerman ishte i ashpër edhe kur foli për luftën kundër trafikut të drogës, pasi në perceptimin e tij në luftën kundër saj janë bërë hapa pas. Sipas tij, BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje. Edhe e drejta e pronës për gjermanët është larg standardeve europiane. Sipas tij, ligji për pronat është në përpunim e sipër dhe nevojitet më shumë transparencë mbi këtë proces. Deputeti gjerman kërkoi gjithashtu zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Standardet janë përmirësuar, por ka ende punë. Zgjedhësit të jenë të sigurt që votat e tyre numërohen dhe zgjedhjet nuk trukohen…”, -tha ai. Kërkesa e shtatë e grupit parlamentar të CDU-së lidhet me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë. “Ligji për dekriminalizimin ishte një marrëveshje e rëndësishme. Zbatimi me sukses i tij në Shqipëri do të mbajë larg Kuvendit të inkriminuarit. Këto janë pritshmëritë tona”, -tha Krichbaum.

7 kushtet e Gjermanisë

Reforma në Drejtësi

Reforma në administratën publike

Lufta ndaj korrupsionit

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe drogës

Zgjedhjet e lira sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR

Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit

Masat kundër diskriminimit dhe e drejta e pronës

 

Lammert-Metës: Shqipëria mund të mbështetet te Gjermania

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në Berlin nga Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert. Gjatë takimit, Meta e informoi Presidentin Lammert mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke veçuar miratimin me konsensus të paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen gjermane. Meta theksoi se pavarësisht lajmeve pozitive, “ne jemi të vendosur të avancojmë me zbatimin e reformës në drejtësi dhe me përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të Komisionit në progres-raportin e fundit, dhe në këtë drejtim mbështetemi te Gjermania dhe te Bundestagu”.

Nga ana e tij, Presidenti i Bundestagut, Lammert shprehu vlerësimin për progresin e arritur dhe vuri në dukje se çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duhet të kalojë përmes fazave të vështira të rritjes së standardeve të qeverisjes sipas standardeve të BE. Lammert nënvizoi se Shqipëria iu përket atyre vendeve me perspektivë të qartë në BE dhe në këtë kuadër Shqipëria duhet të vazhdojë me implementimin e reformave të nisura sipas standardeve evropiane. “Për sa i takon anëtarësimit konkret në Bashkimin Evropian, Shqipëria mund të mbështetet te Gjermania, sikurse e theksova dhe gjatë takimit tonë, edhe për perspektivën e hapjes në parim të negociatave të anëtarësimit, por duhen përmbushur kriteret. Pa një dëshmi të përmbushjes së detyrimeve të marrëveshjes nuk mund të ketë anëtarësim dhe ne mbështesim me kënaqësi të gjitha përpjekjet, në veçanti në parlamentin shqiptar, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore, në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të miratohen, pasi edhe ato kërkojnë kohën e tyre, me shpresën për të patur një përfundim të suksesshëm…”, -u shpreh Lammert pas takimit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shpirti dhe pasionet mendore të Hannah Arendt

Një markë e re e filmit dokumentar, për një nga mendimtaret politike...
Read More